M’Cheyne Bible Reading Plan
22 Mbas këtyre gjërave Perëndia e vuri në provë Abrahamin dhe i tha: Abraham!!" Ai u përgjegj: "Ja ku jam".
2 Dhe Perëndia tha: "Merr tani birin tënd, birin tënd të vetëm, atë që ti do, Isakun, shko në vendin e Moriahve dhe sakrifikoje në një nga malet që do të të tregoj".
3 Kështu Abrahami u ngrit herët në mëngjes, i vuri samarin gomarit, mori me vete dy shërbyes dhe të birin Isak dhe çau dru për sakrificën; pastaj u nis drejt vendit ku i kishte thënë Perëndia të shkonte.
4 Ditën e tretë Abrahami ngriti sytë dhe pa së largu vendin.
5 Atëherë Abrahami u tha shërbyesve të tij: "Rrini këtu bashkë me gomarin; unë dhe djali do të shkojmë deri atje dhe do të adhurojmë; pastaj do të kthehemi pranë jush".
6 Kështu Abrahami mori drutë e sakrificës dhe i ngarkoi mbi Isakun, birin e tij; pastaj mori në dorë të vet zjarrin dhe u nisën rrugës që të dy.
7 Dhe Isaku i foli atit të tij Abraham dhe i tha: "Ati im!". Abrahami iu përgjegj: "Ja ku jam, biri im". Dhe Isaku tha: "Ja zjarri dhe druri, po ku është qengji për sakrificën?".
8 Abrahami u përgjegj: "Djali im, Perëndia do ta sigurojë vetë qengjin për sakrificën". Dhe vazhduan rrugën të dy bashkë.
9 Kështu arritën në vendin që Perëndia i kishte treguar dhe atje Abrahami ndërtoi altarin dhe sistemoi drutë; pastaj e lidhi Isakun, birin e tij, dhe e vendosi mbi altar sipër druve.
10 Pastaj Abrahami shtriu dorën dhe mori thikën për të vrarë të birin.
11 Por Engjëlli i Zotit thirri nga qielli dhe i tha: "Abraham, Abraham!". Ai u përgjegj: "Ja ku jam".
12 Engjëlli i tha: "Mos e zgjat dorën kundër djalit dhe mos i bëj asnjë të keqe. Tani e di mirë që ti i trembesh Perëndisë, se nuk më ke refuzuar birin tënd, të vetmin bir që ke".
13 Atëherë Abrahami ngriti sytë dhe shikoi; dhe ja prapa tij një dash i zënë për brirësh në një kaçube. Kështu Abrahami shkoi, mori dashin e tij dhe e ofroi si sakrificë në vend të të birit.
14 Dhe Abrahami e quajti këtë vend Jehovah Jireh. Prandaj edhe sot e kësaj dite thuhet: "Do të furnizohet mali i Zotit".
15 Engjëlli i Zotit e thirri për të dytën herë Abrahamin nga qielli dhe tha:
16 "Unë betohem për veten time, thotë Zoti, se ti e bëre këtë dhe nuk kurseve tët bir, të vetmin bir që ke,
17 unë me siguri do të të bekoj fort dhe do të shumoj pasardhësit e tu si yjet e qiellit dhe si rëra që ndodhet në brigjet e detit dhe trashëgimtarët e tu do të zotërojnë portat e armiqve të tij.
18 Dhe tërë kombet e tokës do të bekohen te pasardhësit e tu, sepse ti iu binde zërit tim".
19 Pastaj Abrahami u kthye te shërbëtorët e tij, ata u ngritën dhe shkuan bashkë në Beer-Sheba. Dhe Abrahami zuri vend në Beer-Sheba.
20 Mbas këtyre gjërave i thanë Abrahamit këtë: "Ja, Milkah i ka lindur edhe ajo bij Nahorit, vëllait tënd;
21 Uzi, dhëndri i tij i parë, Buzi vëllai i tij, Kemueli babai i Aramit,
22 Kesedi, Hazoi, Pildashi, Jidlafi dhe Bethueli".
23 Dhe Bethuelit i lindi Rebeka. Këta tetë bij Milkah i lindi nga Nahori, vëllai i Abrahamit.
24 Konkubina e tij, që quhej Reumah, lindi edhe ajo Tebahun, Gahamin, Tahashin dhe Maakahun.
21 Kur iu afruan Jeruzalemit dhe arritën në Betfage, afër malit të Ullinjve, Jezusi dërgoi dy dishepuj,
2 duke u thënë atyre: “Shkoni në fshatin që ndodhet përballë jush; aty do të gjeni menjëherë një gomare të lidhur dhe një pulishtë me të; zgjidhini dhe m’i sillni!
