Book of Common Prayer
75 Ne të lëvdojmë, o Perëndi, ne të lëvdojmë, sepse emri yt na është i afërt; njeriu tregon mrekullitë e tua.
2 Kur do të vijë koha e caktuar, unë do të gjykoj me drejtësi.
3 Toka dhe tërë banorët e saj shkrihen, por unë i bëj të qëndrueshme shtyllat e saj. (Sela)
4 U kam thënë fodullëve: "Mos u mburrni!," dhe të pabesëve: "Mos u bëni hundëpërpjetë!
5 Mos e ngrini lart kokën, mos flisni me qafë të fortë".
6 Sepse lëvdimi nuk vjen as nga lindja, as nga perëndimi, as edhe nga shkretëtira.
7 Sepse Perëndia është ai që gjykon; ai ul njerin dhe ngre tjetrin.
8 Sepse Zoti ka në dorë një kupë vere që shkumon dhe plot me erëza, që ai e zbraz. Me siguri tërë të pabesët e dheut do ta kullojnë dhe do të pinë deri llumin.
9 Por unë do të shpall përjetë dhe do t’i këndoj lavde Perëndisë të Jakobit.
10 Dhe do të dërrmoj tërë fuqinë e të pabesëve, por fuqia e të drejtëve do të përlëvdohet.
76 Perëndia njihet mirë në Judë, emri i tij është i madh në Izrael.
2 Tabernakulli i tij është në Salem dhe ai banon në Sion.
3 Këtu ai ka copëtuar shigjetat e zjarrta të harkut, mburojën dhe shpatën e luftës. (Sela)
4 Ti dukesh i lavdishëm dhe i fuqishëm mbi malet e presë.
5 Trimat i kanë zhveshur, i ka zënë gjumi, dhe asnjë prej atyre trimave nuk ka mundur të përdorë duart e tij.
6 Mbas qortimit tënd, o Perëndia i Jakobit, qerret dhe kuajt mbetën të shushatur.
7 Nga ti, pikërisht nga ti, duhet të kenë frikë; dhe kush mund të rezistojë para teje kur zemërohesh?
8 Ti ke bërë që të dëgjohet nga qielli vendimi yt, tokën e zuri frika dhe heshti,
9 kur Perëndia u ngrit për të gjykuar, për të çliruar tërë nevojtarët e tokës. (Sela)
10 Edhe zemërimi i njerëzve do të shndrrohet në lavdi për ty, dhe ti do të rrethohesh me vetë mbeturinat e zemërimi të tyre.
11 Bëjini zotime Zotit, Perëndisë tuaj, dhe plotësojini; tërë ata që rinë rreth tij t’i çojnë dhurata të Tmerrshmit.
12 Ai u heq frymën qeveritarëve, nga ai druhen mbretërit e tokës.
23 Zoti është bariu im, asgjë nuk do të më mungojë.
2 Ai më çon në kullota me bar të njomë, më drejton pranë ujërave që të çlodhin.
3 Ai ma përtërin shpirtin, më çon nëpër shtigjet e drejtësisë, nga dashuria që ka për emrin e tij.
4 Edhe sikur të ecja në luginën e hijes së vdekjes, nuk do të kisha frikë nga asnjë e keqe, sepse ti je me mua; shkopi yt dhe thupra jote janë ato që më japin zemër.
5 Ti shtron para meje tryezën në prani të armiqve të mi; ti vajos kokën time me vaj; kupa ime po derdhet.
6 Me siguri pasuri dhe mirësi do të më shoqërojnë në gjithë ditët e jetës ime; dhe unë do të banoj në shtëpinë e Zotit ditë të gjata.
27 Zoti është drita ime dhe shpëtimi im; nga kush do të kem frikë? Zoti është kështjella e jetës sime; nga kush do të kem frikë?
2 Kur njerëzit e këqij, armiqtë dhe kundërshtarët e mi më sulmuan për të ngrënë mishin tim, ata vetë u lëkundën dhe ranë.
3 Edhe sikur një ushtri të dilte kundër meje, zemra ime nuk do të kishte frikë; edhe sikur një luftë të pëlciste kundër meje, edhe atëherë do të kisha besim.
4 Një gjë i kërkova Zotit dhe atë kërkoj: të banoj në shtëpinë e Zotit tërë ditët e jetës sime, për të soditur bukurinë e Zotit dhe për të admiruar tempullin e tij.
5 Sepse ditën e fatkeqësisë ai do të më fshehë në çadrën e tij, do të më fshehë në një vend sekret të banesës së tij, do të më lartojë mbi një shkëmb.
6 Dhe tani koka ime do të ngrihet mbi armiqtë e mi që më rrethojnë, dhe do të ofroj në banesën e tij flijime me britma gëzimi; do të këndoj dhe do të kremtoj lëvdimet e Zotit.
7 O Zot, dëgjo zërin tim, kur të këlthas ty; ki mëshirë për mua dhe përgjigjmu.
8 Zemra ime më thotë nga ana jote: "Kërkoni fytyrën time". Unë kërkoj fytyrën tënde, o Zot.
9 Mos ma fshih fytyrën tënde, mos e hidh poshtë me zemërim shërbëtorin tënd; ti ke qenë ndihma ime; mos më lër dhe mos më braktis, o Përendi e shpëtimit tim.
