Revised Common Lectionary (Complementary)
23 Hapat e njeriut i drejton Zoti, kur atij i pëlqejnë rrugët e tij.
24 Por kur njeriu rrëzohet, nuk shtrihet për tokë, sepse Zoti e mban për dore.
25 Unë kam qenë fëmijë dhe tani jam plakur, por nuk e kam parë kurrë të drejtin të braktisur dhe pasardhësit e tij të lypin bukë.
26 Ai ka mëshirë dhe jep kurdoherë hua; dhe pasardhësit e tij janë në bekim.
27 Largohu nga e keqja dhe bëj të mirën, dhe do të kesh një banesë të përjetshme.
28 Sepse Zoti e do drejtësinë dhe nuk ka për t’i braktisur kurrë shenjtorët e tij; ata do të ruhen përjetë, ndërsa pasardhësit e të pabesëve do të shfarosen.
29 Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të.
30 Nga goja e të drejtit del dituri dhe gjuha e tij flet për drejtësi.
31 Ligji i Perëndisë të tij është në zemrën e tij; hapat e tij nuk do të lëkunden.
32 I pabesi spiunon të drejtin dhe përpiqet ta vrasë.
33 Zoti nuk do ta lërë në duart e tij dhe nuk do të lejojë që të dënohet, kur të gjykohet.
34 Ki shpresë të patundur tek Zoti dhe ndiq rrugën tij, dhe ai do të të lartojë me qëllim që ti të trashëgosh tokën; kur të pabesët të jenë të shfarosur, ti do ta shikosh.
35 E pashë njeriun e pushtetshëm dhe të furishëm të begatohet si një pemë e gjelbër në tokën e tij të lindjes,
36 por pastaj u zhduk; dhe ja, nuk është më; e kërkova, por nuk e gjeta më.
37 Ki kujdes për njeriun e ndershëm dhe këqyr njeriun e drejtë, sepse e ardhmja e këtij njeriu do të jetë paqja.
38 Por shkelësit do të shkatërrohen të gjithë; në fund të pabesët do të dërrmohen.
39 Por shpëtimi i të drejtëve vjen nga Zoti; ai është kështjella e tyre në kohën e fatkeqësisë.
40 Dhe Zoti i ndihmon dhe i çliron; i çliron nga të pabesët dhe i shpëton, sepse kanë gjetur strehë tek ai.
12 Atëherë Samueli i tha tërë Izraelit: "Ja, unë ju dëgjova për të gjitha ato që më thatë dhe vura një mbret mbi ju.
2 Dhe tani ja, mbreti që do të shkojë para jush. Unë tashmë jam plak dhe i thinjur, dhe bijtë e mij janë midis jush, unë kam ecur para jush qysh nga rinia ime deri më sot.
3 Ja ku jam, dëshmoni kundër meje përpara Zotit dhe përpara atij që është vajosur: Kujt i kam marrë kaun? Kujt i kam marrë gomarin? Kujt i kam ngrënë hakun? Cilin kam shtypur? Nga duart e kujt kam pranuar ndonjë dhuratë që më ka zënë sytë? Unë do t’jua kthej".
4 Ata iu përgjegjën: "Ti nuk na ke ngrënë hakun, nuk na ke shtypur dhe nuk ke marrë asgjë nga duart e askujt".
5 Ai u tha atyre: "Zoti është dëshmitar kundër jush dhe i vajosuri i tij është dëshmitar në këtë ditë, që nuk gjetët asgjë në duart e mia". Ata iu përgjegjën: "Po, ai është dëshmitar!".
6 Atëherë Samueli i tha popullit: "Éshtë Zoti që i vendosi Moisiun dhe Aaronin, dhe që i nxori etërit tuaj nga Egjipti.
7 Prandaj paraqituni që unë të kem mundësi para Zotit të vë në dukje bashkë me ju veprat e drejta që Zoti ka kryer për ju dhe për etërit tuaj.
8 Pas vajtjes së Jakobit në Egjipt dhe mbas thirrjeve të etërve tuaj drejtuar Zotit, Zoti dërgoi Moisiun dhe Aaronin që i nxorën etërit tuaj nga Egjipti dhe i bëri të banojnë në këtë vend.
9 Por ata e harruan Zotin, Perëndinë e tyre, dhe ai i shiti në duart e Siseras, komandantit të ushtrisë së Hatsorit, dhe në pushtetin e Filistejve dhe të mbretit të Moabit, të cilët u shpallën luftë atyre.
10 Atëherë i thirrën Zotit dhe i thanë: "Kemi mëkatuar, sepse kemi braktisur Zotin dhe u kemi shërbyer Baalëve dhe Ashtarothëve; por tani na çliro nga duart e armiqve tanë dhe ne do të të shërbejmë ty".
11 Dhe kështu Zoti dërgoi Jerubaalin, Bedanin, Jeftin dhe Samuelin, dhe ju çliroi nga duart e armiqve tuaj që ndodheshin rreth e rrotull, dhe ju jetuat në siguri.
12 Por kur patë që Nabashi, mbret i bijve të Amonit, filloi të lëvizë kundër jush, më thatë: "Jo, një mbret duhet të sundojë mbi ne," pikërisht kur Zoti, Perëndia juaj, ishte mbreti juaj.
