M’Cheyne Bible Reading Plan
18 Zoti iu shfaq Abrahamit në lisat e Mamreut, ndërsa ai ishte ulur në hyrje të çadrës në zheg të ditës.
2 Abrahami ngriti sytë dhe tre burra rrinin më këmbë pranë tij. Sa i pa, vrapoi në drejtim të tyre nga hyrja e çadrës, u përkul deri në tokë e pastaj tha:
3 "Zoti im, në rast se kam gjetur hir para teje, të lutem mos kalo pa u ndalur para shërbëtorit tënd!
4 Oh, lini që të sjellin pak ujë që të mund të lani këmbët tuaja, dhe çlodhuni nën këtë pemë.
5 Unë do të shkoj të marr një copë bukë, kështu do të mund të merrni zemër, pastaj të vazhdoni rrugën, sepse për këtë keni kaluar nga shërbyesi juaj". Ata i thanë: "Bëj siç ke thënë".
6 Atëherë Abrahami shkoi me ngut në çadër, te Sara, dhe i tha: "Merr shpejt tri masa majë mielli, gatuaj brumin dhe bëj me to kuleç".
7 Pastaj Abrahami shkoi në kopenë e bagëtive, zgjodhi një viç të njomë dhe të mirë, ia dha një shërbyesi dhe nxitoi ta përgatisë.
8 Mori pastaj gjizë, qumësht dhe viçin që kishte përgatitur dhe i vuri para tyre; ndërsa ata hanin, ai qëndroi më këmbë pranë tyre poshtë pemës.
9 Pastaj ata i thanë atij: "Ku është Sara, gruaja jote?". Abrahami u përgjegj: "Éshtë atje në çadër".
10 Dhe ai tha: "Do të kthehem me siguri vitin e ardhshëm te ti në po këtë kohë; dhe ja Sara, gruaja jote, do të ketë një djalë". Dhe Sara dëgjonte në hyrje të çadrës, që ishte prapa tij.
11 Por Abrahami dhe Sara ishin pleq, në moshë të kaluar, dhe Sara nuk kishte më të përmuajshmet e grave.
12 Prandaj Sara qeshi me veten e saj, duke thënë: "Plakë si jam, a do të kem unë gëzime të tilla, me qënë se vetë zoti im është plak?".
13 Dhe Zoti i tha Abrahamit: "Pse qeshi vallë Sara duke thënë: "A do të lind unë përnjëmend, plakë siç jam?".
14 A ka vallë diçka që është shumë e vështirë për Zotin? Në kohën e caktuar, brenda një viti, do të kthehem te ti, dhe Sara do të ketë një bir".
15 Atëherë Sara mohoi, duke thënë: "Nuk qesha," sepse pati frikë. Por ai i tha: "Përkundrazi, ke qeshur!".
16 Pastaj ata njerëz u ngritën së andejmi dhe kthyen shikimin e tyre në drejtim të Sodomës; dhe Abrahami ecte bashkë me ta për tu ndarë prej tyre.
17 Dhe Zoti tha: "A do t’ia fsheh unë Abrahamit atë që kam për të bërë,
18 mbasi Abrahami duhet të bëhet një komb i madh dhe i fuqishëm dhe tek ai do të bekohen tërë kombet e tokës?.
19 Unë në fakt e kam zgjedhur, me qëllim që të urdhërojë bijtë e tij dhe shtëpinë e tij të ndjekin pas tij rrugën e Zotit, duke zbatuar drejtësinë dhe barazinë, në mënyrë që Zoti të mund të plotësojë premtimet që i ka dhënë Abrahamit".
20 Dhe Zoti tha: "Me qenë se britma që ngrihet nga Sodoma dhe Gomora është e madhe dhe me qenë se mëkati i tyre është shumë i rëndë,
21 unë do të zbres për të parë nëse kanë bërë me të vërtetë simbas britmës që ka arritur tek unë, në rast të kundërt, do ta mësoj".
22 Pastaj këta njerëz u larguan së andejmi dhe shkuan në drejtim të Sodomës, por Abrahami mbeti ende para Zotit.
23 Atëherë Abrahami iu afrua dhe i tha: "Do të zhdukësh të drejtin së bashku me të paudhin?
24 Le ta zëmë se ka pesëdhjetë të drejtë në qytet, ti do ta shkatërroje vendin dhe nuk do t’i falje për hir të pesëdhjetë njerëzve të drejtë që banojnë në mes të saj?
