Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 55

55 O Perëndi, vëri veshin lutjes sime dhe ki parasysh kërkesën time.

Dëgjo kërkesën time dhe përgjigjmu; ankohem vazhdimisht dhe rënkoj,

për zërin e armikut, për shtypjen e të pabesit; sepse më bien mbi kurriz disa fatkeqësi dhe në zemërimin e tyre më ndjekin këmba këmbës.

Zemra ime është e shqetësuar në trupin tim dhe tmerre që shkaktojnë vdekjen kanë rënë mbi mua.

Frika dhe të drithma më kanë sulmuar dhe tmerri më ka mposhtur.

Prandaj kam thënë: "Ah, sikur të kisha krahë si një pëllumb! Do të fluturoja larg për të gjetur prehje.

Ja, do të ikja larg dhe do të qëndroja në shkretëtirë. (Sela)

Do të shpejtoja për të gjetur një strehë nga era e furishme dhe nga furtuna".

Shkatërroji, o Zot, ngatërro gjuhët e tyre, sepse kam parë dhunë dhe kacafytje në qytet.

10 Ditën dhe natën sillen mbi muret e tij; brenda tij sundojnë e keqja dhe çoroditja.

11 Në mes të tij është lakmia; shtypja dhe gënjeshtra janë të zakonshme në rrugët e tij.

12 Sepse nuk ka qenë një armiku im që tallej me mua, përndryshe do ta kisha duruar; nuk ka qenë një që më urrente ai që u ngrit kundër meje, ndryshe do t’i isha fshehur atij.

13 Por ke qenë ti, një njeri si unë, shoku im dhe miku im i ngushtë.

14 Bënim bashkë biseda të këndshme dhe shkonim bashkë në shtëpinë e Perëndisë.

15 I zëntë befas vdekja, u ulshin të gjallë në Sheol, sepse në banesat e tyre dhe në mes tyre nuk ka veçse ligësi.

16 Sa për mua, do t’i kërkoj ndihmë Perëndisë, dhe Zoti do të më shpëtojë.

17 Në mbrëmje, në mëngjes dhe në mesditë do të ankohem dhe do të rënkoj, dhe ai do të dëgjojë zërin tim.

18 Ai do ta shpengojë jetën time dhe do ta sigurojë nga lufta që bëhet kundër meje, sepse janë të shumtë ata që janë ngritur kundër meje.

19 Perëndia do të më dëgjojë dhe ka për t’i poshtëruar, ai që ulet si sovran gjithnjë, sepse ata nuk ndryshojnë dhe nuk kanë frikë nga Perëndia. (Sela)

20 Ai ka shtrirë duart kundër atyre që jetonin në paqe me të, ka shkelur besëlidhjen e tij.

21 Goja e tij ishte më e ëmbël se gjalpi, por në zemër ai kishte luftën; fjalët e tij ishin më të buta se vaji, por ishin shpata të zhveshura.

22 Hidh mbi Zotin barrën tënde, dha ai do të të mbajë; ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet.

23 Por ti, o Perëndi, do t’i zbresësh këta në pusin e humbjes; njerëzit gjakatarë dhe hileqarë nuk do të arrijnë në gjysmën e ditëve të tyre; por unë do të kem besim te ti.

Psalmet 138:1-139:23

138 Unë do të të kremtoj me gjithë zemër, përpara perëndive do të këndoj lavdet e tua.

Do të adhuroj i kthyer nga tempulli yt i shenjtë dhe do të kremtoj emrin tënd për mirësinë tënde dhe vërtetësinë tënde, sepse ti ke përlëvduar fjalën tënde dhe emrin tënd përmbi çdo gjë tjetër.

Ditën në të cilën të kërkova, ti m’u përgjigje dhe e rrite fuqinë e shpirtit tim.

Tërë mbretërit e tokës do të të kremtojnë, o Zot, kur të dëgjojnë fjalët e gojës sate,

dhe do të këndojnë rrugët e Zotit, sepse e madhe është lavdia e Zotit.

