Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Complementary)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with thematically matched Old and New Testament readings.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 94

94 O Perëndi i hakmarrjes, o Zot, Perëndi i hakmarrjeve, shkëlqe.

Çohu, o gjykatës i tokës, dhe jepu shpërblimin mëndjemëdhenjve.

Deri kur të pabesët, o Zot, deri kur të pabesët do të triumfojnë?

Ata vjellin fjalë dhe mbajnë fjalime të paturpshme; të gjithë ata që kryejnë paudhësi flasin me arrogancë.

Ata marrin nëpër këmbë popullin tënd, o Zot, dhe shtypin trashëgiminë tënde.

Vrasin gruan e ve dhe të huajin, dhe vrasin jetimët,

dhe thonë: "Zoti nuk shikon, Perëndia i Jakobit nuk kupton".

Kërkoni të kuptoni, o njerëz të pamend midis popullit; dhe ju budallenj, kur do të bëheni të zgjuar?

Ai që ka vënë veshin, a nuk dëgjon? Ai që ka formuar syrin, a nuk shikon?

10 Ai që ndreq kombet, a nuk do t’i dënojë ata, ai që i mëson diturinë njeriut?

11 Zoti i njeh mendimet e njeriut dhe e di që nuk janë veçse kotësi.

12 Lum ai njeri që ti ndreq, o Zot, dhe që ti mëson sipas ligjit tënd,

13 për t’i dhënë prehje në ditët e fatkeqësisë, deri sa t’i hapet gropa të pabesit.

14 Sepse Zoti nuk ka për të hedhur poshtë popullin e tij dhe nuk ka për të braktisur trashëgiminë e tij.

15 Gjykimi do të mbështetet përsëri mbi drejtësinë, dhe tërë ata që janë të drejtë nga zemra do t’i shkojnë pas.

16 Kush do të ngrihet në favorin tim kundër njerëzve të këqij? Kush do të më dalë krah kundër atyre që kryejnë paudhësi?

17 Në qoftë se Zoti nuk do të më kishte ndihmuar, do të kisha përfunduar shpejt në vendin e heshtjes.

18 Kur thashë: "Këmba ime ngurron," mirësia jote, o Zot, më ka përkrahur.

19 Kur një numër i madh shqetësimesh më mbysnin, përdëllimet e tua më jepnin zemër.

20 Do të jetë vallë aleati yt gjykata e padrejtë, që thur padrejtësi në emër të ligjit?

21 Ata mblidhen tok kundër të drejtit dhe dënojnë gjakun e pafajshëm.

22 Por Zoti është kështjella ime dhe Perëndia im është kalaja në të cilën gjej strehë.

23 Ai do të lëshojë mbi ta ligësinë e tyre dhe do t’i bëjë të vdesin për shkak të paudhësisë së tyre; Zoti, Perëndia ynë, do t’i shkatërrojë.

Ruthi 3:14-4:6

14 Kështu ajo qëndroi shtrirë në këmbët e tij deri në mëngjes; por u ngrit përpara se një njeri të njohë tjetrin, sepse ai i kishte thënë: "Asnjeri nuk duhet ta dijë që kjo grua erdhi në lëmë!".

15 Pastaj shtoi: "Sill mantelin që ke veshur dhe mbaje". Ajo e mbajti dhe ai derdhi mbi të gjashtë masa elbi, pastaj ia vuri mbi kurriz; pas kësaj ajo u kthye në qytet.

16 Kështu u kthye tek e vjehrra, që i tha: "Ti je bija e ime?". Atëherë ajo i tregoi të gjitha ato që ai burrë kishte bërë për të,

17 dhe shtoi: "Më dha edhe këto gjashtë masa elbi, sepse më tha: "Nuk duhet të kthehesh te vjehrra jote duar bosh"".

18 Naomi i tha: "Qëndro këtu, o bija ime, deri sa të mësosh si ka për të mbaruar kjo çështje, sepse ai burrë nuk do të rrijë deri sa ta ketë sistemuar sot çështjen".

Boazi shkoi te porta e qytetit dhe u ul aty. Dhe ja, po kalonte ai që kishte të drejtën e shpengimit dhe për të cilin Boazi kishte folur. Boazi i tha: "O ti biri i filanit, afrohu dhe ulu këtu". Ai u afrua dhe u ul.

Boazi mori atëherë dhjetë burra nga pleqtë e qytetit dhe u tha atyre: Uluni këtuu". Ata u ulën.

Pastaj Boazi i tha atij që kishte të drejtën e shpengimit: "Naomi, që u kthye nga vendi i Moabit, ka shitur pjesën e tokës që i përkiste vëllait tonë Elimelek.

Mendova të të informoj dhe të të them: "Blije në prani të banorëve të vendit dhe të pleqve të popullit tim. Në rast se do ta shpengosh, shpengoje; por në rast se nuk ke ndër mend ta shpengosh, ma thuaj që ta di edhe unë; sepse asnjeri veç teje nuk gëzon të drejtën e shpengimit, dhe pas teje vij unë"". Ai u përgjegj: "Do të kërkoj të drejtën time".

Atëherë Boazi tha: "Ditën që do ta blesh arën nga dora e Naomit, ti do ta blesh edhe nga Ruthi, Moabitja, bashkëshortja e të ndjerit, për ta ringjallur emrin e të ndjerit në trashëgiminë e tij".

Ai që gëzonte të drejtën e shpengimit u përgjegj: "Unë nuk mund ta shpengoj për vete, sepse do të shkatërroj trashëgiminë time; shpengo ti atë që duhet të shpengoja unë, sepse unë nuk mund ta shpengoj".

1 Timoteut 5:9-16

Një e ve të regjistrohet në listën e vejushave, po të jetë jo më e re se gjashtëdhjetë vjeçe, të ketë qenë bashkëshorte e një burri të vetëm,

10 dhe të ketë dëshminë për vepra të mira: që i ka rritur fëmijët e saj, ka pritur të huajt, ua ka larë këmbët shenjtorëve, ka ndihmuar nevojtarët, i është kushtuar vazhdimisht çdo vepre të mirë.

11 Po mos i prano vejushat më të reja, sepse, duke u dhënë pas dëshirave të tyre, ngrihen kundër Krishtit, duan të martohen,

12 duke tërhequr mbi vete një dënim, sepse kanë shkelur besimin e parë.

13 Madje ato mësojnë të jenë përtace duke shkuar shtëpi më shtëpi, edhe jo vetëm përtace, por edhe llafazane dhe kureshtare duke folur për gjëra të kota.

14 Dua, pra, që vejushat e reja të martohen, të kenë fëmijë, të bëhen zonja shtëpie dhe të mos i japin kundërshtarit asnjë shkak për të përfolur;

15 sepse disa tashmë devijuan për të ndjekur Satanin.

16 Në qoftë se ndonjë besimtar ose besimtare ka vejusha, le t’i ndihmojë e të mos bëhen barrë kishës, e cila mund të ndihmojë ato që janë me të vërtetë të veja.