Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 95

95 Ejani, t’i këndojmë me gëzim Zotit; t’i dërgojmë britma gëzimi kalasë së shpëtimit tonë.

Le të shkojmë në prani të tij me lavde, ta kremtojmë me këngë.

Sepse Zoti është një Perëndi i madh dhe një Mbret i madh mbi gjithë perënditë.

Në duart e tij janë thellësitë e tokës dhe të tijat janë majat e larta të maleve.

I tij është deti, sepse ai e ka bërë, dhe dheu i thatë që duart e tij kanë modeluar.

Ejani, të adhurojmë dhe të përkulemi; të gjunjëzohemi përpara Zotit që na ka bërë.

Sepse ai është Perëndia ynë dhe ne jemi populli i kullotës së tij dhe kopeja për të cilën ai kujdeset. Sot, po të jetë se dëgjoni zërin e tij,

"mos e fortësoni zemrën tuaj si në Meriba, si ditën e Masas në shkretëtirë,

ku etërit tuaj më tunduan dhe më vunë në provë, edhe pse i kishin parë veprat e mia.

10 Për dyzet vjet e pata neveri atë brez dhe thashë: "Janë një popull me zemër të përdalë dhe nuk i njohin rrugët e mia.

11 Prandaj u betova në zemërimin tim: Nuk do të hyjnë në prehjen time".

Psalmet 22

22 Perëndia im, Perëndia im, pse më ke braktisur? Pse më rri kaq larg dhe nuk vjen të më çlirosh, duke dëgjuar fjalët e ofshamës sime?

O Perëndia im, unë bërtas ditën, por ti nuk përgjigjesh, edhe natën unë nuk rri në heshtje.

Megjithatë ti je i Shenjti, që banon në lëvdimet e Izraelit.

Etërit tonë kanë pasur besim te ti; kanë pasur besim te ti dhe ti i ke çliruar.

Të klithën ty dhe u çliruan; patën besim te ti dhe nuk u zhgënjyen.

Por unë jam një krimb dhe jo një njeri; turpi i njerëzve dhe përçmimi i popullit.

Tërë ata që më shohin më përqeshin, zgjatin buzën dhe tundin kokën,

duke thënë: "Ai i ka besuar Zotiit; le ta çlirojë, pra, ta ndihmojë, mbasi e do".

Me siguri ti je ai që më nxori nga barku i nënes; bëre që të kem besim te ti qysh nga koha kur pushoja mbi sisët e nënes sime.

10 Unë u braktisa te ti qysh nga lindja ime; ti je Perëndia im qysh nga barku i nënes sime.

11 Mos u largo nga unë, sepse ankthi është i afërt, dhe nuk ka asnjë që të më ndihmojë.

12 Dema të mëdhenj më kanë rrethuar, dema të fuqishëm të Bashanit më rrinë përqark;

13 ata hapin gojën e tyre kundër meje, si një luan grabitqar që vrumbullit.

14 Më derdhin si ujë dhe tërë kockat e mia janë të ndrydhura; zemra ime është si dylli që shkrihet në mes të zorrëve të mia.

15 Forca ime është tharë si një enë balte dhe gjuha ime është ngjitur te qiellza; ti më ke vënë në pluhurin e vdekjes.

16 Sepse qentë më kanë rrethuar, një grup keqbërësish më rri rrotull; më kanë shpuar duart dhe këmbët.

17 Unë mund t’i numëroj gjithë kockat e mia; ato më shikojnë dhe më këqyrin.

18 Ndajnë midis tyre rrobat e mia dhe hedhin në short tunikën time.

19 Por ti, o Zot, mos u largo; ti që je forca ime, nxito të më ndihmosh.

20 Çliroje jetën time nga shpata, jetën time të vetme nga këmba e qenit.

21 Shpëtomë nga gryka e luanit dhe nga brirët e buajve. Ti m’u përgjigje.

22 Unë do t’u njoftoj emrin tënd vëllezërve të mi, do të të lëvdoj në mes të kuvendit.

23 Ju që keni frikë nga Zoti, lëvdojeni; dhe ju të gjithë, pasardhës të Jakobit, përlëvdojeni; dhe ju të gjithë, o fis i Izraelit, kini frikë nga ai.

24 Sepse ai nuk ka përçmuar as nuk ka hedhur poshtë vuajtjen e të pikëlluarit, dhe nuk i ka fshehur fytyrën e tij; por kur i ka klithur atij, ai e ka kënaqur.

25 Shkaku i lëvdimit tim në kuvendin e madh je ti; unë do t’i plotësoj zotimet e mia në prani të të gjithë atyre që kanë frikë nga ti.