Ndonëse Zoti është i shkëlqyeshëm, ai tregon kujdes për njerëzit e thjeshtë, por mëndjemadhin e njeh nga larg.

Edhe sikur unë të eci në mes të fatkeqësisë, ti do të më ruash të gjallë; ti do të zgjatësh dorën kundër zemërimit të armiqve të mi, dhe dora jote e djathtë do të më shpëtojë.

Zoti do të kryejë veprën e tij tek unë; o Zot, mirësia jote vazhdon përjetë; mos i braktis veprat e duarve të tua.

139 Ti më ke hetuar, o Zot, dhe më njeh.

Ti e di kur ulem dhe kur ngrihem, ti e kupton nga larg mendimin tim.

Ti e shqyrton me kujdes ecjen time dhe pushimin tim dhe i njeh thellë të gjitha rrugët e mia.

Sepse, edhe para se të jetë fjala mbi gojën time ti, o Zot, e di atë plotësisht.

Ti më rrethon nga pas dhe përpara dhe vë dorën tënde mbi mua.

Njohja jote është shumë e mrekullueshme për mua, aq e lartë sa unë nuk mund ta arrij.

Ku do të mund të shkoja larg Frymës sate, ose ku do të mund të ikja larg pranisë sate?

Në rast se ngjitem në qiell, ti je atje; në rast se shtrij shtratin tim në Sheol, ti je edhe aty.

Në rast se marr krahët e agimit dhe shkoj të banoj në skajin e detit,

10 edhe aty dora jote do të më udhëheqë dhe dora jote e djathtë do të më kapë.

11 Po të them: "Me siguri terri do të më fshehë," madje edhe nata do të bëhet dritë rreth meje:

12 terri vetë nuk mund të të fshehë asgjë, madje nata shkëlqen si dita; terri dhe drita janë të barabarta për ty.

13 Po, ti ke formuar të përbrëndëshmet e mia, ti më ke endur në barkun e nënes sime.

14 Unë do të të kremtoj, sepse jam krijuar në mënyrë të mrekulluar; veprat e tua janë të mrekullueshme, dhe unë e di shumë mirë këtë gjë.

15 Kockat e mia nuk ishin një e fshehtë për ty kur u formova në fshehtësi duke u endur në thellësitë e tokës.

16 Dhe sytë e tu panë masën pa trajtë të trupit tim, dhe në librin tënd ishin shkruar ditët që ishin caktuar për mua, megjithëse asnjë prej tyre nuk ekzistonte ende.

17 Oh, sa të çmuara janë për mua mendimet e tua, o Perëndi! Sa i madh është gjithë numri i tyre!

18 Po të doja t’i numëroja, do të ishin më të shumtë se rëra; kur zgjohem jam ende me ty.

19 Me siguri, ti do vrasësh të pabesin, o Perëndi; prandaj ju, njerëz gjakatarë largohuni nga unë.

20 Ata flasin me pabesi kundër teje; armiqtë e tu përdorin më kot emrin tënd.

21 A nuk i urrej vallë ata që të urrejnë, o Zot, dhe a nuk i urrej ata që ngrihen kundër teje?

22 Unë i urrej me një urrejtje të përsosur; ata janë bërë armiqtë e mi.

23 Më heto, o Perëndi, dhe njihe zemrën time; më provo dhe njihi mendimet e mia.

Nehemia 4

Kur Sanballati dëgjoi që ne po rindërtonim muret, u zemërua, u revoltua thellë dhe filloi të tallet me Judejtë,

dhe u tha përpara vëllezërve të tij dhe ushtarëve të Samarisë: "Çfarë po bëjnë këta Judej matufë? Do të fortifikohen? Do të ofrojnë flijime? A do të mbarojnë brenda një dite? Mos vallë do të ringjallin gurët e konsumuar nga zjarri i togjeve të rrënojave?".

Tobiahu, Amoniti, që i rrinte pranë, tha: "Le të ndërtojnë! Por në rast se një dhelpër hipën sipër, do ta rrëzojë murin e tyre prej guri!".

