Book of Common Prayer
136 Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë dhe mirësia e tij vazhdon përjetë.
2 Kremtoni Perëndinë e perëndive, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
3 Kremtoni Zotin e zotërive, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
4 atë që vetëm bën mrekulli të mëdha, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
5 atë që ka bërë qiejtë me dituri, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
6 atë që ka shtrirë tokën mbi ujërat, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
7 atë që ka bërë ndriçuesit e mëdhenj, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
8 diellin për të sunduar mbi ditën, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
9 hënën dhe yjet për të sunduar mbi natën, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
10 Ai që goditi Egjiptasit në parëbirnitë e tyre, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
11 dhe e nxori Izraelin nga mjedisi i tyre, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
12 me dorë të fuqishme dhe krah të shtrirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
13 Atë që ndau Detin e Kuq në dy pjesë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
14 dhe e bërë Izraelin të kalojë në mes të tij, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
15 por fshiu Faraonin dhe ushtrinë e tij në Detin e Kuq, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
16 Atë që e çoi popullin e tij nëpër shkretëtirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
17 atë që goditi mbretër të mëdhenj, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
18 dhe vrau mbretër të fuqishëm, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë;
19 Sihonin, mbretin e Amorejve, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
20 dhe Ogun, mbretin e Bashanit, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
21 Dhe u dha atyre si trashëgimi vendin e tyre, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
22 në trashëgimi Izraelit, shërbëtorit të tij, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
23 Ai u kujtua për ne në kushtet tona të këqija, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë,
24 dhe na çliroi nga armiqtë tanë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
25 Ai i jep ushqim çdo krijese, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
26 Kremtoni Perëndinë e qiellit, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
118 Kremtojeni Zotin sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
2 Po, Izraeli le të thotë tani: "Dhemshuria e tij vazhdon përjetë".
3 Po, tani shtëpia e Aaronit le të thotë: "Dhemshuria e tij vazhdon përjetë".
4 Po, le të thonë tani ata që kanë frikë nga Zoti: "Dhemshuria e tij vazhdon përjetë".
5 Në ankth kërkova Zotin, dhe Zoti m’u përgjigj dhe më çoi larg.
6 Zoti është për mua; unë nuk do të kem fare frikë; çfarë mund të më bëjë njeriu?
7 Zoti është për mua nga ata që më ndihmojnë, dhe unë do t’i shikoj triumfues armiqtë e mi.
8 Éshtë më mirë të gjesh strehë tek Zoti se sa t’i kesh besim njeriut.
9 Éshtë më mirë të gjesh strehë tek Zoti se sa t’u kesh besim princave.
10 Tërë kombet më kishin rrethuar, por në emër të Zotit unë do t’i zhduk ato.
11 Më kishin rrethuar, po, më kishin rrethuar, por në emër të Zotit unë do t’i shkatërroj.
12 Më kishin rrethuar si bleta, por u shuan si zjarr ferrishtash; në emër të Zotit unë do t’i shkatërroj.
13 Ti më kishe shtyrë me dhunë për të më rrëzuar, por Zoti më ndihmoi.
14 Zoti është forca ime dhe kënga ime, ai ka qenë shpëtimi im.
15 Një britmë gëzimi dhe fitoreje jehon në çadrat e të drejtëve; dora e djathtë e Zotit bën çudi.
16 E djathta e Zotit u ngrit; e djathta e Zotit bën çudi.
17 Unë nuk do të vdes, por do të jetoj dhe do të tregoj veprat e Zotit.
18 Zoti më ka ndëshkuar rëndë, por nuk më ka lënë në dorë të vdekjes.
19 Më hapni portat e drejtësisë; unë do të hyj dhe do të kremtoj Zotin.
20 Kjo është porta e Zotit, të drejtët do të kalojnë nëpër të.
21 Unë do të të kremtoj, sepse më je përgjigjur dhe ke qenë shpëtimi im.
22 Guri, që ndërtuesit kishin hedhur, u bë guri i qoshes.
23 Kjo është vepër e Zotit, dhe është një gjë e mrekullueshme në sytë tona.
24 Kjo është dita që Zoti ka bërë; le të gëzohemi dhe të ngazëllojmë në të.
25 O Zot, na ndihmo tani; o Zot, bëj që tani të kemi mbarësi.
26 I bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit; ne ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.
27 Zoti është Perëndia dhe ka bërë që mbi ne të shkëlqejë drita e tij; lidheni viktimën e flijimit në brirët e altarit.
28 Ti je Perëndia im, unë do të të kremtoj; ti je Perëndia im, unë do të të përlëvdoj.
29 Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
13 Zoti i foli Moisiut duke i thënë:
2 "Më shenjtëro çdo të parëlindur, ai që çel barkun ndër bijtë e Izraelit, qofshin njerëz apo kafshë; më takon mua".
