M’Cheyne Bible Reading Plan
25 Pastaj Abrahami mori një grua tjetër, që quhej Keturah.
2 Dhe kjo i lindi Zimranin, Jokshanin, Medanin, Madianin, Ishbakun dhe Shuahin.
3 Jokshanit i lindi Sheba dhe Dedani. Bijtë e Dedanit ishin Asshurimi, Letushimi dhe Leumimi.
4 Bijtë e Madianit ishin Efahu, Eferi, Hanoku, Abidahu dhe Eldaahu. Tërë këta ishin bijtë e Keturahut.
5 Dhe Abrahami i dha Isakut gjithçka zotëronte;
6 por bijve që Abrahami kishte pasur nga konkubinat u dha disa dhurata dhe, sa ishte ende gjallë, i dërgoi larg birit të tij Isakut, drejt lindjes, në një vend të lindjes.
7 Këto janë vitet e jetës së Abrahamit: ai jetoi gjithsej njëqind e shtatëdhjetë e pesë vjet.
8 Pastaj Abrahami dha frymën e fundit dhe vdiq në pleqëri të mbarë, i shtyrë në moshë dhe i ngopur me ditë, dhe u bashkua me popullin e tij.
9 Dhe bijtë e tij Isaku dhe Ismaeli e varrosën në shpellën e Makpelahut në arën e Efronit, biri i Zoarit, Hiteut, që ndodhet përballë Mamres,
10 arë që Abrahami u kishte blerë bijve të Hethit. Aty u varrosën Abrahami dhe e shoqja Sara.
11 Mbas vdekjes së Abrahamit, Perëndia bekoi birin e tij Isakun; dhe Isaku qëndroi pranë pusit të Lahai-Roit.
12 Tani këta janë pasardhësit e Ismaelit, bir i Abrahamit, që egjiptasja Agar, shërbëtorja e Sarës, i kishte lindur Abrahamit.
13 Këta janë emrat e bijve të Ismaelit, simbas emrit të brezave të tyre: Nebajothi, i parëlinduri i Ismaelit; pastaj Kedari, Abdeeli, Mibsami,
14 Mishma, Dumahu, Masa,
15 Hadari, Tema, Jeturi, Nafishi dhe Kedemahu.
16 Këta janë bijtë e Ismaelit dhe emrat e tyre, simbas fshatrave dhe fushimeve të tyre. Ata qenë dymbëdhjetë princërit e kombeve të tyre përkatës.
17 Por këto janë vitet e jetës së Ismaelit, gjithsej njëqind e tridhjetë e shtatë vjet; pastaj ai dha frymë dhe vdiq, dhe u bashkua me popullin e tij.
18 (Dhe bijtë e tij banuan nga Havilahu deri në Shur, që është në lindje të Egjiptit, në drejtim të Asirisë). Ai u vendos në prani të të gjithë vëllezërve të tij.
19 Këta janë pasardhësit e Isakut, birit të Abrahamit.
20 Abrahamit i lindi Isaku; dhe Isaku ishte dyzet vjeç kur mori për grua Rebekën, e bija e Bethuelit, Arameu i Paddan-Aranit dhe motra e Labanos, Arameut.
21 Isaku e luti Zotin për gruan e tij sepse ajo ishte shterpë. Zoti ia plotësoi dëshirën dhe Rebeka, gruaja e tij, u ngjiz.
22 Por fëmijët shtynin njeri-tjetrin në barkun e saj dhe ajo tha: "Në qoftë se është kështu (që iu përgjigj Zoti), pse gjendem unë në këto kushte?". Dhe kështu vajti të konsultohet me Zotin.
23 Dhe Zoti i tha: "Dy kombe ndodhen në barkun tënd dhe dy popuj kanë për të dalë nga përbrendëshmet e barkut tënd. Njeri nga këta dy popuj do të jetë më i fortë se tjetri, dhe më i madhi do t’i shërbejë më të voglit".
24 Kur erdhi koha për të që të lindte, ajo kishte në bark dy binjakë.
25 Dhe i pari që doli jashtë ishte i kuq; ai ishte krejt si një mantel leshtor, prandaj i vunë emrin Esau.
26 Pastaj doli vëllai i tij, i cili me dorë mbante thembrën e këmbës të Esaut; prandaj e quajtën Jakob. Por Isaku ishte shtatëdhjetë vjeç kur Rebeka i lindi.
27 Dy fëmijët u rritën dhe Esau u bë një gjahtar i sprovuar, një njeri fshatarak, ndërsa Jakobi ishte një njeri i qetë, që jetonte në çadra.
