Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Zanafilla 31

31 Por Jakobi dëgjoi fjalët e bijve të Labanos që thoshin: "Jakobi mori gjithçka kishte ati ynë; dhe me atë që i përkiste atit tonë, ai krijoi gjithë këtë pasuri".

Jakobi vuri re edhe fytyrën e Labanos; dhe ja, ndaj tij nuk ishte si më parë.

Pastaj Zoti i tha Jakobit: "Kthehu në vendin e etërve të tu dhe te fisi yt, dhe unë do të jem me ty".

Atëherë Jakobi dërgoi e thirri Rakelën dhe Lean, që të vinin në fushat pranë kopesë së tij,

dhe u tha atyre: "Unë e shoh që fytyra e atit tuaj ndaj meje nuk është si më parë; por Perëndia i atit tim ka qenë me mua.

Dhe ju e dini se unë i kam shërbyer atit tuaj me tërë forcën time,

ndërsa ati juaj më ka mashtruar dhe ka ndryshuar pagesën time dhjetë herë, por Perëndia nuk e lejoi të më bëjë të keq.

Në qoftë se ai thoshte: "Krerët laramane do të jenë pagesa jote," e tërë kopeja pillte qengja laramane; dhe po të thoshte: "Krerët vija-vija do të jenë pagesa jote," tërë kopeja pillte qengja vija-vija.

Kështu Perëndia ia hoqi bagëtinë atit tuaj dhe ma dha mua.

10 Një herë, në kohën kur kopetë hynin në afsh, unë ngrita sytë dhe pashë në ëndërr që cjeptë që ndërzenin femrat ishin vija-vija, me pulla dhe lara-lara.

11 Dhe engjëlli i Perëndisë më tha në ëndërr: "Jakob!". Unë iu përgjigja: Ja ku jam!!".

12 Atëherë ai tha: "Ço tani sytë dhe shiko: tërë deshtë që ndërzejnë femrat janë vija-vija, me pulla dhe lara-lara, sepse pashë të gjitha ato që të punon Labano.

13 Unë jam Perëndia i Bethelit, ku ti ke vajosur një përmendore dhe më lidhe një kusht. Tani çohu, lëre këtë vend dhe kthehu në vendlindjen tënde"".

14 Rakela dhe Lea iu përgjigjën dhe i thanë: "Mos kemi ndoshta ne akoma pjesë dhe trashëgimi në shtëpinë e atit tonë?

15 A nuk na ke trajtuar si të huaja për arësye se na ka shitur dhe veç kësaj ka ngrënë edhe paratë tona?

16 Të gjitha pasuritë që Perëndia i hoqi atit tonë janë tonat dhe të bijve tanë; prandaj bëj të gjitha ato që Perëndia të ka thënë".

17 Atëherë Jakobi u ngrit dhe i vuri bijtë e tij dhe gratë e tij mbi devetë,

18 dhe mori me vete tërë bagëtinë e tij duke marrë me vete gjithë pasurinë që kishte vënë, bagëtinë që i përkiste dhe atë që e kishte blerë në Padam-Aram, për të vajtur tek Isaku, në vendin e Kanaanëve.

19 Ndërsa Labano kishte vajtur të qethte dhentë e tij, Rakela vodhi idhujt e të atit.

20 Dhe Jakobi u largua fshehurazi nga Labano, Arameu, pa i thënë se kishte ndërmend të ikte.

21 Kështu ai iku me gjithçka kishte; u ngrit, kaloi lumin dhe u drejtua për në malin e Galaadit.

22 Ditën e tretë i treguan Labanos se Jakobi kishte ikur.

23 Atëherë ai mori me vete vëllezërit e tij, e ndoqi shtatë ditë rrugë dhe e arriti në malin e Galaadit.

24 Por Perëndia iu shfaq në ëndërr natën Labanos, Arameut, dhe i tha: Ruhu e mos i fol Jakobit, as për të mirë e as për të keqq".

25 Labano e arriti, pra, Jakobin. Tani Jakobi e kishte ngritur çadrën e tij në mal; dhe gjithashtu Labano dhe vëllezërit e tij kishin ngritur çadrat e tyre mbi malin e Galaadit.

26 Atëherë Labano i tha Jakobit: "Ç’bëre duke më mashtruar në këtë mënyrë dhe duke i marrë bijat e mia si robëresha lufte?

27 Pse ike dhe u largove nga unë fshehurazi, pa më lajmëruar aspak? Unë do të kisha përcjellë me gëzim dhe me këngë, me lodërz dhe qeste.

