Book of Common Prayer
25 Te ti, o Zot, e lartoj shpirtin tim.
2 O Perëndia im, kam besim te ti; bëj që të mos mbetem i zhgënjyer dhe që armiqtë e mi të mos triumfojnë mbi mua.
3 Po, bëj që asnjë nga ata që kanë besim te ti të mos zhgënjehet; u turpërofshin ata që sillen pabesisht pa shkak.
4 O Zot, më trego rrugët e tua, më mëso shtigjet e tua.
5 Më udhëhiq në të vërtetën tënde dhe më mëso, sepse ti je Perëndia i shpëtimit tim; unë shpresoj shumë te ti gjatë gjithë ditës.
6 Kujto, o Zot, mëshirën tënde dhe miresinë tënde, sepse janë të përhershme.
7 Mos i kujto mëkatet e rinisë sime, as shkeljet e mia; por në dashamirësinë tënde më kujto, o Zot, për hir të mirësisë sate.
8 Zoti është i mirë dhe i drejtë, prandaj ai do t’u mësojë rrugën mëkatarëve.
9 Ai do të udhëheqë njerëzit zemërbutë në drejtësi dhe do t’u mësojë të përulurve rrugën e tij.
10 Të gjitha rrugët e Zotit janë mirësi dhe vërtetësi për ata që respektojnë besëlidhjen e tij dhe porositë e tij.
11 Për hir të emrit tënd, o Zot, fale paudhësinë time, sepse ajo është e madhe.
12 Kush është njeriu që ka frikë nga Zoti? Ai do t’i tregojë rrugën që duhet të zgjedhë.
13 Ai do të jetojë në bollëk dhe pasardhësit e tij do të trashëgojnë tokën.
14 Sekreti i Zotit u tregohet atyre që kanë frikë prej tij, dhe ai u bën të njohur atyre besëlidhjen e tij.
15 Sytë e mi drejtohen vazhdimisht te Zoti, sepse ai do të m’i nxjerrë këmbët nga rrjeta.
16 Kthehu nga unë dhe ki mëshirë për mua, sepse jam vetëm dhe i dëshpëruar.
17 Ankthet e zemrës sime janë shtuar; më çliro nga fatkeqësitë e mia.
18 Shiko pikëllimin tim dhe ankthin tim, dhe fali të gjitha mëkatet e mia.
19 Këqyr armiqtë e mi, sepse janë të shumtë dhe më urrejnë me një urrejtje plot dhunë.
20 Ruaje jetën time dhe më çliro; bëj që të mos jem i pështjelluar, sepse unë po gjej strehë te ti.
21 Pastërtia dhe ndershmëria më mbrofshin, sepse unë shpresoj te ti.
22 O Perëndi, liroje Izraelin nga të gjitha mundimet e tij.
9 Unë do të të kremtoj, o Zot, me gjithë zemër, do të tregoj tërë mrekullitë e tua.
2 Unë do të gëzohem dhe do të kënaqem me ty; do t’i këndoj lëvdime në emrin tënd, o Shumë i Larti.
3 Sepse armiqtë e mi tërhiqen, bien dhe vdesin para teje.
4 Ti në fakt ke përkrahur ndershmërinë time dhe çështjen time; je ulur mbi fronin si një gjyqtar i drejtë.
5 Ke qortuar kombet, ke shkatërruar të pabesin, ke fshirë emrat e tyre për gjithnjë.
6 Armiku është zhdukur, i kapur nga një pikëllim i përjetshëm! Dhe qyteteve që ti ke shkatërruar i është zhdukur edhe kujtimi.
7 Por Zoti mbetet përjetë; ai ka vendosur fronin e tij për të gjykuar.
8 Ai do ta gjykojë botën me drejtësi, do t’i gjykojë popujt me paanësi.
9 Zoti do të jetë strehim i papushtueshëm për të shtypurin, një strehim i papushtueshëm në kohë ngushtice.
10 Dhe ata që e njohin emrin tënd do të kenë besim te ti, sepse ti, o Zot, nuk i braktis ata që të kërkojnë.
11 Këndojini lavde Zotit që banon në Sion; u njoftoni popujve veprat e tij.
12 Sepse ai që kërkon arësyen e gjakut i mban mënd ata; ai nuk e harron britmën e të pikëlluarve.
13 Ki mëshirë për mua, o Zot, ti që më ke rilartuar nga portat e vdekjes, shiko pikëllimin që më shkaktojnë ata që më urrejnë,
14 me qëllim që unë të kem mundësi të tregoj të gjitha lavdet e tua dhe në portat e bijës së Sionit të mund të kremtoj për çlirimin tënd.
