Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 119:89-96

89 Gjithnjë, o Zot, fjala jote është e qëndrueshme në qiejtë.

90 Besnikëria jote vazhdon brez pas brezi; ti e ke vendosur tokën dhe ajo ekziston.

91 Qielli dhe toka ekzistojnë deri në ditën e sotme, sepse çdo gjë është në shërbimin tënd.

92 Në qoftë se ligji yt nuk do të kishte qenë kënaqësia ime, do të isha zhdukur në pikëllimin tim.

93 Nuk do t’i harroj kurrë urdhërimet e tua, sepse me anë të tyre ti më ke dhënë jetën.

94 Unë jam yti; shpëtomë, sepse kam kërkuar urdhërimet e tua.

95 Të pabesët më zënë pusi që unë të vdes, por unë do të mbështetem në parimet e tua.

96 Pashë caqet e çdo gjëje të përsour, por urdhërimi yt nuk ka asnjë cak.

Jeremia 36:27-32

27 Mbasi mbreti dogji rrotullën dhe fjalët që Baruku kishte shkruar nën diktimin e Jeremias, fjala e Zotit iu drejtua Jeremias, duke thënë:

28 "Merr përsëri një rrotull tjetër dhe shkruaj mbi të tërë fjalët e mëparshme, që ishin në rrotullën e parë të djegur nga Jehojakimi, mbreti i Judës.

29 Dhe Jehojakimit, mbretit të Judës, do t’i thuash: Kështu thotë Zoti: Ti ke djegur këtë rrotull, duke thënë: "Pse ke shkruar në të që mbreti i Babilonisë do të vijë me siguri dhe do ta shkatërrojë këtë vend, duke bërë të zhduken prej tij njerëz dhe kafshë?".

30 Prandaj kështu thotë Zoti për Jehojakimin, mbretin e Judës: Ai nuk do të ketë njeri që të ulet mbi fronin e Davidit dhe kufoma e tij do të hidhet jashtë dhe do të ekspozohet në vapën e ditës dhe në ngricën e natës.

31 Unë do ta dënoj atë, pasardhësit e tij dhe shërbëtorët e tij për paudhësinë e tyre dhe do të sjell mbi ta, mbi banorët e Jeruzalemit dhe mbi njerëzit e Judës tërë të keqen që kam shqiptuar kundër tyre, sepse nuk më dëgjuan".

32 Jeremia pra mori një rrotull tjetër dhe ia dha Barukut, birit të Neriahut, shkruesit, i cili shkroi mbi të, nën diktimin e Jeremias, të gjitha fjalët e librit që Jehojakimi, mbreti i Judës, kishte djegur në zjarr; u shtuan gjithashtu shumë fjalë të tjera të ngjashme me to.

Luka 4:38-44

38 Mbasi doli nga sinagoga, Jezusi hyri në shtëpinë e Simonit. Vjehrrën e Simonit e kishin zënë ethe të forta; dhe ata e lutën për të.

39 Ai u përkul mbi të, qortoi ethet dhe ato e lëshuan; dhe ajo u ngrit menjëherë dhe filloi t’u shërbejë.

40 Kur perëndoi dielli, të gjithë ata që kishin të sëmurë me sëmundje të ndryshme i prunë tek ai; dhe ai i shëroi duke vënë duart mbi secilin prej tyre.

41 Prej shumë vetëve dilnin demonë që bërtitnin dhe thoshnin: “Ti je Krishti, Biri i Perëndisë.” Por ai i qortonte dhe nuk i lejonte të flisnin, sepse ata e dinin se ai ishte Krishti.

42 Kur zbardhi drita ai doli dhe shkoi në një vend të pabanuar. Por turmat e kërkonin dhe e arritën; dhe e mbanin që të mos largohej prej tyre.

43 Por ai u tha atyre: “Më duhet ta shpall lajmin e mirë të mbretërisë së Perëndisë edhe në qytete të tjera, sepse për këtë jam dërguar.”

44 Dhe ai predikonte nëpër sinagoga të Galilesë.