Book of Common Prayer
40 Unë kam pritur me ngulm dhe me durim Zotin, dhe ai u përkul mbi mua dhe dëgjoi britmën time.
2 Më nxorri jashtë një grope shkatërrimi, nga balta e moçalit, i vendosi këmbët e mia mbi një shkëmb dhe i ka bërë të qëndrueshme hapat e mia.
3 Ai vuri në gojën time një kantik të ri për të lëvduar Perëndinë tonë; shumë njerëz kanë për ta parë këtë, do të dridhen dhe do t’i besojnë Zotit.
4 Lum ai njeri që i beson Zotit dhe nuk u drejtohet krenarëve dhe as atyre që marrin rrugë të keqe duke u dhënë pas gënjeshtrës.
5 O Zot, Perëndia im, të shumta janë mrekullitë që ke bërë, dhe askush nuk mund të numërojë gjërat që ke menduar për ne. Po të duhej t’i shpallja dhe t’i tregoja, do të ishin tepër për t’i radhitur.
6 Ti nuk kënaqesh as me flijime as me oferta; më ke shpuar veshët. Ti nuk ke kërkuar as olokauste as flijime për mëkatin.
7 Atëherë unë thashë: "Ja, po vij. Në rrotullin e librit shkruhet për mua.
8 Perëndia im, unë gëzohem kur zbatoj vullnetin tënd dhe ligji yt është në zemrën time".
9 E shpalla drejtësinë tënde në kuvendin e madh; ja, unë nuk i mbaj buzët të mbyllura, o Zot, ti e di këtë.
10 Nuk e kam fshehur drejtësinë tënde në zemrën time; kam shpallur besnikërinë tënde dhe shpëtimin tënd; nuk e kam fshehur mirësinë tënde as të vërtetën tënde para kuvendit të madh.
11 Mos më moho, o Zot, mëshirën zemërbutë; mirësia jote dhe e vërteta jote më mbrofshin gjithnjë.
12 Sepse të këqija të panumërta më rrethojnë; paudhësitë e mia më kanë zënë dhe nuk mund të shikoj; janë më të shumta se flokët e kokës sime, dhe zemra po më ligështohet.
13 Prano, o Zot, të më çlirosh. O Zot, nxito të më ndihmosh.
14 U turpërofshin dhe u pështjellofshin ata që duan të shkatërrojnë jetën time. Rënçin poshtë të mbuluar nga turpi ata që gëzohen me fatkeqësitë e mia.
15 U trëmbshin për turp të tyre ata që më thonë: "Ah, ah…!".
16 U gëzofshin dhe ngazëllofshin te ti të gjithë ata që të kërkojnë, ata që duan shpëtimin tënd thënçin: "Lëvduar qoftë Zoti".
17 Sa për mua, unë jam i varfër dhe nevojtar, por Zoti kujdeset për mua. Ti je mbështetja ime dhe çlirimtari im; Perëndia im, mos u vono.
54 O Perëndia im, më shpëto me emrin tënd dhe siguromë drejtësi me fuqinë tënde.
2 O Perëndia im, dëgjo lutjen time dhe vëru veshin fjalëve të gojës sime.
3 Sepse disa të huaj janë ngritur kundër meje dhe njerëz të furishëm kërkojnë jetën time, njerëz që nuk e kanë Perëndinë para syve të tyre. (Sela)
4 Ja, Perëndia është ndihma ime, Zoti e përkrah jetën time.
5 Ai do t’i ndëshkojë armiqtë e mi për të keqen që më kanë bërë; në besnikërinë tënde shkatërroji.
6 Me gjithë zemër do të ofroj flijime; do të kremtoj emrin tënd, o Zot, sepse është i mirë;
7 sepse më ke çliruar nga çdo ankth, sytë e mi kanë parë mbi armiqtë e mi atë që unë dëshiroja.
51 Ki mëshirë për mua, o Perëndi, sipas mirësisë sate; për dhembushurinë e madhe që ke fshiji të ligat që kam bërë.
2 Më pastro tërësisht nga paudhësia ime dhe më pastro nga mëkati im,
3 Sepse i pranoj të ligat që kam bërë, dhe mëkati im më rri gjithnjë përpara.
4 Kam mëkatuar kundër teje, vetëm kundër teje, dhe kam bërë atë që është e keqe për sytë e tu, me qëllim që ti të njihesh i drejtë kur flet dhe i ndershëm kur gjykon.
