Revised Common Lectionary (Complementary)
81 I këndoni me gëzim Perëndisë, forcës sonë; lëshoni britma gëzimi për Perëndinë e Jakobit.
2 Lartoni një këngë dhe i bini dajres, harpës melodioze bashkë me lirën.
3 I bini borisë ditën e hënës së re, ditën e hënës së plotë, ditën e festës sonë.
4 Sepse ky është një statut për Izraelin, një ligj i Perëndisë të Jakobit.
5 Ai e caktoi si një dëshmi te Jozefi, kur doli kundër vendit të Egjiptit. Atëherë unë dëgjova një gjuhë që nuk e kuptoja;
6 "O Izrael, unë e hoqa barrën nga shpatullat e tua; duart e tua e kanë lënë shportën.
7 Kur ishe keq ti më klithe mua dhe unë të çlirova; t’u përgjigja i fshehur në bubullimë, të vura në provë në ujërat e Meribas. (Sela)
8 Dëgjo, o populli im, dhe unë do të qortoj. O Izrael, sikur ti të më dëgjoje!
9 Mos pastë në mesin tënd asnjë perëndi të huaj dhe mos adhuro asnjë perëndi të huaj.
10 Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të nxori nga vendi i Egjiptit; hap gojën tënde dhe unë do të ta mbush.
23 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:
2 "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Ja festat e Zotit, që ju do t’i shpallni si mbledhje të shenjta. Festat e mia janë këto:
3 Do të punohet gjashtë ditë, por dita e shtatë është një e shtunë pushimi dhe mbledhjeje të shenjtë. Atë ditë nuk do të bëni asnjë punë; është e shtuna e shenjtëruar Zotit në të tëra vendet ku do të banoni.
4 Këto janë festat e Zotit, mbledhjet e shenjta që ju do t’i shpallni në kohën e tyre.
5 Muajin e parë, ditën e katërmbëdhjetë të muajit, midis dy mbrëmjeve, bien Pashkët e Zotit;
6 dhe ditën e pesëmbëdhjetë të po atij muaji bie festa e bukës së ndorme për nder të Zotit; për shtatë ditë do të hani bukë të ndorme.
7 Ditën e parë do të bëni një mbledhje të shenjtë; nuk do të bëni atë ditë asnjë punë të rëndë;
8 dhe për shtatë ditë do t’i ofroni Zotit flijime të bëra me zjarr. Ditën e shtatë do të bëhet një mbledhje e shenjtë; gjatë asaj dite nuk do të bëni asnjë punë të rëndë".
31 Çfarë të themi, pra, për këto gjëra? Në qoftë se Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh?
32 Sepse ai që nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për të gjithë ne, qysh nuk do të na dhurojë të gjitha gjëra bashkë me të?
33 Kush do t’i padisë të zgjedhurit e Perëndisë? Perëndia është ai që i shfajëson.
34 Kush është ai që do t’i dënojë? Krishti është ai që vdiq, po për më tepër ai u ringjall; ai është në të djathtë të Perëndisë dhe ai ndërmjetëson për ne.
35 Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Pikëllimi, a ngushtica, a përndjekja, a uria, a të zhveshurit, a rreziku, a shpata?
36 Siç është shkruar: “Për ty po vritemi gjithë ditën; u numëruam si dele për therje.”
37 Por në të gjitha këto gjëra ne jemi më shumë se fitimtarë për hir të atij që na deshi.
38 Sepse unë jam i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as fuqia dhe as gjërat e tashme as gjërat e ardhshme,
39 as lartësitë, as thellësitë, as ndonjë tjetër krijesë, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë.