Revised Common Lectionary (Complementary)
17 Bëji të mirë shërbëtorit tënd, dhe unë do të jetoj dhe do të respektoj fjalën tënde.
18 Hapi sytë e mi dhe unë do të sodit mrekullitë e ligjit tënd.
19 Unë jam i huaji mbi dhe; mos m’i fshih urdhërimet e tua.
20 Shpirti im tretet nga dëshira e dekreteve të tua në çdo kohë.
21 Ti i qorton kryelartët, që janë të mallkuar, sepse largohen nga urdhërimet e tua.
22 Hiq prej meje turpin dhe përbuzjen, sepse unë i kam respektuar porositë e tua.
23 Edhe sikur princat të ulen dhe të flasin kundër teje, shërbëtori yt do të mendohet thellë mbi ligjet e tua.
24 Porositë e tua janë gëzimi im dhe këshilltarët e mi.
33 Fjala e Zotit iu drejtua për të dytën hërë Jeremias, ndërsa qëndronte akoma i mbyllur në oborrin e burgut, duke thënë:
2 "Kështu thotë Zoti që bën këtë, Zoti që e formon për ta vendosur, emri i të cilit është Zoti:
3 M’u drejto dhe unë do të të përgjigjem dhe do të të njoftoj gjëra të mëdha dhe të padepërtueshme që ti nuk i di.
4 Sepse kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit, për shtëpitë e këtij qyteti dhe për shtëpitë e mbretërve të Judës që do të shemben përballë ledheve dhe shpatës.
5 Ata do të vijnë të luftojnë kundër Kaldeasve, por vetëm për t’i mbushur me kufoma njerëzish, që unë do të godas në zemërimin tim dhe në tërbimin tim, sepse do ta fsheh fytyrën time nga ky qytet për shkak të gjithë ligësisë së tyre.
6 Ja, unë do t’i sjell atij mirëqenie dhe shërim; do t’i shëroj dhe do t’u zbuloj atyre bollëkun e paqes dhe të së vërtetës.
7 Do të bëj që të kthehen të mërguarit e Judës dhe të mërguarit e Izraelit dhe do t’i vendos përsëri si më parë.
8 Do t’i pastroj nga çdo paudhësi e tyre me të cilën kanë mëkatuar kundër meje dhe do t’ua fal të gjitha paudhësitë e tyre me të cilat kanë mëkatuar dhe me të cilat kanë ngritur krye kundër meje.
9 Dhe ky qytet do të ketë për mua një titull gëzimi, lëvdimi dhe lavdie përpara gjithë kombeve të dheut, kur ato të mësojnë gjithë të mirën që unë u bëj atyre; dhe do të kenë frikë e do të dridhen për shkak të gjithë mirësisë dhe të gjithë paqes që unë do t’i sjell atij".
10 Kështu thotë Zoti: "Në këtë vend për të cilin ju thoni: "Éshtë një shkreti, që nuk ka më as njerëz as kafshë," në qytetet e Judës dhe nëpër rrugët e Jeruzalemit që janë të shkreta, që nuk ka më as njerëz as kafshë, do të dëgjohen akoma
11 britma gëzimi dhe britma hareje, zëri i dhëndrit dhe zëri i nuses, zëri i atyre që thonë: "Kremtoni Zotin e ushtrive, sepse Zoti është i mirë, sepse mirësia e tij zgjat përjetë," dhe të atyre që sjellin oferta falënderimi në shtëpinë e Zotit. Sepse unë do të bëj që të kthehen të mërguarit në vend dhe do t’i vendos përsëri si më parë," thotë Zoti.
29 Kur po dilnin nga Jeriko, një turmë e madhe e ndoqi.
30 Dhe ja, dy të verbër që uleshin gjatë rrugës, kur dëgjuan se po kalonte Jezusi, filluan të bërtasin duke thënë: “Ki mëshirë për ne, Zot, Biri i Davidit.”
31 Por turma i qortoi që të heshtnin; por ata bërtisnin edhe më fort duke thënë: “Ki mëshirë për ne, Zot, Biri i Davidit!.”
32 Atëherë Jezusi ndaloi, i thirri dhe tha: “Çfarë doni të bëj për ju?.”
33 Ata i thanë: “Zot, të na hapen sytë!.”
34 Dhe Jezusi pati mëshirë për ta dhe ua preku sytë e tyre; dhe në atë çast u erdhi drita e syve dhe ata e ndiqnin.