10 Edhe sikur babai im dhe nëna ime të më kishin braktisur, Zoti do të më pranonte.
11 O Zot, më mëso rrugën tënde dhe më udhëhiq në një shteg të sheshtë, për shkak të armiqve të mi.
12 Mos më braktis në dëshirat e armiqve të mi, sepse kanë dalë kundër meje dëshmitarë të rremë, njerëz që duan dhunën.
13 Oh, sikur të mos isha i sigurt të shoh mirësinë e Zotit në dheun e të gjallëve!
14 Ki besim të madh te Zoti; ji i fortë, ki zemër; ki besim të madh te Zoti.
9 Mbasi përfunduan këto gjëra, krerët erdhën tek unë, duke thënë: "Populli i Izraelit, priftërinjtë dhe Levitët nuk janë ndarë nga popujt e këtyre vendeve, për gjërat e neveritshme të Kananejve, të Hitejve, të Perezejve, të Gebusejve, të Amonitëve, të Moabitëve, të Egjiptasve dhe të Amorejve.
2 Në fakt ata kanë marrë si bashkëshorte disa nga bijat e tyre për vete dhe për bijtë e tyre, duke përzier kështu fisin e shenjtë me popujt e këtyre vendeve. Mjerisht gjyqtarët kanë qenë të parët që e kryen këtë mëkat".
3 Kur dëgjova këtë gjë, grisa rrobat dhe mantelin, shkula flokët e kokës dhe mjekrën, dhe u ula i shtangur.
4 Atëherë tërë ata që dridheshin nga fjalët e Perëndisë të Izraelit u mblodhën rreth meje për shkak të mëkatit të atyre që ishin kthyer nga robëria; dhe unë mbeta i ulur dhe i shtangur deri në blatimin e mbrëmjes.
5 Në blatimin e mbrëmjes u ngrita nga agjerimi, me rrobat dhe mantelin të grisur; pastaj rashë në gjunjë dhe shtriva duart nga Zoti, Perëndia im,
6 dhe thashë: "O Perëndia im, unë jam i pështjelluar dhe më vjen turp të ngre fytyrën time ndaj teje, o Perëndia im, sepse paudhësitë tona janë shumëzuar deri mbi kokën tonë, dhe faji ynë ka arritur deri në qiell.
7 Nga ditët e etërve tanë deri në ditën e sotme kemi qenë shumë fajtorë, dhe për shkak të paudhësive tona ne, mbretërit tanë dhe priftërinjtë tanë u lamë në duart e mbretërve të kombeve të huaja, nën kanosjen e shpatës, të internimit, të plaçkitjes dhe të turpit, ashtu si po ndodh tani.
8 Por tani Zoti, Perëndia ynë, na ka dhënë hir për një çast të shkurtër, duke na lënë një mbetje dhe duke na dhënë një strehë në vendin e tij të shenjtë, dhe kështu Perëndia ynë i ka ndriçuar sytë tanë dhe na ka dhënë një rizgjim të vogël në skllavërinë tonë.
9 Në të vërtetë ne ishim skllevër, megjithatë Perëndia ynë nuk na braktisi në skllavërinë tonë, por na siguroi mirëdashjen e mbretërve të Persisë, duke na rizgjuar për të ngritur përsëri shtëpinë e Perëndisë tonë, duke restauruar rrënojat e saj dhe për të na dhënë një mur mbrojtjeje në Judë dhe Jeruzalem.
10 Por tani, o Perëndia ynë, çfarë do të themi pas kësaj? Sepse i kemi braktisur urdhërimet e tua,
11 që na kishe urdhëruar me anë të shërbëtorëve të tu, profetëve, duke thënë: "Vendi në të cilin po hyni për ta shtënë në dorë është një vend i papastër për shkak të papastërtisë së popujve të këtyre vendeve, për shkak të gjërave të neveritshme me të cilat e kanë mbushur fund e krye me ndotjet e tyre.
12 Prandaj tani mos u jepni bijat tuaja bijve të tyre dhe mos merrni bijat e tyre për bijtë tuaj; mos kërkoni kurrë begatinë e tyre, as mirëqënien e tyre, sepse kështu do të bëheni të fortë, do të hani prodhimet më të mira të vendit dhe do t’ua lini atë në trashëgimi bijve tuaj përjetë".
13 Por mbas gjithë asaj që na ra mbi krye për shkak të veprimeve tona të këqija dhe të fajeve tona të mëdha, duke qenë se ti, o Perëndia ynë, na dënove më pak nga sa e meritonin fajet tona dhe na le një pikë si kjo,
14 a do të kthehemi përsëri të shkelim urdhërimet e tua dhe të bashkohemi me martesë me popujt që kryejnë këto gjëra të neveritshme? A nuk do të zemëroheshe kundër nesh deri sa të shkatërroje pa lënë asnjë të mbetur ose të shpëtuar?