28 Dhe nuk më lejove të puth bijtë dhe bijat e mia! Ti ke vepruar pa mënd.

29 Tani unë kam në dorë t’ju bëj keq, por Perëndia i atit tënd më foli natën e kaluar, duke thënë: "Ruhu, mos t’i flasësh Jakobit as për mirë apo për keq".

30 Sigurisht ike, sepse kishe një dëshirë të madhe të ktheheshe përsëri në shtëpinë e atit tënd; po pse vodhe perënditë e mia?".

31 Atëherë Jakobi iu përgjegj Labanos: "Unë kisha frikë, sepse mendoja që ti mund të më merrje me forcë bijat e tua.

32 Por kushdo qoftë ai të cilit do t’i gjesh perënditë e tu, ai duhet të vdesë në prani të vëllezërve tanë; kërko ti vetë atë që të përket tek unë dhe merre!". Jakobi nuk e dinte që ato i kishte vjedhur Rakela.

33 Kështu Labano hyri në çadrën e Jakobit, në çadrën e Leas dhe në çadrën e dy shërbyeseve, por nuk gjeti asgjë. Doli pastaj nga çadra e Leas dhe hyri në çadrën e Rakelës.

34 Por Rakela kishte marrë idhujt dhe i kishte vënë në samarin e devesë, pastaj qe ulur mbi to. Labano kërkoi në tërë çadrën, por nuk gjeti asgjë.

35 Dhe ajo i tha të atit: "Mos u zemëro, zotëria im, në rast se unë nuk mund të çohem përpara teje, sepse jam me të përmuajshmet e grave". Kështu ai kërkoi, por nuk i gjeti idhujt.

36 Atëherë Jakobi u zemërua dhe u grind me Labanon; dhe Jakobi iu përgjegj dhe i tha Labanos: "Cili është faji im, cili është mëkati im, që ti të më ndjekësh me aq tërbim?

37 Ti rrëmove në tërë gjërat e mia. Çfarë gjete nga të gjitha ato që i përkasin shtëpisë sate? Vëri këtu para vëllezërve të mi dhe vëllezërve të tu dhe le të vendosin ata midis nesh të dy!

38 Kam qenë njëzet vjet me ty; delet dhe dhitë e tua nuk kanë dështuar dhe unë nuk kam ngrënë deshtë e kopesë sate.

39 Unë nuk t’i kam sjellë kurrë kafshët të shqyera nga bishat; dëmin e kam pësuar vetë; ti kërkoje me ngulm nga unë atë që ishte vjedhur ditën apo natën.

40 Ky ishte fati im; ditën më ligte vapa dhe natën të ftohtit e madh, dhe gjumi më ikte nga sytë.

41 Kam qënë njëzet vjet në shtëpinë tënde; të kam shërbyer katërmbëdhjetë vjet për dy bijat e tua dhe gjashtë vjet për kopenë tënde. Ti e ke ndryshuar dhjetë herë pagesën time.

42 Në qoftë se Perëndia i atit tim, Perëndia i Abrahamit dhe Tmerri i Isakut, nuk do të kishte qënë në favorin tim, ti me siguri do të më kishe kthyer duar bosh. Perëndia e pa trishtimin tim dhe mundin e duarve të mia, dhe mbrëmë dha vendimin e tij".

43 Atëherë Labano u përgjegj dhe tha: "Këto bija janë bijat e mia, këta bij janë bijtë e mi, këto kope janë kopetë e mia, dhe gjithçka të zë syri është imja. Por çfarë mund t’u bëj sot këtyre bijave të mia apo bijve që ato kanë lindur?

44 Prandaj eja të bëjmë një besëlidhie midis teje dhe meje, dhe që ajo shërbeftë si dëshmi midis teje dhe meje".

45 Atëherë Jakobi mori një gur dhe e ngriti si një përmendore.

46 Pastaj Jakobi u tha vëllezërve të tij: "Mblidhni gurë". Dhe ata morën gurë dhe bënë një tog me ta, dhe hëngrën bukë pranë këtij togu.

47 Labano e quajti atë tog Jegar-Sahadutha, ndërsa Jakobi e quajti Galed.

48 Dhe Labano tha: "Sot ky tog është një dëshmi midis teje dhe meje". Prandaj u quajt Galed,

49 edhe Mitspah, sepse Labano tha: "Zoti të mos e ndajë syrin mua dhe ty kur do të jetë e pamundur të shohim shoqi-shoqin.

