Revised Common Lectionary (Complementary)
126 Kur Zoti i bëri robërit e Sionit të kthehen, na u duk si ëndërr.
2 Atëherë goja jonë u mbush me qeshje dhe gjuha jonë me këngë gëzimi, atëherë thuhej midis kombeve: "Zoti ka bërë gjëra të mëdha për ta".
3 Zoti ka bërë gjëra të mëdha për ne, dhe jemi tërë gëzim.
4 Bëj të rikthehen robërit tanë, o Zot, ashtu si përrenjtë në jug.
5 Ata që mbjellin me lotë, do të korrin me këngë gëzimi.
6 Vërtetë ecën duke qarë ai që mban farën që do të mbillet, por ai do të kthehet më këngë gëzimi duke sjellë duajt e tij.
9 Zemra ime është thyer brenda meje për shkak të profetëve, tërë kockat e mia dridhen. Jam si një i dehur, si një njeri i mposhtur nga vera, për shkak të Zotit dhe fjalëve të tij të shenjta.
10 Sepse vendi është plot me shkelës të kurorës, për shkak të mallkimit vendi është në zi, kullotat e shkretëtirës janë tharë. Vrapi i tyre është i mbrapshtë dhe forca e tyre nuk është e drejtë.
11 "Si prifti ashtu edhe profeti janë prishur; po, e kam gjetur ligësinë e tyre edhe në vetë shtëpinë time," thotë Zoti.
12 "Prandaj rruga e tyre do të jetë për ta si shtigje ku njeriu shket; do të shtyhen në errësirë dhe do të rrëzohen nëpër to, sepse do të bëj që të bjerë mbi ta një gjëmë, në vitin e dënimit të tyre," thotë Zoti.
13 "Kam vërejtur budallallëqe midis profetëve të Samarias: profetizonin në emër të Baalit dhe e çonin në rrugë të keqe popullin tim të Izraelit.
14 Edhe ndërmjet profetëve të Jeruzalemit kam parë gjëra të ndyra: kryejnë shkelje të kurorës, ecin në mënyrë të rreme, përforcojnë duart e keqbërësve, dhe kështu asnjeri nuk largohet nga rruga e keqe që ka marrë. Për mua janë që të gjithë si Sodoma, dhe banorët e tij si Gomora".
15 Prandaj kështu thotë Zoti i ushtrive për profetët: "Ja, unë do t’i ushqej me pelin dhe do t’i bëj të pinë ujë të helmuar, sepse nga profetët e Jeruzalemit pabesia është përhapur në tërë vendin".
7 Sepse ky Melkisedeku, mbret i Salemit dhe prift i Shumë të Lartit Perëndi, i doli përpara Abrahamit, kur po kthehej nga disfata e mbretërve dhe e bekoi;
2 dhe Abrahami i dha atij edhe të dhjetën e të gjithave. Emri i tij do të thotë më së pari "mbreti i drejtësisë," dhe pastaj edhe "mbreti i Salemit," domethënë "mbreti i paqes".
3 Pa atë, pa nënë, pa gjenealogji, pa pasur as fillim ditësh as fund jete, por i përngjashëm me Birin e Perëndisë, ai mbetet prift në amshim.
4 Merrni me mend, pra, sa i madh ishte ky, të cilit Abrahami i dha të dhjetën e plaçkës.
5 Edhe ata nga bijtë e Levit që marrin priftërinë kanë porosi sipas ligjit të marrin të dhjetën nga populli, pra, nga vëllezërit e tyre, megjithse edhe ata kanë dalë nga mesi i Abrahamit;
6 ndërsa ky, Melkisedeku, ndonëse nuk e kishte gjenealogjinë prej atyre, mori të dhjetën nga Abrahami dhe bekoi atë që kishte premtimet.
7 Dhe s’ka kundërshtim se më i vogli bekohet nga më i madhi.
8 Veç kësaj ata që i marrin të dhjetat janë njerëzit që vdesin, kurse atje i merr ai për të cilin dëshmohet se rron.
9 Dhe, që të them kështu, vetë Levi, që merr të dhjetat, dha të dhjeta te Abrahami,
10 sepse ishte ende në mesin e t’et, kur Melkisedeku i doli përpara.