Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Complementary)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with thematically matched Old and New Testament readings.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 119:41-48

41 Le të më arrijë shpirtmadhësia jote, o Zot, dhe shpëtimi yt sipas fjalës sate.

42 Kështu do të mund t’i përgjigjem atij që më fyen, sepse kam besim te fjala jote.

43 Mos hiq plotësisht nga goja ime fjalën e së vërtetës, sepse unë kam shpresë te dekretet e tua.

44 Kështu do të respektoj ligjin tënd vazhdimisht, përjetë.

45 Do të ec në liri, sepse kërkoj urdhërimet e tua.

46 Do të flas për porositë e tua para mbretërve dhe nuk do të turpërohem.

47 Do të kënaqem me urdhërimet e tua, sepse i dua.

48 Do të ngre duart e mia drejt urdhërimeve të tua, sepse i dua, dhe do të mendohem thellë mbi statutet e tua.

Fjalët e urta 16:1-20

16 Prirjet e zemrës i përkasin njeriut, por përgjigja e gjuhës vjen nga Zoti.

Të gjitha rrugët e njeriut janë të pastra në sytë e tij, por Zoti i peshon frymët.

Besoja Zotit veprimet e tua dhe planet e tua do të realizohen.

Zoti ka bërë çdo gjë për vete të tij, edhe të pabesin për ditën e fatkeqësisë.

Ai që është zemërkrenar është i neveritshëm për Zotin; edhe sikur t’i shtrëngojë dorën një tjetri për besëlidhje, nuk ka për të mbetur pa u ndëshkuar.

Me mirësinë dhe me të vërtetën padrejtësia shlyhet, dhe me frikën e Zotit njeriu largohet nga e keqja.

Kur Zotit i pëlqejnë rrugët e një njeriu, ai bën që edhe armiqtë e tij të bëjnë paqe me të.

Më mirë të kesh pak me drejtësi, se sa të ardhura të mëdha pa drejtësi.

Zemra e njeriut programon rrugën e tij, por Zoti drejton hapat e tij.

10 Mbi buzët e mbretit është një vendim hyjnor; gjatë gjykimit goja e tij nuk duhet të gabojë.

11 Kandari dhe peshoret e sakta janë të Zotit, të gjitha gurët e peshës janë vepër e tij.

12 Éshtë një gjë e neveritshme për mbretërit të bëjnë të keqen, sepse froni bëhet i qëndrueshëm me drejtësinë.

13 Buzët e drejta u pëlqejnë mbretërve; ata e duan atë që flet drejt.

14 Zemërimi i mbretit është si lajmëtari i vdekjes, por njeriu i urtë do ta qetësojë atë.

15 Në dritën e fytyrës së mbretit ka jetë, dhe favori i tij është si reja e shiut të fundit.

16 Éshtë më mirë të fitosh dituri se sa ar, dhe të fitosh mënçuri se sa argjend.

17 Rruga kryesore e njerëzve të drejtë është të evitojnë të keqen; ai që do ta ruajë shpirtin e tij mbikqyr rrugën e tij.

18 Përpara shkatërrimit vjen kryelartësia dhe përpara rrëzimit fryma krenare.

19 Më mirë të kesh frymë të përulur me të mjerët se sa të ndash prenë me krenarët.

20 Kush i kushton kujdes Fjalës do të gjejë të mirën, dhe kush i beson Zotit është i lumtur.

Mateu 19:16-22

16 Dhe ja, iu afrua dikush dhe i tha: “Mësues i mirë, çfarë të mire duhet të bëj që të kem jetë të përjetshme?.”

17 Dhe ai tha: “Pse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç një të vetmi: Perëndia. Tani në qoftë se ti don të hysh në jetë, zbato urdhërimet.”

18 Ai i tha: “Cilat?.” Atëherë Jezusi i tha: “Mos vraj, mos shkel kurorën, mos vidh, mos bëj dëshmi të rreme,

19 ndero atin tënd dhe nënën tënde dhe duaje të afërmin tënd si veten tënde.”

20 I riu i tha: “Të gjitha këto gjëra unë i kam zbatuar që në rini; çfarë më mungon tjetër?.”

21 Jezusi i tha: “Në qoftë se do të jesh i përsosur, shko, shit ç’të kesh, jepua të varfërve dhe ti do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja dhe më ndiq mua.”

22 Por i riu, kur i dëgjoi këto fjalë, iku i trishtuar, sepse kishte pasuri të madhe.