50 Në rast se ti keqtrajton bijat e mia ose martohesh me gra të tjera veç bijave të mia, edhe sikur të mos ketë asnjeri me ne, kujtohu që Perëndia është dëshmitar midis meje dhe teje".

51 Labano i tha gjithashtu Jakobit: "Ja ky tog gurësh, dhe ja përmendorja që kam ngritur midis teje dhe meje.

52 Le të jetë ky tog një dëshmi dhe le të jetë kjo përmendore një dëshmi që unë nuk do ta kapërcej këtë tog për të të bërë keq ty, dhe që ti nuk do ta kapërcesh këtë tog dhe këtë përmendore për të më bërë keq mua.

53 Perëndia i Abrahamit dhe Perëndia i Nahorit, Perëndia i atit të tyre, u bëftë gjykatës midis nesh!". Dhe Jakobi u betua për Tmerrin e Isakut, atit të tij.

54 Pastaj Jakobi bëri një fli në mal dhe i ftoi vëllezërit e tij të hanin bukë. Dhe ata hëngrën bukë dhe e kaluan natën në mal.

55 Labano u ngrit herët në mëngjes, i puthi bijtë dhe bijat e tij dhe i bekoi. Pastaj Labano u nis dhe u kthye në shtëpinë e tij.

Marku 2

Pas disa ditësh, ai erdhi përsëri në Kapernaum dhe u muar vesh se ai gjendej në shtëpi;

dhe menjëherë u mblodhën aq shumë njerëz, sa nuk gjeje më vend as përpara derës; dhe ai u predikonte Fjalën.

Atëhërë i erdhën disa që i paraqitën një të paralizuar, që po e bartnin katër vetë.

Por, duke qenë se nuk mund t’i afroheshin për shkak të turmës, zbuluan çatinë në vendin ku ndodhej Jezusi dhe, mbasi hapën një vrimë, e lëshuan vigun mbi të cilin rrinte shtrirë i paralizuari.

Jezusi, kur pa besimin e tyre, i tha të paralizuarit: “O bir, mëkatet e tua të janë falur!.”

Por aty po rrinin ulur disa shkribë, të cilët, në zemër të vet, po mendonin:

“Pse vallë ky po flet blasfemi. Kush mund të falë mëkatet, veç Perëndisë vetë?.”

Por Jezusi, i cili menjëherë kuptoi në frymën e vet se ata po i mendonin këto gjëra në veten e tyre, u tha atyre: “Pse i mendoni këto gjëra në zemrat tuaja?

Çfarë është më lehtë: t’i thuash të paralizuarit: "Mëkatet e tua të janë falur," apo t’i thuash: "Çohu, merre vigun tënd dhe ec"?

10 Dhe tani, që ta dini se Biri i njeriut ka pushtet të falë mëkatët mbi dhe,

11 unë po të them (i tha të paralizuarit): Çohu, merre vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde!".”

12 Dhe ai u ngrit menjëherë, mori vigun e vet dhe doli përjashta në praninë e të gjithëve dhe kështu të gjithë u habitën dhe lëvduan Perëndinë duke thënë: “Një gjë të tillë s’e kemi parë kurrë!.”

13 Jezusi doli përsëri gjatë bregut të detit dhe gjithë turma erdhi tek ai dhe ai e mësonte.

14 Duke kaluar, pa Levin, birin e Alfeut, i cili qe ulur në vendin e tatimeve, dhe i tha: “Ndiqmë!.” Ai u ngrit dhe e ndoqi.

15 Dhe ndodhi që, kur Jezusi ishte në tryezë në shtëpinë e Levit, shumë tagrambledhës dhe mëkatarë u ulën në tryezë me Jezusin dhe me dishepujt e tij; në fakt ishin shumë ata që e ndiqnin.

16 Atëhërë skribët dhe farisenjtë, duke e parë se po hante me tagrambledhës dhe me mëkatarë, u thanë dishepujve të tij: “Qysh ha dhe pi ai bashkë me tagrambledhës e me mëkatarë?.”

17 Dhe Jezusi, kur e dëgjoi, u tha atyre: “Nuk janë të shëndoshet që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët; unë nuk erdha për të thirrur të drejtët, por mëkatarët për pendim.

18 Atëherë dishepujt e Gjonit dhe ata të farisenjve po agjëronin. Ata erdhen te Jezusi dhe i thanë: “Përse dishepujt e Gjonit dhe ata të farisenjve agjërojnë, kurse dishepujt e tu nuk agjërojnë?.”

