Book of Common Prayer
80 Dëgjo, o bari i Izraelit, që udhëheq Jozefin si një kope; ti që rrin mbi Kerubinët, shkëlqe në lavdinë tënde.
2 Rizgjoje fuqinë tënde përpara Efraimit, Beniaminit dhe Manasit, dhe eja të na çlirosh.
3 O Perëndi, na përtëri fuqitë, bëje fytyrën tënde të shkëlqejë dhe ne do të shpëtojmë.
4 O Zot, Perëndi i ushtrive, deri kur do të jesh i zemëruar kundër lutjes së popullit tënd?
5 Ti u ke dhënë për të ngrënë bukë të njomur me lot, dhe u ke dhënë për të pirë lot me shumicë.
6 Ti na ke bërë objekt mosmarëveshjeje për fqinjët tanë, dhe armiqtë tanë qeshin njeri me tjetrin.
7 O Perëndi i ushtrive, na përtëri forcat tona; bëje fytyrën tënde të shkëlqejë përsëri dhe do të shpëtojmë.
8 Ti çove jashtë Egjiptit një hardhi; i dëbove kombet dhe e mbolle.
9 Ti e pastrove dheun para saj dhe ajo lëshoi rrënjë dhe e mbushi dheun.
10 Malet u mbuluan nga hija e saj dhe kedrat e Perëndisë me degët e saj.
11 I zgjati degët e saj deri në det dhe llastarët deri te lumi.
12 Pse i prishe gjerdhet e saj dhe kështu tërë kalimtarët kanë mundësi të korrin frytet e saj?
13 Derri i egër i pyllit e shkreton dhe egërsirat e fushës kullotin aty.
14 O Perëndi i ushtrive, të lutemi kthehu; shiko nga qielli, vështro dhe vizito këtë vresht
15 dhe drurët që mbolli e djathta jote dhe filizin që e ke forcuar për ty.
16 Ajo u dogj nga zjarri dhe është prerë; ata vdesin para kërcënimit të fytyrës sate.
17 Dora jote qoftë mbi njeriun e të djathtë tënde, mbi njeriun që ti e ke bërë të fortë për ty.
18 Kështu ne nuk do të largohemi më prej teje. Na ngjall dhe ne do të kërkojmë emrin tënd.
19 O Zot, Perëndia i ushtrive, na përtëri; bëje fytyrën tënde të shkëlqejë dhe do të shpëtojmë.
77 Zëri im lartohet te Perëndia dhe unë bërtas; zëri im lartohet te Perëndia dhe ai ka për të më dëgjuar.
2 Ditën e fatkeqësisë sime kërkova Zotin; gjatë natës dora ime mbeti e nderur pa u lodhur dhe shpirti im nuk pranoi të ngushëllohet.
3 Më kujtohet Perëndia dhe rrënkoj; vajtoj dhe fryma ime dobësohet. (Sela)
4 Ti m’i mban të hapura qepallat; jam aq i turbulluar sa nuk mund të flas.
5 Sjell ndërmënd përsëri ditët e lashta, vitet e kohëve të shkuara.
6 Gjatë natës më kthehet në mendje kënga ime, mendoj thellë në zemrën time dhe fryma ime bën kërkime.
7 A do të më hedhë poshtë për gjithnjë Zoti? E nuk do të më pëlqejë më kurrë?
8 Dhe mirësia e tij ka marrë fund për gjithnjë dhe falja e tij ka munguar për brezat e ardhshme?
9 Vallë Perëndia e ka harruar mëshirën dhe në zemërimin e tij u ka dhënë fund dhembshurive të tij? (Sela)
10 Unë kam thënë: "Shkaku i hidhërimit tim është se dora e djathtë e Shumë të Lartit ka ndryshuar".
11 Do t’i kujtoj veprat e Zotit; po, do të kujtoj mrekullitë e tua të kohëve të kaluara,
12 do të mendohem thellë për gjithë veprat e tua dhe do të kem parasysh bëmat e tua.
