M’Cheyne Bible Reading Plan
29 Pastaj Jakobi u nis dhe shkoi në vendin e lindorëve.
2 Shikoi dhe pa një pus në një arë, dhe aty pranë tri kope dhensh të mbledhura tok, sepse ai pus shërbente për t’u dhënë ujë kopeve të dhenve; dhe rrasa mbi grykën e pusit ishte e madhe.
3 Aty mblidheshin zakonisht tërë kopetë; atëherë çobanët e hiqnin rrasën nga gryka e pusit dhe u jepnin ujë dhenve; pastaj e vinin përsëri rrasën në vendin e saj, në grykën e pusit.
4 Dhe Jakobi u tha atyre: "Vëllezër të mi, nga jeni?" Ata u përgjigjën: Jemi nga Haranii".
5 Atëherë ai u tha atyre: "E njihni ju Labanon, birin e Nahorit?". Ata u përgjigjën: "E njohim".
6 Ai u tha atyre: "A është mirë ai?". Ata u përgjigjën: "Éshtë mirë; dhe ja bija e tij Rakela, e cila po vjen me delet".
7 Ai tha: "Ja, është ende ditë për diell dhe nuk ka ardhur koha për të mbledhur bagëtinë; jepuni ujë deleve dhe pastaj i çoni të kullosin"
8 Por ata u përgjigjën: "Nuk mundemi deri sa të gjitha kopetë të mblidhen, e të kemi hequr rrasën nga gryka e pusit; atëherë do t’u japim ujë deleve".
9 Ai po vazhdonte të fliste me ta kur arriti Rakela me delet e të atit, sepse ajo ishte një bareshë.
10 Kur Jakobi pa Rakelën, bijën e Labanos, vëllai i nënës së tij, dhe delet e Labanos, vëlla i nënës së tij, ai u afrua, e hoqi rrasën nga gryka e pusit, dhe i dha ujë kopesë së Labanos, vëllait të nënës së tij.
11 Atëherë Jakobi puthi Rakelën, ngriti zërin dhe qau.
12 Pastaj Jakobi e njoftoi Rakelën se ishte i një gjaku me të atin dhe ishte bir i Rebekës. Dhe ajo vrapoi t’ia tregonte të atit.
13 Sapo Labano dëgjoi lajmet e Jakobit, birit të motrës së tij, vrapoi drejt tij, e përqafoi, e puthi dhe e çoi në shtëpinë e tij. Dhe Jakobi i tregoi Labanos tërë ato gjëra.
14 Atëherë Labano i tha: "Ti je me të vërtetë nga mishi dhe gjaku im!". Dhe ai qëndroi një muaj me të.
15 Pastaj Labano i tha Jakobit: "Pse je fisi im duhet të më shërbesh pa marrë asgjë? Më thuaj sa duhet të jetë paga jote".
16 Tani Labano kishte dy bija: e madhja quhej Lea dhe e vogla Rakela.
17 Lea kishte sy të perënduar, por Rakela ishte e hijshme dhe e pashme.
18 Prandaj Jakobi e donte Rakelën dhe i tha Labanos: "Unë do të të shërbej shtatë vjet për Rakelën, bijën tënde më të vogël".
19 Labano iu përgjigj: "Më mirë të ta jap ty se sa një njeriu tjetër; rri me mua".
20 Kështu Jakobi shërbeu shtatë vjet për Rakelën; dhe iu dukën pak ditë sepse e dashuronte.
21 Pastaj Jakobi i tha Labanos: "Më jep gruan time, sepse afati u mbush dhe lejo që të bashkohem me të".
22 Atëherë Labano mblodhi tërë burrat e vendit dhe shtroi një banket.
23 Por, kur ra mbrëmja, ai mori bijën e tij Lea dhe e çoi te Jakobi, që hyri te ajo.
24 Përveç kësaj Labano i dha shërbyesen e tij Zilpah si shërbyese të Leas, bijës së tij.
25 Të nesërmen në mëngjes, ai pa se ishte Lea. Atëherë Jakobi i tha Labanos: "Çfarë më bëre? A nuk të kam shërbyer për Rakelën? Pse më mashtrove?".
26 Labano u përgjegj: "Nuk është zakon të veprohet kështu në vendin tonë, nuk mund të japësh më të voglën para më të madhes.