19 Dhe Jezusi u përgjigj atyre: “Vallë a mund të agjërojnë dasmorët, ndërsa dhëndri është me ta? Për sa kohë kanë më vete dhëndrin, nuk mund të agjërojnë!

20 Por do të vijnë ditët kur do t’u merret dhëndri dhe atëhërë, në ato ditë, ata do të agjërojnë.

21 Askush nuk qep një copë stof të ri mbi një rrobe të vjetër, përndryshe copa e re e shkul gjithë arnesën dhe shqyerja bëhet më keq.

22 Po ashtu askush nuk shtie verë të re në kacekë të vjetër, përndryshe vera e re i prish kacekët, vera derdhet dhe kacekët shkojnë dëm; porse vera e re duhet shtënë në kacekë të rinj.”

23 Por ndodhi që një ditë të shtunë ai po kalonte nëpër ara dhe dishepujt e tij, duke kaluar, filluan të këpusin kallinj.

24 Dhe farisenjtë i thanë: “Shih, përse po bëjnë atë që nuk është e ligjshme ditën e shtunë?.”

25 Por ai u tha atyre: “A nuk keni lexuar vallë ç’bëri Davidi, kur pati nevojë dhe kishte uri, ai dhe ç’qenë me të?.”

26 Se si hyri ai në shtëpinë e Perëndisë në kohën e kryepriftit Abiathar, dhe hëngri bukët e paraqitjes, të cilat nuk lejohet t’i hajë askush, përveç priftërinjve, dhe u dha edhe atyre që qenë me të?.”

27 Pastaj u tha atyre: “E shtuna është bërë për njeriun dhe jo njeriu për të shtunën.

28 Prandaj Biri i njeriut është zot edhe i së shtunës.”

Ester 7

Mbreti dhe Hamani shkuan, pra, në banketin bashkë me mbretëreshën Ester.

Edhe ditën e dytë, ndërsa gjatë banketit po shërbehej vera, mbreti i tha Esterit: "Cila është kërkesa jote, o mbretëreshë Ester? Do të të plotësohet. Çfarë kërkon? Edhe sikur të jetë gjysma e mbretërisë sime, do të bëhet".

Atëherë mbretëresha Ester u përgjigj: "Në rast se kam gjetur hir në sytë e tu, o mbret, dhe në qoftë se kështu i pëlqen mbretit, kërkesa ime është që të më jepet jeta; dhe kërkoj që populli im të falet.

Sepse unë dhe populli im kemi qenë të shitur për t’u prishur, për t’u vrarë dhe për t’u shfarosur. Po të ishim shitur për t’u bërë skllevër dhe skllave do të kisha heshtur; por armiku nuk mund ta kompensojë kurrë dëmin që do t’i shkaktohej mbretit".

Mbreti Asuero i tha mbretëreshës Ester: "Kush është dhe ku ndodhet ai që ka guximin të bëjë një gjë të tillë?".

Esteri u përgjigj: Armiku dhe kundërshtari është ai i keqi Haman". Atëherë Hamanit i hyri tmerri në prani të mbretit dhe të mbretëreshës.

Mbreti u ngrit shumë i zemëruar nga banketi në të cilin shërbehej vera dhe shkoi në kopshtin e pallatit, ndërsa Hamani qëndroi për t’iu lutur me të madhe mbretëreshës Ester për jetën e tij, sepse e kishte kuptuar që mbreti kishte vendosur tashmë shkatërrimin e tij.

Pastaj mbreti u kthye nga kopshti i pallatit, në vendin e banketit ku shërbehej vera; ndërkaq Hamani kishte rënë mbi divanin në të cilin rrinte Esteri. Atëherë mbreti thirri: "Dashke gjithashtu të dhunosh mbretëreshën, ndërsa unë vetë jam në shtëpi?". Sa dolën këto fjalë nga goja e mbretit, ia mbuluan fytyrën Hamanit.

Pastaj Harbonahu, një nga eunukët, tha përpara mbretit: "Ja, në shtëpinë e vetë Hamanit është ngritur një trekëmbësh, i lartë pesëdhjetë kubitë, që Hamani kishte përgatitur për Mardokeun, i cili kishte folur për të mirën e mbretit". Mbreti tha: "Vareni aty këtë!".