3 Dhe nëse dikush ju thotë gjë, i thoni se Zoti ka nevojë për to, por do t’i kthejë shpejt.”
4 Tani kjo ndodhi për të përmbushur ç’ishtë thënë nga profeti, që thotë:
5 “I thoni bijës së Sionit: Ja po të vjen mbreti yt, zemërbutë, hipur mbi një gomare, madje një pulishtë, pjellë e një kafshe barrë.”
6 Dishepujt shkuan dhe vepruan ashtu si i kishte urdhëruar Jezusi.
7 Sollën gomaren dhe pulishtin, shtruan mbi to mantelet e tyre, dhe ai u hipi.
8 Dhe një turmë shumë e madhe shtronte mantelet e veta gjatë rrugës, ndërsa të tjerë thyenin degë nga pemët dhe i shtronin mbi rrugë.
9 Turmat që vinin përpara dhe ato që e ndiqnin brohoritnin, duke thënë: “Hosana Birit të Davidit! Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! Hosana në vendet shumë të larta!.”
10 Dhe kur hyri Jezusi në Jeruzalem, gjithë qyteti u ngrit në këmbë dhe tha: “Kush është ky?.”
11 Dhe turmat thonin: “Ky është Jezusi, profeti nga Nazareti i Galilesë.
12 Pastaj Jezusi hyri në tempullin e Perëndisë, i dëboi të gjithë ata që shisnin dhe blinin në tempull dhe përmbysi tryezat e këmbyesve të parave dhe ndenjëset e shitësve të pëllumbave.
13 Dhe u tha atyre: “Éshtë shkruar: "Shtëpia ime do të quhet shtëpi lutje," por ju e keni kthyer në një shpellë kusarësh.”
14 Atëherë iu paraqitën të verbër dhe të çalë, dhe ai i shëroi.
15 Por krerët e priftërinjve dhe skribët, kur panë mrekullitë që ai kishte bërë dhe fëmijët që brohoritnin në tempull duke thënë: “Hosana Birit të Davidit!,” u zemëruan,
16 dhe i thanë: “A po dëgjon ti çfarë thonë këta?.” Jezusi u tha atyre: “Po! A nuk keni lexuar kurrë: "Nga goja e të vegjëlve dhe të foshnjave në gji ti ke përgatitur lavdi"?.”
17 Dhe, mbasi i la ata, doli nga qyteti për në Betani, dhe atje kaloi natën.
18 Në mëngjes, kur po kthehej në qytet e mori uria.
19 Dhe gjatë rrugës pa një fik dhe iu afrua, por nuk gjeti asgjë përveç gjetheve; dhe i tha: “Mos u lidhtë më kurrë fryt prej teje përjetë!.” Dhe fiku u tha menjëherë.
20 Kur e panë këtë, dishepujt u çuditën dhe thanë: “Qysh u tha fiku në çast?.”
21 Dhe Jezusi duke u përgjigjur u tha atyre: “Në të vërtetë ju them që, po të keni besim dhe të mos dyshoni, do të bëni jo vetëm atë që unë i bëra fikut, por, edhe sikur t’i thoni këtij mali: "Hiqu andej dhe hidhu në det," kjo do të ndodhë.
22 Dhe gjithçka të kërkoni në lutje, duke patur besim, do të merrni.”
23 Kur hyri në tempull, krerët e priftërinjve dhe pleqtë e popullit iu afruan, ndërsa i mësonte, dhe i thanë: “Me ç’pushtet i bën ti këto gjëra? Dhe kush ta ka dhënë këtë pushtet?.”
24 Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, u tha atyre: “Edhe unë do t’ju bëj një pyetje, dhe në qoftë se ju do të më përgjigjeshit, unë gjithashtu do t’ju them me ç’pushtet i kryej këto gjëra.
