Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 30

30 Do të të lëvdoj, o Zot, sepse ti më ngrite lart, dhe nuk i lejove armiqtë e mi të tallen me mua.

O Zot, Perëndia im, unë të kam klithur ty, dhe ti më ke shëruar.

O Zot, ti e ke nxjerrë shpirtin tim jashtë Sheolit, më ke mbajtur gjallë që të mos zbrisja në gropë.

I këndoni lavde Zotit, ju, shenjtorë të tij, dhe kremtoni shenjtërinë e tij,

sepse zemërimi im mban vetëm një çast, por mirësia e tij mban një jetë të tërë. Të qarat mund të vazhdojnë një natë, por në mëngjes shpërthen një britmë gëzimi.

Kur kisha bollëk thoja: "Unë nuk do të prekem kurrë".

O Zot, për hirin tënd e kishe fortësuar malin tim, ti e fshehe fytyrën tënde, dhe unë mbeta i trembur.

Unë të klitha ty, o Zot, iu luta fort Zotit,

duke thënë: "Çfarë dobie do të kesh nga gjaku im po të jetë se zbres në gropë? A mundet pluhuri të të kremtojë? A mundet ai të shpallë të vërtetën tënde?

10 Dëgjo, o Zot, dhe ki mëshirë për mua, o Zot, bëhu ti ndihma ime".

11 Ti e ke kthyer vajtimin tim në valle; ma ke hequr grethoren dhe më ke mbushur me gëzim,

12 me qëllim që shpirti im të mund të të këndojë lavdi pa pushim. O Zot, Perëndia im, unë do të të kremtoj përjetë.

Psalmet 32

32 Lum ai të cilit i kanë falur shkeljen, ai të cilit i kanë mbuluar mëkatin!

Lum ai njeri të cilin Zoti nuk e padit për paudhësi dhe në frymën e të cilit nuk ka vend mashtrimi.

Ndërsa po heshtja, kockat e mia treteshin midis rënkimeve që kisha tërë ditën.

Sepse ditë e natë dora jote rëndonte mbi mua, fuqia ime i përngjante thatësisë së verës. (Sela)

Para teje pranova mëkatin tim, nuk e fsheha paudhësinë time. Thashë: "Do t’ia rrëfej shkeljet e mia Zotit," dhe ti e ke falur paudhësinë e mëkatit tim. (Sela)

Prandaj çdo njeri i përshpirtshëm do të të thërrase në kohën që mund të gjendesh; edhe sikur ujërat e mëdha të vërshojnë, ato nuk do të arrijnë deri tek ai.

Ti je vendi im i strehimit, ti do të më ruash nga fatkeqësia, ti do të më rrethosh me këngë çlirimi. (Sela)

Unë do të të edukoj dhe do të të mësoj rrugën, nëpër të cilën duhet të ecësh; unë do të të këshilloj dhe do ta mbaj syrin tim mbi ty.

Mos u bëni si kali dhe si mushka që nuk kanë mend, goja e të cilëve duhet të mbahet me fre dhe me kapistër, përndryshe nuk të afrohen.

10 Të shumta janë dhembjet e të pabesit, por ai që ka besim tek Zoti do të rrethohet nga mirësia e tij.

11 Gëzohuni tek Zoti dhe ngazëlloni, o njerëz të drejtë; lëshoni britma gëzimi, ju të gjithë, o njerëz me zemër të drejtë.

Psalmet 42-43

42 Ashtu si suta ka një dëshirë të madhe për rrëketë e ujit, kështu shpirti im ka një dëshirë të zjarrtë për ty, o Perëndi.

Shpirti im ka një etje të madhe për Perëndinë, për Perëndinë e gjallë. Kur do të vij dhe do të paraqitem para Perëndisë?

Lotët e mia janë bërë ushqimi im ditë e natë, ndërsa më thonë vazhdimisht: "Ku është Perëndia yt?".

Duke kujtuar këto gjëra, brenda vetes sime i jap shfrim të lirë shpirtit tim, sepse kisha zakon të shkoja me turmën, duke e udhëhequr në shtëpinë e Perëndisë, në mes të këngëve të gëzimit dhe të lëvdimit të një turme në festë.

Pse ligështohesh, o shpirti im, pse vajton brënda trupit tim? Shpreso te Perëndia, sepse unë do ta kremtoj akoma për çlirimin e pranisë së tij.

O Perëndia im, shpirti më është ligështuar përbrenda; prandaj më kujtohesh ti nga vendi i Jordanit dhe nga majat e Hermonit, nga mali i Mitsarit.