28 Por Isaku e donte Esaun, sepse mishin e gjahut e pëlqente; Rebeka nga ana e saj donte Jakobin.
29 Një herë që Jakobi gatoi për vete një supë, Esau erdhi nga fusha krejt i lodhur.
30 Dhe Esau i tha Jakobit: "Të lutem, më lërë të ha pak nga kjo supë e kuqe, sepse jam i lodhur". Për këtë arësye e quajtën Edom.
31 Por Jakobi iu përgjegj: "Më shit më parë parëbirninë tënde".
32 Esau tha: "Ja unë jam duke vdekur, ç’dobi kam nga parëbirnia?".
33 Atëherë Jakobi tha: "Më parë betomu". Dhe Esau iu betua dhe i shiti Jakobit parëbirninë e tij.
34 Pastaj Jakobi i dha Esaut bukë dhe supë me thjerrëza. Dhe ai hëngri dhe piu, pastaj u ngrit dhe iku. Kështu Esau shpërfilli parëbirninë e tij.
24 Tani kur Jezusi doli nga tempulli dhe po largohej, dishepujt e tij iu afruan për t’i treguar ndërtesat e tempullit.
2 Por Jezusi u tha atyre: “A nuk i shikoni ju të gjitha këto? Në të vërtetë po ju them se këtu nuk do të mbetet asnjë gur mbi gur që nuk do të rrënohet.”
3 Pastaj, kur ai u ul të rrinte në malin e Ullinjve, dishepujt e vet iu afruan mënjanë dhe i thanë: “Na thuaj, kur do të ndodhin këto gjëra? Dhe cila do të jetë shenja e ardhjes sate dhe e mbarimit të botës?.”
4 Dhe Jezusi duke u përgjigjur u tha atyre: “Ruhuni se mos ju mashtron ndokush!
5 Sepse shumë do të vijnë në emrin tim, duke thënë: "Unë jam Krishti" dhe do të mashtrojnë shumë njërëz.
6 Atëherë do të dëgjoni të flitet për lufta dhe për ushtima luftash; ruhuni të mos shqetësoheni, sepse të gjitha këto duhet të ndodhin, por ende mbarimi nuk do të ketë ardhur.
7 Do të ngrihet, pra, popull kundër populli dhe mbretëri kundër mbretërie; do të ketë zi buke, murtajë dhe tërmete në vende të ndryshme.
8 Por të gjitha këto gjëra do të jenë vetëm fillimi i dhembjeve të lindjes.
9 Atëherë do t’ju dorëzojnë në mundime dhe do t’ju vrasin; dhe të gjithë kombet do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim.
10 Atëherë shumë do të skandalizohen, do ta tradhëtojnë njeri tjetrin dhe do të urrejnë njeri tjetrin.
11 Dhe do të dalin shumë profetë të rremë, dhe do të mashtrojnë shumë njerëz.
12 Dhe, duke qenë se paudhësia do të shumohet, shumëkujt do t’i ftohet dashuria;
13 por ai që do të ngulmojë deri në fund do të shpëtohet.
14 Dhe ky ungjill i mbretërisë do të predikohet në gjithë botën si një dëshmi për gjithë kombet, dhe atëherë do të vijë mbarimi.”
15 “Kur të shihni, pra, neverinë e shkretimit, që është parathënë nga profeti Daniel, që ka zënë vend në vendin e shenjtë (kush lexon le ta kuptojë),
16 atëherë ata që janë në Jude, le të ikin ndër male.
17 Kush ndodhet mbi taracën e shtëpisë, të mos zbresë për të marrë diçka në shtëpinë e vet;
18 dhe kush është ndër ara, të mos kthehet për të marrë mantelin e tij.
19 Por mjerë gratë shtatzëna dhe ato që do t’u japin gji fëmijëve në ato ditë!
20 Dhe lutuni që ikja juaj të mos ndodhë në dimër, as të shtunën,
21 sepse atëherë do të ketë një mundim aq të madh, sa nuk ka ndodhur kurrë që nga krijimi i botës e deri më sot, dhe as nuk do të ketë më kurrë!
22 Dhe, po të mos shkurtoheshin ato ditë, asnjë mish nuk do të shpëtonte; por për shkak të të zgjedhurve, ato ditë do të shkurtohen.
23 Atëherë, në qoftë se dikush do t’ju thotë: "Ja, Krishti është këtu," ose "Éshtë atje," mos i besoni.
24 Sepse do të dalin krishtër të rremë dhe profetë të rremë, dhe do të bëjnë shenja të mëdha dhe mrrekulli të tilla aq sa t’i mashtrojnë, po të ishte e mundur, edhe të zgjedhurit.
