Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Complementary)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with thematically matched Old and New Testament readings.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Amosi 5:6-7

Kërkoni Zotin dhe do të rroni, që të mos shpërthejë si zjarr në shtëpinë e Jozefit dhe ta gllabërojë pa qenë në gjendje ta shuajë askush në Bethel.

Ai braktis ata që e ndërrojnë ndershmërinë dhe drejtësinë në helm mbi tokë".

Amosi 5:10-15

10 Ata e urrejnë atë që i qorton te porta dhe kanë neveri për ata që flasin me ndershmëri.

11 Pastaj, duke qenë se keni shtypur të varfrin dhe kërkoni prej tij taksa në grurë, megjithëse keni ndërtuar shtëpi prej guri të palatuar, nuk do të banoni në to; keni mbjellë vreshta të mrekullueshme, por nuk do ta pini verën e tyre.

12 Unë, pra, njoh sa të shumta janë shkeljet tuaja dhe sa të rënda janë mëkatet tuaja; ju shtypni të drejtin, pranoni dhurata dhe u bëni padrejtësi të varfërve në gjyq.

13 Prandaj njeriu i matur në këtë kohë do të heshtë, sepse koha është e keqe.

14 Kërkoni të mirën dhe jo të keqen, që të rroni, dhe kështu Zoti, Perëndia i ushtrive, do të jetë me ju, ashtu si thoni ju.

15 Urreni të keqen, dashuroni të mirën dhe vendosni mirë drejtësinë në gjyq. Ndofta Zoti, Perëndia i ushtrive, do të tregojë dhemshurinë për ata që kanë mbetur nga Jozefi.

Psalmet 90:12-17

12 Na mëso, pra, të numërojmë ditët tona për të pasur një zemër të urtë.

13 Kthehu, o Zot! Deri kur? Dhe ki mëshirë për shërbëtorët e tu.

14 Na ngop në mëngjes me mirësinë tënde, dhe ne do të ngazëllojmë dhe do të kënaqemi në të gjitha ditët tona.

15 Na gëzo në përpjestim me ditët që na ke pikëlluar dhe në kompensim të viteve që kemi vuajtur nga fatkeqësitë.

16 Qoftë e qartë vepra jote shërbëtorëve të tu dhe lavdia jote bijve të tyre.

17 Hiri i Zotit Perëndisë tonë qoftë mbi ne dhe e bëftë të qëndrueshme veprën e duarve tona; po, bëje të qëndrueshme veprën e duarve tona.

Hebrenjve 4:12-16

12 Sepse fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese, më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton deri në ndarjen e shpirtit dhe të frymës, të nyjeve dhe të palcave, dhe është në gjendje të gjykojë mendimet dhe dëshirat e zemrës.

13 Dhe nuk ka asnjë krijesë që të jetë e fshehur para tij, por të gjitha janë lakuriq dhe të zbuluara para syve të Atij, të cilit ne do t’i japim llogari.

14 Duke pasur, pra, një kryeprift të madh që ka përshkuar qiejt, Jezusin, Birin e Perëndisë, le të mbajmë fort rrëfimin tonë të besimit.

15 Sepse ne nuk kemi kryeprift që nuk mund t’i vijë keq për dobësitë tona, po një që u tundua në të gjitha ashtu si ne, por pa mëkatuar.

16 Le t’i afrohemi, pra, me guxim fronit të hirit, që të marrim mëshirë e të gjejmë hir, për të pasur ndihmë në kohë nevoje.

Marku 10:17-31

17 Tani kur po bëhej gati për rrugë, i doli përpara dikush me vrap; u gjunjëzua para tij dhe e pyeti: “Mësues i mirë, çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e përjetshme?.”

18 Dhe Jezusi i tha: “Përse më quan i mirë? Askush nuk është i mirë, përveç një të vetmi, domethënë Perëndisë.

19 Ti i njeh urdhërimet: "Mos shkel kurorën. Mos vrit. Mos vidh. Mos bëj dëshmi të rreme. Mos mashtro. Ndero atin tënd dhe nënën tënde".”

20 Dhe ai, duke iu përgjigjur, i tha: “Mësues, të gjitha këto i kam zbatuar që në fëmijërinë time.”

21 Atëherë Jezusi e vështroi në fytyrë, ndjeu dashuri për të dhe i tha: “Një gjë të mungon; shko, shit të gjitha ato që ke dhe jepua të varfërve dhe do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja, merre kryqin tënd dhe më ndiq.”

22 Por ai u trishtua për këto fjalë dhe u largua me keqardhje, sepse kishte shumë pasuri.

23 Atëherë Jezusi, mbasi e hodhi vështrimin përreth, u tha dishepujve të vet: “Sa vështirë është për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë!.”

24 Dishepujt u habitën shumë nga këto fjalë të tij. Por Jezusi foli përsëri dhe u tha atyre: “O bij, sa e vështirë është që të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë ata që mbështeten te pasuria.

25 Éshtë më e lehtë që një deve të kalojë nëpër vrimën e një gjilpëre, se sa të hyjë një i pasur në mbretërinë e Perëndisë.”

26 Dhe ata u çuditën edhe më tepër dhe i thoshin njëri-tjetrit: “Atëherë kush vallë mund të shpëtohet?.”

27 Por Jezusi, duke i ngulur sytë mbi ta, u tha: “Kjo për njerëzit është e pamundur, por jo për Perëndinë, sepse gjithçka është e mundur për Perëndinë.”

28 Atëherë Pjetri e mori fjalën dhe tha: “Ja, ne lamë çdo gjë dhe të kemi ndjekur.”

29 Jezusi, duke u përgjigjur, tha: “Në të vërtetë po ju them që nuk ka asnjeri që të ketë lënë shtëpinë, a vëllezërit a motrat, a atin, a nënën, a fëmijët ose arat për hirin tim dhe për ungjillin,

30 që të mos marrë tani, në këtë kohë, njëqindfish shtëpi, vëllezër, motra, nëna, fëmijë e ara, së bashku me përndjekje, dhe në botën e ardhshme, jeta e përjetshme.

31 Por shumë të parë do të jenë të fundit dhe shumë të fundit do të jenë të parët.”