Book of Common Prayer
148 Aleluja. Lëvdoni Zotin nga qiejtë, lëvdojeni në vendet shumë të larta.
2 Lëvdojeni, ju të gjithë engjëjt e tij, lëvdojeni ju mbarë ushtritë e tij.
3 Lëvdojeni, o diell dhe hënë, lëvdojeni, ju mbarë yje të ndritshme.
4 Lëvdojeni, ju qiej të qiejve, dhe ju ujëra përmbi qiejtë.
5 Tërë këto gjëra le të lëvdojnë emrin e Zotit, sepse ai dha urdhër dhe ato u krijuan.
6 Ai i ka vendosur përjetë, në përjetësi; por ka bërë një statut që nuk do të kalojë kurrë.
7 Lëvdojeni Zotin nga toka, ju përbindësh të detit dhe mbarë oqeane,
8 zjarr dhe breshër, borë dhe re, ajër i shtrëngatës që zbaton urdhërat e tij,
9 mbarë male dhe kodra, mbarë dru frutorë dhe kedra;
10 ju mbarë kafshë të egra dhe shtëpiake, rrëshqanorë dhe zogj me krahë;
11 ju mbretër të dheut dhe mbarë popuj, princa dhe gjyqtarë të tokës;
12 të rinj dhe vajza, pleq dhe fëmijë.
13 Le të lëvdojnë emrin e Zotit, sepse vetëm emri i tij përlëvdohet. Lavdia e tij qëndron përmbi tokën dhe qiejtë.
14 Ai e ka rritur forcën e popullit të tij, një arsye kjo lëvdimi për të gjithë shenjtorët e tij, për bijtë e Izraelit, një popull i afërt për të. Aleluja.
149 Aleluja. Këndojini Zotit një këngë të re, këndoni lavdinë e tij në kuvendin e shenjtorëve.
2 Le të ngazëllohet Izraeli tek ai që e ka bërë, le të ngazëllohen bijtë e Sionit te Mbreti i tyre.
3 Le të lëvdojnë emrin e tij me valle, të këndojnë lavdet e tij me dajre dhe me qeste,
4 sepse Zoti kënaqet me popullin e tij; ai i kurorëzon me shpëtim njerëzit e përulur.
5 Le të ngazëllohen shenjtorët në lavdi, le të këndojnë nga gëzimi mbi shtretërit e tyre.
6 Le të kenë në gojën e tyre lavdet e Perëndisë dhe në dorën e tyre një shpatë që pret nga të dy anët;
7 për t’u hakmarrë me kombet dhe për t’u dhënë ndëshkime popujve,
8 për t’i lidhur mbretërit e tyre me zinxhirë dhe fisnikët e tyre me pranga hekuri,
9 për të zbatuar mbi ta gjykimin e shkruar. Ky është nderi që u rezervohet mbarë shenjtorëve të tij. Aleluja.
150 Aleluja, lëvdoni Perëndinë në shenjtoren e tij, lëvdojeni në kupën qiellore të pushtetit të tij.
2 Lëvdojeni për mrekullitë e tij, lëvdojeni sipas madhështisë e tij.
3 Lëvdojeni me tingullin e burive, lëvdojeni me tingullin e harpës dhe me qeste.
4 Lëvdojeni me dajre dhe me valle, lëvdojeni me vegla me tela dhe me frymë.
5 Lëvdojeni me cembale tingëlluese, lëvdojeni me cembale kumbuese.
6 Çdo gjë që merr frymë le të lëvdojë Zotin. Aleluja.
113 Aleluja. Lëvdoni, o shërbëtorë të Zotit, lëvdoni emrin e Zotit.
2 Qoftë i bekuar emri i Zotit tani dhe përjetë.
3 Nga lindja e diellit deri në perëndim të tij u lëvdoftë emri i Zotit.
4 Zoti shkëlqen mbi tërë kombet, lavdia e tij ndodhet përmbi qiejtë.
5 Kush i përngjan Zotit, Perëndisë tonë, që banon në vende shumë të larta,
6 kush ulet për të parë gjërat që ndodhen në qiejtë dhe mbi tokë?
7 Ai e ngre të mjerin nga pluhuri dhe nevojtarin nga plehrat,
8 për ta bërë të ulet me princat, me princat e popullit të tij.