Dëgjo, o Perëndia ynë, sepse na përçmojnë! Bëj që të bjerë mbi kokën e tyre fyerja e tyre dhe braktisi në përbuzje në një vend robërie!

Mos e mbulo paudhësinë e tyre dhe mos lejo që mëkati i tyre të fshihet para teje, sepse kanë provokuar zemërimin tënd para ndërtuesve".

Ne, pra, i rindërtuam muret që u bashkuan deri në gjysmën e lartësisë së tyre; populli e kishte marrë me zemër punën.

Por kur Sanballati, Tobiahu, Arabët, Amonitët dhe Asdodejtë mësuan që riparimi i mureve të Jeruzalemit po përparonte dhe të çarat kishin filluar të mbylleshin, ata u zemëruan shumë,

dhe të gjithë së bashku komplotuan për të ardhur në Jeruzalem dhe për të krijuar trazira në të.

Por ne iu lutëm Perëndisë tonë dhe për shkak të tyre vumë roje natë e ditë kundër tyre.

10 Por ata të Judës thonin: "Forcat e mbartësve të peshave vijnë duke u pakësuar dhe gërmadhat janë aq të shumta sa nuk do të arrijmë të ndërtojmë muret!

11 Përveç kësaj kundërshtarët tanë thonin: "Ata nuk do të dinë dhe nuk do të shohin asgjë, deri sa ne do të sulemi në mes të tyre dhe do t’i vrasim; kështu do të bëjmë që të ndërpriten punimet".

12 Por kur Judejtë që banonin pranë tyre erdhën dhjetë herë rrjesht për të na thënë: "Ngado që të ktheheni, do të na sulen".

13 Unë vendosa njerëz të armatosur në vendet më të ulta prapa mureve; e vendosa popullin sipas familjeve, me shpatat e tyre, shtizat e tyre dhe harqet e tyre.

14 Mbasi e shqyrtova situatën u ngrita dhe u thashë parisë, gjyqtarëve dhe pjesës tjetër të popullit: "Mos kini frikë nga ata! Kujtoni Zotin e madh dhe të tmerrshëm dhe luftoni për vëllezërit tuaj, për bijtë dhe bijat tuaja, për bashkëshortet tuaja dhe për shtëpitë tuaja!".

15 Kur armiqtë tanë mësuan që ne ishim të informuar mbi këtë gjë dhe që Perëndia e kishte bërë të dështonte plani i tyre, ne të gjithë u kthyem tek muret, secili në punën e tij.

16 Qysh prej asaj dite, gjysma e shërbëtorëve të mi merrej me punët, ndërsa gjysma tjetër kishte rrokur shtizat, mburojat, harqet dhe kishte veshur parzmoret; komandantët qëndronin prapa tërë shtëpisë së Judës.

17 Por ata që ndërtonin muret dhe ata që mbartnin o ngarkonin peshat, me një dorë merreshin me punimet dhe me dorën tjetër mbanin armën e tyre.

18 Tërë ndërtuesit, duke punuar, mbanin secili shpatën e ngjeshur në ijet, ndërsa borizani rrinte pranë meje.

19 Atëherë unë u thashë parisë, zyrtarëve dhe pjesës tjetër të popullit: Puna është e madhe dhe e shtrirë, dhe ne jemi të shpërndarë mbi muret, largg njeri tjetrit.

20 Kudo që të dëgjoni tingullin e borisë, atje mblidhuni pranë nesh; Perëndia ynë do të luftojë për ne".

21 Kështu e vazhdonim punën, ndërsa gjysma e njerëzve kishte rrokur shtizën që në agim e deri sa dilnin yjet.

22 Në të njëjtën kohë i thashë gjithashtu popullit: "Secili nga ju të rrijë me shërbëtorin e tij brenda Jeruzalemit, për të na ruajtur natën dhe për të punuar pastaj ditën".

23 Kështu as unë, as vëllezërit e mi, as shërbëtorët e mi, as njerëzit e rojes që më ndiqnin, nuk i hiqnim rrobat; por secili kishte armën e tij me ujë.

