Revised Common Lectionary (Complementary)
19 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:
2 "Foli tërë asamblesë së bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Jini të shenjtë, sepse unë Zoti, Perëndia juaj, jam i shenjtë.
15 Nuk do të bësh padrejtësi gjatë gjykimit; nuk do të tregohesh i anshëm me të varfërin as do të nderosh personat e fuqishëm; por do të gjykosh të afërmin tënd me drejtësi.
16 Nuk do të shkosh e të sillesh duke shpifur nëpër popullin tënd, as do të mbash qëndrim kundër jetës të të afërmit tënd. Unë jam Zoti.
17 Nuk do të urresh vëllanë tënd në zemrën tënde; qorto gjithashtu fqinjin tënd, por mos u ngarko me asnjë mëkat për shkak të tij.
18 Nuk do të hakmerresh dhe nuk do të mbash mëri kundër bijve të popullit tënd, por do ta duash të afërmin tënd si veten tënde. Unë jam Zoti.
1 Lum njeriu që nuk ecën sipas këshillës të të pabesëve, që nuk ndalet në rrugën e mëkatarëve dhe nuk ulet bashkë me tallësit,
2 por që gjen kënaqësinë e tij në ligjin e Zotit, dhe që mendon thellë ditë e natë mbi ligjin e tij.
3 Ai do të jetë si një pemë e mbjellë gjatë brigjeve të ujit, që jep frytin e tij në stinën e tij dhe të cilit gjethet nuk i fishken; dhe gjithçka bën do të ketë mbarësi.
4 Të tillë nuk janë të pabesët; janë si byku që era e shpërndan.
5 Prandaj të pabesët nuk do të përballojnë gjykimin, as mëkatarët në kuvendin e të drejtëve.
6 Sepse Zoti njeh rrugët të drejtëve, por rruga e të pabesëve të çon në shkatërrim.
2 Sepse ju vetë, vëllezër, e dini se ardhja jonë ndër ju nuk qe e kotë.
2 Por, mbasi hoqëm më parë dhe mbasi na shanë në Filipi, sikurse e dini, ne morëm guxim në Perëndinë tonë të shpallim ndër ju ungjillin e Perëndisë midis kaq përpjekjesh.
3 Sepse nxitja jonë nuk vjen nga mashtrimi, as nga qëllime të pa ndershme, as nga dredhia;
4 por, duke qenë se u miratuam prej Perëndisë që të na besohet ungjilli, kështu ne flasim jo që t’u pëlqejmë njerëzve, por Perëndisë, që provon zemrat tona.
5 Ne, pra, nuk kemi përdorur kurrë, sikurse e dini mirë, fjalë lajkatuese, dhe as nuk jemi nisur nga motive lakmie; Perëndia është dëshmitar.
6 Dhe nuk kemi kërkuar lavdi prej njerëzve, as prej jush, as prej të tjerësh, megjithëse mund t’ju bëheshim barrë si apostuj të Krishtit.
7 Përkundrazi qemë zemërbutë midis jush, ashtu si mëndesha që rrit me dashuri fëmijët e saj.
8 Kështu, duke pasur një dashuri të madhe ndaj jush, ishim të kënaqur duke ju komunikuar jo vetëm ungjillin e Perëndisë, por edhe vetë jetën tonë, sepse na u bëtë të dashur.
34 Atëherë farisenjtë, kur dëgjuan se ai ua kishte zënë gojën saducenjve, u mblodhën tok.
35 Dhe një nga ata, mësues i ligjit, e pyeti për të vënë në provë, duke thënë:
36 “Mësues, cili është urdhërimi i madh i ligjit?.”
37 Dhe Jezusi i tha: “"Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde".
38 Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi.
39 Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: "Duaje të afërmin tënd porsi vetveten".
40 Nga këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët.”
41 Tani, kur u mblodhën farisenjtë, Jezusi i pyeti:
42 “Ç’u duket juve për Krishtin? Biri i kujt është?.” Ata i thanë: “I Davidit.”
43 Ai u tha atyre: “Si pra Davidi, në Frymë, e quan Zot, duke thënë:
44 "Zoti i ka thënë Zotit tim: Ulu në të djathtën time, deri sa unë t’i vë armiqtë e tu si stol të këmbëve të tua"?
45 Në qoftë se Davidi e quan Zot, si mund të jetë biri i tij?.”
46 Por asnjë nuk ishte në gjendje t’i përgjigjej; dhe, që nga ajo ditë, askush nuk guxoi ta pyesë më.