9 Ai bën që gruaja shterpe të banojë në familje, si nënë e lumtur e fëmijëve. Aleluja.
114 Kur Izraeli doli nga Egjipti dhe shtëpia e Jakobit nga një popull që fliste një gjuhë të huaj,
2 Juda u bë shenjtorja e tij dhe Izraeli zotërimi i tij.
3 Deti e pa dhe iku, Jordani u kthye prapa.
4 Malet u hodhën si desh dhe kodrat si qengja.
5 Ç’pate ti, o det, që ike, dhe ti, o Jordan, që u ktheve prapa?
6 Dhe ju, o male, që u hodhët si desh, dhe ju, o kodra, si qengja?
7 Dridhu, o tokë, në prani të Zotit, në prani të Perëndisë të Jakobit,
8 që e shndërroi shkëmbin në liqen, shkrepin në një burim uji.
118 Kremtojeni Zotin sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
2 Po, Izraeli le të thotë tani: "Dhemshuria e tij vazhdon përjetë".
3 Po, tani shtëpia e Aaronit le të thotë: "Dhemshuria e tij vazhdon përjetë".
4 Po, le të thonë tani ata që kanë frikë nga Zoti: "Dhemshuria e tij vazhdon përjetë".
5 Në ankth kërkova Zotin, dhe Zoti m’u përgjigj dhe më çoi larg.
6 Zoti është për mua; unë nuk do të kem fare frikë; çfarë mund të më bëjë njeriu?
7 Zoti është për mua nga ata që më ndihmojnë, dhe unë do t’i shikoj triumfues armiqtë e mi.
8 Éshtë më mirë të gjesh strehë tek Zoti se sa t’i kesh besim njeriut.
9 Éshtë më mirë të gjesh strehë tek Zoti se sa t’u kesh besim princave.
10 Tërë kombet më kishin rrethuar, por në emër të Zotit unë do t’i zhduk ato.
11 Më kishin rrethuar, po, më kishin rrethuar, por në emër të Zotit unë do t’i shkatërroj.
12 Më kishin rrethuar si bleta, por u shuan si zjarr ferrishtash; në emër të Zotit unë do t’i shkatërroj.
13 Ti më kishe shtyrë me dhunë për të më rrëzuar, por Zoti më ndihmoi.
14 Zoti është forca ime dhe kënga ime, ai ka qenë shpëtimi im.
15 Një britmë gëzimi dhe fitoreje jehon në çadrat e të drejtëve; dora e djathtë e Zotit bën çudi.
16 E djathta e Zotit u ngrit; e djathta e Zotit bën çudi.
17 Unë nuk do të vdes, por do të jetoj dhe do të tregoj veprat e Zotit.
18 Zoti më ka ndëshkuar rëndë, por nuk më ka lënë në dorë të vdekjes.
19 Më hapni portat e drejtësisë; unë do të hyj dhe do të kremtoj Zotin.
20 Kjo është porta e Zotit, të drejtët do të kalojnë nëpër të.
21 Unë do të të kremtoj, sepse më je përgjigjur dhe ke qenë shpëtimi im.
22 Guri, që ndërtuesit kishin hedhur, u bë guri i qoshes.
23 Kjo është vepër e Zotit, dhe është një gjë e mrekullueshme në sytë tona.
24 Kjo është dita që Zoti ka bërë; le të gëzohemi dhe të ngazëllojmë në të.
25 O Zot, na ndihmo tani; o Zot, bëj që tani të kemi mbarësi.
26 I bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit; ne ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.
27 Zoti është Perëndia dhe ka bërë që mbi ne të shkëlqejë drita e tij; lidheni viktimën e flijimit në brirët e altarit.
28 Ti je Perëndia im, unë do të të kremtoj; ti je Perëndia im, unë do të të përlëvdoj.
29 Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
12 Zoti u foli Moisiut dhe Aaronit në vendin e Egjiptit, duke u thënë:
2 "Ky muaj do të jetë për ju muaji më i rëndësishëm, do të jetë për ju muaji i parë i vitit.
3 I thoni gjithë asamblesë së Izraelit: "Ditën e dhjetë të këtij muaji, çdo burrë të marrë për vete një qengj, sipas madhësisë së familjes të të atit, një qengj për shtëpi.
4 Por në qoftë se shtëpia është tepër e vogël për një qengj, le të marrë një së bashku me fqinjin më të afërt, duke llogaritur numrin e personave; ju do të përcaktoni sasinë e qengjit të nevojshëm, në bazë të asaj që çdonjëri mund tëhajë.