25 Pagëzimi i Gjonit nga erdhi? Nga qielli apo nga njerëzit?.” Dhe ata arsyetonin midis tyre duke thënë: “Po t’i themi nga qielli, do të na thotë: Përse atëhërë nuk i besuat??".
26 Në qoftë se i themi nga njerëzit, kemi frikë nga turma, sepse të gjithë e konsiderojnë Gjonin profet.”
27 Dhe iu përgjigjën Jezusit duke thënë: “Nuk e dimë.” Atëhërë ai u tha atyre: “As unë nuk do t’ju them me ç’pushtet i bëj këto gjëra".
28 “Ç’mendoni? Një njeri kishte dy bij dhe duke iu drejtuar të parit tha: Bir, shko sot të punosh në vreshtin timm";
29 por ai u përgjigj dhe tha: "Nuk dua"; por më vonë, i penduar, shkoi.
30 Pastaj iu kthye të dytit dhe i tha të njëjtën gjë. Dhe ai u përgjigj dhe tha: "Po, imzot, do ta bëj," por nuk shkoi.
31 Cili nga të dy e kreu vullnetin e të atit?.” Ata i thanë: “I pari.” Jezusi u tha atyre: “Në të vërtetë ju them se tagrambledhësit dhe prostitutat hyjnë para jush në mbretërinë e qiejve.
32 Sepse Gjoni erdhi tek ju në rrugën e drejtësisë, dhe iu nuk i besuat, ndërsa tagrambledhësit dhe prostitutat i besuan; as mbasi i keni parë këto gjëra, nuk u penduat për t’i besuar.”
33 “Dëgjoni një shëmbëlltyrë tjetër: Ishte një pronar shtëpie, i cili mbolli një vresht, e rrethoi me gardh, gërmoi një vend ku të shtrydhte rrushin, ndërtoi një kullë dhe, mbasi ua besoi disa vreshtarëve, u nis në një vend të huaj.
34 Dhe kur erdhi koha e të vjelave, ai dërgoi shërbëtorët e vet te vreshtarët, për të marrë frutat e tij,
35 por vreshtarët i kapën shërbëtorët e tij, njërin e rrahën, një tjetër e vranë dhe një tjetër e vranë me gurë.
36 Përsëri, ai dërgoi shërbëtorë të tjerë, më shumë se të parët, dhe këta vreshtarët i trajtuan në të njëjtën mënyrë.
37 Më në fund ai i dërgoi atyre birin e vet duke thënë: "Për djalin tim do të kenë respekt!".
38 Por vreshtarët, kur e panë të birin, i thanë njeri tjetrit: "Ky është trashëgimtari; ejani, ta vrasim dhe marrim si pronë trashëgiminë e tij".
39 Dhe e kapën, e nxorën jashtë nga vreshti dhe e vranë.
40 Tani, kur të vijë i zoti i vreshtit, çfarë do t’u bëjë këtyre vreshtarëve?.”
41 Ata i thanë: “Ai do t’i vrasë keqas ata faqezinj dhe do t’ua besojë vreshtin vreshtarëve të tjerë, të cilët do t’i japin prodhimet në kohën e vet.”
42 Jezusi u tha atyre: “A nuk keni lexuar kurrë në Shkrimet: "Guri, që ndërtuesit e nxorën të papërdorshëm, u bë guri i qoshes. Kjo është vepër e Zotit, dhe është e mrekullueshme në sytë tonë"?
43 Prandaj unë po ju them se juve do t’ju hiqet mbretëria e Perëndisë dhe do t’i jepet një kombi që do ta bëjë të japë fryt.
44 Dhe ai që do të bjerë mbi këtë gur do të bëhet copëcopë; dhe ai mbi të cilin do të bjerë ai do të jetë i thërrmuar.”
45 Dhe krerët e priftërinjve dhe farisenjtë, kur i dëgjuan shëmbëlltyrat e tij, e kuptuan se po fliste për ta.
46 Dhe kërkonin ta kapnin, por kishin frikë nga turmat, sepse ato e konsideronin profet.
11 Krerët e popullit u vendosën në Jeruzalem; pjesa tjetër e popullit hodhi me short që një në çdo dhjetë veta të vinte të banonte në Jerualem, në qytetin e shenjtë; nëntë të dhjetat e tjerë duhet të qëndronin përkundrazi në qytetet e tjera.