26 Nevojtarët do të hanë dhe do të ngopen; ata që kërkojnë Zotin do ta lëvdojnë; zemra juaj do të jetojë përjetë.

27 Të gjitha skajet e tokës do ta mbajnë mend Zotin dhe do të kthehen tek ai; dhe të gjitha familjet e kombeve do të adhurojnë përpara teje.

28 Sepse Zotit i përket mbretëria dhe ai sundon mbi kombet.

29 Gjithë të pasurit e dheut do të hanë dhe do të të adhurojnë; të gjithë ata që zbresin në pluhur dhe që nuk arrijnë të mbahen gjallë do të përkulen para teje.

30 Pasardhësit do t’i shërbejnë; do t’i flitet për Zotin brezit të ardhshëm.

31 Ata do të vijnë dhe do t’i shpallin drejtësinë e tij një populli që nuk ka lindur akoma, dhe që ai vetë e ka krijuar.

Psalmet 40

40 Unë kam pritur me ngulm dhe me durim Zotin, dhe ai u përkul mbi mua dhe dëgjoi britmën time.

Më nxorri jashtë një grope shkatërrimi, nga balta e moçalit, i vendosi këmbët e mia mbi një shkëmb dhe i ka bërë të qëndrueshme hapat e mia.

Ai vuri në gojën time një kantik të ri për të lëvduar Perëndinë tonë; shumë njerëz kanë për ta parë këtë, do të dridhen dhe do t’i besojnë Zotit.

Lum ai njeri që i beson Zotit dhe nuk u drejtohet krenarëve dhe as atyre që marrin rrugë të keqe duke u dhënë pas gënjeshtrës.

O Zot, Perëndia im, të shumta janë mrekullitë që ke bërë, dhe askush nuk mund të numërojë gjërat që ke menduar për ne. Po të duhej t’i shpallja dhe t’i tregoja, do të ishin tepër për t’i radhitur.

Ti nuk kënaqesh as me flijime as me oferta; më ke shpuar veshët. Ti nuk ke kërkuar as olokauste as flijime për mëkatin.

Atëherë unë thashë: "Ja, po vij. Në rrotullin e librit shkruhet për mua.

Perëndia im, unë gëzohem kur zbatoj vullnetin tënd dhe ligji yt është në zemrën time".

E shpalla drejtësinë tënde në kuvendin e madh; ja, unë nuk i mbaj buzët të mbyllura, o Zot, ti e di këtë.

10 Nuk e kam fshehur drejtësinë tënde në zemrën time; kam shpallur besnikërinë tënde dhe shpëtimin tënd; nuk e kam fshehur mirësinë tënde as të vërtetën tënde para kuvendit të madh.

11 Mos më moho, o Zot, mëshirën zemërbutë; mirësia jote dhe e vërteta jote më mbrofshin gjithnjë.

12 Sepse të këqija të panumërta më rrethojnë; paudhësitë e mia më kanë zënë dhe nuk mund të shikoj; janë më të shumta se flokët e kokës sime, dhe zemra po më ligështohet.

13 Prano, o Zot, të më çlirosh. O Zot, nxito të më ndihmosh.

14 U turpërofshin dhe u pështjellofshin ata që duan të shkatërrojnë jetën time. Rënçin poshtë të mbuluar nga turpi ata që gëzohen me fatkeqësitë e mia.

15 U trëmbshin për turp të tyre ata që më thonë: "Ah, ah…!".

16 U gëzofshin dhe ngazëllofshin te ti të gjithë ata që të kërkojnë, ata që duan shpëtimin tënd thënçin: "Lëvduar qoftë Zoti".

17 Sa për mua, unë jam i varfër dhe nevojtar, por Zoti kujdeset për mua. Ti je mbështetja ime dhe çlirimtari im; Perëndia im, mos u vono.

Vajtimet 3:1-9

Unë jam njeriu që pa hidhërimin nën thuprën e tërbimit të tij.

Ai më ka udhëhequr dhe më ka bërë të eci nëpër terr dhe jo në dritë.

Po, kundër meje ai ka kthyer disa herë dorën e tij tërë ditën.

Ai ka konsumuar mishin tim dhe lëkurën time, ka coptuar kockat e mia.

Ka ndërtuar fortesa kundër meje, më ka rrethuar me hidhërim dhe me ankth.

Ka bërë që unë të banoj në vende plot errësirë, ashtu si të vdekurit prej shumë kohe.

Më ka ndërtuar një mur rreth e qark, me qëllim që unë të mos dal; e ka bërë të rëndë zinxhirin tim.

Edhe kur bërtas dhe kërkoj ndihmë me zë të lartë, ai nuk pranon të dëgjojë lutjen time.

Ai i ka mbyllur rrugët e mia me gurë të prerë, i ka bërë shtigjet e mia plot me prita.

