Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 29

29 I jepni Zotit, o bij të të fuqishmëve, i jepni Zotit lavdi dhe forcë.

I jepni Zotit lavdinë që i përket emrit të tij; adhuroni Zotin në shkëlqimin e shenjtërisë së tij.

Zëri i Zotit është mbi ujërat; Perëndia i lavdisë gjëmon; Zoti është mbi ujërat e mëdha.

Zëri i Zotit është i fuqishëm, zëri i Zotit është i madhërishëm.

Zëri i Zotit thyen kedrat; po, Zoti thyen kedrat e Libanit;

i bën të hidhen si një viç, Libanin dhe Sirionin, si një buall i ri.

Zëri i Zotit çan flakët e zjarrit.

Zëri i Zotit e bën shkretëtirën të dridhet; Zoti bën që të dridhet shkretëtira e Kadeshit.

Zëri i Zotit bën që të lindin sutat dhe i lë pyjet pa gjethe; dhe në tempullin e tij çdo gjë thotë: "Lavdi!".

10 Zoti rrinte ulur në fron përmbi përmbytjen; po, Zoti rri ulur si mbret në përjetësi.

11 Zoti do t’i japë forcë popullit të tij; Zoti do të bekojë popullin e tij me paqe.

Predikuesi 2:1-11

Unë thashë në zemrën time: "Eja tani, dua të të vë në provë me gëzimin, dhe ti do të gëzosh ëndjen". Por ja, edhe kjo është kotësi.

Për të qeshurit kam thënë: "Éshtë një marrëzi, dhe për gëzimin: "Kujt i shërben?".

Kërkova në zemrën time si ta kënaq trupin tim me verë, duke e nxitur njëkohësisht zemrën time drejt diturisë dhe t’i qepet marrëzisë, deri sa të shoh cila është e mira që bijtë e njerëzve do të duhej të bënin nën qiell tërë ditët e jetës së tyre.

Kështu kreva punime të mëdha për vete; ndërtova shtëpi, mbolla vreshta,

bëra kopshte dhe parqe, duke mbjellë drurë frutorë të çdo lloji;

ndërtova pellgje për ujin me të cilat të mund të vadis pyllin që të rriten drurët.

Bleva shërbëtorë dhe shërbëtore dhe u bëra me shërbëtorë që lindën në shtëpi; pata pasuri të mëdha në kope me bagëti të trashë dhe të imët më tepër se ata që kishin qenë para meje në Jeruzalem.

Grumbullova për vete edhe argjend, ar dhe pasuritë e mbretërve dhe të krahinave; gjeta këngëtarë dhe këngëtare, kënaqësitë e bijve të njerëzve, dhe vegla muzikore të çdo lloji.

Kështu u bëra i madh dhe u begatova më tepër se ata që kishin qenë para meje në Jeruzalem; edhe dituria më mbeti mua.

10 Tërë ato që sytë e mi dëshironin, nuk ua mohova atyre; nuk i refuzova zemrës sime asnjë qejf, sepse zemra ime kënaqej me çdo punë timen; dhe ky ka qenë shpërblimi për çdo punë të bërë nga unë.

11 Pastaj u ktheva të shikoj tërë veprat që kishin bërë duart e mia dhe mundin tim për t’i kryer; dhe ja, të gjitha ishin kotësi dhe një kërkim për të kapur erën; nuk kishte asnjë përfitim nën diell.

1 e Korintasve 2:1-10

Edhe unë, o vëllezër, kur erdha te ju, nuk erdha me shkëlqim fjalësh a diturie, që t’ju shpall dëshminë e Perëndisë,

sepse e vendosa që të mos di tjetër gjë ndër ju, veç Jezu Krishtit edhe atë të kryqëzuar.

Edhe unë kam qenë te ju me dobësi, me frikë dhe drithërimë të madhe.

Dhe fjala ime dhe predikimi im nuk u bënë me fjalë mbushamendëse nga dituria njerëzore, por në dëftim të Frymës dhe të fuqisë,

që besimi juaj të mos qëndrojë mbi diturinë e njerëzve, po mbi fuqinë e Perëndisë.

Dhe ne flasim dituri në mes njerëzish të pjekur, por jo diturinë e kësaj kohe dhe as të pushtetarëve të kësaj kohe, që nuk arrin asgjë,

por flasim diturinë e Perëndisë të fshehur në mister, që Perëndia e kishte paracaktuar përpara kohërash për lavdinë tonë,

të cilën asnjë nga pushtetarët e kësaj kohe nuk e ka njohur; sepse, po ta kishin njohur, nuk do të kishin kryqëzuar Zotin e lavdisë.

Por, sikurse është shkruar: “Ato gjëra që syri nuk i ka parë dhe veshi nuk i ka dëgjuar dhe nuk kanë hyrë në zemër të njeriut, janë ato që Perëndia ka përgatitur për ata që e duan atë.”

10 Po Perëndia na i ka zbuluar me anë të Frymës së tij, sepse Fryma heton çdo gjë, edhe të thellat e Perëndisë.