2 Populli bekoi tërë ata që spontanisht u ofruan të banojnë në Jeruzalem.
3 Këta janë krerët e provincës që u vendosën në Jeruzalem, (por në qytetet e Judës secili u vendos në pronën e vet, në qytetin e vet: Izraelitët, priftërinjtë, Levitët, Nethinejtë, dhe bijtë e shërbëtorëve të Salomonit).
4 Në Jeruzalem u vendosën një pjesë e bijve të Judës dhe të Beniaminit. Nga bijtë e Judës: Atahiahu, bir i Uziahut, bir i Zakarias, bir i Amariahut, bir i Shefatiahut, bir i Mahalaleelit, nga bijtë e Peretsit,
5 dhe Maaseja, bir i Barukut, bir i Kol-Hozehut, bir i Hazajahut, bir i Adajahut, bir i Jojaribit, bir i Zakarias, bir i Shilonitit.
6 Shuma e bijve të Peretsit që u vendosën në Jeruzalem: katërqind e gjashtëdhjetë e tetë trima.
7 Këta janë bijtë e Beniaminit: Salu, bir i Mashulamit, bir i Joedit, bir i Pedajahut, bir i Kolajahut, bir i Maasejahut, bir i Ithielit, bir i Isaias;
8 mbas tij, Gabai dhe Sallai; gjithsej, nëntëqind e njëzet e tetë.
9 Joeli, bir i Zikrit, ishte i pari i tyre, dhe Juda, bir i Senuahut, ishte shefi i dytë i qytetit.
10 Nga priftërinjtë: Jedajahu, bir i Jojaribit dhe Jakini,
11 Serajahu, bir i Hilkiahut, bir i Meshullamit, bir i Tsadokut, bir i Merajothit, bir i Ahitubit, ishte i pari i shtëpisë së Perëndisë,
12 vëllezërit e tyre të caktuar me punë në tempull ishin tetëqind e njëzet e dy veta; dhe Adajahu, biri Jerohamit, bir i Pelaliahut, bir i Amtsit, bir i Zakarias, bir i Pashhurit, bir i Malkijahut
13 dhe vëllezërit e tij, të parët e shtëpive atërore, ishin gjithsej dyqind e dyzet e dy veta; dhe Amashaai, bir i Azareelit, bir i Ahzait, bir i Meshilemothit, bir i Imerit,
14 dhe vëllezërit e tyre, burra trima, ishin njëqind e njëzet e tetë veta. Zabdieli, bir i Gedolimit, ishte i pari i tyre.
15 Nga Levitët: Shemajahu, bir i Hashshubit, bir i Hazrikamit, bir i Hashabiahut, bir i Bunit,
16 Shabethai dhe Jozabadi, të caktuar në shërbimin e jashtëm të shtëpisë së Perëndisë, midis krerëve të Levitëve;
17 dhe Mataniahu, bir i Mikas, bir i Zabdiut, bir i Asafit, që fillonte lëvdimet gjatë lutjes, i pari dhe Bakbukiahu, i dyti ndër vëllezërit e tij, dhe Abda, bir i Shamuas, bir i Galalit, bir i Jeduthunit.
18 Shuma e Levitëve në qytetin e shenjtë: dyqind e tetëdhjetë e katër veta.
19 Derëtarët: Akubi, Talmoni dhe vëllezërit e tyre, rojtarë të portave: njëqind e shtatëdhjetë e dy veta.
20 Pjesa tjetër e Izraelit, e priftërinjve dhe e Levitëve u vendosën në të gjitha qytetet e Judës, secili në pronën e vet.
21 Nethinejtë u vendosën mbi Ofelin; Tsiha dhe Gishpa ishin në krye të Nethinejve.
22 Kryetari i Levitëve në Jeruzalem ishte Uzi, bir i Banit, bir i Hashabiahut, bir i Mataniahut, bir i Mikas, nga bijtë e Asafit, që ishin këngëtarët e caktuar për shërbimin e shtëpisë së Perëndisë.
23 Përsa u përket atyre, në fakt mbreti kishte dhënë urdhër që çdo ditë t’i jepej këngëtarëve një furnizim i caktuar
24 Pethahiahu, bir i Meshezabeelit, nga bijtë e Zerahut, birit të Judës, ishte i deleguari i mbretit për të gjitha punët e popullit.