25 Mos e bëj këtë gjë, të shkaktosh vdekjen e të drejtit bashkë me atë të të paudhit, kështu që i drejti të trajtohet si i paudhi. Larg teje një mendim i tillë! Gjykatësi i tërë tokës a nuk ka për të bërë drejtësi?".
26 Zoti tha: "Në rast se gjej në qytetin e Sodomës pesëdhjetë njerëz të drejtë, unë do ta fal tërë vendin për hir të tyre".
27 Atëherë Abrahami rifilloi dhe tha: "Ja, marr guximin t’i flas Zotit, megjithëse unë nuk jam veçse pluhur dhe hi.
28 Ta zëmë se atyre pesëdhjetë të drejtëve u mungojnë pesë, a do ta shkatërroje tërë qytetin për pesë veta më pak?". Zoti u përgjigj: "Po të gjej dyzet e pesë, nuk do ta shkatërroj".
29 Abrahami vazhdoi t’i flasë dhe tha: "Ta zëmë se në qytet ndodhen dyzet?". Zoti u përgjigj: "Nuk do ta bëj për hir të dyzetëve".
30 Atëherë Abrahami i tha: "Oh, të mos zemërohet Zoti, dhe unë do të flas. Po sikur në qytet të ketë tridhjetë prej tyre?". Zoti u përgjigj: "Nuk do ta bëj, po të gjej tridhjetë".
31 Dhe Abrahami i tha: "Ja, marr guximin t’i flas Zotit. Ta zëmë se në qytet gjenden njëzet?". Zoti iu përgjigj: "Nuk do ta shkatërroj për hir të të njëzetëve".
32 Dhe Abrahami i tha: "Oh, të mos zemërohet Zoti dhe unë do të flas edhe vetëm këtë herë. Sikur në qytet të ketë dhjetë prej tyre?". Zoti u përgjegj: Nuk do ta shkatërroj për hir të të dhjetëvee".
33 Sa mbaroi së foluri me Abrahamin, Zoti u largua. Dhe Abrahami u kthye në banesën e tij.
17 Mbas gjashtë ditësh Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, vëllanë e tij, dhe i çoi mbi një mal të lartë, në vetmi;
2 dhe u shpërfytyrua përpara tyre: fytyra e tij shkëlqeu si dielli dhe rrobat e tij u bënë të bardha si drita.
3 Dhe ja, iu shfaqën atyre Moisiu dhe Elia, të cilët bisedonin me të.
4 Atëherë Pjetri, duke marrë fjalën, i tha Jezusit: “Zot, është mirë që ne jemi këtu; po të duash, do të ngremë këtu tri çadra: një për ty, një për Moisiun dhe një për Elian.”
5 Ndërsa ai fliste akoma, ja një re plot dritë i mbuloi; dhe nga reja u dëgjua një zë që thoshte: “Ky është Biri im i dashur, në të jam kënaqur: dëgjojeni!.”
6 Dhe dishepujt, sapo e dëgjuan këtë, ranë me fytyrë për tokë dhe i zuri një frikë e madhe.
7 Por Jezusi u afrua, i preku dhe tha: “Çohuni dhe mos kini frikë!.”
8 Dhe ata, kur i çuan sytë, nuk panë njeri, përveç Jezusit vetëm.
9 Pastaj, kur po zbrisnin nga mali, Jezusi u dha atyre këtë urdhër duke thënë: “Mos i flisni askujt për këtë vegim, derisa i Biri i njeriut të jetë ringjallur prej së vdekuri.”
10 Atëherë dishepujt e tij e pyetën duke thënë: “Vallë pse skribët thonë se duhet të vijë më parë Elia?.”
11 Dhe Jezusi u përgjigj: “Vërtetë Elia duhet të vijë më parë dhe të rivendosë çdo gjë.
12 Por unë ju them se Elia ka ardhur dhe ata nuk e kanë njohur, madje u sollën me të si deshën; kështu edhe Birit të njeriut do t’i duhet të vuajë prej tyre.”
13 Atëherë dishepujt e kuptuan se u kishte folur për Gjon Pagëzorin.
14 Kur arritën afër turmës, një burrë iu afrua dhe, duke u gjunjëzuar para tij,
15 tha: “Zot, ki mëshirë për birin tim, sepse është epileptik dhe vuan shumë; shpesh ai bie në zjarr dhe shpesh në ujë.
16 Tani unë e solla te dishepujt e tu, por ata nuk mundën ta shërojnë.”
17 Dhe Jezusi duke u përgjigjur tha: “O brez që nuk beson dhe i çoroditur! Deri kur do të qëndroj midis jush? Deri kur do t’ju duroj? E sillni këtu tek unë.”