5 Ja, unë jam mbruajtur në paudhësi, dhe nëna ime më ka lindur në mëkat.
6 Por ty të pëlqen e vërteta që qëndron në thelb, dhe më mëson diturinë në sekretin e zemrës.
7 Më pastro me hisop dhe do të jem i pastruar; më laj dhe do të jem më i bardhë se bora.
8 Bëj që të ndjej gëzim dhe ngazëllim; bëj që kockat që ke thyer të kremtojnë edhe ato.
9 Fshih fytyrën tënde nga mëkatet e mia dhe fshi të tëra paudhësitë e mia.
10 O Perëndi, krijo tek unë një zemër të pastër dhe përtëri tek unë një frymë të patundur.
11 Mos më largo nga prania jote dhe mos më hiq Frymën tënde të shenjtë.
12 Kthemë gëzimin e shpëtimit dhe përkahmë me frymë dashamirës.
13 Atëherë do t’u mësoj rrugët e tua shkelësve dhe mëkatarët do të kthehen drejt teje.
14 Çliromë nga gjaku i derdhur, o Perëndi, Perëndi i shpëtimit tim, dhe gjuha ime do të kremtojë tërë gaz drejtësinë tënde.
15 O Zot, hap buzët e mia, dhe goja ime do të shpallë lëvdimin tënd.
16 Ti në fakt nuk ndjen ndonjë kënaqësi në flijim, përndryshe do ta ofroja, nuk të pëlqen as olokausti.
17 Flijimet e Perëndisë janë frymë e thyer; o Perëndi, ti nuk e përçmon zemrën e thyer dhe të penduar.
18 Bëj të mirën Sionit për dashamirësinë tënde, ndërto muret e Jeruzalemit.
19 Atëherë do të gëzohesh në flijimet e drejtësisë, në olokaustet dhe në ofertat që digjen tërësisht; atëherë do të ofrohen dema të rinj mbi altarin tënd.
2 Në muajin e Nisanit, vitin e njëzetë të mbretit Artakserks, sapo e sollën verën para tij, unë e mora verën dhe ia zgjata atij. Unë nuk kisha qenë i trishtuar kurrë në prani të tij.
2 Prandaj mbreti më tha: "Pse ke pamje të trishtuar, ndonëse nuk je i sëmurë? Kjo nuk mund të jetë veçse një trishtim i zemrës". Atëherë më zuri një frikë shumë e madhe,
3 dhe i thashë mbretit: "Rroftë mbreti përjetë! Si mund të mos jetë fytyra ime e trishtuar kur qyteti ku janë varrosur etërit e mi është shkatërruar dhe portat e tij janë konsumuar nga zjarri?".
4 Mbreti më tha: "Çfarë kërkon?". Atëherë unë iu luta Perëndisë të qiellit
5 dhe pastaj iu përgjigja mbretit: "Në qoftë se kjo i pëlqen mbretit dhe shërbëtori yt ka gjetur mirëdashje në sytë e tu, më lejo të shkoj në Judë, në qytetin e varreve të etërve të mi, që ta rindërtoj atë".
6 Mbreti më tha (mbretëresha i rrinte ulur në krah): "Sa do të zgjasë udhëtimi dhe kur do të kthehesh?". Kështu i pëlqeu mbretit të më lërë të shkoj dhe unë i tregova një afat kohe.
7 Pastaj i thashë mbretit: "Në rast se kështu i pëlqen mbretit, të më jepen letra për qeveritarët e krahinës matanë Lumit që të më japin lejen e kalimit deri sa të arrijë në Judë,
8 dhe një letër për Asafin, mbikëqyrësin e pyllit të mbretit, që të më japë lëndën e drurit për të ndërtuar portat e qytezës së bashkuar me tempullin, për muret e qytetit dhe për shtëpinë në të cilën do të shkoj të banoj". Mbreti më dha letrat, sepse dora mirëdashëse e Perëndisë tim ishte mbi mua.
9 Arrita kështu te qeveritarët e krahinës matanë Lumit dhe u dhashë atyre letrat e mbretit. Me mua mbreti kishte dërguar një trup përcjellës të përbërë nga komandantë të ushtrisë dhe nga kalorës.
10 Por kur Sanballati, Horoniti dhe Tobiahu, shërbëtori i Amonit, e mësuan këtë gjë, u shqetësuan shumë, sepse kishte ardhur një burrë që kërkonte të mirën e bijve të Izraelit.
11 Kështu arrita në Jeruzalem dhe qëndrova atje tri ditë.
12 Pastaj u ngrita natën me pak burra të tjerë, por nuk i thashë gjë asnjeriut nga ato që Perëndia im më kishte vënë në zemër të bëja për Jeruzalemin. Nuk kisha me vete asnjë kafshë tjetër, barre, veç asaj së cilës i kisha hipur.
13 Dola natën nga porta e Luginës, në drejtim të burimit të Dragoit dhe të portës së Plehut, duke kontrolluar kështu muret e Jeruzalemit që ishin plot me të çara dhe portat e tij të konsumuara nga zjarri.
14 Vazhdova pastaj me portën e Burimit dhe pishinën e Mbretit, por nuk kishte vend nga të kalonte kafsha mbi të cilën kisha hipur.
