Book of Common Prayer
66 Lëshoni klithma gëzimi Perëndisë, ju të gjithë banorë të tokës;
2 i këndoni himne lavdisë së emrit të tij; bëjeni zulmëmadh lëvdimin e tij.
3 I thoni Perëndisë: "Sa të tmerrshme janë veprat e tua! Për shkak të madhështisë së fuqisë sate armiqtë e tu do të të nënshtrohen ty.
4 Tërë toka do të të adhurojë dhe do të këndojë për ty, do të këndojë lëvdimet e emrit tënd. (Sela)
5 Ejani dhe admironi atë që Perëndia ka bërë; ai është i tmerrshëm në veprat tij për bijtë e njerëzve.
6 Ai e ndryshoi detin në tokë të thatë; populli i tij e kaloi lumin me këmbë të thata; le të gëzohemi, pra, bashkë me të.
7 Me fuqinë e tij ai mbretëron në përjetësi; sytë e tij këqyrin kombet. Mos lejoni që rebelët të ngrenë krye. (Sela)
8 Ju o popuj, bekoni Perëndinë tonë; dhe shpallni me zë të lartë lëvdimin e tij.
9 Ai na mban gjallë dhe nuk lejon që këmbët tona të pengohen.
10 Sepse ti na ke vënë në provë, o Perëndi, na ke pastruar ashtu si pastrohet argjendi.
11 Na ke bërë të biem në rrjetë, ke vënë një barrë të rëndë mbi kurrizet tona.
12 Ke bërë që njerëzit të ecin me kalë mbi kokën tonë; kemi kaluar nëpër zjarr dhe nëpër ujë, por ti na ke nxjerrë jashtë në një vend të freskët.
13 Unë do të hyj në shtëpinë tënde me olokauste; do të plotësoj zotimet e mia,
14 që buzët e mia kanë formuluar dhe që goja ime ka shqiptuar kur kaloja fatkeqësi.
15 Do të të ofroj olokauste kafshësh të majme, me erën e këndshme të deshve; do të flijoj qe dhe cjep. (Sela)
16 Ejani dhe dëgjoni, ju të gjithë që i trëmbeni Perëndisë, dhe unë do t’ju tregoj atë që ai bëri për shpirtin tim.
17 I thirra atij me gojën time dhe e përlëvdova me gjuhën time.
18 Po të kisha ruajtur të keqen në zemrën time, Zoti nuk do të më kishte dëgjuar.
19 Por Perëndia më dëgjoi dhe i kushtoi kujdes zërit të lutjes sime.
20 Qoftë i bekuar Perëndia, që nuk e hodhi poshtë lutjen time dhe nuk më mohoi mirësinë e tij.
67 Perëndia pastë mëshirë për ne dhe na bekoftë; Perëndia e bëftë fytyrën e tij të shkëlqejë mbi ne, (Sela)
2 me qëllim që mbi tokë të njihet rruga jote dhe shpëtimi yt midis gjithë kombeve.
3 Popujt do të të kremtojnë, o Perëndi, të gjithë popujt do të të kremtojnë.
4 Kombet do të gëzohen dhe do të ngazëllojnë, sepse ti do t’i gjykosh drejt popujt dhe do t’i udhëheqësh kombet mbi tokë. (Sela)
5 Le të të lëvdojnë popujt, o Perëndi, le të të lëvdojnë tërë popujt.
6 Toka do të prodhojë frytin e vet; Perëndia, Perëndia ynë, do të na bekojë.
7 Perëndia do të na bekojë dhe tërë skajet e tokës do ta kenë frikë.
19 Qiejtë tregojnë lavdinë e Perëndisë dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të tij.
2 Një ditë i flet ditës tjetër dhe një natë ia tregon tjetrës.
3 Nuk kanë gojë, as fjalë; zëri i tyre nuk dëgjohet;
4 por harmonia e tyre përhapet mbi gjithë dheun dhe mesazhi i tyre arrin deri në skajin e botës; në qiejtë Perëndia ka vënë një çadër për diellin;
5 dhe ai është si një dhëndër që del nga dhoma e tij e martesës; ngazëllon si një trim që përshkon rrugën e tij.
6 Ai del nga një skaj i qiejve dhe rrotullimi e tij arrin deri në skajin tjetër; asgjë nuk mund t’i fshihet nxehtësisë së tij.
7 Ligji i Zotit është i përsosur, ai e përtërin shpirtin; dëshmia e Zotit është e vërtetë dhe e bën të ditur njeriun e thjeshtë.
8 Porositë e Zotit janë të drejta dhe e gëzojnë zemrën; urdhërimet e Zotit janë te pastra dhe ndriçojnë sytë.
9 Frika e Zotit është e pastër, mbetet përjetë; gjykimet e Zotit janë të vërteta, të gjitha janë të drejta;
10 janë më të dëshirueshme se ari, po, më tepër se shumë ari i kulluar; janë më të ëmbla se mjalti, nga ai që del nga hojet.
11 Edhe shërbëtori yt mëson prej tyre; ke një shpërblim të madh duke i parë.
12 Kush i njeh gabimet e tij? Pastromë nga ato që nuk i shoh.
13 Përveç kësaj ruaje shërbëtorin tënd nga mëkatet e vullnetit, dhe bëj që ato të mos më sundojnë mua; atëherë unë do të jem i ndershëm dhe i pastër nga shkelje të mëdha.
14 U miratofshin para teje fjalët e gojës sime dhe përsiatjet e zemrës sime, o Zot, kështjella ime dhe shpëtimtari im.
46 Perëndia është për ne një streh dhe një forcë, një ndihmë gjithnjë e gatshme në fatkeqësi.
2 Prandaj ne nuk do të kemi frikë edhe sikur toka të luajë dhe malet të hidhen në mes të detit,
3 dhe ujërat e tij të tërbohen dhe të shkumojnë, dhe malet të dridhen në fryerjen e tij. (Sela)
4 Éshtë një lumë brigjet e të cilit mbushin me gëzim qytetin e Perëndisë, vendin e shenjtë ku banon shumë i Larti.