18 Atëherë Jezusi e qortoi demonin dhe ky doli nga djali; dhe që nga ai çast djali u shërua.
19 Atëherë dishepujt iu afruan Jezusit mënjanë dhe i thanë: “Përse ne nuk ishim në gjendje ta dëbonim?.”
20 Dhe Jezusi u tha atyre: “Prej mosbesimit tuaj; sepse në të vërtetë, unë po ju them, se po të keni besim sa një kokërr sinapi, do t’i thoni këtij mali: "Zhvendosu nga këtu atje," dhe ai do të zhvendoset; dhe asgjë nuk do të jetë e pamundshme për ju.
21 Por ky lloji demoni nuk del veçse me anë të lutjes dhe të agjërimit.”
22 Por, ndërsa ata qëndronin në Galile, Jezusi u tha atyre: “Biri i njeriut do t’u dorëzohet në duart e njerëzve,
23 dhe ata do ta vrasin; por ditën e tretë ai do të ringjallet.” Dhe ata u pikëlluan shumë.
24 Kur arritën në Kapernaum, vjelësit e të drahmeve iu afruan Pjetrit dhe thanë: “Mësuesi juaj a e paguan taksën e tempullit?.”
25 Ai tha: “Po.” Kur hyri në shtëpi, Jezusi e priti përpara duke thënë: “Ç’mendon ti, Simon? Prej kujt i marrin haraçet ose taksat mbretërit e dheut? Prej bijve të vet apo prej të huajve?.”
26 Pjetri i tha: “Prej të huajve.” Jezusi tha: “Bijtë, pra, përjashtohen.
27 Megjithatë, për të mos i skandalizuar ata, shko në det, hidhe grepin dhe merr peshkun e parë që do vijë lart, hapja gojën dhe do të gjesh një staterë; merre dhe jepjau atyre për ty dhe për mua.”
7 Kur muret përfunduan dhe unë vura në vend portat, dhe derëtarët, këngëtarët dhe Levitët u caktuan në funksionet e tyre,
2 komandën e Jeruzalemit ia dhashë Hananit, vëllait tim, dhe Hananiahut, qeveritarit të fortesës, sepse ishte njeri besnik dhe kishte frikë nga Perëndia më tepër se shumë të tjerë.
3 Dhe u thashë atyre: "Portat e Jeruzalemit nuk duhet të hapen deri sa të fillojë të djegë dielli; dhe ndërsa rojet janë akoma në vendroje, portat të mbahen të mbyllura dhe me shufra. Të vendosen roje nga banorët e Jeruzalemit, disa në vendin e tyre mbi muret dhe të tjerë përpara shtëpisë së tyre".
4 Qyteti ishte i madh dhe i gjerë, por brenda tij kishte pak njerëz dhe nuk ndërtoheshin shtëpi.
5 Atëherë Perëndia im më vuri në zemër detyrën të mbledh parinë, gjyqtarët dhe popullin, për t’i regjistruar sipas gjenealogjive të tyre. Dhe gjeta regjistrin gjenealogjik të atyre që ishin kthyer nga mërgimi herën e parë dhe në të gjeta të shkruar:
6 Këta janë ata të krahinës që u kthyen nga robëria, ata që Nebukadnetsari, mbret i Babilonisë, kishte internuar dhe që ishin kthyer në Jeruzalem dhe në Judë, secili në qytetin e tij.
7 Këta janë ata që u kthyen me Zorobabelin, Jeshuan, Nehemian, Azarian, Raamiahun, Nahamanin, Mardokeon, Bilshanin, Misperethin, Bigvain, Nehumin dhe Banaahun. Numri i njerëzve të popullit të Izraelit:
8 bijtë e Paroshit, dy mijë e njëqind shtatëdhjetë e dy veta.