25 Përsa u përket fshatrave me fushat e tyre, disa nga bijtë e Judës u vendosën në Kirjath-Arba dhe në fshatrat e tij, në Dibon dhe në fshatrat e tij, në Jekabseel dhe në fshatrat e tij,
26 në Jeshua, në Moladah, në Beth-Peleth,
27 në Atsar-Shual, në Beer-Sheba dhe në fshatrat e tij,
28 në Tsiklag, në Mekona dhe në fshatrat e tij,
29 në En-Rimon, në Tsorah, në Jarmuth,
30 në Zanoah, në Adullam dhe në fshatrat e tyre, në Lakish dhe në fushat e tij, në Azekah dhe në fshatrat e tij. U vendosën në Beer-Sheba deri në luginën e Hinomit.
31 Bijtë e Beniaminit u vendosën në Geba, në Mikmash, në Aijah, në Bethel dhe në fshatrat e tyre,
32 në Anathoth, në Nob, në Ananiah,
33 në Atsor, në Ramah, në Gitaim,
34 në Hadid, në Tseboim, në Nebalat,
35 në Lod dhe në Ono, në luginën e artizanëve.
36 Disa divizione të Levitëve të Judës u bashkuan në Beniamin.
21 Mbasi u ndamë nga ta, lundruam dhe, duke shkuar drejt, arritëm në Koos, ditën tjetër në Rodos dhe që andej në Patara.
2 Edhe, si gjetëm një anije që shkonte për Feniki, hipëm dhe lundruam.
3 Pamë nga larg Qipron dhe e lamë në të majtë, vazhduam lundrimin për në Siri dhe dolëm në Tiro, sepse atje anija kishte për të shkarkuar.
4 Dhe, si i gjetëm dishepujt, qëndruam atje shtatë ditë; të shtyrë nga Fryma, ata i thoshin Palit të mos ngjitej në Jeruzalem.
5 Kur i plotësuam ato ditë, u nisëm dhe shkuam; dhe na përcollën të gjithë, me gra e me fëmijë, deri jashtë qytetit; dhe si u ulëm në gjunjë në breg, u lutëm.
6 Dhe, mbasi u përshëndetëm, hipëm në anije, kurse ata u kthyen në shtëpitë e veta.
7 Kur mbaruam lundrimin, nga Tiro erdhëm në Ptolemaidë dhe, si përshëndetëm vëllezërit, kaluam një ditë me ta.
8 Të nesërmen u nisëm (ne që ishim shokë me Palin), arritëm në Cezare dhe hymë në shtëpinë e Filip ungjilltarit, që ishte një nga të shtatët, dhe ndenjëm tek ai.
9 Por ai kishte katër bija virgjëresha, që profetizonin.
10 Dhe, pasi qëndruam ne atje shumë ditë, zbriti nga Judeja një farë profeti me emër Agabo.
11 Si erdhi te ne, ai mori brezin e Palit, lidhi duart dhe këmbët e veta dhe tha: “Këtë thotë Fryma e Shenjtë: Kështu do ta lidhin Judenjtë në Jeruzalem burrin, të cilit i përket ky brez dhe do t’a dorëzojnë johebrenjve.”
12 Kur i dëgjuam këto gjëra, ne dhe vendësit iu lutëm që të mos ngjitej në Jeruzalem.
13 Por Pali u përgjigj: “Ç’po bëni ju, duke qarë e duke ma copëtuar zemrën? Sepse unë jam gati jo vetëm për të qenë i lidhur, por edhe për të vdekur në Jeruzalem për emrin e Zotit Jezus.”
14 Dhe, mbasi nuk i mbushej mendja, ne pushuam duke thënë: “U bëftë vullneti i Zotit!.”
15 Dhe pas atyre ditëve, bëmë gati gjërat tona, dhe u ngjitëm në Jeruzalem.
16 Me ne erdhën edhe disa dishepuj nga Cezareja dhe prunë me ta njëfarë Mnasoni, lindur në Qipro, një dishepull i vjetër, tek i cili do të bujtnim.
17 Kur arritëm në Jeruzalem, vëllezërit na pritën me gëzim.
18 Të nesërmen Pali u tërhoq me ne te Jakobi, dhe erdhën të gjithë pleqtë.
19 Mbasi i përshëndeti, Pali u tregoi atyre, një për një, të gjitha sa kishte bërë Zoti ndër johebrenjtë me anë të shërbesës së tij.