5 Qengji juaj duhet të jetë pa të meta, mashkull, motak; mund të merrni një qengj ose një kec.
6 Do ta ruani deri në ditën e katërmbëdhjetë të këtij muaji, dhe tërë asambleja e popullit të Izraelit do ta therë atë në të ngrysur.
7 Pastaj do të marrin nga ai gjak dhe do ta vënë mbi dy shtalkat dhe mbi arkitraun e shtëpive ku do ta hanë.
8 Do të hanë mishin e pjekur në zjarr, po atë natë, do ta hanë atë me bukë pa maja dhe me barishte të hidhura.
9 Nuk do të hani fare mish të gjallë apo të zier në ujë, por të pjekur në zjarr me kokën, këmbët dhe të brendshmet.
10 Dhe nuk do të lini asnjë mbetje deri në mëngjes; dhe ç’të mbetet deri në mëngjes, do ta digjni në zjarr.
11 Do ta hani në këtë mënyrë: ijengjeshur, sandalembathur dhe me bastunin tuaj në dorë; do të hani me nxitim: se është Pashka e Zotit.
12 Atë natë unë do të kaloj nëpër vendin e Egjiptit dhe do të godas çdo të parëlindur në vendin e Egjiptit, qoftë njeri apo kafshë, dhe do t’i jap hakun gjithë perëndive të Egjiptit. Unë jam Zoti.
13 Dhe gjaku do të jetë për ju një shenjë mbi shtëpitë ku ndodheni; kur unë të shoh gjakun do të kaloj tutje dhe nuk do të ketë plagë mbi ju për t’ju zhdukur, kur të godas vendin e Egjiptit.
14 Ajo ditë do të jetë për ju një ditë për t’u mbajtur mend dhe ta kremtoni si festë kushtuar Zotit; do ta kremtoni nëpër kohëra si ligj të përjetshëm.
9 Zgjohu, zgjohu, vishu me forcë, o krah i Zotit, zgjohu si në ditët e lashta, ashtu si në brezat që shkuan! A nuk je ti ai që e ke bërë copë-copë Rahabin, që ke prerë kuçedrën?
10 A nuk je ti ai që ke tharë detin, ujërat e humnerës së madhe, që i ke bërë rrugë thellësitë e detit, me qëllim që të çliruarit të kalonin?
11 Kështu të shpenguarit nga Zoti do të kthehen, do të vijnë në Sion me klithma gëzimi dhe një hare e përjetshme do të kurorëzojë kokën e tyre; do të marrin gëzim dhe hare, e dhembja dhe rënkimi do të zhduken.
1 Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi.
2 Ai (fjala) ishte në fillim me Perëndinë.
3 Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij (fjala), dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë.
4 Në atë ishte jeta, dhe jeta ishte drita e njerëzve.
5 Dhe drita shkëlqen në errësirë dhe errësira nuk e kuptoi.
6 Qe një njeri i dërguar nga Perendia; emri i tij ishte Gjon.
7 Ai erdhi si dëshmitar, për të dëshmuar për dritën, që të gjithë të besonin nëpërmjet tij;
8 ai nuk ishte drita, por u dërgua për të dëshmuar për dritën.
9 Ai (fjala) ishte drita e vërtetë, që ndriçon çdo njeri që vjen në botë.
10 Ai (fjala) ishte në botë, dhe bota u krijua me anë të tij, por bota nuk e njohu.
11 Ai erdhi në shtëpinë e vet dhe të vetët nuk e pranuan,
12 por të gjithë atyre që e pranuan, ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij,
13 të cilët nuk janë lindur nga gjaku, as nga vullneti i mishit, as nga vullneti i burrit, por janë lindur nga Perëndia.
14 Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë.
15 Gjoni dëshmoi për të dhe thirri duke thënë: “Ky është ai, për të cilin thashë: "Ai që vjen pas meje më ka paraprirë, sepse ishte përpara meje".”