9 Bijtë e Shefatiahut, treqind e shtatëdhjetë e dy veta.
10 Bijtë e Arahut, gjashtëqind e pesëdhjetë e dy veta.
11 Bijtë e Pahath-Moabit, bijtë e Jeshuas dhe të Joabit, dy mijë e tetëqind e tetëmbëdhjetë veta.
12 Bijtë e Elamit, një mijë e dyqind e pesëdhjetë e katër veta.
13 Bijtë e Zatujit, tetëqind e dyzet e pesë veta.
14 Bijtë e Zakait, shtatëqind e gjashtëdhjetë veta.
15 Bijtë e Binuit, gjashtëqind e dyzet e tetë veta.
16 Bijtë e Bebait, gjashtëqind e njëzet e tetë veta.
17 Bijtë e Azgadit, dy mijë e treqind e njëzet e dy veta.
18 Bijtë e Adonikamit, gjashtëqind e gjashtëdhjetë e shtatë veta.
19 Bijtë e Bigvait, dy mijë e gjashtëdhjetë e shtatë veta.
20 Bijtë e Adinit, gjashtëqind e pesëdhjetë e pesë veta.
21 Bijtë e Aterit, nga familja e Ezekias, nëntëdhjetë e tetë veta.
22 Bijtë e Hashumit, treqind e njëzet e tetë veta.
23 Bijtë e Bezait, treqind e njëzet e katër veta.
24 Bijtë e Harifit, njëqind e dymbëdhjetë veta.
25 Bijtë e Gabaonit, nëntëdhjetë e pesë veta.
26 Burrat e Betlemit dhe të Netofahut, njëqind e tetëdhjetë e tetë veta.
27 Burrat e Anathothit, njëqind e njëzet e tetë veta.
28 Burrat e Beth-Azmavethit, dyzet e dy veta.
29 Burrat e Kirjath-Jearimit, të Kefirahut dhe të Beerothit, shtatëqind e dyzet e tre veta.
30 Burrat e Ramahut dhe të Gebës, gjashtëqind e njëzet e një veta.
31 Burrat e Mikmasit, njëqind e njëzet e dy veta.
32 Burrat e Bethelit dhe të Ait, njëqind e njëzet e tre veta.
33 Burrat e një Nebos tjetër, pesëdhjetë e dy veta.
34 Bijtë e një Elami tjetër, një mijë e dyqind e pesëdhjetë e katër veta.
35 Bijtë e Harimit, treqind e njëzet veta.
36 Bijtë e Jerikos, treqind e dyzet e pesë veta.
37 Bijtë e Lodit, të Hadidit dhe të Onos, shtatëqind e njëzet e një veta.
38 Bijtë e Senaahut, tre mijë e nëntëqind e tridhjetë veta.
39 Priftërinjtë: bijtë e Jedajahut, nga shtëpia e Jeshuas, nëntëqind e gjashtëdhjetë e tre veta.
40 Bijtë e Imerit, një mijë e pesëdhjetë e dy veta.
41 Bijtë e Pashurit, një mijë e dyqind e dyzet e shtatë veta.
42 Bijtë e Harimit, një mijë e shtatëmbëdhjetë veta.
43 Levitët: bijtë e Jeshuas, nga familja e Kadmielit, bijtë e Hodevahut, shtatëdhjetë e katër veta.
44 Këngëtarët: bijtë e Asafit, njëqind e dyzet e tetë veta.
45 Derëtarët: bijtë e Shalumit, bijtë e Aterit, bijtë e Talmonit, bijtë e Akubit, bijtë e Hatitas, bijtë e Shobait, njëqind e tridhjetë e tetë veta.
46 Nethinejtë: bijtë e Tsihas, bijtë e Hasufas, bijtë e Taboathit,
47 bijtë e Keros, bijtë e Sias, bijtë e Padonit,
48 bijtë e Lebanas, bijtë e Hagabas, bijtë e Salmait,
49 bijtë e Hananit, bijtë e Gidelit, bijtë e Gaharit,
50 bijtë e Reajahut, bijtë e Retsinit, bijtë e Nekodës,
51 bijtë e Gazamit, bijtë e Uzas, bijtë e Paseahut,
52 bijtë e Besait, bijtë e Meunimit, bijtë e Nefishesimit,
53 bijtë e Bakbukut, bijtë e Hakufas, bijtë e Harhurit,
54 bijtë e Bazlithit, bijtë e Mehidas, bijtë e Harshas,
55 bijtë e Barkos, bijtë e Siseras, bijtë e Tamahut,
56 bijtë e Netsiahut, bijtë e Hatifas.
57 Bijtë e shërbëtorëve të Salomonit: bijtë e Sotait, bijtë e Soferethit, bijtë e Peridas,
58 bijtë e Jaalas, bijtë e Darkonit, bijtë e Gidelit,
59 bijtë e Shefatiahut, bijtë e Hatilit, bijtë e Pokerethit nga Tsebaimi, bijtë e Amonit.
