Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 72

72 O Perëndi, paraqit mendimet e tua mbretit dhe drejtësinë tënde birit të mbretit,

dhe ai do të gjykojë popullin tënd me drejtësi dhe të pikëlluarit e tu me saktësi.

Malet do t’i sjellin paqen popullit dhe kodrat drejtësinë.

Ai do t’u sigurojë drejtësi të pikëlluarve të popullit, do të shpëtojë bijtë e nevojtarëve dhe do të dërrmojë shtypësin.

Ata do të të kenë frikë deri sa të ketë diell dhe hënë, për të gjitha brezat.

Ai do të zbresë si shiu mbi barin e kositur, si një rrebesh që vadit tokën.

Në ditët e tij i drejti do të lulëzojë dhe ka për të patur shumë paqe deri sa të mos ketë më hënë.

Ai do të mbretërojë nga një det te tjetri dhe nga lumi deri në skajet e tokës.

Banorët e shkretëtirës do të përkulen para tij, dhe armiqtë e tij do të lëpijnë pluhurin.

10 Mbretërit e Tarshishit dhe të ishujve do t’i paguajnë haraçin, mbretërit e Shebas dhe ai i Sabas do t’i ofrojnë dhurata.

11 Po, gjithë mbretërit do ta adhurojnë dhe gjithë kombet do t’i shërbejnë.

12 Sepse ai do ta çlirojë nevojtarin që bërtet dhe të mjerin që nuk ka se kush ta ndihmojë.

13 Atij do t’i vijë keq për të dobëtin dhe për nevojtarin dhe do të shpëtojë jetën e nevojtarëve.

14 Ai do të çlirojë jetën e tyre nga shtypja dhe nga dhuna, dhe gjaku i tyre do të jetë i çmuar para syve të tij.

15 Dhe ai do të jetojë; dhe do t’i jepet ari i Shebas, do të bëhen vazhdimisht lutje për të dhe do të bekohet tërë ditën.

16 Do të ketë bollëk gruri mbi tokë, në majat e maleve; kallinjtë e tij do të valëviten si drurët e Libanit, dhe banorët e qyteteve do të lulëzojnë si bari i tokës.

17 Emri i tij do të vazhdojë përjetë, emri i tij do të përhapet deri sa të ketë diell; dhe tërë kombet do të bekohen në të dhe do ta shpallin të lumtur.

18 I bekuar qoftë Zoti Perëndia, Perëndia i Izraelit; vetëm ai bën mrekulli.

19 Qoftë i bekuar përjetë emri i tij i lavdishëm, dhe tërë toka qoftë e mbushur me lavdinë e tij. Amen, amen.

20 Këtu mbarojnë lutjet e Davidit, birit të Isait.

Psalmet 119:73-96

73 Duart e tua më kanë bërë dhe më kanë dhënë trajtë; më jep zgjuarësi që të mund të mësoj urdhërimet e tua.

74 Ata që kanë frikë prej teje do të më shohin dhe do të kënaqen, sepse pata shpresë në fjalën tënde.

75 Unë e di, o Zot, që dekretet e tua janë të drejta, dhe që ti më ke hidhëruar në besnikërinë tënde.

76 Mirësia jote qoftë përdëllimi im, sipas fjalës që i ke dhënë shërbëtorit tënd.

77 Ardhshin tek unë dhemshuritë e tua të mëdha dhe kështu paça mundësi të jetoj, sepse ligji yt është kënaqësia ime.

78 U ngatërrofshin mëndjemëdhenjtë, sepse më trajtojnë në mënyrë të padrejtë dhe pa arsye; por unë mendohem shumë mbi urdhërimet e tua.