5 Perëndia është në mes të tij, ai nuk do të luajë nga vendi; Perëndia do ta ndihmojë në dritat e para të mëngjesit.
6 Kombet do të ziejnë, mbretëritë do të tronditen; ai dërgoi jashtë zërin e tij, toka u shkri.
7 Zoti i ushtrive është me ne; Perëndia i Jakobit është streha jonë. (Sela)
8 Ejani dhe admironi veprat e Zotit, që ka bërë mrekulli mbi tokë.
9 Ai bën që të pushojnë luftërat deri në skajet e tokës; ai prish harqet dhe thyen shtizat, dhe djeg qerret me zjarr.
10 Ndaluni dhe pranoni që jam Perëndi; do të ngrihem lart midis kombeve, do të ngrihem lart mbi tokë.
11 Zoti i ushtrive është me ne; Perëndia i Jakobit është streha jonë. (Sela)
14 Kur gjetëm atje vëllezër, na lutën të rrimë tek ata shtatë ditë. Dhe kështu mbërritëm në Romë.
15 Dhe vëllezërit e atjeshëm, kur dëgjuan për ne, na dolën para deri te Fori Apian dhe te Tri Tavernat; dhe Pali, kur i pa, e falënderoi Perëndinë dhe mori zemër.
16 Kur arritëm në Romë, centurioni ia dorëzoi robërit komandantit të kampit; por Palit iu dha leja të rrijë më vete me një ushtar si roje.
17 Pas tri ditësh, Pali thirri krerët e Judenjve. Kur ata u mblodhën, u tha atyre: “Vëllezër, ndonëse nuk bëra asgjë kundër popullit dhe kundër zakoneve të etërve, jam arrestuar në Jeruzalem dhe më kanë dorëzuar në duart e Romakëve.
18 Ata, si më pyetën, donin të më lëshonin, sepse tek unë nuk kishte asnjë faj që të meritonte vdekjen.
19 Por, duke qenë se Judenjtë kundërshtonin, u detyrova t’i apelohem Cezarit, jo se kam ndonjë akuzë kundër kombit tim.
20 Për këtë arsye, pra, ju kam thirrur, ë t’ju shoh dhe t’ju flas, sepse për shpresën e Izraelit jam lidhur me këta hekura.”
21 Edhe ata i thanë: “Ne nuk kemi marrë asnjë letër për ty nga Judeja, as nuk erdhi ndonjë nga vëllezërit të na tregojë ose të thotë ndonjë të keqe për ty.
22 Por ne dëshirojmë të dëgjojmë prej teje ç’mendon, sepse për këtë sekt ne dimë se kudo flitet kundra.”
23 Dhe, mbasi i caktuan një ditë, erdhën shumë veta tek ai në banesën e tij; dhe ai shtjellonte dhe u dëshmonte atyre për mbretërinë e Perëndisë dhe, me anë të ligjit të Moisiut dhe të profetëve kërkonte t’i bindte për gjërat që i përkasin Jezusit, që nga mëngjesi e deri në mbrëmje.
16 Tani ai u foli akoma dishepujve të vet: “Ishte një njeri i pasur që kishte një administrator; këtë e paditën se po ia shkapërderdhte pasurinë e tij.
2 Atëherë ai e thirri dhe i tha: "Ç’është kjo që po dëgjoj për ty? Më jep llogari për ato që ke administruar, sepse ti nuk mund të jesh më administratori im".
3 Dhe administratori tha me vete: "Ç’do të bëj unë tani, që zotëria im po ma heq administrimin? Të gërmoj, s’e bëj dot, dhe të lyp, më vjen turp.
4 E di ç’do të bëj që njerëzit të më pranojnë në shtëpitë e tyre kur të hiqem nga administrimi".
5 I thirri atëherë një nga një ata që i detyroheshin zotërisë së tij dhe i tha të parit: "Sa i detyrohesh zotërisë tim?".
6 Ai u përgjigj: "Njëqind bato vaj". Atëherë ai i tha: "Merre dëftesën tënde, ulu dhe shkruaj shpejt pesëdhjetë".
7 Pastaj i tha një tjetri: "Po ti sa i detyrohesh?". Ai u përgjigj: Njëqind kora grurëë". Atëherë ai i tha: "Merre dëftesën tënde dhe shkruaj tetëdhjetë".
8 Zotëria e lavdëroi administratorin e pandershëm, se kishte vepruar me mençuri, sepse bijtë e kësaj bote, në brezin e tyre, janë më të mençur se bijtë e dritës.
9 Unë, pra, po ju them: Bëjini miqtë me pasuri të padrejta sepse, kur këto do t’ju mungojnë, t’ju pranojnë në banesat e përjetshme.
10 Kush është besnik në të vogla, është besnik edhe në të mëdhatë; dhe kush është i padrejtë në të vogla, është i padrejtë edhe në të mëdhatë.
11 Pra, në qoftë se ju nuk keni qenë besnikë në pasuritë e padrejta, kush do t’ju besojë pasuritë e vërteta?
12 Dhe, në qoftë se nuk keni qenë besnikë në pasurinë e tjetrit, kush do t’ju japë tuajën?
13 Asnjë shërbëtor nuk mund t’u shërbejë dy zotërinjve; sepse ose do ta urrejë njerin e tjetrin do ta dojë, ose do të lidhet me njerin dhe tjetrin do ta përbuzë; ju nuk mund t’i shërbeni Perëndisë dhe mamonit.”