60 Shuma e Nethinejve dhe bijve të shërbëtorëve të Salomonit, treqind e nëntëdhjetë e dy veta.
61 Këta janë ata që u kthyen nga Tel-Melahu, nga Tel-Harsha, nga Kerubi, nga Adoni dhe nga Imeri, dhe që nuk qenë në gjendje të përcaktonin shtëpinë e tyre atërore ose pasardhjen e tyre, për të vërtetuar që i përkisnin Izraelit;
62 bijtë e Delajahut, bijtë e Tobiahut, bijtë e Nekodas, gjashtëqind e dyzet e dy veta.
63 Midis priftërinjve: bijtë e Habajahut, bijtë e Kotsit, bijtë e Barzilait; i cili ishte martuar me një nga bijat e Barzijlait, Galaaditit, dhe mori emrin e tyre.
64 Këta kërkuan listat e tyre midis atyre që ishin regjistruar në gjenealogjitë, por nuk i gjetën; prandaj u përjashtuan nga priftëria si të papastër;
65 qeveritari i urdhëroi që të mos hanin gjëra shumë të shenjta deri sa të paraqitej një prift me Urimin dhe me Thumimin.
66 E tërë asambleja kishte gjithsej dyzet e dy mijë e treqind e gjashtëdhjetë veta,
67 përveç shërbëtorëve të tyre dhe shërbëtoreve të tyre, që ishin shtatë mijë e treqind e tridhjetë e shtatë veta. Kishin gjithashtu dyqind e dyzet e pesë këngëtarë dhe këngëtare.
68 Kishin shtatëqind e tridhjetë e gjashtë kuaj, dyqind e dyzet e pesë mushka,
69 katërqind e tridhjetë e pesë deve dhe gjashtë mijë e shtatëqind e njëzet gomarë.
70 Disa të parë të shtëpive atërore bënë dhurata për punën e ndërtimit. Qeveritari i dha thesarit një mijë darikë ari, pesëdhjetë kupa, pesëqind e tridhjetë rroba priftërinjsh.
71 Disa të parë të shtëpive atërore i dhanë thesarit për punën e ndërtimit njëzet mijë darikë ari dhe dy mijë mina argjendi.
72 Pjesa tjetër e popullit dha njëzet mijë darikë ari, dy mijë mina argjendi dhe gjashtëdhjetë e shtatë rroba priftërinjsh.
73 Kështu priftërinjtë, Levitët, derëtarët, këngëtarët, disa nga populli, Nethinejtë dhe tërë Izraelitët u vendosën në qytetet e tyre. Kur arriti muaji i shtatë, bijtë e Izraelit ishin në qytetet e tyre.
17 Dhe mbasi kishin kaluar nëpër Amfipoli dhe nëpër Apoloni, arritën në Thesaloniki, ku ishte sinagoga e Judenjve.
2 Dhe Pali, sipas zakonit të vet, hyri tek ata dhe tri të shtuna me radhë u paraqiti argumente nga Shkrimet,
3 duke deklaruar dhe duke treguar atyre se Krishti duhej të vuante dhe të ringjallej prej së vdekurish dhe duke thënë: “Ky Jezusi që unë ju shpall është Krishti.”
4 Disa nga ata besuan dhe u bashkuan me Palin dhe Silën, si dhe një numër i madh Grekësh të përshpirtshëm dhe jo pak gra të rëndësishme.
5 Por Judenjtë, të cilët nuk kishin besuar, patën smirë dhe morën me vete disa njerëz të këqij nga ata të rrugëve të tregut dhe, si mblodhën një turmë, e bënë rrëmujë qytetin; edhe sulmuan shtëpinë e Jasonit dhe kërkonin ata për t’i nxjerrë përpara popullit.
6 Por, mbasi nuk i gjetën, e hoqën zvarrë Jasonin dhe disa vëllezër përpara krerëve të qytetit, duke thirrur: “Ata që e kanë bërë rrëmujë botën, kanë ardhur edhe këtu,
7 dhe Jasoni këta i priti; të gjithë këta veprojnë kundër statuteve të Cezarit, duke thënë se është një mbret tjetër, Jezusi.”
8 Edhe nxitën popullin dhe krerët e qytetit, që i dëgjonin këto gjëra.
9 Por ata, mbasi morën një dorëzani nga Jasoni dhe nga të tjerët, i lejuan të shkojnë.
10 Atëherë vëllezërit menjëherë natën i nisën Palin dhe Silën për në Berea dhe ata, sapo arritën atje, hynë në sinagogën e Judenjve.
11 Por këta ishin më fisnikë nga ndjenjat se ata të Thesalonikit dhe e pranuan fjalën me gatishmëri të madhe, duke i shqyrtuar çdo ditë Shkrimet për të parë nëse këto gjëra ishin ashtu.
12 Shumë nga ata, pra, besuan bashkë me një numër jo të vogël grash fisnike greke dhe burrash.
13 Por, kur Judenjtë e Thesalonikit morën vesh se fjala e Perëndisë ishte shpallur nga Pali edhe në Berea, shkuan edhe atje dhe e turbulluan turmën.
14 Atëherë vëllezërit e nisën menjëherë Palin në drejtim të detit, por Sila dhe Timoteu qëndruan atje.
15 Ata që i prinin Palit e çuan deri në Athinë; pastaj, mbasi morën porosi për Silën dhe Timoteun që të arrijnë sa më parë tek ai, u kthyen prapa.
16 Ndërsa Pali po i priste në Athinë, po i ziente fryma përbrenda, kur pa qytetin plot me idhuj.
17 Ai, pra, po diskutonte në sinagogë me Judenjtët dhe me njerëz të përshpirtshëm dhe çdo ditë në sheshin e tregut me ata që takonte.
18 Diskutonin me të edhe disa filozofë epikurianë dhe stoikë. Disa thoshnin: “Vallë ç’do të thotë ky llafazan.” Dhe të tjerë thoshnin: “Ai duket se është një kasnec i perëndivë të huaja,” sepse u shpall atyre Jezusin dhe ringjalljen.
19 Dhe e zunë dhe e çuan në Areopag, duke thënë: “A mund ta marrim vesh ç’është kjo doktrinë e re për të cilën ti flet?
20 Sepse ti sjell disa gjëra të huaja në veshët tanë, prandaj duam të dimë ç’kuptim kanë ato.
21 Atëherë gjithë Athinasit dhe të huajt që banonin atje nuk e kalonin kohën më mirë sesa duke folur ose duke dëgjuar ndonjë fjalë të re.
22 Atëherë Pali, duke qëndruar në këmbë në mes të Areopagut, tha: “O burra athinas, unë shoh se në të gjitha gjërat ju jeni shumë fetarë.”
23 Sepse, duke ecur e duke vënë re objektet e kultit tuaj, gjeta edhe një altar mbi të cilin është shkruar: "PERÉNDISÉ SÉ PANJOHUR". Atë, pra, që ju e adhuroni pa e njohur, unë po jua shpall.
24 Perëndia që bëri botën dhe të gjitha gjërat që janë në të, duke qenë Zot i qiellit dhe i tokës, nuk banon në tempuj të bërë nga duart e njeriut,
25 dhe as shërbehet nga duart e njerëzve, sikur të kishte nevojë për ndonjë gjë, sepse ai u jep të gjithëve jetë, hukatje dhe çdo gjë;
26 dhe ai ka bërë nga një gjak i vetëm të gjitha racat e njerëzve, që të banojnë në mbarë faqen e dheut, dhe caktoi kohërat me radhë dhe caqet e banimit të tyre,
27 që të kërkojnë Zotin, mbase mund ta gjejnë duke prekur, ndonëse ai nuk është larg nga secili prej nesh.
28 Sepse në të ne jetojmë, lëvizim dhe jemi, sikurse kanë thënë edhe disa nga poetët tuaj: "Sepse jemi edhe ne pasardhës të tij".
29 Duke qenë, pra, se ne jemi pasardhës të Perëndisë, nuk duhet të mendojmë që natyra e perëndishme është e ngjashme me arin ose me argjendin, ose me gurin ose me një vepër arti të latuar dhe të shpikur nga njeriu.
30 Perëndia, pra, duke kaluar përmbi kohërat e padijes, i urdhëron të gjithë njerëzit dhe kudo që të pendohen.
31 Sepse ai ka caktuar një ditë në të cilën do të gjykojë me drejtësi botën me anë të atij njeriu të cilin ai e ka caktuar; dhe për këtë u ka dhënë të gjithëve një provë të sigurt, duke e ringjallur prej të vdekurit.”
32 Kur dëgjuan të flitej për ringjalljen e të vdekurve, disa e përqeshën dhe të tjerë thoshnin: “Do të të dëgjojmë përsëri për këtë gjë.”
33 Kështu Pali doli nga mesi i tyre.
34 Por disa u bashkuan me të dhe besuan, ndër këta edhe Dionis areopagiti, një grua që quhej Damaris dhe ca të tjerë me ta.