15 Kombet janë zhytur në gropën që kishin hapur; këmba e tyre është kapur në rrjetën që kishin fshehur.
16 Zoti u bë i njohur me anë të gjykimit që ka dhënë; i pabesi u kap në lakun e veprës së duarve të tij. (Interlud. Sela)
17 Të pabesët do të zbresin në Sheol; po, të gjitha kombet që harrojnë Perëndinë.
18 Sepse nevojtari nuk do të harrohet përjetë; shpresa e të shtypurve nuk do të zhduket përjetë.
19 Çohu, o Zot, mos lejo që vdekatari të ketë epërsi; kombet të gjykohen para teje.
20 O Zot, kallu frikën; bëj që kombet të pranojnë se janë vetëm vdekatarë. (Sela)
15 O Zot, kush do të banojë në çadrën tënde? Kush do të banojë në malin tënd të shenjtë?
2 Ai që ecën me ndershmëri dhe bën atë që është e drejtë dhe thotë të vërtetën që ka në zemër,
3 që nuk shan me gjuhën e tij, nuk i bën asnjë të keqe shokut të tij, dhe nuk shpif të afërmin e tij.
4 Në sytë e tij përçmohet njeriu pa vlerë, por ai ndërton ata që kanë frikë nga Zoti; edhe sikur të jetë betuar në dëm të tij, ai nuk tërhiqet;
5 nuk i jep paratë e tij me kamatë dhe nuk pranon dhurata kundër të pafajshmit. Ai që bën këto gjëra nuk do të hiqet kurrë.
13 Por ndodhi që, të nesërmen, Moisiu u ul për të gjykuar popullin; populli u mblodh rreth Moisiut që nga mëngjesi deri në mbrëmje.
14 Kur vjehrri i Moisiut pa të gjitha ato që ky bënte për popullin, tha: Ç’është kjo që bën ti me popullin? Pse ulesh vetëm, dhe tërë populli të rrii përqark nga mëngjesi deri në mbrëmje?".
15 Moisiu iu përgjigj vjehrrit të tij: "Sepse populli vjen tek unë për t’u këshilluar me Perëndinë.
16 Kur ata kanë ndonjë problem, vinë tek unë, dhe unë gjykoj njërin dhe tjetrin dhe u bëj të njohur kanunet e Perëndisë dhe ligjet e tij".
17 Por vjehrri i Moisiut i tha: "Ajo që bën ti nuk shkon mirë.
18 Do të rraskapitesh më në fund, ti dhe ky popull që është me ty, sepse detyra që ke marrë përsipër është shumë e vështirë. Nuk mund t’ia dalësh në krye vetëm.
19 Tani dëgjomë; unë do të të jap një këshillë dhe Perëndia qoftë me ty: përfaqësoje ti popullin përpara Perëndisë dhe paraqitja Perëndisë problemet e tyre.
20 Mësoju atyre statutet dhe ligjet dhe tregohu rrugën nëpër të cilën duhet të ecin dhe atë që duhet të bëjnë.
21 Por zgjidh në mes të të gjithë popullit disa njerëz të aftë që kanë frikë nga Perëndia, njerëz të besuar, që e urrejnë fitimin e padrejtë dhe vendosi mbi popullin si krerë të mijërave, krerë të qindrave, krerë të pesëdhjetrave dhe krerë të dhjetrave.
22 Dhe lejo që të jenë ata që do ta gjykojnë popullin në çdo kohë; ata do të të parashtrojnë çdo problem me rëndësi të madhe, ndërsa për probleme të vogla do të vendosin vetë. Kështu do të jetë më lehtë për ty, dhe ata do ta mbajnë peshën bashkë me ty.
23 Në qoftë se ti vepron kështu, dhe kështu të urdhëron Perëndia, mund të mbahesh; dhe tërë ky popull do të arrijë faqebardhë në vendin e caktuar për të".
24 Moisiu e dëgjoi zërin e vjehrrit të tij, dhe bëri gjithçka që i kishte thënë.
25 Kështu Moisiu zgjodhi në tërë Izraelin disa njerëz të aftë dhe i vuri si krerë të popullit: krerë të mijërave, krerë të qindrave, krerë të pesëdhjetrave dhe krerë të dhjetrave.
26 Kështu ata e gjykonin popullin në çdo kohë; çështjet e vështira ia parashtronin Moisiut, por çdo problem të vogël e zgjidhnin vetë.
27 Pastaj Moisiu u nda nga vjehrri i tij, i cili u kthye në vendin e vet.
5 U bëj thirrje pleqve që janë midis jush, unë që jam plak bashkë me ta dhe dëshmitar i vuajtjeve të Krishtit dhe që jam gjithashtu pjesëmarrës i lavdisë që ka për t’u zbuluar:
2 ruani tufën e Perëndisë që është midis jush, duke e mbikqyrur jo me detyrim, por me dëshirë, jo për përfitim të pandershëm, po me vullnet të mirë,
3 dhe jo si zotëronjës mbi ata që ju janë besuar, por duke u bërë shembull për tufën.