20 Dhe ata, kur dëgjuan këtë, përlëvduan Perëndinë dhe i thanë Palit: “Vëlla, ti po sheh sa mijëra Judenj ka që kanë besuar; dhe të gjithë i përbahen me zell ligjit.
21 Tani ata morën vesh për ty se ti i mëson të gjithë Judenjtës që jetojnë midis johebrenjve të shkëputen nga Moisiu, duke thënë që të mos i rrethpresin djemtë dhe të mos ndjekin më zakonet.
22 Po atëherë, ç’duhet të bëhet? Duhet patjetër që të mblidhet populli, sepse do ta marrin vesh se ke ardhur.
23 Bëje, pra, atë që të themi: ne kemi katër burra, që kanë bërë një premtim solemn;
24 merri dhe pastrohu me ta, dhe paguaj për ta që të rruajnë kokën; kështu të gjithë do ta mësojnë se s’janë gjë ato që kanë dëgjuar për ty, por se edhe ti ecën duke respektuar ligjin.
25 Dhe sa për johebrenjtë që kanë besuar, ne u kemi shkruar atyre, mbasi vendosëm që ata nuk kanë ç’të respektojnë lidhur me këtë, por se të ruhen nga gjërat që u flijohen idhujve, nga gjaku, nga gjërat e mbytura dhe nga kurvëria.”
26 Atëherë Pali i mori me vete ata burra dhe, të nesërmen, pasi u pastrua bashkë me ta, hyri në tempull dhe deklaroi plotësimin e ditëve të pastrimit, dhe kur do të paraqitej oferta për secilin nga ata.
27 Por, kur po mbusheshin shtatë ditët, Judenjtë e Azisë, duke e parë në tempull, e nxitën turmën dhe vunë duart mbi të,
28 duke bërtitur: “O burra të Izraelit, na ndihmoni! Ky është ai njeri që u mëson të gjithëve dhe kudo kundër popullit, kundër ligjit dhe kundër këtij vendi; përveç kësaj ai i ka sjellë Grekët në tempull dhe e ka ndotur këtë vend të shenjtë.”
29 Sepse ata kishin parë më përpara Trofimin nga Efesi bashkë me Palin në qytet, dhe mendonin se ai e kishte sjellë në tempull.
30 Dhe gjithë qyteti ziente, dhe u mblodhën njerëzit; dhe, si e kapën Palin, e nxorrën jashtë tempullit dhe dyert u mby-llën menjëherë.
31 Dhe, ndërsa kërkonin ta vrisnin, tribunit të kohortës i shkoi lajmi se gjithë Jeruzalemi ishte turbulluar.
32 Ai mori menjëherë ushtarë dhe centurionë dhe u sul kundër tyre. Dhe këta, kur panë tribunin dhe ushtarët, pushuan së rrahuri Palin.
33 Atëherë tribuni u afrua, e zuri dhe urdhëroi që ta lidhnin me dy zinxhirë, pastaj pyeti cili ishte dhe ç’kishte bërë.
34 Në turmë disa bërtisnin një gjë, të tjerë një tjetër; dhe, mbasi nuk mori vesh dot të vërtetën për trazirën, urdhëroi që ta sillnin në fortesë.
35 Dhe kur arriti te shkallaret, ndodhi që, për shkak të dhunës së turmës, duhej të bartej nga ushtarët,
36 sepse masa e popullit vinte pas duke bërtitur: “Vdekje!.”
37 Kur Pali do të hynte në fortesë, i tha tribunit: “A më lejohet të them diçka?.” Ai u përgjigj: “A di greqisht?
38 Mos je vallë ai Egjiptasi që disa ditë më parë ngriti krye dhe nxori në shkretëtirë katër mijë gjakësorë?.”
39 Dhe Pali tha: “Unë jam një Jude nga Tarsi, qytetar i një qyteti të Kilikisë që s’është i padëgjuar; dhe të lutem më lejo t’i flas popullit.”
40 Dhe, mbasi e lejoi, Pali, duke qëndruar në këmbë mbi shkallarët, i bëri shenjë me dorë popullit. Dhe, si u bë heshtje e madhe, i foli në gjuhën hebraike, duke thënë: