Book of Common Prayer
146 Aleluja. Shpirti im, lëvdo Zotin.
2 Unë do ta lëvdoj Zotn deri sa të kem jetë, do të këndoj lavde për Perëndinë tim gjatë gjithë jetës sime.
3 Mos kini besim te princat dhe as te ndonjë bir njeriu, që nuk mund të shpëtojë.
4 Kur fryma e tij ikën, ai kthehet përsëri në tokë dhe po atë ditë planet e tij zhduken.
5 Lum ai që ka Perëndinë e Jakobit si ndihmë, shpresa e të cilit është tek Zoti, Perëndia i tij,
6 që ka krijuar qiejtë dhe tokën, detin dhe gjithçka është në to, që ruan besnikërinë përjetë,
7 që u jep të drejtë të shtypurve dhe ushqim të uriturve. Zoti çliron të burgosurit.
8 Zoti u hap sytë të verbërve, Zoti ngre ata që janë rrëzuar, Zoti i do të drejtët.
9 Zoti mbron të huajt, ndihmon jetimin dhe gruan e ve, por përmbys udhën e të pabesëve.
10 Zoti mbretëron përjetë, Perëndia yt, o Sion, brez pas brezi. Aleluja.
147 Lëvdoni Zotin, sepse është një gjë e mirë t’i këndosh lavde Perëndisë tonë, sepse është e kënaqshme dhe e leverdishme ta lëvdosh.
2 Zoti ndërton Jeruzalemin, dhe mbledh të humburit e Izraelit.
3 Ai shëron ata që e kanë zemrën të thyer dhe lidh plagët e tyre.
4 Llogarit numrin e yjeve dhe i thërret të gjitha sipas emrit të tyre.
5 I madh është Zoti ynë, e pamasë është fuqia e tij dhe e pafund zgjuarësia e tij.
6 Zoti larton njerëzit e përulur, por ul deri në tokë njerëzit e këqij.
7 Këndojini Zotit me falenderim, këndojini me qeste lavde Perëndisë tonë,
8 që mbulon qiellin me re, përgatit shiun për tokën dhe bën që të rritet bari në malet.
9 Ai i jep ushqime bagëtisë dhe zogjve të korbeve që thërresin.
10 Ai nuk kënaqet në forcën e kalit, dhe nuk gjen ndonjë gëzim në këmbët e njeriut.
11 Zoti kënaqet me ata që kanë frikë prej tij, me ata që shpresojnë në mirësinë e tij.
12 Lëvdo Zotin, o Jeruzalem, kremto Perëndinë tënd, o Sion.
13 Sepse ai ka përforcuar shufrat e portave të tua dhe ka bekuar bijtë e tu në mes teje.
14 Ai e ruan paqen brenda kufijve të tu dhe të ngop me grurin më të mirë.
15 Dërgon mbi tokë urdhërin e tij, fjala e tij merr dheun.
16 Dërgon borën si lesh dhe përhap brymën si hi.
17 Hedh breshërin e tij si me copa; kush mund t’i bëjë ballë të ftohtit të tij?
18 Dërgon fjalën e tij dhe i shkrin ato; bën që të fryjë era e tij, dhe ujërat rrjedhin.
19 Ai ia ka bërë të njohur Jakobit fjalën e tij, dhe Izraelit statutet e tij dhe dekretet e tij.
20 Ai nuk e ka bërë këtë me asnjë komb tjetër; dhe ato nuk i njohin dekretet e tij. Aleluja.
148 Aleluja. Lëvdoni Zotin nga qiejtë, lëvdojeni në vendet shumë të larta.
2 Lëvdojeni, ju të gjithë engjëjt e tij, lëvdojeni ju mbarë ushtritë e tij.
3 Lëvdojeni, o diell dhe hënë, lëvdojeni, ju mbarë yje të ndritshme.
4 Lëvdojeni, ju qiej të qiejve, dhe ju ujëra përmbi qiejtë.
5 Tërë këto gjëra le të lëvdojnë emrin e Zotit, sepse ai dha urdhër dhe ato u krijuan.
6 Ai i ka vendosur përjetë, në përjetësi; por ka bërë një statut që nuk do të kalojë kurrë.
7 Lëvdojeni Zotin nga toka, ju përbindësh të detit dhe mbarë oqeane,
8 zjarr dhe breshër, borë dhe re, ajër i shtrëngatës që zbaton urdhërat e tij,
9 mbarë male dhe kodra, mbarë dru frutorë dhe kedra;
10 ju mbarë kafshë të egra dhe shtëpiake, rrëshqanorë dhe zogj me krahë;
11 ju mbretër të dheut dhe mbarë popuj, princa dhe gjyqtarë të tokës;
12 të rinj dhe vajza, pleq dhe fëmijë.
13 Le të lëvdojnë emrin e Zotit, sepse vetëm emri i tij përlëvdohet. Lavdia e tij qëndron përmbi tokën dhe qiejtë.
14 Ai e ka rritur forcën e popullit të tij, një arsye kjo lëvdimi për të gjithë shenjtorët e tij, për bijtë e Izraelit, një popull i afërt për të. Aleluja.
149 Aleluja. Këndojini Zotit një këngë të re, këndoni lavdinë e tij në kuvendin e shenjtorëve.
2 Le të ngazëllohet Izraeli tek ai që e ka bërë, le të ngazëllohen bijtë e Sionit te Mbreti i tyre.
3 Le të lëvdojnë emrin e tij me valle, të këndojnë lavdet e tij me dajre dhe me qeste,
4 sepse Zoti kënaqet me popullin e tij; ai i kurorëzon me shpëtim njerëzit e përulur.
5 Le të ngazëllohen shenjtorët në lavdi, le të këndojnë nga gëzimi mbi shtretërit e tyre.
6 Le të kenë në gojën e tyre lavdet e Perëndisë dhe në dorën e tyre një shpatë që pret nga të dy anët;
7 për t’u hakmarrë me kombet dhe për t’u dhënë ndëshkime popujve,
8 për t’i lidhur mbretërit e tyre me zinxhirë dhe fisnikët e tyre me pranga hekuri,
9 për të zbatuar mbi ta gjykimin e shkruar. Ky është nderi që u rezervohet mbarë shenjtorëve të tij. Aleluja.
3 Pastaj Moisiu i tha popullit: "Mbajeni mend këtë ditë, gjatë së cilës dolët nga Egjipti, nga shtëpia e skllavërisë; sepse Zoti ju nxori nga ky vend me dorë të fuqishme; nuk do të hahet bukë me maja.
4 Ju po dilni sot, në muajin e Abibit.
5 Atëherë pra kur Zoti do të bëjë që të hyni në vendin e Kananejve, të Hitejve, të Amorejve, të Hivejve dhe të Jebusejve që u është betuar etërve të tu të të japë, vend ku rrjedh qumështi dhe mjalti, do të kryesh këtë rit gjatë këtij muaji.
6 Shtatë ditë me radhë do të hash bukë të ndorme; dhe ditën e shtatë do të bëhet një festë për Zotin.
7 Do të hahet bukë e ndorme gjatë shtatë ditëve; dhe nuk do të duket bukë me maja tek ju, as do të duket maja pranë teje, brenda tërë kufijve të tu.
8 Atë ditë do t’ia shpjegosh këtë gjë birit tënd, duke i thënë: "Veprohet kështu për shkak të asaj që bëri Zoti për mua kur dola nga Egjipti".
9 Dhe do të jetë për ty si një shenjë mbi dorën tënde dhe si një kujtim ndër sytë e tu, me qëllim që ligji i Zotit të jetë në gojën tënde; sepse Zoti të bëri të dalësh nga Egjipti me dorë të fuqishme.
10 Zbatoje pra këtë rregull në kohën e caktuar, vit pas viti.
41 Tjetër është lavdia e diellit dhe tjetër lavdia e hënës dhe tjetër lavdia e yjeve; sepse ndryshon në lavdi ylli nga ylli.
42 Kështu do të jetë edhe ringjallja e të vdekurve; trupi mbillet në prishje dhe ringjallet në paprishje.
43 Mbillet në çnderim dhe ringjallet në lavdi; mbillet i dobët dhe ringjallet në fuqi.
44 Mbillet trup natyror dhe ringjallet trup frymëror. Ka trup natyror, ka edhe trup frymëror.
45 Kështu edhe është shkruar: “Njeriu i parë, Adami, u bë shpirt i gjallë; por Adami i fundit është Frymë që jep jetë.
46 Por frymërori nuk është më parë, por përpara është natyrori, pastaj frymërori.
47 Njeriu i parë i bërë prej dheu, është tokësor; njeriu i dytë është Zoti nga qielli.
48 Siç është tokësori ashtu janë dhe tokësorët; dhe siç është qiellori, të tillë do të jenë edhe qiellorët.
49 Dhe sikurse mbartëm shëmbëllimin e tokësorit, do të mbartim edhe shëmbëllimin e qiellorit.
50 Edhe këtë po ju them, o vëllezër, se mishi dhe gjaku nuk mund të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë, as prishja nuk mund të trashëgojë paprishjen.
16 Pastaj të njëmbëdhjetë dishepujt shkuan në Galile, në atë mal që u kishte caktuar Jezusi
17 dhe, kur e panë, e adhuruan; por disa dyshuan.
18 Pastaj Jezusi u afrua dhe u foli atyre duke thënë: “Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë.
19 Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë,
20 dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës. Amen.”