27 Mbaro javën e kësaj dhe do të japim edhe tjetrën, për shërbimin që do të më bësh për shtatë vjet të tjera".
28 Atëherë Jakobi bëri si i thanë dhe mbaroi javën e Leas; pastaj Labano i dha për grua bijën e tij Rakela.
29 Përveç kësaj Labano i dha shërbyesen e tij Bilhah si shërbyese Rakelës, bijës së tij.
30 Dhe Jakobi hyri gjithashtu te Rakela dhe e dashuroi atë më tepër se Lean; dhe shërbeu shtatë vjet të tjera te Labano.
31 Zoti, duke parë që për Lean nuk kishte dashuri, ia çeli barkun asaj, ndërsa Rakela ishte shterpë.
32 Kështu Lea u ngjiz dhe lindi një djalë që e quajti Ruben, sepse tha: Zoti e pa trishtimin tim; prandaj tani burri im do të më dojëë".
33 Pastaj u ngjiz përsëri dhe lindi një djalë dhe ajo tha: "Zoti e pa se nuk kisha dashuri, prandaj më dha edhe këtë bir". Dhe e quajti Simeon.
34 Ajo u ngjiz përsëri dhe lindi një djalë, dhe tha: "Kësaj radhe burri im do të më dojë, sepse i kam lindur tre bij". Prandaj u quajt Levi.
35 Ajo u ngjiz përsëri dhe lindi djalë dhe tha: "Këtë radhë do të kremtoj Zotin". Prandaj e quajti Juda. Pastaj nuk pati më fëmijë.
28 Tani në fund të së shtunave, kur po zbardhte dita e parë e javës, Maria Magdalena dhe Maria tjetër shkuan për të parë varrin.
2 Dhe ja, ra një tërmet i madh, sepse një engjëll i Zotit zbriti nga qielli, erdhi dhe e rrokullisi gurin nga hyrja e varrit dhe u ul mbi të.
3 Pamja e tij ishte si vetëtima dhe veshja e tij e bardhë si bora.
4 Dhe nga frika e tij, rojet u drodhën dhe mbetën si të vdekur;
5 por engjëlli, duke iu drejtuar grave, u tha atyre: “Mos kini frikë, sepse unë e di se ju kërkoni Jezusin, që u kryqëzua.
6 Ai nuk është këtu, sepse u ringjall, sikurse kishte thënë; ejani, shikoni vendin ku qe vënë Zoti.
7 Shkoni shpejt t’u thoni dishepujve të tij se ai u ringjall së vdekuri; dhe ja, po shkon përpara jush në Galile; atje do ta shihni; ja, jua thashë.”
8 Ato, pra, u larguan me të shpejtë nga varri me frikë dhe me gëzim të madh; dhe rendën ta çojnë lajmin te dishepujt e tij.
9 Dhe, ndërsa po shkonin për t’u thënë dishepujve, ja Jezusi u doli përpara dhe tha: “Tungjatjeta!.” Atëherë ato u afruan, i rrokën këmbët dhe e adhuruan.
10 Atëherë Jezusi u tha atyre: “Mos kini frikë, shkoni të lajmëroni vëllezërit e mi që të shkojnë në Galile dhe atje do të më shohin.”
11 Ndërsa ato po shkonin, ja që disa nga rojtarët arritën në qytet dhe u raportuan krerëve të priftërinjve të gjitha ato që kishin ndodhur.
12 Atëherë këta bënë këshill me pleqtë dhe vendosën t’u japin ushtarëve një shumë të madhe denarësh,
13 duke u thënë atyre: “Thoni: Dishepujt e tij erdhën natën dhe e vodhën, ndërsa ne po flinim.
14 Dhe në qoftë se kjo i shkon në vesh guvernatorit, ne do ta bindim dhe do të bëjmë në mënyrë që ju të mos kini merak.”
15 Dhe ata i morën denarët dhe bënë ashtu si i kishin mësuar, dhe kjo e thënë u përhap ndër Judenjtë deri ditën e sotme.
16 Pastaj të njëmbëdhjetë dishepujt shkuan në Galile, në atë mal që u kishte caktuar Jezusi
17 dhe, kur e panë, e adhuruan; por disa dyshuan.
18 Pastaj Jezusi u afrua dhe u foli atyre duke thënë: “Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë.
19 Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë,
20 dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës. Amen.”
5 Ditën e tretë, Esteri veshi rrobën mbretërore dhe u paraqit në oborrin e brendshëm të pallatit të mbretit, përballë apartamentit të mbretit. Mbreti ishte ulur mbi fronin mbretëror në pallatin mbretëror, përballë hyrjes së pallatit.