25 Ja, unë ju paralajmërova.
26 Pra, në qoftë se ju thonë: "Ja, është në shkretëtirë," mos shkoni atje: Ja, është në dhomat e fshehta,," mos u besoni.
27 Sepse, si vetëtima që del nga lindja dhe flakëron deri në perëndim, kështu do të jetë ardhja e Birit të njeriut.
28 Sepse ku të ketë kërma, aty do të mblidhen shqiponjat.”
29 “Tani, fill pas pikëllimit të atyre ditëve, dielli do të erret dhe hëna nuk do të japë dritën e vet, yjet do të bien nga qielli dhe fuqitë e qiejve do të tronditen.
30 Dhe atëherë do të duket në qiell shenja e Birit të njeriut; dhe të gjitha kombet e dheut do të mbajnë zi dhe do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me fuqi dhe lavdi të madhe.
31 Ai do t’i dërgojë engjëjt e vet me tinguj të fuqishëm borie; dhe ata do t’i mbledhin të zgjedhurit e tij nga të katër erërat, nga një skaj i qiellit te tjetri.
32 Tani mësoni nga fiku këtë shëmbëlltyrë: kur tashmë degët e tij njomësohen dhe nxjerrin gjethet, ta dini se vera është afër.
33 Kështu edhe ju, kur t’i shihni të gjitha këto gjëra, ta dini se ai është afër, madje te dera.
34 Në të vërtetë po ju them se ky brez nuk do të kalojë, pa u realizuar të gjitha këto.
35 Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë.
36 Tani sa për atë ditë dhe për atë orë, askush s’e di, as engjëjt e qieive, por vetëm Ati im.
37 Por, ashtu si qe në ditët e Noeut, kështu do të jetë edhe në ardhjen e Birit të njeriut.
38 Sepse, ashtu si në ditët përpara përmbytjes, njerëzit hanin dhe pinin, martoheshin dhe martonin, derisa Noeu hyri në arkë;
39 dhe nuk kuptuan asgjë, deri sa erdhi përmbytja dhe i fshiu të gjithë; kështu do të ndodhë në ardhjen e Birit të njeriut.
40 Atëherë dy do të jenë në arë, një do të merret dhe tjetri do të lihet.
41 dy gra do të bluajnë në mulli, një do të merret dhe tjetra do të lihet.
42 Rrini zgjuar, pra, sepse nuk e dini në cilën orë do të vijë Zoti juaj.
43 Por dijeni këtë, se ta dinte i zoti i shtëpisë në çfarë orë të natës do të vijë vjedhësi, do të rrinte zgjuar dhe nuk do të lejonte t’i shpërthehej shtëpia.
44 Prandaj edhe ju jini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju nuk mendoni.”
45 “Cili është, pra, ai shërbëtor besnik dhe i mençur, që zotëria e tij e caktoi përmbi shtëpiarët e vet, për t’u dhënë atyre ushqimin në kohën e duhur?
46 Lum ai shërbëtor që, kur të kthehet zotëria e tij, e gjen duke bërë kështu.
47 Në të vërtetë po ju them se ai do t’ia besojë administrimin e gjithë pasurisë së vet.
48 Por, në qoftë se ky shërbëtor i mbrapshtë, thotë në zemër të vet: Zotëria ime vonon të vijë,,"
49 dhe fillon t’i rrahë shokët e vet dhe të hajë e të pijë me pijanecët;
50 zotëria e këtij shërbëtori do të vijë në atë ditë kur ai nuk e pret dhe në atë orë kur ai nuk e di;
51 do ta ndëshkojë rëndë dhe do t’i rezervojë fatin e hipokritëve. Atje do të jetë e qara dhe kërcëllim dhëmbësh.”
1 Në kohën e Asueros, (ai Asuero që mbretëronte nga Indija deri në Etiopi mbi njëqind e njëzet e shtatë krahina),
2 në atë kohë, kur mbreti Asuero rrinte në fronin e mbretërisë së tij që ishte në kështjellën e Suzës,
3 në vitin e tretë të mbretërimit të tij shtroi një banket për të gjithë princat dhe shërbëtorët e tij; komandantët e ushtrisë së Persisë dhe të Medisë, fisnikët dhe princat e krahinave u mblodhën para tij.
4 Atëherë ai tregoi pasuritë dhe lavdinë e mbretërisë së tij, madhështinë dhe epërsinë e saj për shumë ditë, njëqind e tetëdhjetë ditë.
