Revised Common Lectionary (Complementary)
65 Ty, o Perëndi, të përket lëvdimi në Sion; dhe do të kryhen zotimet para teje.
2 Te ti, që plotëson lutjen, do të vijë çdo krijesë.
3 Mëkatet më kishin mundur, por ti siguron faljen për shkeljet tona.
4 Lum ai njeri që ti e zgjedh dhe e afron pranë vetes, që të banojë në oborret e tua; ne do të ngopemi me të mirat e shtëpisë sate, me gjërat e shenjta të tempullit tënd.
5 Në drejtësinë tënde, ti na përgjigjesh me vepra të tmerrshme, o Perëndia i shpëtimit tonë, ti që je shpresa e skajeve të tokës dhe e deteve të largëta.
6 Me fuqinë tënde i ke bërë malet të patundshëm dhe i ke ngjeshur me forcë.
7 Ti qetëson zhurmën e deteve, zhurmën e valëve të tyre dhe trazirën e popujve.
8 Dhe ata që banojnë në skajet e tokës kanë frikë nga mrekullitë e tua; ti bën që të shpërthejnë britma gëzimi nga lindja dhe nga perëndimi.
9 Ti e viziton tokën dhe bën që ajo të prodhojë më tepër, e pasuron në një masë të madhe; lumi i Perëndisë është plot ujë; ti u siguron njerëzve grurin e tyre, mbasi e ke përgatitur tokën.
10 Ti i mbush me ujë brazdat e saj, sheshon plisat, e zbut me shirat dhe bekon filizat.
11 Ti e kurorëzon motin me bujarinë tënde të madhe dhe gjurmët e tua dallohen me bollëkun e të mirave.
12 Kullotat e shkretëtirës janë plot me ujë, dhe kodrinat janë mbuluar me gëzim.
13 Kullotat mbulohen me kope dhe luginat mbulohen me grurë; ato lëshojnë britma gëzimi dhe këndojnë.
13 Pas kësaj Zoti i tha Moisiut: "Çohu herët në mëngjes, paraqitu para Faraonit dhe thuaji: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Hebrenjve: Lëre popullin tim të shkojë, që të ketë mundësi të më shërbejë.
14 Sepse këtë herë do t’i dërgoj tërë plagët e mia pikërisht mbi ty, mbi shërbëtorët e tu dhe mbi popullin tënd, që të mësosh se nuk ka asnjë të ngjashëm me mua në gjithë dheun.
15 Në fakt, në qoftë se tani unë do ta kisha shtrirë dorën dhe do të kisha goditur me murtajë ty dhe popullin tënd, ti do të ishe fshirë nga faqja e dheut.
16 Por, pikërisht për këtë arsye, të kam falur, për të të treguar fuqinë time dhe që emri im të shpallet në gjithë dheun.
17 Dhe ti akoma i kundërvihesh popullit tim dhe nuk e lë të shkojë?
18 Ja, nesër në këtë orë, unë do të bëj që të bjerë një breshër aq i fortë, që Egjipti nuk e ka parë prej ditës së krijimit të tij deri tani.
19 Dhe tani dërgo njeri që të sigurosh bagëtinë tënde dhe tërë ato që ke nëpër fusha. Sepse tërë njerëzit dhe kafshët, që ndodhen nëpër fushat dhe nuk janë çuar në shtëpi, do të goditen nga breshëri dhe do të vdesin"".
20 Ndër shërbëtorët e Faraonit, ata që patën frikë nga fjalët e Zotit i strehuan në shtëpitë e tyre shërbëtorët dhe bagëtinë e tyre;
21 por ata që nuk i morrën parasysh fjalët e Zotit i lanë shërbëtorët dhe bagëtinë e tyre në fusha.
22 Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Shtrije dorën drejt qiellit, që të bjerë breshër në tërë vendin e Egjiptit, mbi njerëzit, mbi kafshët dhe mbi çdo lloj bimësie të fushave në vendin e Egjiptit".
23 Dhe Moisiu e shtriu bastunin e tij drejt qiellit; dhe Zoti dërgoi bubullima dhe breshër, dhe zjarri ra duke goditur me rrufe në tokë; dhe Zoti bëri që të bjerë breshër mbi vendin e Egjiptit.
24 Kështu ra breshër dhe pati një zjarr të përzier me breshrin; dhe ky ishte aq i fortë, sa nuk ishte parë ndonjë herë në të gjithë vendin e Egjiptit, që ditën që ishte bërë komb.
25 Dhe breshri goditi në të gjithë vendin e Egjiptit gjithçka që ishte në fushat, si njerëzit ashtu dhe kafshët; breshri goditi çdo lloj bimësie në fushat dhe bëri copë copë çdo pemë që ndodhej në fushë.
26 Vetëm në vendin e Goshenit, ku ishin bijtë e Izraelit nuk ra breshër.
27 Atëherë Faraoni dërgoi e thirri Moisiun dhe Aaronin dhe u tha atyre: Këtë herë unë mëkatova; Zoti është i drejtë, ndërsa unë dhe populli im jemii të këqij.
28 Lutjuni Zotit që të mbarojnë bubullimat e Perëndisë dhe breshri; unë do t’ju lë të shkoni dhe nuk do të jeni të detyruar të rrini më këtu".
29 Moisiu i tha: "Mbasi të dal nga qyteti, do t’i shtrij duart nga Zoti; bubullimat do të pushojnë dhe nuk do të ketë më breshër, që ti të mësosh që toka i përket Zotit.
30 Por unë e di që ti dhe shërbëtorët e tu, nuk do të keni frikë akoma nga Zoti Perëndi".
31 Tani liri dhe elbi u prekën, sepse elbi ishte në kalli dhe liri kishte lulëzuar;
32 por gruri dhe gruri i fortë nuk u prekën, sepse janë të vonshëm.
33 Kështu Moisiu, pasi la Faraonin, doli nga qyteti dhe i shtriu duart drejt Zotit; atëherë bubullimat dhe breshri pushuan dhe nuk ra më shi mbi tokë.
34 Kur Faraoni pa që shiu, breshri dhe bubullimat pushuan, vazhdoi të mëkatojë dhe e ngurtësoi zemrën e tij, ai dhe shërbëtorët e tij.
35 Kështu zemra e Faraonit u ngurtësua dhe ai nuk i la të bijtë e Izraelit të shkojnë, ashtu si i kishte thënë Zoti nëpërmjet Moisiut.
39 Dhe kur u gdhi, nuk e njihnin dot vendin, por vunë re një gji me një breg dhe vendosën ta shtyjnë anijen aty, po të mundnin.
40 I zgjidhën spirancat dhe i lanë të fundosen në det, duke zgjidhur në të njëjtën kohë të lidhurat e timonit; pastaj, si e ngritën velën kryesore nga era, u drejtuan për te bregu.
41 Por, mbasi ranë në një cekëtinë që kishte deti nga të dy anët, anija ngeci dhe mbeti me bashin të zënë e të palëvizshëm, ndërsa kiçi po shkallmohej nga furia e valëve.
42 Ushtarët ishin të mendimit t’i vritnin robërit, që asnjë të mos ikte me not.
43 Por centurioni, duke dashur të shpëtojë Palin, ua largoi mendimin për këtë propozim dhe u dha urdhër atyre që dinin të notonin të hidheshin të parët në det dhe të dilnin në tokë;
44 pastaj të tjerët, kush mbi dërrasa, kush mbi pjesë të anijes; dhe kështu ndodhi që të gjithë mundën të shpëtojnë në tokë.