Një hon thërret një hon tjetër në zhurmën e ujërave të tua; të gjitha dallgët e tua dhe valët e tua kanë kaluar përmbi mua.

Ditën Zoti më jep mirësinë e tij, dhe natën i ngre atij një kantik, një lutje Perëndisë të jetës sime.

Unë do t’i them Perëndisë, kështjellës sime: "Pse më harrove? Pse endem i veshur me rroba zie për shkak të shtypjes nga ana e armikut?".

10 Kockat e mia po vuajnë për vdekje për shkak të fyerjeve nga ana e armive të mi, që më thonë vazhdimisht: "Ku është Perëndia yt?".

11 Pse ligështohesh, shpirti im, pse rënkon përbrenda meje? Shpreso te Perëndia, sepse unë do ta kremtoj akoma; ai është shpëtimi im dhe Perëndia im.

43 Siguromë drejtësi, o Perëndi, dhe mbro çështjen time nga njerëzit e këqij; më çliro nga njeriu i rremë dhe i lig.

Mbasi ti je Perëndia që më jep forcë, pse më ke kthyer? Pse shkoj i veshur me rroba zie për shkak të shtypjes nga ana e armikut?

Dërgo dritën tënde dhe të vërtetën tënde; këto le të më udhëheqin dhe të më çojnë në malin tënd të shenjtë dhe në vendin e banesës sate.

Atëherë un do të vij tek altari i Perëndisë, te Perëndia, që është gëzimi im dhe kënaqësia ime; do të të kremtoj me qeste, o Perëndi, Perëndia im.

Pse ligështohesh, shpirti im, pse rënkon brenda meje? Ki shpresë te Perëndia, sepse unë do ta kremtoj akoma, sepse ai është shpëtimi im dhe Perëndia im.

Eksodi 25:1-22

25 Zoti i foli Moisiut duke thënë:

"U thuaj bijve të Izraelit që të më bëjnë një ofertë; do ta pranoni ofertën nga çdo njeri që e bën i shtyrë nga zemra e tij.

Dhe kjo është oferta që do të pranoni prej tyre: ar, argjend dhe bronz;

stofa me ngjyrë vjollce, të purpurt, të kuqe flakë; li të hollë dhe lesh dhie;

lëkura dashi të ngjyrosura në të kuq, lëkurë baldose dhe dru akacie;

vaj për dritën e shandanit, aroma për vajin e vajosjes dhe për temianin erëmirë;

gurë oniksi dhe gurë për të ngallmuar në petkun e priftërinjve dhe në gjoksore.

Le të më bëjnë një shenjtërore, që unë të banoj në mes tyre.

Ju do ta bëni atë sipas tërë asaj që unë do t’iu tregoj, si për modelin e tabernakullit ashtu edhe për modelin e të gjitha orendive.

10 Do të bëjnë, pra, një arkë prej druri të akacies, i gjatë dy kubitë e gjysmë, i gjërë një kubit e gjysmë dhe i lartë një kubit e gjysmë.

11 Do ta veshësh nga brenda dhe nga jashtë; me ar safi dhe sipër do t’i bësh një kurorë ari, që të sillet përqark.

12 Do të shkrish për të katër unaza ari dhe do t’i vësh në katër këmbët e saj: dy unaza nga një anë dhe dy unaza nga ana tjetër.

13 Do të bësh edhe disa shtiza prej druri të akacies dhe do t’i veshësh me ar.

14 Pastaj do t’i kalosh shtizat nëpër unazat e arkës, për ta mbajtur.

15 Shtizat do të qëndrojnë në unazat e arkës; nuk do të hiqen prej asaj.

16 Dhe në arkë do të vësh Dëshminë që do të të jap.

17 Do të bësh edhe një pajtues prej ari safi; gjatësia e tij do të jetë dy kubitë e gjysmë, dhe gjerësia e tij një kubit e gjysmë.

18 Do të bësh pastaj dy kerubinë prej ari; këta do të punohen me çekiç në të dy skajet e pajtuesit;

19 bëje një kerubin në një nga skajet dhe një kerubin në skajin tjetër; kerubinët do t’i bëni prej një cope të vetme me pajtuesin në skajet e tij.

20 Dhe kerubinët do t’i kenë krahët e hapura me drejtim lart, në mënyrë që të mbulojnë pajtuesin me krahët e tyre; do të kenë drejtim nga njëri tjetri, ndërsa fytyrat e kerubinëve do të jenë të kthyera në drejtim të pajtuesit.