4 Dhe kur të shfaqet kryebariu, do të merrni kurorën e lavdisë që nuk fishket.
5 Gjithashtu ju, të rinjtë, nënshtrojuni pleqëve. Po, nënshtrojuni të gjithënjeri tjetrit dhe vishuni me përulje, sepse Perëndia i kundërshton krenarët, por u jep hir të përulurve.
6 Përuluni, pra, nën dorën e fuqishme të Perëndisë, që ai t’ju lartësojë ne kohën e duhur,
7 dhe gjithë merakun tuaj hidheni mbi të, sepse ai merakoset për ju.
8 Jini të përmbajtur, rrini zgjuar; sepse kundërshtari juaj, djalli, sillet rreth e qark si një luan vrumbullues, duke kërkuar cilin mund të përpijë.
9 Kundërshtojeni, duke qëndruar të patundur në besim, sepse e dini se të njëjtat vuajtje po i heqin vëllezërit tuaj të shpërndarë nëpër botë.
10 Dhe Perëndia i çdo hiri, që ju thirri në lavdinë e tij të përjetshme në Krishtin Jezus, mbasi të keni vuajtur për pak kohë, do t’ju bëjë të përsosur ai vetë, do t’ju bëjë të patundur, do t’ju forcojë dhe do t’ju vërë themel.
11 Atij i qoftë lavdia dhe pushteti për shekuj të shekujve. Amen.
12 Ju shkrova shkurt me anë të Silvanit, që më duket një vëlla besnik, duke ju bërë thirrje dhe duke ju dëshmuar se hiri i vërtetë i Perëndisë është ai në të cilin qëndroni.
13 Kisha që është në Babiloni, që është zgjedhur bashkë me ju, ju përshëndet. Edhe Marku, biri im, ju përshëndet.
14 Përshëndetni njeri tjetrin me një të puthur dashurie. Paqja mbi ju të gjithë që jeni në Krishtin Jezus Amen.
1 Libri i gjenealogjisë së Jezu Krishtit, birit të Davidit, birit të Abrahamit.
2 Abrahamit i lindi Isaku; Isakut i lindi Jakobi; Jakobit i lindi Juda dhe vëllezërit e tij.
3 Judës i lindi nga Tamara Faresi dhe Zara; Faresit i lindi Esromi; Esromit i lindi Arami;
4 Aramit i lindi Aminadabi; Aminadabit i lindi Naasoni; Naasonit i lindi Salmoni.
5 Salmonit i lindi Boozi nga Rahabi; Boozit i lindi Obedi nga Ruthi; Obedit i lindi Jeseu.
6 Jeseut i lindi Davidi mbret; mbretit David i lindi Salomoni nga ajo që kishte qenë bashkëshortja e Urias.
7 Salomonit i lindi Roboami; Roboamit i lindi Abia; Abias i lindi Asai.
8 Asait i lindi Jozafati; Jozafatit i lindi Jorami; Joramit i lindi Ozia.
9 Ozias i lindi Joatami; Joatamit i lindi Akazi; Akazit i lindi Ezekia.
10 Ezekias i lindi Manaseu; Manaseut i lindi Amoni; Amonit i lindi Josia.
11 Josias i lindi Jekonia dhe vëllezërit e tij në kohën e internimit në Babiloni.
12 Pas internimit në Babiloni Jekonias i lindi Salatieli; Salatielit i lindi Zorobabeli.
13 Zorobabelit i lindi Abiudi; Abiudit i lindi Eliakimi; Eliakimit i lindi Azori.
14 Azorit i lindi Sadoku; Sadokut i lindi Akimi; Akimit i lindi Eliudi.
15 Eliudit i lindi Eleazari, Eleazarit i lindi Matthani, Matthanit i lindi Jakobi.
16 Jakobit i lindi Jozefi, bashkëshorti i Marisë, nga e cila lindi Jezusi, që quhet Krisht.
17 Kështu të gjithë brezat nga Abrahami deri te Davidi bëhen katërmbëdhjetë breza; dhe, nga Davidi deri te internimi në Babiloni, katërmbëdhjetë breza; dhe, nga internimi në Babiloni deri te Krishti, katërmbëdhjetë breza.
3 Tani në ato ditë erdhi Gjon Pagëzori, që predikonte në shkretëtirën e Judesë,
2 dhe thoshte: “Pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është afër!”
3 Dhe në fakt për Gjonin kishte folur profeti Isaia kur tha: “Një zë i atij që bërtet në shkretëtirë: "Përgatitni udhën e Zotit, drejtoni shtigjet e tij".”
4 Tani Gjoni vet kishte veshur një rrobë prej leshi të devesë dhe një brez prej lëkure në bel; ai ushqehej me karkaleca dhe mjaltë të egër.
5 Në atë kohë njerëzit e Jeruzalemit, nga gjithë Judeja dhe nga krahina e Jordanit rendnin tek ai,
6 dhe pagëzoheshin nga ai, në Jordan duke rrëfyer mëkatet e tyre.