Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Complementary)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with thematically matched Old and New Testament readings.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 74

74 O Perëndi, pse na ke hedhur poshtë për gjithnjë? Pse vlon zemërimi yt kundër kopesë së kullotës sate?

Kujto popullin tënd, që dikur e more, që ti e shpengove që të ishte fisi i trashëgimisë sate, të këtij mali të Sionit, mbi të cilin ke banuar.

Drejto hapat e tua në këto rrënoja të pandreqshme; armiku i ka prishur të gjitha në shenjtërore.

Armiqtë e tu vrumbullojnë në vendin e kuvendeve të tua; kanë vënë aty shenjat e tyre si flamuj.

Dukej sikur godisnin me sëpata në pjesën e dëndur të një pylli.

Dhe tani me sqeparë dhe çekane po prishin tërë skulpturat e tij.

I kanë vënë zjarrin shenjtërores sate; kanë përdhosur banesën që mban emrin tënd, duke e hedhur poshtë.

Kanë thënë në zemër të tyre: "T’i shkatërrojmë të gjithë"; kanë djegur tërë qendrat e kuvendeve të shenjta në vend.

Ne nuk i shohim më shenjat tona; nuk ka më profet dhe midis nesh nuk ka asnjë që të dijë deri kur.

10 Deri kur, o Perëndi, kundërshtari do të fyejë? Armiku vallë, do ta përçmojë emrin tënd përjetë?

11 Pse e tërheq dorën tënde, pikërisht të djathtën? Nxirre nga gjiri yt dhe shkatërroji.

12 Por Perëndia është mbreti im qysh prej kohëve të lashta; ai sjell shpëtimin mbi tokë.

13 Me forcën tënde ndave detin dhe shtype kokën e përbindëshve të detit në ujërat.

14 Copëtove kokat e Levitanëve dhe ia dhe për të ngrënë popullit të shkretëtirës.

15 Bëre që të dalin burime dhe përrenj dhe thave lumenj të përhershëm.

16 Jotja është dita, jotja është edhe nata; ti ke vendosur dritën dhe diellin.

17 Ti ke caktuar tërë kufijtë e tokës dhe ke bërë verën dhe dimrin.

18 Mbaje mend këtë, o Zot, që armiku të ka fyer dhe që një popull i pamend ka përbuzur emrin tënd.

19 Mos ia braktis bishave jetën e turtulleshës sate; mos harro përjetë jetën e të përvuajturve të tu.

20 Respekto besëlidhjen, sepse vendet e errëta të tokës janë plot me strofka dhune.

21 Mos lejo që i shtypuri të kthehet i turpëruar; bëj që i përvuajturi dhe nevojtari të lëvdojnë emrin tënd.

22 Çohu o Perëndi, mbro kauzën tënde! Mos harro që i pamendi të fyen tërë ditën.

23 Mos harro britmën e armiqve të tu; zhurma e tyre që ngrihen kundër teje ngjitet vazhdimisht në qiell.

Isaia 26:16-27:1

16 O Zot, në çastet e fatkeqësisë të kanë kujtuar, kanë bërë një lutje kur ndëshkimi yt po i godiste.

17 Ashtu si një grua me barrë që është gati për të lindur dhe përpëlitet dhe ulërin nga të prerat që ka, kështu kemi qenë ne para teje, o Zot.

18 Jemi ngjizur, kemi ndjerë dhembjet, ashtu sikur të kishim për të lindur, por ishte vetëm erë; nuk i kemi dhënë asnjë shpëtim vendit dhe banorët e botës nuk kanë rënë.

19 Të vdekurit e tu do të rijetojnë, bashkë me kufomën time, do të ringjallen. Zgjohuni dhe gëzohuni, o ju që banoni në pluhur! Sepse vesa jote është si vesa e një drite që shkëlqen dhe toka do të nxjerrë në dritë të vdekurit.

20 Shko, o populli im, hyr në dhomat e tua, mbylli portat e tua prapa teje; fshihu për një çast, deri sa të kalojë zemërimi.

21 Sepse ja, Zoti del nga banesa e tij për të ndëshkuar paudhësinë e banorëve të tokës; toka do të nxjerrë në shesh gjakun e derdhur dhe nuk do të t’i fshehë më të vrarët e saj.

27 Atë ditë Zoti do të ndëshkojë me shpatën e tij të ashpër, të madhe dhe të fortë Leviathanin, gjarpërin e shkathët, gjarpërin Leviathani dredha-dredha, dhe do të vrasë përbindëshin që është në det.

Luka 11:14-28

14 Dhe Jezusi po dëbonte një demon që ishte memec; dhe ndodhi që, kur demoni doli, memeci foli dhe turmat u mrekulluan.

15 Por disa nga ata thanë: “Ai i dëbon demonët nëpërmjet Beelzebubit, princit të demonëve.”

16 Kurse disa nga ata, për ta vënë në provë, kërkonin prej tij një shenjë nga qielli.

17 Por ai, duke i njohur mendimet e tyre, u tha atyre: “Çdo mbretëri, e përçarë në vetvete shkatërrohet, dhe çdo shtëpi e përçarë në vetvete rrëzohet.

18 Po të jetë, pra, edhe Satanai i përçarë në vetvete, si do të mund të qëndrojë mbretëria e tij? Sepse ju thoni se unë i dëboj demonët nëpërmjet Beelzebubit.

19 Por, nëse unë i dëbokam demonët nëpërmjet Beelzebubit, nëpërmjet kujt i dëbojnë ata bijtë tuaj? Prandaj ata do të jenë gjykatësit tuaj.

20 Por në se unë i dëboj demonët me gishtin e Perëndisë, mbretëria e Perëndisë, pra ka arritur deri te ju.

21 Kur burri i fortë, i armatosur mirë, e ruan shtëpinë e vet, pasuria e tij është në paqe.

22 Por në qoftë se vjen një më i fortë se ai dhe e mund atë, ia merr armët në të cilat kishte shpresë dhe i ndan plaçkat e tij.

23 Kush nuk është me mua, është kundër meje dhe kush nuk mbledh me mua, shpërndan.

24 Kur fryma e ndyrë del nga një njeri, endet në vende të shkreta, duke kërkuar pushim, dhe duke mos e gjetur dot, thotë: "Do të kthehem në shtëpinë time nga dola".

25 Dhe, kur kthehet, e gjen të fshirë e të zbukuruar,

26 atëherë shkon e merr me vete shtatë frymëra të tjerë më të këqij se ai, dha ata hyjnë aty dhe banojnë aty; dhe gjendja e fundit e atij njeriu bëhet më e keqe se e para.”

27 Ndodhi që, ndërsa ai po thoshte këto gjëra, një grua nga turma e çoi zërin e saj dhe i tha: “Lum barku që të barti dhe gjinjtë që të mëndën.”

28 Por ai u tha: “Me tepër lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë.”