Revised Common Lectionary (Complementary)
8 Sa i mrekullueshëm është emri yt mbi gjithë rruzullin, o Zot, Zoti ynë, që vure madhështinë tënde mbi qiejtë!
2 Nga goja e të vegjëlve dhe foshnjave në gji ke vendosur lëvdimin për shkak të armiqve të tu, për t’i mbyllur gojën armikut dhe hakmarrësit.
3 Kur mendoj qiejtë e tu, që janë vepër e gishtërinjve të tu, hënën dhe yjet që ti ke vendosur,
4 çfarë është njeriu, që ta mbash mend, dhe biri i njeriut, që ta vizitosh?
5 Megjithatë ti e bëre pak më të ulët se Perëndia, dhe e kurorëzove me lavdi dhe me nder.
6 E bëre të mbretërojë mbi veprat e duarve të tua dhe vure çdo gjë nën këmbët e tij!
7 Dhentë dhe bagëtitë e tjera, madje bishat e egra,
8 zogjtë e qiellit dhe peshqit e detit, tërë ato që kalojnë nëpër shtigjet e detit.
9 O Zot, Zoti ynë, sa i mrekullueshëm është emri yt në të gjithë dheun!
22 Në atë kohë Abimeleku, së bashku me Pikolin, kreu i ushtrisë së tij, i foli Abrahamit duke i thënë: "Perëndia është me ty në tërë ato që bën;
23 prandaj betohu këtu në emër të Perëndisë që ti s’ke për të gënjyer as mua, as bijtë e mi, as nipërit e mi, që ti do të përdorësh ndaj meje dhe vendit ku ke banuar si i huaj po atë dashamirësi që unë kam treguar ndaj teje".
24 Abrahami u përgjegj: "Betohem".
25 Pastaj Abrahami e qortoi Abimelekun për shkak të një pusi uji që shërbyesit e Abimelekut e kishin shtënë në dorë.
26 Abimeleku tha: "Unë nuk e di se kush e ka bërë këtë gjë; ti vetë nuk ma ke njoftuar dhe unë vetëm sot dëgjova të flitet për këtë ngjarje".
27 Atëherë Abrahami mori dele dhe qe dhe ia dha Abimelekut; dhe të dy lidhën aleancë.
28 Pastaj Abrahami vuri mënjanë shtatë qengja femër të kopesë.
29 Dhe Abimeleku i tha Abrahamit: "Ç’kuptim ka ajo që ke vënë shtatë qengja mënjanë?".
30 Abrahami u përgjegj: "Ti do t’i pranosh nga dora ime këto shtatë qengja, me qëllim që kjo të më vlejë si dëshmi që unë e kam hapur këtë pus".
31 Prandaj ai e quajti këtë vend Beer-Sheba, sepse aty që të dy ishin betuar.
32 Kështu lidhën aleancë në Beer-Sheba. Pastaj Abimeleku dhe Pikoli, kreu i ushtrisë të tij, u ngritën dhe u kthyen në vendin e Filistejve.
33 Pastaj Abrahami mbolli një marinë në Beer-Sheba dhe aty thërriti emrin e Zotit, Perëndi i përjetësisë.
34 Dhe Abrahami qëndroi si i huaj shumë kohë në vendin e Filistejve.
8 Tani, pra, nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezu, që nuk ecin sipas mishit, por sipas Frymës,
2 sepse ligji i Frymës i jetës në Jezu Krishtin më çliroi nga ligji i mëkatit dhe i vdekjes.
3 Sepse atë që ishte e pamundur për ligjin, sepse ishte pa forcë për shkak të mishit, Perëndia, duke dërguar birin e vet në shëmbëllim mishi mëkatar, edhe për mëkat, e dënoi mëkatin në mish,
4 që të përmbushet drejtësia e ligjit në ne, që nuk ecim sipas mishit, por sipas Frymës.
5 Sepse ata që rrojnë sipas mishit e çojnë mendjen në gjërat e mishit, por ata që rrojnë sipas Frymës në gjërat e Frymës.
6 Në fakt mendja e kontrolluar nga mishi prodhon vdekje, por mendja e kontro-lluar nga Fryma prodhon jetë dhe paqe.
7 Në fakt mendja e kontrolluar nga mishi është armiqësi kundër Perëndisë, sepse nuk i nënshtrohet ligjit të Perëndisë dhe as nuk mundet.
8 Prandaj ata që janë në mish nuk mund t’i pëlqejnë Perëndisë.
9 Nëse Fryma e Perëndisë banon në ju, ju nuk jeni më në mish, por në Frymë. Por në qoftë se ndokush nuk ka Frymën e Krishtit, ai nuk i përket atij.
10 Nëse Krishti është në ju, trupi pa tjetër është i vdekur për shkak të mëkatit, por Fryma është jetë për shkak të drejtësisë.
11 Dhe në qoftë se Fryma i atij që ringjalli Krishtin prej së vdekurish banon në ju, ai që e ringjalli Krishtin prej së vdekurish do t’u japë jetë edhe trupave tuaj vdekatarë me anë të Frymës së tij që banon në ju.