16 Dhe ne të gjithë morëm, prej mbushullisë së tij, hir mbi hir.
17 Sepse Ligji u dha nëpërmjet Moisiut, por hiri dhe e vërteta erdhën nëpërmjet Jezu Krishtit.
18 Askush s’e pa Perëndinë kurrë; i vetëmlinduri Bir, që është në gjirin e t’Et, është ai që e ka bërë të njohur.
13 Po ate ditë, dy nga ata po shkonin drejt një fshati, me emër Emaus, gjashtëdhjetë stade larg Jeruzalemit.
14 Dhe ata po bisedonin midis tyre për të gjitha ato që kishin ndodhur.
15 Dhe ndodhi që, ndërsa po flisnin dhe bisedonin bashkë, vetë Jezusi u afrua dhe nisi të ecë me ta.
16 Por sytë e tyre ishin të penguar kështu që të mos e njihnin.
17 Dhe ai u tha atyre: “Ç’janë këto biseda që bëni me njëri-tjetrin udhës? Dhe pse jeni të trishtuar?.”
18 Dhe një nga ata, i me emër Kleopa, duke u përgjigjur tha: “Je ti i vetmi i huaj në Jeruzalem, që nuk i di gjërat që kanë ndodhur këtu në këto ditë?.”
19 Dhe ai u tha atyre: “Cilat?.” Ata i thanë: “Çështjen e Jezusit nga Nazareti, që ishte një profet i fuqishëm në vepra dhe në fjalë përpara Perëndisë dhe përpara gjithë popullit.
20 Dhe se si krerët e priftërinjve dhe kryetarët tanë e kanë dorëzuar për ta dënuar me vdekje dhe e kanë kryqëzuar.
21 Por ne kishim shpresë se ai do të ishte ky që do ta çlironte Izraelin; por, megjithkëtë, sot është e treta ditë që kur ndodhën këto gjëra.
22 Por edhe disa gra në mes nesh na kanë çuditur, sepse, kur shkuan herët në mëngjes te varri,
23 dhe nuk e gjetën trupin e tij, u kthyen duke thënë se kishin parë nië vegim engjëjsh, të cilët thonë se ai jeton.
24 Dhe disa nga tanët shkuan te varri dhe e gjetën ashtu si kishin treguar gratë, por atë nuk e panë.”
25 Atëherë ai u tha atyre: “O budallenj dhe zemërngathët për të besuar gjithçka që kanë thënë profetët!
26 Por a nuk duhej që Krishti të vuajë gjëra të tilla që të hyjë kështu në lavdinë e tij?.”
27 Dhe, duke zënë fill nga Moisiu dhe nga gjithë profetët, ai u shpjegoi atyre në të gjitha Shkrimet gjërat që i takonin atij.
28 Kur iu afruan fshatit për ku ishin drejtuar, ai bëri sikur do të vazhdonte më tutje.
29 Por ata e detyruan duke thënë: “Rri me ne, sepse po ngryset dhe dita po mbaron.” Edhe ai hyri që të rrijë me ta.
30 Dhe, siç ishte në tryezë me ta, mori bukën, e bekoi dhe, si e theu, ua ndau atyre.
31 Atëherë atyre iu çelën sytë dhe e njohën, por ai u zhduk prej syve të tyre.
32 Dhe ata i thanë njeri tjetrit: “Po a nuk na digjej zemra përbrenda, kur ai na fliste udhës dhe na hapte Shkrimet?.”
33 Në po atë çast u ngritën dhe u kthyen në Jeruzalem, ku e gjetën të njëmbëdhjetët dhe ata që ishin mbledhur bashkë me ta.
34 Ata thoshnin: “Zoti u ringjall me të vërtetë dhe iu shfaq Simonit.”
35 Ata atëherë treguan ç’u kishte ndodhur rrugës dhe si e kishin njohur në ndarjen e bukës.
19 Pastaj në mbrëmje të po asaj dite, dita e parë e javës, ndërsa dyert e vendit ku qenë mbledhur dishepujt ishin të mbyllura nga frika e Judenjve, erdhi Jezusi dhe u prezantua në mes tyre dhe u tha atyre: “Paqja me ju!.”
20 Dhe, si i tha këto, u tregoi atyre duart e veta dhe brinjën. Dishepujt pra, kur e panë Zotin, u gëzuan.
21 Pastaj Jezusi u tha atyre përsëri: “Paqja me ju! Sikurse më ka dërguar mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju.”
22 Dhe, si tha këto fjalë, hukati mbi ta dhe tha: “Merrni Frymën e Shenjtë!
23 Kujt do t’ia falni mëkatet, do t’i jenë falur, kujt do t’ia mbani, do t’i jenë mbajtur.”