79 Le të drejtohen tek unë ata që kanë frikë nga ti dhe ata që njohin urdhërat e tua.

80 Le të jetë zemra ime e paqortueshme lidhur me statutet e tua, me qëllim që unë të mos ngatërrohem.

81 Shpirti im shkrihet nga dëshira e zjarrtë e shpëtimit tënd; unë kam shpresë në fjalën tënde.

82 Sytë e mi dobësohen duke pritur të shkojë në vend fjala jote, ndërsa them: "Kur do të më ngushëllosh?".

83 Ndonëse jam bërë si një calik i ekspozuar në tym, nuk i kam harruar statutet e tua.

84 Sa janë ditët e shërbëtorit tënd? Kur do t’u vish hakut atyre që më ndjekin?

85 Mëndjemëdhenjtë kanë hapur gropa për mua; ata nuk veprojnë sipas ligjit tënd.

86 Tërë urdhërimet e tua meritojnë besim; më përndjekin pa të drejtë; ndihmomë.

87 Më kanë eliminuar gati gati nga toka, por unë nuk i kam braktisur urdhërimet e tua.

88 Gjallëromë sipas mirësisë sate, dhe unë do të respektoj porositë e gojës sate.

89 Gjithnjë, o Zot, fjala jote është e qëndrueshme në qiejtë.

90 Besnikëria jote vazhdon brez pas brezi; ti e ke vendosur tokën dhe ajo ekziston.

91 Qielli dhe toka ekzistojnë deri në ditën e sotme, sepse çdo gjë është në shërbimin tënd.

92 Në qoftë se ligji yt nuk do të kishte qenë kënaqësia ime, do të isha zhdukur në pikëllimin tim.

93 Nuk do t’i harroj kurrë urdhërimet e tua, sepse me anë të tyre ti më ke dhënë jetën.

94 Unë jam yti; shpëtomë, sepse kam kërkuar urdhërimet e tua.

95 Të pabesët më zënë pusi që unë të vdes, por unë do të mbështetem në parimet e tua.

96 Pashë caqet e çdo gjëje të përsour, por urdhërimi yt nuk ka asnjë cak.

Nehemia 13:4-22

Para kësaj, prifti Eliashib, që ishte caktuar në dhomat e shtëpisë të Perëndisë tonë dhe kishte lidhur krushqi me Tobiahun,

kishte përgatitur për këtë një dhomë të madhe, ku vinin më parë ofertat, temjanin, përdorëset, të dhjetat e grurit, të verës dhe të vajit, tërë ato që me ligj u përkisnin Levitëve, këngëtarëve, derëtarëve, si edhe ofertat e mbledhura për priftërinjtë.

Por gjatë kësaj kohe unë nuk isha në Jeruzalem, sepse në vitin e tridhjetë e dytë të Artakserksit, mbretit të Babilonisë, isha kthyer pranë mbretit. Pas një farë kohe mora leje nga mbreti

dhe u ktheva në Jeruzalem; kështu pashë të keqen që Eliashibi kishte bërë për të favorizuar Tobiahun, duke përgatitur për të një dhomë në oborret e shtëpisë së Perëndisë.

Më erdhi shumë keq për këtë gjë dhe kështu hodha jashtë dhomës tërë orenditë shtëpiake që i përkisnin Tobiahut;

pastaj urdhërova që të pastroheshin ato dhoma dhe të rivendoseshin përdorëset e shtëpisë së Perëndisë, ofertat dhe temjani.

10 Pastaj mësova gjithashtu që racionet që u detyroheshin Levitëve nuk u ishin dhënë atyre dhe që Levitët dhe këngëtarët, që kryenin shërbimin, kishin ikur secili në tokën e vet.

11 Atëherë qortova gjyqtarët dhe u thashë atyre: "Pse shtëpia e Perëndisë është braktisur?". Pastaj i mblodha dhe i vura përsëri në funksonet e tyre.

12 Tërë Juda solli pastaj në magazinat të dhjetat e grurit, të mushtit dhe të vajit.

13 Mbikëqyrjen e magazinave ia besova priftit Shelemiah, shkruesit Tsadok dhe Pedajahut, një nga Levitët; si ndihmësa të tyre, zgjodha Hananin, birin e Zakurit, bir i Mataniahut, sepse këta konsideroheshin si njerëz besnikë. Atyre u takonte detyra të bënin ndarjet midis vëllezërve të tyre.

14 Për këtë më kujto mua, o Perëndia im, dhe mos i fshij veprat e mira që kam bërë për shtëpinë e Perëndisë tim dhe për ruajtjen e saj.

15 Në ato ditë vura re në Judë disa që shtrydhnin rrushin ditën e shtunë dhe mbartnin thasë gruri, duke i ngakuar mbi gomarët, bashkë me verën, rrushin, fiqtë dhe gjithfarë ngarkesash të tjera që sillnin në Jeruzalem ditën e shtunë; dhe unë i qortova për shkak të ditës në të cilën shisnin sendet ushqimore.

16 Përveç kësaj disa jerëz të Tiros, që banonin në Jeruzalem, importonin peshk dhe lloj-lloj mallrash dhe ua shisnin bijve të Judës ditën e shtunë dhe në Jeruzalem.

17 Atëherë qortova parinë e Judës dhe i thashë: "Ç’është kjo e keqe që kryeni duke përdhosur ditën e shtunë?

18 A nuk vepruan njëlloj etërit tonë? A nuk bëri Perëndia ynë të pllakosë mbi ne dhe mbi qytetin tonë tërë kjo fatkeqësi? Por ju po sillni një zemërim më të madh mbi Izraelin, duke përdhosur të shtunën!".