2 Sa e pa mbreti mbretëreshën Ester më këmbë në oborr, ajo fitoi simpatinë e tij. Kështu mbreti zgjati në drejtim të Esterit skeptrin prej ari që mbante në dorë, dhe Esteri u afrua dhe preku majën e skeptrit.
3 Atëherë mbreti i tha: "Çfarë do, mbretëreshë Ester? Cila është kërkesa jote? Edhe sikur të jetë gjysma e mbretërisë sime, do të të jepet".
4 Esteri u përgjigj: "Në qoftë se kështu i pëlqen mbretit, le të vijë sot mbreti me Hamanin në banketin që i kam përgatitur".
5 Atëherë mbreti tha: "Silleni shpejt Hamanin, që të bëhet ç’ka thënë Esteri". Kështu mbreti dhe Hamani shkuan në banketin që Esteri kishte përgatitur.
6 Ndërsa po shërbehej vera gjatë banketit, mbreti i tha Esterit: "Cila është kërkesa jote? Do të të plotësohet. Çfarë kërkon? Qoftë edhe gjysma e mbretërisë sime, do të bëhet".
7 Esteri u përgjigj dhe tha: "Ja, kërkesa ime ajo që po kërkoj:
8 Në qoftë se kam gjetur hir në sytë e mbretit dhe në qoftë se mbretit i pëlqen të plotësojë kërkesën time dhe të më japë atë që kërkoj, le të vijë mbreti me Hamanin në banketin që unë do t’u përgatis atyre, dhe nesër kam për të bërë ashtu si ka thënë mbreti".
9 Atë ditë Hamani doli gjithë qejf dhe me zemër të kënaqur, por kur Hamani në portën e mbretit pa Mardokeun që as ngrihej as lëvizte para tij, u zemërua shumë me të.
10 Megjithatë Hamani e mbajti veten, shkoi në shtëpi dhe dërgoi të thërrasin miqtë e tij dhe Zereshin, bashkëshorten e tij.
11 Pastaj Hamani u foli atyre mbi shkëlqimin e pasurive të tij, mbi numrin e madh të bijve të tij, mbi të gjitha gjërat me të cilat mbreti e kishte nderuar, dhe si e kishte ngritur mbi princat dhe shërbëtorët e mbretit.
12 Hamani shtoi gjithashtu: "Edhe mbretëresha Ester nuk ka sjellë bashkë me mbretin në banket askënd tjetër veç meje; edhe nesër më ka ftuar ajo bashkë me mbretin.
13 Por tërë kjo nuk më mjafton deri sa do të shoh Mardokeun Judeun të ulur para portës së mbretit".
14 Aëherë bashkëshortja e tij Zeresh dhe tërë miqtë e tij i thanë: "Të përgatitet një trekëmbësh i lartë pesëdhjetë kubitë; nesër në mëngjes i thuaj mbretit që aty të varet Mardokeu; pastaj shko i kënaqur në banket me mbretin". Kjo gjë i pëlqeu Hamanit, që bëri të përgatitet trekëmbëshi.
28 Dhe si shpëtuan, morën vesh atëherë se ishulli quhej Maltë.
2 Barbarët treguan ndaj nesh një mirësjellje të pazakontë, sepse ndezën një zjarr të madh dhe na morën të gjithëve brenda, sepse binte shi dhe bënte ftohtë.
3 Dhe, ndërsa Pali mblidhte ca shkarpa dhe i vinte mbi zjarr, nga të nxehtit doli një nepërkë dhe iu ngjit te dora.
4 Barbarët, kur panë gjarprin që i varej nga dora, i thanë njëri-tjetrit: “Me siguri ky njeri është një vrasës, sepse, edhe pse shpëtoi nga deti, drejtësia hyjnore nuk e lë të rrojë.”
5 Por Pali, si e shkundi gjarprin në zjarr, nuk pësoi ndonjë të keqe.
6 Dhe ata po prisnin që ai të fryhej ose të binte i vdekur në çast; por, mbasi pritën gjatë dhe panë se nuk po i ndodhte asgjë e pazakontë, ndryshuan mendim dhe thanë se ishte një perëndi.
7 Edhe rreth atij vendi i kishte arat i pari i ishullit me emër Publius; ai na priti dhe na mbajti në shtëpi tri ditë miqësisht.
