Revised Common Lectionary (Complementary)
13 Deri kur do të më harrosh, o Zot? Vallë kështu do të jetë përjetë? Deri kur do të më fshehësh fytyrën tënde?
2 Deri kur do të marr vendime në shpirtin tim dhe do të kem pikëllim në zemrën time tërë ditën? Deri kur do të ngrihet armiku im mbi mua?
3 Shiko me vëmendje dhe përgjigjmu, o Zot, Perëndia im, ndriço sytë e mi, që të mos më zërë gjumi në gjumin e vdekjes,
4 dhe armiku im të mos thotë: "E munda," dhe armiqtë e mi të mos gëzohen kur unë lëkundem.
5 Por unë kam besim në mirësinë tënde dhe zemra ime do të ngazëllojë në çlirimin tënd;
6 unë do t’i këndoj Zotit, sepse ai më ka trajtuar me shumë shpirtmadhësi.
15 Tani, ndërsa unë, Danieli, e kisha parasysh vegimin dhe përpiqesha ta kuptoja, ja ku po rri para meje dikush që ka pamje burri.
16 Dëgjova pastaj në mes të lumit Ulai zërin e një burri, që bërtiste dhe thoshte: "Gabriel, shpjegoja këtij vegimin".
17 Ai iu afrua vendit ku ndodhesha unë dhe, kur arriti, unë pata frikë dhe rashë me fytyrë. Por ai më tha: "Kuptoje mirë, o bir njeriu, sepse ky vegim ka të bëjë me kohën e fundit".
18 Ndërsa ai fliste me mua, unë rashë në një gjumë të rëndë me fytyrë për tokë, por ai më preku dhe më bëri të ngrihem më këmbë në vendin ku ndodhesha.
19 Dhe tha: "Ja, unë do të të tregoj atë që ka për të ndodhur në kohën e fundit të indinjatës, sepse ka të bëjë me kohën e caktuar të fundit.
20 Dashi me dy brirë, që ti ke parë, përfaqëson mbretërit e Medisë dhe të Persisë.
21 Cjapi leshtor është mbreti i Javanit; dhe briri i madh që ishte në mes të syve të tij është mbreti i parë.
22 Briri i thyer dhe katër brirët që dolën në vend të tij janë katër mbretëri që do të dalin nga ky komb, por jo me të njëjtën fuqi të tij.
23 Në fund të mbretërisë së tyre, kur rebelët do ta kenë mbushur kupën, do të dalë një mbret me pamje të egër dhe i rrahur në dredhitë luftarake.
24 Fuqia e tij do të rritet, por jo për shkak të forcës së tij; do të bëjë shkatërrime të habitshme, do të ketë sukses në ndërmarrjet e tij dhe do të shkatërrojë të fuqishmit dhe popullin e shenjtorëve.
25 Për shkak të dinakërisë së tij do shtohet mashtrimi në duart e tij; do të krenohet në zemër te vet dhe do të shkatërrojë shumë njerëz që janë në siguri; do të ngrihet kundër princit të princave, por do të thyhet jo nga dorë njeriu.
26 Vegimi i mbrëmjeve dhe i mëngjeseve, për të cilin është folur, është i vërtetë. Ti e mban sekret vegimin, sepse ka të bëjë me gjëra që do të ndodhin mbas shumë kohe".
27 Dhe unë, Danieli, e ndjeva veten të sfilitur dhe qeshë i sëmurë disa ditë; pastaj u ngrita dhe u interesova për punët e mbretit. Unë isha i tronditur nga vegimi, por askush nuk e vuri re.
32 Dhe tani sillni ndërmend ditët e mëparshme, në të cilat, pasi u ndriçuat, keni duruar një luftë të madhe vuajtjesh,
33 herë duke u bërë objekt fyerjesh dhe mundimesh, herë duke u solidarizuar me ata që trajtoheshin në këtë mënyrë.
34 Sepse treguat dhembje për mua në prangat e mia dhe keni pranuar me gëzim t’ju zhveshin nga pasuria juaj, duke ditur se keni për veten tuaj një pasuri më të mirë e të qëndrueshme në qiej.
35 Mos e hidhni tej guximin tuaj, që do të ketë një shpërblim të madh.
36 Sepse ju keni nevojë për ngulm që mbasi, të bëni vullnetin e Perëndisë, të merrni gjërat e premtuara.
37 “Edhe fort pak kohë, edhe ai që duhet të vijë do të vijë dhe nuk do të vonojë.
38 Dhe i drejti do të jetojë prej besimit; por ne qoftë se ndokush tërhiqet prapa, shpirti im nuk do të gjejë pëlqim në të.”
39 Por ne nuk jemi nga ata që tërhiqen prapa për humbje, por nga ata që besojnë në shpëtimin e shpirtit.