Revised Common Lectionary (Complementary)
126 Kur Zoti i bëri robërit e Sionit të kthehen, na u duk si ëndërr.
2 Atëherë goja jonë u mbush me qeshje dhe gjuha jonë me këngë gëzimi, atëherë thuhej midis kombeve: "Zoti ka bërë gjëra të mëdha për ta".
3 Zoti ka bërë gjëra të mëdha për ne, dhe jemi tërë gëzim.
4 Bëj të rikthehen robërit tanë, o Zot, ashtu si përrenjtë në jug.
5 Ata që mbjellin me lotë, do të korrin me këngë gëzimi.
6 Vërtetë ecën duke qarë ai që mban farën që do të mbillet, por ai do të kthehet më këngë gëzimi duke sjellë duajt e tij.
12 Atëherë Jeremia u foli tërë princave dhe të gjithë popullit, duke thënë: "Zoti më ka dërguar të profetizoj kundër kësaj shtëpie dhe kundër këtij qyteti tërë gjërat që keni dëgjuar.
13 Prandaj korrigjoni tani rrugët dhe veprimet tuaja dhe dëgjoni zërin e Zotit, Perëndisë tuaj, dhe Zoti do të pendohet për të keqen që ka shqiptuar kundër jush.
14 Sa për mua, unë jam në duart tuaja; veproni me mua ashtu siç ju duket e mirë dhe e drejtë.
15 Por dijeni me siguri që, në qoftë se më bëni të vdes, do të tërhiqni gjak të pafajmë mbi vete, mbi këtë qytet dhe mbi banorët e tij, sepse Zoti më ka dërguar me të vërtetë pranë jush, që t’u deklaroj veshëve tuaj tërë këto fjalë".
16 Atëherë princat dhe tërë populli u thanë priftërinjve dhe profetëve: Ky njeri nuk meriton vdekjen, sepse na ka folur në emër të Zotit, Perëndisëë tonë".
17 Pastaj u ngritën disa nga pleqtë e vendit dhe i folën tërë kuvendit të popullit, duke thënë:
18 "Mikea, Morashtiti, profetizoi në ditët e Ezekias, mbretit të Judës, dhe i foli tërë popullit të Judës, duke thënë: "Kështu thotë Zoti i ushtrive: Sioni do të lërohet si një fushë, Jeruzalemi do të bëhet një grumbull gërmadhash dhe mali i tempullit një lartësi e pyllëzuar".
19 A e dënuan vallë me vdekje Ezekian, mbretin e Judës, dhe tërë Judën? A nuk pati frikë nga Zoti dhe a nuk iu lut vallë fytyrës së Zotit, dhe kështu Zoti u pendua për të keqen që kishte shqiptuar kundër tyre? Ne jemi duke bërë përkundrazi një të keqe të madhe kundër vetes sonë".
20 Pati edhe një njeri tjetër që profetizoi në emër të Zotit. Uria, biri i Shemajahut, nga Kiriath-Jearimi; ai profetizoi kundër këtij qyteti dhe kundër këtij vendi me fjalë krejt të ngjashme me ato të Jeremias.
21 Kur mbreti Jehojakim, tërë njerëzit e tij trima dhe tërë princat e tij dëgjuan fjalët e tij, mbreti kërkoi ta dënojë me vdekje, por Uria e mori vesh dhe u frikësua; prandaj ua mbathi këmbëve dhe shkoi në Egjipt.
22 Atëherë mbreti Jehojakim dërgoi njerëz në Egjipt, Elnathanin, biri i Akborit, dhe njerëz të tjerë me të në Egjipt.
23 Këta e nxorën Urian nga Egjipti dhe e çuan te mbreti Jehojakim, që e goditi me shpatë dhe e hodhi kufomën e tij midis varreve të bijve të popullit.
24 Por dora e Ahikamit, birit të Shafanit, ishte me Jeremian, me qëllim që të mos e dorëzonin në duart e popullit dhe të mos dënohej me vdekje.
11 Sepse, po të ishte përkryerja me anë të priftërisë levitike (sepse populli e mori ligji nën atë), ç’nevojë kishte të dilte një prift tjetër sipas rendit të Melkisedekut dhe të mos caktohet sipas rendit të Aaronit?
12 Sepse, po të ndërrohet priftëria, domosdo ndërrohet edhe ligji.
13 Sepse ai për të cilin bëhet fjalë i përket një fisi tjetër, prej të cilit askush nuk i ka shërbyer ndonjëherë altarit;
14 sepse dihet se Perëndia ynë lindi nga fisi i Judës, për të cilin Moisiu nuk tha asgjë lidhur me priftërinë.
15 Dhe kjo bëhet edhe më e qartë, në qoftë se del një prift tjetër pas shëmbëllimit të Melkisedekut,
16 që nuk u bë i tillë në bazë të ligjit të porosisë së mishit, po në bazë të fuqisë të jetës së pashkatërrueshme.
17 Sepse Shkrimi dëshmon: “Ti je prift për jetë të jetës, sipas rendit të Melkisedekut.”
18 Në këtë mënyrë bie poshtë urdhërimi i mëparshëm, për shkak të dobësisë dhe të padobisë së tij,
19 sepse ligji nuk mbaroi asnjë lloj pune, po futi një shpresë më të mirë, me anë të së cilës i afrohemi Perëndisë.
20 Dhe kjo nuk u bë pa betim. Sepse ata bëheshin priftërinj pa bërë betim,
21 (ndërsa ky në bazë të betimit nga ana e atij që i tha: “Perëndia u betua dhe nuk do të pendohet: Ti je prift përjetë, sipas rendit të Melkisedekut”).
22 Kështu Jezusi u bë garant i një besëlidhjeje shumë më të mirë.