5 Mbasi kaluan këto ditë, mbreti shtroi një banket tjetër prej shtatë ditësh, në oborrin e kopshtit të pallatit mbretëror, për tërë popullin që ndodhej në kështjellën e Suzës, nga më i madhi deri te më i vogli.
6 Kishte çadra të bardha dhe ngjyrë vjollce, që vareshin me kordonë të kuq flakë në unaza prej argjendi dhe në shtylla prej mermeri. Kishte divanë prej ari dhe prej argjendi mbi një dysheme prej mermeri të kuq dhe të bardhë, prej sedefi dhe alabastri.
7 Jepej për të pirë në enë ari, njëra e ndryshme nga tjetra, dhe kishte verë mbretërore me shumicë për hir të bujarisë së mbretit.
8 Në bazë të ligjit, askush nuk ishte i detyruar të pinte; në fakt mbreti kishte udhëruar tërë funksionarët e shtëpisë së tij t’i shërbenin secilit atë që dëshironte.
9 Edhe mbretëresha Vashti shtroi një banket për gratë në pallatin e mbretit Asuero.
10 Ditën e shtatë, kur zemra e mbretit ishte e gëzuar për shkak të verës, ai urdhëroi Mehumanin, Bizthan, Harbonan, Bigthan, Abagthan, Zetharin dhe Karkasin, të shtatë eunukët që shërbënin në prani të mbretit Asuero,
11 të sillnin para mbretit mbretëreshën Vashti me kurorën mbretërore, për t’i treguar popullit dhe princave bukurinë e saj; në të vërtetë ajo kishte një pamje të hijshme.
12 Por mbretëresha Vashti nuk pranoi të vinte sipas urdhrit të mbretit që iu njoftua me anë të eunukëve; mbreti u pezmatua shumë dhe zemërimi i tij i ziente përbrenda.
13 Atëherë mbreti pyeti dijetarët që njihnin kohërat (kjo ishte në fakt mënyra e veprimit të mbretit me gjithë ata që njihnin ligjin dhe drejtësinë;
14 me të afërt për të ishin Karshena, Shethari, Admatha, Tarshishi, Meresi, Marsena dhe Memukani, shtatë princa të Persisë dhe të Medisë që pranoheshin të rrinin para mbretit dhe zinin postet e para në mbretëri):
15 "Simbas ligjit çfarë duhet t’i bëhet mbretëreshës Vashti, që nuk zbatoi urdhrin e mbretit Asuero që iu transmetua me anë të eunukëve?".
16 Memukami u përgjigj para mbretit dhe princave: "Mbretëresha Vashti nuk ka vepruar drejt vetëm ndaj mbretit, por edhe ndaj gjithë princave dhe tërë popujve që janë në të gjitha krahinat e mbretit Asuero.
17 Sjellja e mbretëreshës do të merret vesh nga të gjitha gratë që do të nxiten të përçmojnë burrat e tyre dhe të thonë: "Mbreti Asuero kishte urdhëruar që të sillnin para tij mbretëreshën Vashti, por ajo nuk i vajti".
18 Madje që sot princeshat e Persisë dhe të Medisë që kanë marrë vesh sjelljen e mbretëreshës, do t’u flasin gjithë princave të mbretit dhe nga kjo do të lindë shumë përçmim dhe zemërim.
19 Në qoftë se mbretit i duket me vend, le të nxjerrë ai një udhëresë mbretërore që të përfshihet në ligjet e Persisë dhe të Medisë dhe të jetë e parevokueshme, në bazë të së cilës Vashti të mos dalë më në prani të mbretit Asuero; mbreti ti japë pastaj pozitën e saj mbretërore një tjetre më të mirë se ajo.
20 Kur urdhëresa e nxjerrë nga mbreti do të njoftohet në tërë mbretërinë e tij, që është e gjerë, tërë gratë do të nderojnë bashkëshortët e tyre, nga më i madhi deri te më i vogli".
21 Ky propozim i pëlqeu mbretit dhe princave, dhe mbreti bëri ashtu si kishte thënë Memukani;
22 dërgoi letra në të gjitha krahinat e mbretërisë, çdo krahine sipas shkrimit të saj dhe, çdo populli sipas gjuhës së tij, në mënyrë që çdo burrë të ishte zot në shtëpinë e tij dhe të fliste gjuhën e popullit të tij.
24 Por pas pesë ditësh erdhi kryeprifti Anania bashkë me pleqtë dhe me një gojtar, një farë Tertuli; ata dolën përpara qeveritarit për të akuzuar Palin.