21 Do ta vësh pastaj pajtuesin lart, mbi arkën; dhe në arkë do të futësh Dëshminë që do të të jap.

22 Aty unë do të të takoj, nga lart, mbi pajtuesin, midis dy kerubinëve që janë mbi arkën e dëshmisë, do të të njoftoj tërë urdhërat që do të të jap për bijtë e Izraelit.

Kolosianëve 3:1-17

Në qoftë se ju jeni ringjallur me Krishtin, kërkoni ato që janë lart, ku Krishti është ulur në të djathtë të Perëndisë.

Kini në mend gjërat që janë atje lart, jo ato që janë mbi tokë,

sepse ju keni vdekur dhe jeta juaj është fshehur bashkë me Krishtin në Perëndinë.

Kur të shfaqet Krishti, jeta jonë, atëherë edhe ju do të shfaqeni në lavdi bashkë me të.

Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët tuaja që janë mbi tokë: kurvërinë, ndyrësinë, pasionet, dëshirat e këqija dhe lakminë, që është idhujtari;

për këto gjëra zemërimi i Perëndisë vjen përmbi bijtë e mosbindjes,

midis të cilëve dikur ecët edhe ju, kur rronit në to.

Por tani hiqni edhe ju të gjitha këto gjëra: zemërim, zemëratë, ligësi, e mos të dalë sharje e asnjë e folur e pandershme nga goja juaj.

Mos gënjeni njeri tjetrin, sepse ju e zhveshët njeriun e vjetër me veprat e tij,

10 edhe veshët njeriun e ri, që përtërihet në njohurinë sipas shëmbullit të atij që e krijoi.

11 Këtu nuk ka më Grek e Jud, rrethprerje dhe parrethprerje, Barbar e Skithas, shërbëtor e i lirë, por Krishti është gjithçka dhe në të gjithë.

12 Vishuni, pra, si të zgjedhur të Perëndisë, shenjtorë dhe të dashur, me dhembshuri të brendshme, mirësinë, përulësinë, zemërbutësinë dhe me durimin,

13 duke duruar njeri tjetrin dhe duke falur njeri tjetrin, nëqoftëse dikush ankohet kundër një tjetri; dhe sikundër Krishti ju ka falur, ashtu bëni edhe ju.

14 Dhe, përmbi të gjitha këto gjëra, vishni dashurinë, që është lidhja e përsosmërisë.

15 Dhe paqja e Perëndisë, për të cilin ju u thirrët në një trup të vetëm, të mbretërojë në zemrat tuaja; dhe jini mirënjohës!

16 Fjala e Krishtit banoftë në ju me begatinë e vet; në çdo dituri, mësoni dhe këshilloni njeri tjetrin me psalme, himne dhe këngë frymërore, duke kënduar Zotit me hir në zemrat tuaja!

17 Dhe çdo gjë që të bëni, me fjalë a me vepër, t’i bëni në emër të Zotit Jezus, duke e falënderuar Perëndinë Atë nëpërmjet tij.

Mateu 4:18-25

18 Duke ecur gjatë bregut të detit të Galilesë, Jezusi pa dy vëllezër: Simonin, të quajtur Pjetër, dhe Andrean, të vëllanë, të cilët po hidhnin rrjetën në det, sepse ishin peshkatarë;

19 dhe u tha atyre: “Ndiqmëni dhe unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish.”

20 Dhe ata i lanë menjëherë rrjetat dhe e ndoqën.

21 Dhe, duke vazhduar rrugën, pa dy vëllezër të tjerë: Jakobin, birin e Zebedeut dhe Gjonin, vëllanë e tij, në barkë bashkë me Zebedeun, atin e tyre, duke ndrequr rrjetat; dhe i thirri.

22 Dhe ata lanë menjëherë barkën dhe atin e tyre dhe i shkuan pas.

23 Jezusi shkonte kudo nëpër Galile, duke mësuar në sinagogat e tyre, duke predikuar ungjillin e mbretërisë dhe duke shëruar çdo sëmundje dhe çdo lëngatë në popull.

24 Dhe fama e tij u përhap në gjithë Sirinë; dhe i sillnin të gjithë të sëmurët që vuanin nga lëngata dhe dhimbje të ndryshme, të demonizuar, epileptikë dhe paralitikë; dhe ai i shëronte.

25 Dhe një mori e madhe njerëzish i shkonte pas, nga Galileja, nga Dekapoli, nga Jeruzalemi, nga Judeja dhe nga përtej Jordanit.