Revised Common Lectionary (Complementary)
146 Aleluja. Shpirti im, lëvdo Zotin.
2 Unë do ta lëvdoj Zotn deri sa të kem jetë, do të këndoj lavde për Perëndinë tim gjatë gjithë jetës sime.
3 Mos kini besim te princat dhe as te ndonjë bir njeriu, që nuk mund të shpëtojë.
4 Kur fryma e tij ikën, ai kthehet përsëri në tokë dhe po atë ditë planet e tij zhduken.
5 Lum ai që ka Perëndinë e Jakobit si ndihmë, shpresa e të cilit është tek Zoti, Perëndia i tij,
6 që ka krijuar qiejtë dhe tokën, detin dhe gjithçka është në to, që ruan besnikërinë përjetë,
7 që u jep të drejtë të shtypurve dhe ushqim të uriturve. Zoti çliron të burgosurit.
8 Zoti u hap sytë të verbërve, Zoti ngre ata që janë rrëzuar, Zoti i do të drejtët.
9 Zoti mbron të huajt, ndihmon jetimin dhe gruan e ve, por përmbys udhën e të pabesëve.
10 Zoti mbretëron përjetë, Perëndia yt, o Sion, brez pas brezi. Aleluja.
36 Kryefamiljarët e bijve të Galaadit, birit të Makielit, bir i Manasit, të familjeve të bijve të Jozefit, u ngritën më këmbë dhe i dolën përpara Moisiut dhe prijësve, kryefamiljarëve të bijve të Izraelit,
2 dhe thanë: "Zoti ka urdhëruar zotërinë time t’u japë në trashëgimi me short vendin e bijve të Izraelit; zotëria ime ka marrë gjithashtu urdhërin e Zotit t’u japë trashëgiminë e vëllait tonë Tselofehad bijave të tij.
3 Në qoftë se ato martohen me një nga bijtë e fiseve të tjera të Izraelit, trashëgimia e tyre do të hiqet nga trashëgimia e etërve tanë dhe do t’i shtohet trashëgimisë së fisit në të cilin do të hyjnë; kështu do të hiqet nga trashëgimia që na ra në short.
4 Kur të vijë jubileu i bijve të Izraelit, trashëgimia e tyre do t’i shtohet trashëgimisë së fisit të cilit i përkasin tani; kështu trashëgimia e tyre do të hiqet nga trashëgimia e fisit të etërve tanë".
5 Atëherë Moisiu urdhëroi bijtë e Izraelit simbas porosisë që kishte nga Zoti, duke thënë: "Fisi i bijve të Jozefit e ka mirë.
6 Kjo është ajo që Zoti urdhëron lidhur me bijat e Tselofehadit: "Ato mund të martohen me cilindo që u duket i përshtatshëm, mjafton që të martohen në një familje që bën pjesë në fisin e etërve të tyre".
7 Kështu trashëgimia e bijve të Izraelit nuk do të kalojë nga një fis në tjetrin, sepse çdo bir i Izraelit do të mbetet i lidhur me trashëgiminë e fisit të etërve të tij.
8 Dhe çdo vajzë që zotëron një trashëgimi në një nga fiset e bijve të Izraelit, do të martohet me një burrë që i përket një familjeje të fisit të atit të saj; kështu çdo bir i Izraelit do të ruajë trashëgiminë e etërve të tij.
9 Në këtë mënyrë asnjë trashëgimi nuk do të kalojë nga një fis në tjetrin, por secili fis i bijve të Izraelit do të mbetet i lidhur me trashëgiminë e tij".
10 Bijat e Tselofehadit vepruan ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
11 Mahlah, Thirtsah, Hoglah, Milkah dhe Noah, bija të Tselofehadit, u martuan me bijtë e ungjërve të tyre;
12 u martuan në familjet e bijve të Manasit, birit të Jozefit, dhe trashëgimia e tyre mbeti në fisin e familjes së tyre.
13 Këto janë urdhërimet dhe dekretet që Zoti u dha bijve të Izraelit me anë të Moisiut në fushat e Moabit pranë Jordanit, në bregun përballë Jerikos.
6 Sepse, ndërsa ishin akoma pa forcë, Krishti vdiq në kohën e tij për të paudhët.
7 Vështirë në fakt se vdes dikush për një të drejtë; mbase ndonjë do të guxonte të vdiste për një njeri të mirë.
8 Por Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne.
9 Shumë më tepër, pra, duke qenë tani të shfajësuar në gjakun e tij, do të shpëtojmë nga zemërimi me anë të tij.
10 Në fakt, ndërsa ishim armiq, u pajtuam me Perëndinë nëpërmjet vdekjes së Birit të tij, akoma më shumë tani, që jemi pajtuar, do të shpëtohemi nëpërmjet jetës së tij.
11 E jo vetëm kaq, por edhe mburremi në Perëndinë, nëpërmjet Zotit tonë Jezu Krisht, me anë të të cilit tani kemi marrë pajtimin.