13 O Perëndi, jeta jote është e shenjtë; cili Perëndi është i madh si Perëndia?
14 Ti je Perëndia që kryen mrekulli; ti ke bërë të njihet forca jote midis popujve.
15 Me krahun tënd ke shpenguar popullin tënd, bijtë e Jakobit dhe të Jozefit. (Sela)
16 Ujërat të panë, o Perëndi, ujërat të panë dhe u trëmbën; edhe humnerat u drithtuan.
17 Retë derdhën përmbytje uji, qiejtë gjëmuan dhe shigjetat e tua vepruan.
18 Gjëmimi i bubullimës sate ishte në vorbullën, vetëtimat ndriçuan botën dhe toka u tund dhe u drodh.
19 Ti e hape rrugën tënde në mes të detit, shtegun tënd në mes të ujërave të mëdha, dhe gjurmët e tua nuk u njohën.
20 Ti e udhëheq popullin tënd si një kope me dorën e Moisiut dhe të Aaronit.
79 O Perëndi, kombet kanë hyrë në trashëgiminë tënde, kanë përdhosur tempullin tënd të shenjtë, e kanë katandisur Jeruzalemin në një grumbull gërmadhash.
2 Trupat e vdekur të shërbëtorëve të tu ua dhanë për të ngrënë shpendëve të qiellit dhe mishin e shenjtorëve të tu bishave të fushave.
3 Kanë derdhur gjakun e tyre si ujë rreth Jeruzalemit, në mënyrë që asnjeri të mos i varroste.
4 Jemi bërë një turp për fqinjët tanë, tallja dhe gazi i atyre që na rrinë rreth e qark.
5 Deri kur, o Zot? A do të jesh i zemëruar përjetë? A do të flakërojë smira jote si një zjarr?
6 Lësho zemërimin tënd mbi kombet që nuk të njohin dhe mbi mbretëritë që nuk përmendin emrin tënd,
7 sepse kanë gllabëruar Jakobin dhe kanë shkretuar banesën e tij.
8 Mos kujto kundër nesh fajet e të pabesëve tanë; nxito të na dalësh para me dhembshuritë e tua, sepse jemi shumë të vuajtur.
9 Na ndihmo, o Perëndi i shpëtimit, për lavdinë e emrit tënd, dhe na çliro dhe na fal mëkatet tona për hir të emrit tënd.
10 Sepse kombet do të thonin: "Ku është Perëndia i tyre?". Para syve tona bëju të njohur kombeve hakmarrjen e gjakut të derdhur të shërbëtorëve të tu.
11 Le të arrijë deri tek ti rrënkimi i robërve; sipas fuqisë së krahut tënd, shpëto ata që janë të dënuar me vdekje.
12 Dhe ktheju fqinjëve tonë shtatëfish të zezën që të kanë bërë o Zot.
13 Dhe ne populli yt dhe kopeja e kullotës sate, do të të kremtojmë përjetë dhe do të shpallim lavdinë tënde brez pas brezi.
9 Ditën e njëzetekatërt të po atij muaji, bijtë e Izraelit të veshur me thasë dhe të mbuluar me dhe, u mblodhën për një agjerim.
2 Ata që i përkisnin fisit të Izraelit u ndanë nga gjithë të huajt dhe u paraqitën për të rrëfyer mëkatet e tyre dhe paudhësitë e etërve të tyre.
3 Pastaj u ngritën në këmbë në vendin e tyre dhe lexuan librin e ligjit të Zotit, Perëndisë të tyre, për një të katërtën pjesë të ditës; dhe për një të katër tjetër të ditës bënë rrëfimin e mëkateve që kishin bërë dhe ranë përmys përpara Zotit, Perëndisë të tyre.
4 Pastaj Jeshua, Bani, Kadmieli, Shebaniahu, Buni, Sherebiahu, Bani dhe Kenani u ngjitën mbi tribunën e Levitëve dhe i klithën me zë të lartë Zotit, Perëndisë të tyre.
5 Levitët Jeshua, Kadmiel, Bani, Hashabnejahu, Sherebiahu, Hodijahu, Shebanjahu dhe Pethahiahu thanë: "Çohuni dhe bekoni Zotin, Perëndinë tuaj, nga përjetësia në përjetësi! Qoftë i bekuar emri yt i lavdishëm, që lartësohet mbi çdo bekim dhe lëvdim!
6 Vetëm ti je Zoti! Ti ke bërë qiejtë, qiejtë e qiejve dhe tërë ushtrinë e tyre, dheun dhe tërë ato që qëndrojnë mbi të, detet dhe gjithçka që është në ta. Ti i mban gjallë tërë këto gjëra dhe ushtria e qiejve të adhuron.
7 Ti je Zoti, Perëndia që ka zgjedhur Abramin; e nxore nga Uri i Kaldeasve dhe i dhe emrin Abraham.
8 Ti e gjete zemrën e tij besnike para teje dhe bëre një besëlidhje me të për t’u dhënë pasardhësve të tij vendin e Kananejve, të Hitejve, të Amorejve, të Perezejve, të Jebusejve dhe të Girgasejve; ti e mbajte fjalën tënde; sepse je i drejtë.