8 Dhe ndodhi që i ati i Publit dergjej në shtrat, i sëmurë me ethe dhe me dizenteri; Pali i shkoi dhe, mbasi ishte lutur, vuri duart mbi të dhe e shëroi.
9 Mbas kësaj edhe banorë të tjerë të ishullit që kishin sëmundje vinin tek ai dhe u shëruan;
10 dhe këta na nderuan me shumë ndere dhe, kur u nisëm për të lundruar, na furnizuan gjërat e nevojshme.
11 Pas tre muajsh u nisëm me një anije të Aleksandrisë, që kishte dimëruar në ishull dhe që kishte si shenjë Dioskurët.
12 Dhe, si arritëm në Sirakuzë, qëndruam atje tri ditë.
13 Dhe, prej andej, duke lundruar afër bregut, arritëm në Rexho. Të nesërmen fryu juga dhe për dy ditë arritëm në Pocuoli.
14 Kur gjetëm atje vëllezër, na lutën të rrimë tek ata shtatë ditë. Dhe kështu mbërritëm në Romë.
15 Dhe vëllezërit e atjeshëm, kur dëgjuan për ne, na dolën para deri te Fori Apian dhe te Tri Tavernat; dhe Pali, kur i pa, e falënderoi Perëndinë dhe mori zemër.
16 Kur arritëm në Romë, centurioni ia dorëzoi robërit komandantit të kampit; por Palit iu dha leja të rrijë më vete me një ushtar si roje.
17 Pas tri ditësh, Pali thirri krerët e Judenjve. Kur ata u mblodhën, u tha atyre: “Vëllezër, ndonëse nuk bëra asgjë kundër popullit dhe kundër zakoneve të etërve, jam arrestuar në Jeruzalem dhe më kanë dorëzuar në duart e Romakëve.
18 Ata, si më pyetën, donin të më lëshonin, sepse tek unë nuk kishte asnjë faj që të meritonte vdekjen.
19 Por, duke qenë se Judenjtë kundërshtonin, u detyrova t’i apelohem Cezarit, jo se kam ndonjë akuzë kundër kombit tim.
20 Për këtë arsye, pra, ju kam thirrur, ë t’ju shoh dhe t’ju flas, sepse për shpresën e Izraelit jam lidhur me këta hekura.”
21 Edhe ata i thanë: “Ne nuk kemi marrë asnjë letër për ty nga Judeja, as nuk erdhi ndonjë nga vëllezërit të na tregojë ose të thotë ndonjë të keqe për ty.
22 Por ne dëshirojmë të dëgjojmë prej teje ç’mendon, sepse për këtë sekt ne dimë se kudo flitet kundra.”
23 Dhe, mbasi i caktuan një ditë, erdhën shumë veta tek ai në banesën e tij; dhe ai shtjellonte dhe u dëshmonte atyre për mbretërinë e Perëndisë dhe, me anë të ligjit të Moisiut dhe të profetëve kërkonte t’i bindte për gjërat që i përkasin Jezusit, që nga mëngjesi e deri në mbrëmje.
24 Disa bindeshin nga ato që u thoshte, por të tjerë nuk besonin.
25 Dhe, duke qenë në mospajtim njëri me tjetrin, u larguan, pasi Pali u tha pikërisht këto fjalë: “Mirë u foli Fryma e Shenjtë me anë të profetit Isaia etërve tanë,
26 duke thënë: "Shko tek ai popull dhe i thuaj: "Do të dëgjoni, por nuk do të merrni vesh, do të vështroni, por nuk do të shikoni;
27 në fakt zemra e këtij populli u bë e ngurtë, dhe i janë rënduar veshët dhe kanë mbyllur sytë, që të mos shohin me sy dhe të mos dëgjojnë me veshë dhe të mos kuptojnë me zemër dhe të mos kthehen dhe unë të mos i shëroj.
28 Ta dini, pra, se ky shpëtim i Perëndisë iu dërgua johebrenjve, dhe ata do ta dëgjojnë!.”
29 Dhe si i tha këto fjalë, Judenjve ikën duke u ngrënë me shumë fjalë njëri me tjetrin.
30 Dhe Pali ndenji plot dy vjet në shtëpinë që kishte marrë me qira dhe priste të gjithë ata që vinin tek ai,
31 duke predikuar mbretërinë e Perëndisë dhe duke mësuar gjërat e Zotit Jezu Krisht me shumë liri dhe pa ndalim.