10 Kështu Hamanin e varën në trekëmbëshin që kishte përgatitur për Mardokeun. Dhe zemërimi i mbretit u qetësua.

Romakëve 2

Prandaj, o njeri, cilido të jesh ti që e gjykon, je i pafalshëm sepse në këtë që gjykon tjetrin, dënon vetveten, sepse ti që gjykon bën të njëjtat gjëra.

Por ne e dimë se gjykimi i Perëndisë është sipas së vërtetës mbi ata që bëjnë gjëra të tilla.

Dhe mendon, vallë, o njeri që gjykon ata që bëjnë të tilla gjëra që edhe ti i bën, t’i shpëtosh gjykimit të Perëndisë?

Apo i përçmon pasuritë e mirësisë së tij, të durimit dhe zemërgjerësisë së tij, duke mos njohur që mirësia e Perëndisë të prin në pendim?

Por ti, për shkak të ashpërsisë sate dhe të zemrës së papenduar, po mbledh për veten tënde zemërim për ditën e zemërimit dhe të zbulesës së gjykimit të drejtë të Perëndisë,

që do ta shpaguajë secilin sipas veprave të tij:

jetë të përjetshme atyre që kërkojnë lavdi, nder e pavdekësi, duke ngulmuar në veprat e mira;

ndërsa atyre që kundërshtojnë e nuk i binden së vërtetës, por i binden padrejtësisë, indinjatë dhe zemërim.

Mundim dhe ankth mbi çdo shpirt njeriu që bën të ligën, Judeut më parë e pastaj Grekut;

10 por lavdi, nder e paqe cilitdo që bën të mirën, Judeut më parë e pastaj Grekut.

11 Sepse te Perëndia nuk ka anësi.

12 Në fakt të gjithë ata që kanë mëkatuar pa ligjin, do të humbasin gjithashtu pa ligj; dhe të gjithë ata që kanë mëkatuar nën ligjin do të gjykohen sipas ligjit,

13 sepse jo ata që dëgjojnë ligjin janë të drejtë para Perëndisë, por ata që e zbatojnë ligjin do të shfajësohen.

14 Në fakt kur johebrenjtë, që s’kanë ligjin, nga natyra bëjnë punët e ligjit, ata, megjithëse s’kanë ligjin, janë ligj për vetveten;

15 këta tregojnë veprën e ligjit të shkruar në zemrat e tyre për dëshminë që jep ndërgjegja e tyre, dhe sepse mendimet e tyre shfajësojnë ose edhe akuzojnë njëri-tjetrin,

16 ditën në të cilën Perëndia do të gjykojë të fshehtat e njerëzve me anë të Jezu Krishtit, sipas ungjillit tim.

17 Ja, ti quhesh Jude, bazohesh mbi ligjin dhe lëvdohesh në Perëndinë,

18 njeh vullnetin e tij dhe dallon gjërat e rëndësishme, duke qenë i mësuar prej ligjit,

19 dhe je i bindur se je prijësi i të verbërve, drita e atyre që janë në errësirë,

20 udhëzues i të marrëve, mësues i të miturve, sepse ke formën e njohurisë dhe të së vërtetës në ligj.

21 Ti, pra, që mëson të tjerët, nuk mëson veten? Ti që predikon se nuk duhet vjedhur, vjedh?

22 Ti që thua se nuk duhet shkelur kurora, shkel kurorën? Ti që ke neveri për idhujt, pse i plaçkit tempujt?

23 Ti që lëvdohesh me ligjin, e çnderon Perëndinë duke e shkelur ligjin?

24 Në fakt, siç është shkruar: “Për shkakun tuaj, emri i Perëndisë blasfemohet ndër johebrenj.”

25 Sepse rrethprerja është e dobishme në qoftë se ti respekton ligjin, por në qoftë se je shkelës i ligjit, rrethprerja jote bëhet mosrrethprerje.

26 Prandaj në qoftë se një i parrethprerë respekton statutet e ligjit, a nuk do të çmohet parrethprerja e tij si rrethprerje?

27 Dhe, në qoftë se ai që prej natyrës është i parrethprerë e plotëson ligjin, a nuk do të të gjykojë ai ty që me shkronjën dhe me rrethprerjen je shkelës i ligjit?

28 Në fakt Jude nuk është ai që duket i tillë nga jashtë, dhe rrethprerja nuk është ajo që duket në mish;

29 por Jude është ai që është i tillë përbrenda, dhe rrethprerja është ajo e zemrës, në frymë dhe jo në shkronjë; dhe për një Jude të tillë lavdërimi nuk buron nga njerëzit, por nga Perëndia.