9 Ti ke parë hidhërimin e etërve tanë në Egjipt dhe ke dëgjuar britmën e tyre pranë Detit të Kuq.
10 Ke bërë mrekulli dhe çudi kundër Faraonit, kundër tërë shërbëtorëve të tij dhe kundër tërë popullit të vendit të tij, sepse e dije që ata ishin sjellë me paturpësi me etërit tonë. Kështu i bëre një emër vetes që mbetet edhe sot.
11 Ti ke ndarë detin para tyre, dhe ata kaluan në mes të detit në të thatë, ndërsa ti i hidhje në humnerë ndjekësit e tyre si një gur në ujëra të furishme.
12 Ti i ke udhëhequr ditën me një kallonë reje dhe natën me një kollonë zjarri për t’i ndriçuar rrugën në të cilën do të ecnin.
13 Zbrite gjithashtu mbi malin Sinai, u fole nga qielli dhe u dhe dekrete të drejta dhe ligje të së vërtetës, statute dhe urdhërime të mira.
14 U bëre të njohur të shtunën tënde të shenjtë dhe u dhe urdhërime, statute dhe një ligj me anë të Moisiut, shërbëtorit tënd.
15 Ti gjithashtu u dhe bukë nga qielli kur ishin të uritur dhe u bëre që të buronte ujë nga shkëmbi kur kishin etje; dhe i urdhërove ata të shkonin të merrnin në zotërim vendin që ishe betuar t’u jepje.
16 Por ata dhe etërit tanë u sollën me mendjemadhësi, e fortësuan zverkun e tyre dhe nuk iu bindën urdhërimeve të tua.
17 Kundërshtuan të bindeshin dhe nuk kujtuan mrekullitë që ti kishe bërë midis tyre; ngurtësuan përkundrazi zverkun e tyre dhe në rebelimin e tyre zgjodhën një kryetar për t’u kthyer në skllavërinë e tyre. Por ti je një Perëndi i gatshëm që të falë, shpirtmadh, plot mëshirë, i ngadalshëm në zemërim dhe plot mirësi. Ti nuk i ke braktisur,
18 as atëherë kur bënë një viç prej metali të shkrirë dhe thanë: "Ky është perëndia yt që të nxori nga Egjipti!"; kështu bënë një gjë blasfeme.
19 Megjithatë në shpirtmadhësinë tënde të madhe nuk i ke braktisur në shkretëtirë; kollona e resë nuk u largua prej tyre gjatë ditës për t’i udhëhequr ata në ecje, dhe kollona e zjarrit gjatë natës për t’ua ndriçuar atyre rrugën nëpër të cilën do të ecnin.
20 Ke dhënë Frymën tënde të mirë për t’i mësuar; nuk ua ke refuzuar manën tënde gojëve të tyre dhe u ke dhënë ujë kur ishin të etur.
21 Për dyzet vjet i ke ushqyer në shkretëtirë, dhe nuk u ka munguar asgjë; rrobat e tyre nuk u prishën dhe këmbët e tyre nuk u ënjtën.
22 U dhe gjithashtu mbretëri dhe popuj, duke u caktuar krahinat më të largëta; kështu ata shtinë në dorë vendin e Sihonit, vendin e mbretit të Heshbonit dhe vendin e Ogut, mbretit të Bashanit.
23 I shumëzove bijtë e tyre si yjet e qiellit dhe i fute në vendin në të cilin u kishe thënë etërve të tyre të hynin për ta shtënë në dorë.
24 Kështu bijtë e tyre hynë dhe zotëruan vendin; ti ke poshtëruar para tyre banorët e vendit, Kananejtë, dhe i dhe në duart e tyre bashkë me mbretërit e tyre dhe me popujt e vendit, me qëllim që ata të bënin çfarë t’u pëlqente.
25 Ata pushtuan qytete të fortifikuara dhe një tokë pjellore dhe hynë në zotërim të shtëpive plot me të mira, të sternave të gatshme, të vreshtave, të ullishteve dhe të pemëve frutore me bollëk; ata hëngrën, u ngopën, u majmën dhe jetuan në gëzim për shkak të mirësisë sate të madhe.