11 Kur Zoti do të ketë bërë që të hysh në vendin e Kananejve, ashtu siç të është betuar ty dhe etërve të tu, dhe do të ta ketë dhënë atë,
12 do t’i shenjtërosh Zotit tërë ata që çelin barkun dhe çdo pjellje të parë të bagëtisë që ti zotëron: meshkujt do t’i takojnë Zotit.
13 Kështu do të shpengosh çdo pjellje të parë të gomarit me një qengj; por në qoftë se nuk dëshiron ta shpengosh, atëherë thyeja qafën; kështu do të shpengosh çdo të parëlindur të njeriut ndër bijtë e tu.
14 Kur në të ardhmen biri yt do të të pyesë, duke thënë: "Çfarë do të thotë kjo?," ti do t’i përgjigjesh: "Zoti na bëri të dalim nga Egjipti, nga shtëpia e skllavërisë, me dorë të fuqishme;
15 dhe ndodhi që, kur Faraoni nguli këmbë të mos na linte të shkonim, Zoti vrau tërë të parëlindurit në vendin e Egjiptit, si të parëlindurit e njerëzve ashtu dhe të parëlindurit e kafshëve. Prandaj unë i bëj fli Zotit tërë meshkujt që çelin barkun, por shpengoj çdo të parëlindur të bijve të mi".
16 Kjo do të jetë si një shenjë mbi dorën tënde dhe një ballore midis syve të tu, sepse Zoti na bëri të dalim nga Egjipti me dorë të fuqishme".
51 Ja, unë po ju them një të fshehtë: të gjithë nuk do të vdesim, por të gjithë do të shndërrohemi në një moment,
52 sa hap e mbyll sytë, në tingullin e burisë së fundit; sepse do të bjerë buria, të vdekurit do të ringjallen të paprisshëm dhe ne do të shndërrohemi,
53 sepse ky trup që prishet duhet të veshë mosprishjen dhe ky ivdekshëm të veshë pavdekësinë.
54 Edhe ky trup që prishet, kur të veshë mosprishjen, edhe ky i vdekshëm kur të veshë pavdekësinë, atëherë do të realizohet fjala që është shkruar: “Vdekja u përpi në fitore.”
55 O vdekje, ku është gjëmba jote? O ferr, ku është fitorja jote?
56 Edhe gjëmba e vdekjes është mëkati; dhe fuqia e mëkatit është ligji.
57 Por ta falënderojmë Perëndinë që na jep fitoren me anë të Zotit tonë Jezu Krisht.
58 Prandaj, o vëllezërit e mi të dashur, qëndroni të fortë e të patundur, duke tepruar përherë në veprën e Zotit, duke e ditur se mundi juaj nuk është i kotë në Zotin.
24 Tani ditën e parë të javës, shumë herët në mëngjes, ato me gra të tjera shkuan te varri, duke sjellë erërat e mira që kishin përgatitur.
2 Dhe gjetën që guri ishte rrokullisur nga varri.
3 Por, kur hynë, nuk e gjetën trupin e Zotit Jezus.
4 Dhe, ndërsa ishin shumë të hutuara nga kjo, ja, iu paraqitën atyre dy burra të veshur me rroba të ndritshme.
5 Dhe, mbasi ato, të tmerruara, e mbanin fytyrën të përkulur për dhe, ata u thanë: “Pse e kërkoni të gjallin midis të vdekurve?
6 Ai nuk ështe këtu, por është ringjallur; kujtohuni si ju foli, kur ishte ende në Galile,
7 duke thënë se Biri i njeriut duhej të dorëzohej në duar të njerëzve mëkatarë, duhej kryqëzuar dhe do të ringjallej ditën e tretë.”
8 Dhe ato kujtonin fjalët e tij.
9 kur u kthyen nga varri, ato ua treguan të gjitha këto gjëra të njëmbëdhjetëve dhe gjithë të tjerëve.
10 Ato që u treguan apostujve këto gjëra ishin Maria Magdalena, Joana, Maria, nëna e Jakobit dhe gratë e tjera që ishin me to.
11 Por këto fjalë atyrë iu dukën si dokrra; dhe ata nuk u besuan atyre.
12 Megjithatë Pjetri u çua, vrapoi te varri, u përkul dhe nuk pa tjetër përveç çarçafëve që dergjeshin vetëm; pastaj u largua, i mrekulluar me veten e tij për sa kishte ndodhur.