13 Ky është, pra, mbreti që keni zgjedhur dhe keni kërkuar; ja, Zoti ka vënë një mbret mbi ju.
14 Në qoftë se keni frikë nga Zoti, i shërbeni dhe dëgjoni zërin e tij, dhe nuk ngrini krye kundër urdhërimeve të Zotit, atëherë ju dhe mbreti që mbretëron mbi ju do të ndiqni Zotin, Perëndinë tuaj.
15 Por në rast se nuk i bindeni zërit të Zotit dhe kundërshtoni urdhërimet e tij, atëherë dora e Zotit do të ngrihet kundër jush, ashtu si është ngritur kundër etërve tuaj.
16 Prandaj tani ndaluni dhe shikoni këtë gjë të madhe që Zoti do të bëjë para syve tuaj.
17 A nuk jemi vallë në kohën e korrjes së grurit? Unë do të kërkoj ndihmën e Zotit dhe ai do të dërgojë bubullima dhe shi; kështu do të kuptoni dhe do të shihni se e keqja që keni bërë duke kërkuar një mbret për ju, është e madhe në sytë e Zotit".
18 Atëherë Samueli kërkoi ndihmën e Zotit dhe ai dërgoi atë ditë bubullima dhe shi; dhe tërë populli pati një frikë të madhe nga Zoti dhe nga Samueli.
19 Pastaj tërë populli i tha Samuelit: "Lutju Zotit, Perëndisë tënd, për shërbëtorët e tu, që të mos vdesin, sepse tërë mëkateve tona u kemi shtuar të keqen e kërkimit të një mbreti për ne".
20 Samueli iu përgjegj popullit: "Mos u frikësoni; edhe se keni bërë gjithë këtë të keqe, mos lini së ndjekuri Zotin, por shërbejini Zotit me të gjithë zemrën tuaj.
21 Mos u largoni për të ndjekur gjëra të kota, që nuk vlejnë as çlirojnë, sepse janë gjëra të kota.
22 Sepse Zoti nuk do ta braktisë popullin e tij, për hir të tij të madh, sepse i pëlqeu Zotit t’ju bëjë popullin e vet.
23 Sa për mua, mos ndodhtë kurrë që unë të mëkatoj kundër Zotit duke hequr dorë nga lutjet për ju; përkundrazi, do t’ju tregoj rrugën e mirë dhe të drejtë.
24 Vetëm kini frikë nga Zoti dhe i shërbeni besnikërisht me gjithë zemër; mbani parasysh gjërat e mëdha që ka bërë për ju.
25 Por në rast se vazhdoni të bëni të keqen, si ju ashtu dhe mbreti juaj do të flakeni tutje".
13 Por përpara festës së Pashkës, Jezusi, duke e ditur se kishte ardhur ora e tij të kalojë nga kjo botë tek Ati, duke i dashur të vetët që ishin në botë, i deshi deri në fund.
2 Dhe, kur mbaroi darka, mbasi djalli i kishte shtënë në zemër Judë Iskariotit, birit të Simonit, ta tradhtonte,
3 Jezusi, duke ditur se Ati i kishte dhënë gjithçka në duar, dhe se ai kishte dalë nga Perëndia dhe te Perëndia po kthehej,
4 u ngrit nga darka dhe hoqi rrobat e tij, mori një peshqir dhe u ngjesh.
5 Mbasi hodhi ujë në një legen, filloi të lante këmbët e dishepujve dhe t’ua fshijnte me peshqirin, me të cilin ishte ngjeshur.
6 Erdhi, pra, te Simon Pjetri. Dhe ai i tha: “Zot, ti të m’i lash këmbët mua?.”
7 Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Atë që po bëj unë, ti tani nuk e kupton, por do ta kuptosh mbas kësaj.”
8 Pjetri i tha: “Ti kurrë nuk do të m’i lash këmbët.” Jezusi iu përgjigi: “Po nuk të lava, ti nuk do të kesh pjesë me mua.”
9 Simon Pjetri i tha: “Zot, jo vetëm këmbët, por edhe duart dhe kokën.”
10 Jezusi i tha: “Ai që është i larë, s’ka nevojë veçse të lajë këmbët dhe është krejt i pastër; edhe ju jeni të pastër, por jo të gjithë.”
11 Sepse ai e dinte se kush do ta tradhtonte, prandaj tha: “Nuk jeni të gjithë të pastër.”
12 Kështu, mbasi ua lau këmbët, mori përsëri rrobat e tij, zuri vend rishtas në tryezë dhe u tha atyre: “A e kuptoni këtë që ju kam bërë?
13 Ju më quani Mësues dhe Zot, dhe mirë thoni, sepse jam.
14 Në qoftë se unë, Zoti dhe Mësuesi, ju kam larë këmbët, edhe ju duhet t’i lani këmbët njëri-tjetrit.
15 Unë, në fakt, ju kam dhënë shëmbullin që ashtu siç kam bërë unë, bëni edhe ju.
16 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Shërbëtori nuk është më i madh se padroni i tij, as i dërguari më i madh se ai që e ka dërguar.
17 Po t’i dini këto gjëra, të lumur jeni ju nëse do t’i bëni.