15 O Zot, Perëndia i Izraelit, ti je i drejtë, prandaj ne kemi mbetur sot, një mbetje njerëzish që kanë shpëtuar. Ja ku jemi para teje me fajin tonë, megjithëse për shkak të tij asnjë nuk mund të qëndrojë para teje!".
17 Dhe erdhi një nga të shtatë engjëjt që kishin të shtatë kupat, dhe foli me mua dhe më tha: “Eja, do të të tregoj gjyqin e kurvës së madhe që është ulur në ujëra të shumta,
2 më të cilën u kurvëruan mbretërit e dheut, dhe banorët e dheut u dehën me verën e kurvërisë së saj.”
3 Dhe më çoi në Frymë në një shkretëtirë, dhe pashë një grua që rrinte mbi një bishë të kuqe, plot me emra blasfemie dhe që kishte shtatë krerë dhe dhjetë brirë.
4 Edhe gruaja ishte veshur me purpur dhe me të kuq të ndezur, e stolisur me ar, gurë të çmuar dhe me margaritarë; kishte në dorë një kupë ari plot me neveritë dhe ndyrësitë e kurvërimit të saj.
5 Dhe mbi ballin e saj ishte shkruar një emër: “Misteri, Babilona e madhe, nëna e lavirave dhe e neverive të dheut.”
6 Dhe e pashë gruan duke u dehur nga gjaku i shenjtorëve dhe nga gjaku i martirëve të Jezusit. Dhe, kur e pashë, u çudita me çudi të madhe.
7 Dhe engjëlli më tha: “Përse çuditesh? Unë do të të tregoj misterin e gruas dhe të bishës që e mban atë, e cila ka shtatë krerë dhe dhjetë brirë.
8 Bisha, që pe, ishte, edhe nuk është, dhe do të ngjitet nga humnera dhe do të vejë në përhumbje; dhe banorët e dheut, emrat e të cilëve nuk janë shkruar në librin e jetës që nga krijimi i botës, do të çuditen kur të shohin bishën që ishte, dhe nuk është, ndonëse është.
9 Këtu është mendja që ka dituri: të shtatë krerët janë shtatë male, ku ulet gruaja,
10 dhe mbretër janë shtatë; pesë kanë rënë, një është dhe tjetri nuk ka ardhur ende; dhe, kur të vijë, pak kohë do të mbetet.
11 Dhe bisha që ishte, dhe nuk është më, është edhe ajo i teti mbret, dhe është nga të shtatët dhe shkon në përhumbje.
12 Të dhjetë brirët, që pe, janë dhjetë mbretër, të cilët nuk kanë marrë ende mbretërinë, por do të marrin pushtet si mbretër, një orë, bashkë me bishën.
13 Këta kanë një qëllim, dhe do t’ia japin fuqinë dhe pushtetin e tyre bishës.
14 Ata do të luftojnë kundër Qengjit dhe Qengji do t’i mundë, sepse ai është Zot i zotërve dhe Mbret i mbretërve; dhe ata që janë me të janë të thirrur, të zgjedhur dhe besnikë.”
22 Fill pas kësaj Jezusi i detyroi dishepujt e vet të hyjnë në barkë dhe t’i prijnë në bregun tjetër, deri sa ai t’i lëshojë turmat.
23 Mbasi i nisi ato, u ngjit vetëm mbi mal për t’u lutur. Dhe kur u ngrys ai gjëndej aty, i vetëm fare.
24 Ndërkaq barka ndodhej në mes të detit; dhe përplasej nga valët sepse era i ishte e kundërt.
25 Në rojën e katërt të natës, Jezusi shkoi drejt tyre, duke ecur mbi det.
26 Dishepujt duke parë atë që po ecte mbi det, u trembën dhe thanë: “Éshtë një fantazmë!.” Dhe filluan të bërtasin nga frika;
27 por menjëherë Jezusi u foli atyre duke thënë: “Qetësohuni; jam unë, mos kini frikë!.”
28 Dhe Pjetri, duke u përgjigjur tha: “Zot, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti mbi ujëra.”
29 Ai tha: “Eja!.” Dhe Pjetri zbriti nga barka dhe eci mbi ujëra, për të shkuar te Jezusi.
30 Por, duke parë erën e fortë, kishte frikë, dhe duke filluar të fundosej, bërtiti duke thënë: “O Zot, shpëtomë!.”
31 Dhe Jezusi ia zgjati menjëherë dorën, e zuri dhe i tha: “O njeri besimpak, pse dyshove?.”
32 Pastaj, kur hynë në barkë, era pushoi.
33 Atëherë ata që ishin në barkë erdhën dhe e adhuruan, duke thënë: “Me të vërtetë ti je Biri i Perëndisë!.”
34 Pastaj, mbasi dolën në bregun tjetër, erdhën në krahinën e Gjenezaretit.
35 Dhe njerëzit e atij vendi, sapo e njohën, e përhapën fjalën në gjithë krahinën përreth; dhe i sollën të gjithë të sëmurët;
36 dhe iu lutën që të mund t’i preknin të paktën cepin e rrobes së tij; dhe të gjithë ata që e prekën u shëruan plotësisht.