Vajtimet 3:19-33

19 Kujtohu për pikëllimin dhe për endjen time, për pelinin dhe hidhërimin.

20 Shpirti im kujtohet gjithnjë për këtë dhe është i rrëzuar brenda meje.

21 Këtë dua ta sjell në mëndje dhe prandaj dua të shpresoj.

22 Éshtë një hir i Zotit që nuk jemi shkatërruar plotësisht, sepse mëshirat e tij nuk janë mbaruar plotësisht.

23 Përtëriten çdo mëngjes; e madhe është besnikeria jote.

24 "Zoti është pjesa ime," thotë shpirti im, "prandaj do të kem shpresë tek ai.

25 Zoti është i mirë me ata që kanë shpresë tek ai, me shpirtin që e kërkon.

26 Gjë e mirë është të presësh në heshtje shpëtimin e Zotit.

27 Gjë e mirë është për njeriun të mbajë zgjedhën në rininë e tij.

28 Le të ulet i vetmuar dhe të qëndrojë në heshtje kur Perëndia ia imponon.

29 Le ta vërë gojën e tij në pluhur, ndofta ka ende shpresë.

30 Le ti japë faqen atij që e godet, të ngopet me fyerje.

31 Sepse Zoti nuk hedh poshtë për gjithnjë;

32 por, në rast se të hidhëron, do ti vijë keq sipas shumicës së zemërmirësive të tij,

33 sepse nuk e bën me kënaqësi poshtërimin dhe hidhërimin e bijve të njerëzve.

1 Pjetrit 1:10-20

10 Për këtë shpëtim kërkuan dhe hetuan profetët që profetizuan nga hirin për ju,

11 duke kërkuar të njohin kohën dhe rrethanat që tregonte Fryma e Krishtit që ishte në ta, dhe që dëshmonte që më parë për vuajtjet që do të vinin mbi Krishtin dhe për lavditë që do të pasonin.

12 Dhe atyre iu zbulua se ata i administronin jo për vete, po për ne, ato gjëra që po ju rrëfehen tani nga ata që ju kanë predikuar ungjillin, me anë të Frymës së Shenjtë të dërguar nga qielli; gjëra të cilat engjëjt dëshirojnë t’i vëzhgojnë.

13 Prandaj, ngjeshni ijët e mendjes suaj, rrini zgjuar dhe mbani shpresë të plotë në hirin që do vijë mbi ju në zbulesën e Jezu Krishtit.

14 Si bij të bindur, mos iu përshtatni lakmive të mëparshme kur ishit në padijen tuaj,

15 por ashtu si është i shenjtë ai që ju thirri, të jini edhe ju të shenjtë në gjithë sjelljen tuaj,

16 sepse është shkruar: “Jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë.”

17 Dhe në qoftë se thërrisni si Atë atë që, pa favorizuar njeri, gjykon sipas veprës së gjithsecilit, kalojeni kohën e shtegtimit tuaj mbi dhe me frikë,

18 duke ditur se jo me anë gjërash që prishen, si argjendi ose ari, jeni shpenguar nga mënyra e kotë e të jetuarit të trashëguar nga etërit,

19 por nga gjaku i çmuar i Krishtit, si të Qengjit të patëmetë dhe të panjollë,

20 të paranjohur përpara krijimit të botës, por të shfaqur kohët e fundit për ju,

Gjoni 13:36-38

36 Simon Pjetri i tha: “Zot, ku po shkon?.” Jezusi iu përgjigj: “Atje ku po shkoj unë, ti nuk mund të më ndjekësh tani; por më vonë do të më ndjekësh.”

37 Pjetri i tha: “Zot, pse nuk të ndiqkam dot tani? Unë do të jap jetën time për ty!.”

38 Jezusi iu përgjigj: “Ti do ta japësh jetën tënde për mua? Në të vërtetë, në të vërtetë po të them: gjeli nuk do të këndojë, para se ti të më kesh mohuar tri herë!.”

Gjoni 19:38-42

38 Pas këtyre gjërave, Jozefi nga Arimatea, që ishte dishepull i Jezusit, por fshehtas nga druajtja e Judenjve, i kërkoi Pilatit që mund ta merrte trupin e Jezusit; dhe Pilati i dha leje. Atëherë ai erdhi dhe e mori trupin e Jezusit.

39 Por erdhi dhe Nikodemi, i cili më përpara kishte vajtur te Jezusi natën, duke sjellë një përzierje prej mirre dhe aloe, prej rreth njëqind librash.

40 Ata, pra, e morën trupin e Jezusit dhe e mbështollën në pëlhura liri me erëra të këndëshme, sipas zakonit të varrimit që ndiqnin Judenjtë.

41 Por në atë vend ku ai u kryqëzua ishte një kopsht, dhe në kopsht një varr i ri, në të cilën ende nuk ishte vënë askush.

42 Aty, pra, për shkak të Përgatitjes së Judenjve, e vunë Jezusin, sepse varri ishte afër.