19 Kështu, sapo portat e Jeruzalemit filluan të jenë në terr, para se të fillonte e shtuna, unë urdhërova që portat të ishin mbyllur dhe të mos hapeshin deri pas së shtunës; vendosa madje disa shërbëtorë të mi te portat, me qëllim që asnjë ngarkesë të mos hynte në qytet gjatë ditës së shtunë.

20 Por tregëtarët dhe shitësit e çdo lloj malli e kaluan natën jashtë Jeruzalemit një ose dy herë.

21 Atëherë unë i qortova dhe u thashë: "Pse e kaloni natën para mureve? Po ta bëni një herë tjetër, do të veproj kundër jush". Qysh prej atij çasti ata nuk erdhën më ditën e shtunë.

22 Urdhërova gjithashtu Levitët që të pastroheshin dhe të vinin të ruanin portat për të shenjtëruar ditën e shtunë. Edhe për këtë më kujto mua, o Perëndia im, dhe ki mëshirë për mua sipas madhësisë së dhembshurisë sate!

Zbulesa 12:1-12

12 Pastaj një shenjë e madhe u duk në qiell: një grua e veshur me diellin, dhe me hënën poshtë këmbëve të saj, dhe mbi krye të saj një kurorë me dymbëdhjetë yje.

Ishte shtatzënë e bërtiste nga dhembjet dhe mundimet e lindjes.

Dhe u duk një shenjë tjetër në qiell: dhe ja, një dragua i madh i kuq që kishte shtatë kokë dhe dhjetë brirë, dhe mbi kokat e tij kishte shtatë kurora.

Dhe bishti i tij tërhiqte pas vetes të tretën pjesë te yjeve të qiellit dhe i hodhi mbi tokë. Dhe dragoi qëndroi përpara gruas që ishte gati për të lindur, për të gllabëruar birin e saj kur ta kishte lindur.

Dhe ajo lindi një bir mashkull, i cili duhet të qeverisë gjithë kombet me skeptër të hekurt; dhe biri i saj u rrëmbye pranë Perëndisë dhe fronit të tij.

Dhe gruaja iku në shkretëtirë, ku kishte vend të përgatitur nga Perëndia, që të ushqehet atje një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditë.

Edhe u bë luftë në qiell: Mikaeli dhe engjëjt e tij luftuan kundër dragoit; edhe dragoi dhe engjëjt e tij luftuan,

por nuk fituan, e nuk u gjet më për ta vend në qiell.

Kështu dragoi i madh, gjarpëri i lashtë, që është quajtur djall, edhe Satan, që mashtron gjithë dheun, u hodh mbi tokë; me të u hodhën edhe engjëjt e tij.

10 Atëherë dëgjova një zë të madh në qiell që thoshte: “Tani arriti shpëtimi, fuqia dhe mbretëria e Perëndisë tonë, dhe pushteti i Krishtit të tij; sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë, ai që i padiste përpara Perëndisë tonë ditë e natë.

11 Dhe ata e fituan atë me anë të gjakut të Qengjit, dhe me anë të fjalës së dëshmisë së tyre; dhe nuk e deshën jetën e tyre deri në vdekje.

12 Prandaj gëzohuni, o qiej, dhe ju që rrini në ta. Mjerë ju banorë të tokës e të detit, sepse zbriti djalli drejt jush duke pasur zemërim të madh, duke ditur se ka pak kohë.”

Mateu 13:53-58

53 Tani kur Jezusi i kishte mbaruar këto shëmbëlltyra, u largua që andej.

54 Dhe, pasi erdhi në vendlindjen e tij, i mësonte ata në sinagogën e tyre, kështu që ata, habiteshin dhe thonin: “Nga i erdhën këtij kjo dituri dhe këto vepra të pushtetshme?

55 A nuk është ky i biri i marangozit? Nuk quhet nëna e tij Mari, dhe vëllezërit e tij Jakob, Iose, Simon dhe Juda?

56 Dhe motrat e tij nuk janë të gjitha ndër ne? Atëherë nga i erdhën këtij të gjitha këto?.”

57 Dhe skandalizoheshin me të. Por Jezusi u tha atyre: “Asnjë profet nuk përçmohet, veçse në vendlindjen e vet dhe në shtëpinë e vet.”

58 Dhe, për shkak të mosbesimit të tyre, ai nuk bëri aty shumë vepra të pushtetshme.