2 Kur u thirr Pali, Tertuli filloi ta akuzojë duke thënë:
3 “Fort i shkëlqyeri Feliks, ne e pranojmë në gjithçka e për gjithçka dhe me mirënjohje të thellë se paqja të cilën gëzojmë dhe reformat dobiprurëse që janë zbatuar për këtë komb janë vepër e masave të tua largpamëse.
4 Por, për të mos të shqetësuar më gjatë, të lutem me mirësinë tënde, të na dëgjosh shkurtimisht.
5 Ne kemi gjetur se ky njeri është një murtajë dhe shkakton trazira midis gjithë Judenjve që janë në botë dhe është kryetari i sektit të Nazarenasve.
6 Ai, madje, u përpoq të përdhosë tempullin; dhe ne e zumë dhe deshëm ta gjykonim sipas ligjit tonë.
7 Por erdhi tribuni Lisia dhe e mori me forcë nga duart tona,
8 duke i urdhëruar paditësit e tij të vijnë tek ti; duke e hetuar atë, do të mundësh ti vetë të marrësh vesh prej tij të vërtetën e të gjitha gjërave, për të cilat ne e akuzojmë.”
9 Edhe Judenjtë u bashkuan, duke pohuar se kështu qëndronin gjërat.
10 Atëherë Pali, mbasi qeveritari i bëri shenjë të flasë, u përgjigj: “Duke ditur se prej shumë vjetësh ti je gjykatësi i këtij kombi, flas edhe më me guxim në mbrojtje të vetes.
11 Jo më shumë se dymbëdhjetë ditë më parë, siç mund ta verifikosh, unë u ngjita në Jeruzalem për të adhuruar.
12 Dhe këta nuk më gjetën në tempull duke u grindur me ndonjë, ose duke nxitur turmën as në sinagogat as edhe nëpër qytet;
13 dhe as mund të provojnë gjërat për të cilat tani më akuzojnë.
14 Por unë po të rrëfej këtë: sipas Udhës që ata e quajnë sekt, unë i shërbej kështu Perëndisë së etërve, duke u besuar të gjitha gjërave që janë shkruar në ligjin dhe në profetët,
15 duke pasur shpresë në Perëndinë, të cilën edhe këta e kanë, se do të ketë një ringjallje të të vdekurve, qoftë të të drejtëve, qoftë të të padrejtëve.
16 Prandaj unë përpiqem të kem vazhdimisht një ndërgjegje të paqortueshme përpara Perëndisë dhe përpara njerëzve.
17 Tani, pas shumë vjetësh, unë erdha të sjell lëmosha dhe oferta kombit tim.
18 Por, tek po bëja këtë, ata më gjetën të pastruar në tempull, pa asnjë tubim ose trazirë.
19 Por ishin disa Judenj të Azisë, që duhej të dilnin para teje për të më akuzuar, se kishin diçka kundër meje.
20 Ose vetë këta le të thonë nëse kanë gjetur ndonjë padrejtësi tek unë, kur rrija përpara sinedrit,
21 veç mos qoftë vetëm për atë fjalë që unë thirra duke qëndruar në këmbë para tyre: "Për shkak të ringjalljes së të vdekurve sot unë gjykohem prej jush!".”
22 Kur i dëgjoi këto gjëra, Feliksi, që ishte i mirinformuar për Udhën, e shtyu gjyqin, duke thënë: “Kur të vijë tribuni Lisia, do të marr në shqyrtim çështjen tuaj.”
23 Dhe i dha urdhër centurionit që Palin ta ruanin, por të kishte njëfarë lirie, pa penguar asnjë nga të vetët t’i kryejnin shërbime ose të vijnin ta takojnin.
24 Pas disa ditësh Feliksi, që kishte ardhur me gruan e vet Druzila, që ishte jude, dërgoi ta thërresin Palin dhe e dëgjoi lidhur me besimin në Jezu Krishtin.
25 Dhe, duke qenë se Pali fliste për drejtësi, për vetëkontroll dhe për gjyqin e ardhshëm, Feliksi, shumë i trembur, u përgjigj: “Për tani shko, dhe kur të kem rast, do të dërgoj të të thërrasin.”
26 Njëkohësisht ai shpresonte se Pali do t’i jepte para që ta lironte; dhe prandaj e thërriste shpesh dhe bisedonte me të.
27 Por pas dy vjetësh, Feliksit ia zuri vendin Porc Festi; dhe Feliksi, duke dashur t’ua bëjë qejfin Judenjve, e la Palin në burg.