18 Edhe pas këtyre pashë një engjëll tjetër që zbriste nga qielli, që kishte pushtet të madh; dhe dheu u ndriçua nga lavdia e tij.
2 Ai bërtiti me forcë dhe me zë të madh, duke thënë: “Ra, ra Babilona e madhja, dhe u bë vendbanimi i demonëve, dhe streha e çdo fryme të ndyrë, dhe streha e çdo shpendi të ndyrë dhe neveritshëm.
3 Sepse nga vera e mërisë së kurvërimit të saj kanë pirë të gjitha kombet, dhe mbretërit e dheut me të u kurvëruan, dhe tregtarët e dheut u pasuruan për shkak të luksit të saj të shfrenuar.”
4 Pastaj dëgjova një zë tjetër nga qielli, duke thënë: “Dilni prej saj, o populli im, që të mos bëheni pjestarë të mëkateve të saj, dhe të mos merrni nga plagët e saj,
5 sepse mëkatet e saj janë grumbulluar dhe kanë arritur deri në qiell, dhe Perëndia kujtoi paudhësitë e saj.
6 Shpërblejani atë që ajo ju ka bërë juve, përkundrazi, shpërblejani dyfish sipas veprave të saj; në kupën që ajo derdhi derdhini dyfishin.
7 Në masën që u vetlavdërua ajo dhe shfreu në epshe, në atë masë i jepni asaj mundim dhe brenga, sepse ajo në zemër të vet thotë: "Unë rri posi mbretëreshë, e ve nuk jam dhe brengë nuk do të shoh".
8 Prandaj në një ditë të vetme do të vijnë plagët e saj: vdekja, vaji dhe zia e bukës; edhe do të digjet krejt në zjarr, sepse i fuqishëm është Zoti Perëndia, ai që e gjykon atë.”
15 Atëherë skribët dhe farisenjtë e Jeruzalemit erdhën te Jezusi dhe i thanë:
2 “Përse dishepujt e tu shkelin traditën e pleqve? Sepse nuk i lajnë duart para se të hanë.”
3 Por ai u përgjigj dhe u tha atyre: “Dhe ju përse shkelni urdhërimin e Perëndisë për shkak të traditës suaj?
4 Perëndia, në fakt, ka urdhëruar kështu: "Ndero atin dhe nënën"; dhe: "Ai që e mallkon të atin ose të ëmën të dënohet me vdekje".
5 Kurse ju thoni: "Kushdo që i thotë atit ose nënës: "Gjithçka me të cilën mund të të mbaja i është ofruar Perëndisë,"
6 ai nuk është më i detyruar të nderojë atin e vet dhe nënën e vet. Kështu ju keni prapësuar urdhërimin e Perëndisë për shkak të traditës suaj.
7 Hipokritë, mirë profetizoi Isaia për ju kur tha:
8 "Ky popull po më afrohet me gojë dhe më nderon me buzët; por zemra e tyre rri larg meje.
9 Dhe më kot më nderojnë, duke i mësuar doktrina që janë urdhërime nga njerëzit".”
10 Pastaj e thirri turmën pranë tij dhe u tha atyre: “Dëgjoni dhe kuptoni:
11 Njeriun nuk e ndot çfarë i hyn në gojë, por ajo që del nga goja e tij e ndot njeriun.”
12 Atëherë dishepujt e tij iu afruan dhe i thanë: “A e di se farisenjtë, kur i dëgjuan këto fjalë u skandalizuan?.”
13 Por ai duke u përgjigjur u tha: “Çdo bimë që Ati im qiellor nuk e ka mbjellë, do të shkulet me rrënjë.
14 Hiqni dorë prej tyre; ata janë të verbër, prijës të verbërish; dhe në qoftë se një i verbër i prin një të verbëri tjetër, të dy do të bien në gropë.”
15 Atëherë Pjetri iu përgjigj dhe i tha: “Na e shpjego këtë shëmbëlltyrë.”
16 Dhe Jezusi tha: “As juve s’keni kuptuar akoma?
17 A nuk e kuptoni se çdo gjë që hyn në gojë kalon në bark dhe jashtëqitet në gjiriz?
18 Por gjërat që dalin nga goja, dalin nga zemra; dhe ato ndotin njeriun.
19 Sepse nga zemra dalin mendimet e mbrapshta, vrasjet, shkeljet e kurorës; kurvëria, vjedhjet, dëshmitë e rreme, blasfemitë.
20 Këto janë gjërat që e ndotin njeriun, kurse të hash pa i larë duart nuk e ndot njeriun.”