Zbulesa 7:4-17

Dhe dëgjova numrin e atyre që u vulosën: njëqind e dyzet e katër mijë të vulosur nga të gjitha fiset e bijve të Izraelit.

Nga fisi i Judës, dymbëdhjetë mijë të vulosur; nga fisi i Rubenit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; nga fisi i Gadit dymbëdhjetë mijë të vulosur;

nga fisi i Asherit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; nga fisi i Neftalit, dymbëdhjetë mjië të vulosur; nga fisi i Manasit, dymbëdhjetë mijë të vulosur;

nga fisi i Simeonit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; nga fisi i Levit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; nga fisi i Isakarit, dymbëdhjetë mijë të vulosur;

nga fisi i Zabulonit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; nga fisi i Jozefit, dymbëdhjetë mijë të vulosur; nga fisi i Beniaminit, dymbëdhjetë mijë të vulosur.

Pas këtyre gjërave, pashë një turmë të madhe, të cilën askush nuk mund ta numëronte, prej të gjitha kombeve, fiseve, popujve dhe gjuhëve; këta qëndronin në këmbë përpara fronit dhe përpara Qengjit, të veshur me rroba të bardha dhe me palma në duart e tyre.

10 Dhe thërrisnin me zë të madh, duke thënë: “Shpëtimi është i Perëndisë tonë që është ulur mbi fron dhe i Qengjit.”

11 Dhe të gjithë engjëjt rrinin në këmbë përqark fronit, dhe pleqve dhe katër qenieve e gjalla, dhe ranë përmbys mbi fytyrën e tyre përpara fronit dhe adhuruan Perëndinë,

12 duke thënë: “Amen! Bekimi, dhe lavdia, dhe dituria, dhe falendërimi, dhe nderimi, dhe fuqia dhe forca janë te Perëndia ynë në shekuj të shekujve. Amen!.”

13 Pastaj një nga pleqtë m’u drejtua, duke më thënë: “Cilët janë këta që janë veshur me rroba të bardha, dhe nga kanë ardhur?.”

14 Dhe unë i thashë: “Imzot, ti e di.” Atëherë ai më tha: “Këta janë ata që kanë ardhur nga shtrëngimi i madh, dhe i kanë larë rrobat e tyre dhe i kanë zbardhur në gjakun e Qengjit.

15 Prandaj edhe janë përpara fronit të Perëndisë dhe i shërbenin atij ditë e natë në tempullin e tij; dhe ai që rri ulur mbi fron do të banojë në mes tyre.

16 Ata nuk do të kenë më uri, as nuk do të kenë etje, as nuk do t’i godasë më dielli, as kurrfarë vape,

17 sepse Qengji, që është në mes të fronit, do t’i kullosë dhe do t’i çojë te burimet e gjalla të ujërave; dhe Perëndia do të thaijë çdo lot nga sytë e tyre.”

Mateu 13:31-35

31 Ai u proposoi atyre një shëmbëlltyre tjetër duke thënë: “Mbretëria e qiejve i ngjan një kokrre sinapi, të cilën e merr një njeri dhe e mbjell në arën e vet.

32 Ajo, pa dyshim, është më e vogla nga të gjitha farërat; por, kur rritet, është më e madhe se të gjitha barishtet, dhe bëhet një pemë, aq sa zogjtë e qiellit vijnë dhe gjejnë strehë në degët e saj.”

33 Ai u tha atyre një shëmbëlltyrë tjetër: “Mbretëria e qiejve i ngjan majasë që e merr një grua dhe zë brumë me tri masa miell deri sa brumi të mbruhet plotësisht.”

34 Jezusi ua tha turmave të gjitha këto gjëra në shëmbëlltyra; dhe u fliste atyre vetëm në shëmbëlltyra,

35 që të përmbushej ç’është e thënë nëpërmjet profetit: “Unë do të hap gojën time në shëmbëlltyra dhe do të zbuloj gjëra të fshehura që nga themelimi i botës.”