15 Atëherë iu ngjita natën luginës, duke inspektuar gjithnjë muret; më në fund u ktheva prapa, duke hyrë nga porta e Luginës, dhe kështu u ktheva.
16 Zyrtarët nuk dinin se ku kisha shkuar dhe as me se isha marrë. Deri në atë çast nuk u kisha thënë asgjë Judejve, priftërinjve, parisë, zyrtarëve dhe as atyre që merreshin me punimet.
17 Atëherë u thashë atyre: "Ju e shikoni gjendjen e mjeruar në të cilat ndodhemi: Jeruzalemi është shkatërruar dhe portat e tij janë konsumuar nga zjarri! Ejani, t’i rindërtojmë muret e Jeruzalemit, dhe kështu nuk do të jemi më të turpëruar!".
18 U tregova pastaj atyre si dora bamirëse e Perëndisë tim kishte qenë mbi mua si dhe fjalët që mbreti më kishte thënë. Atëherë ata thanë: "Të ngrihemi dhe t’i vihemi ndërtimit!". Kështu morën kurajo për t’i forcuar duart e tyre për këtë punë të rëndësishme.
19 Por kur Sanbalati, Horoniti dhe Tobiahu, shërbëtori Amonit, dhe Geshemi, Arabi, e mësuan këtë gjë, filluan të tallen dhe të na përbuzin, duke thënë: Çfarë po bëni? Mos doni, vallë, të ngrini krye kundër mbretit??".
20 Atëherë unë u përgjigja dhe u thashë atyre: "Do të jetë vetë Perëndia i qiellit që do të na sigurojë suksesin. Ne, shërbëtorët e tij, do të fillojmë ndërtimin, por për ju nuk do të ketë as pjesë, as të drejtë, as kujtim në Jeruzalem".
12 Dhe pashë, kur ai hapi vulën e gjashtë; dhe ja, u bë një tërmet i madh, dhe dielli u bë i zi si një thes prej leshi, dhe hëna u bë si gjak;
13 dhe yjet e qiellit ranë mbi dheun, ashtu si fiku hedh fiqtë e paarrirë kur e tund një erë e madhe.
14 Pastaj qielli u hoq si një pergamenë që mbështillet, dhe çdo mal dhe ishull luajtën nga vendi i tyre.
15 Dhe mbretërit e dheut, dhe të mëdhenjtë, dhe të pasurit, dhe komandantët, dhe të fuqishmit, dhe çdo skllav e çdo i lirë, u fshehën nëpër shpella dhe nëpër krepat e maleve,
16 dhe u thoshnin maleve dhe shkëmbinjve: “Bini mbi ne dhe na fshihni nga fytyra e atij që rri mbi fron dhe nga zemërimi i Qengjit,
17 sepse erdhi dita e madhe e zemërimit së tij; dhe kush mund të qëndrojë?.”
7 Pas këtyre gjërave, pashë katër engjëj të cilët rrinin në këmbë në të katër këndet e dheut dhe mbanin të katër erërat e dheut, që të mos frynte erë mbi dhe, as mbi det, as mbi ndonjë dru.
2 Pastaj pashë një engjëll tjetër që ngjitej nga lind dielli e që kishte vulën e Perëndisë së gjallë; dhe u thirri me zë të madh të katër engjëjve, të cilëve u qe dhënë të dëmtojnë dheun dhe detin,
3 duke thënë: “Mos dëmtoni dheun, as detin, as pemët, deri sa t’i vulosim në ballë shërbëtorët e Perëndisë tonë.”
4 Dhe dëgjova numrin e atyre që u vulosën: njëqind e dyzet e katër mijë të vulosur nga të gjitha fiset e bijve të Izraelit.
24 Ai u propozoi atyre një shëmbëlltyrë tjetër: “Mbretëria e qiejve i ngjan një njeriu që mbolli farë të mirë në arën e vet.
25 Por, ndërsa njerëzit po flinin, erdhi armiku i tij dhe mbolli egjër nëpër grurë dhe iku.
26 Kur më pas gruri u rrit dhe jepte fryt u duk edhe egjra.
27 Dhe shërbëtorët e padronit të shtëpisë iu afruan atij dhe i thanë: Zot, a nuk ke mbjellë farë të mirë në arën tënde? Vallë nga doli egjra??
28 Dhe ai u tha atyre: "Këtë e ka bërë armiku". Atëherë shërbëtorët i thanë: "A do ti të shkojmë e ta shkulim?".
29 Por ai tha: "Jo, kam frikë se, duke shkulur egjrën, bashkë me të, do të shkulni edhe grurin.
30 I lini të rriten bashkë deri në të korra. Në kohën e korrjes unë do t’u them korrësve: Mblidhni më parë egjrën, lidheni në duaj për ta djegur; por grurin futeni në hambarin tim".”