Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
29 I jepni Zotit, o bij të të fuqishmëve, i jepni Zotit lavdi dhe forcë.
2 I jepni Zotit lavdinë që i përket emrit të tij; adhuroni Zotin në shkëlqimin e shenjtërisë së tij.
3 Zëri i Zotit është mbi ujërat; Perëndia i lavdisë gjëmon; Zoti është mbi ujërat e mëdha.
4 Zëri i Zotit është i fuqishëm, zëri i Zotit është i madhërishëm.
5 Zëri i Zotit thyen kedrat; po, Zoti thyen kedrat e Libanit;
6 i bën të hidhen si një viç, Libanin dhe Sirionin, si një buall i ri.
7 Zëri i Zotit çan flakët e zjarrit.
8 Zëri i Zotit e bën shkretëtirën të dridhet; Zoti bën që të dridhet shkretëtira e Kadeshit.
9 Zëri i Zotit bën që të lindin sutat dhe i lë pyjet pa gjethe; dhe në tempullin e tij çdo gjë thotë: "Lavdi!".
10 Zoti rrinte ulur në fron përmbi përmbytjen; po, Zoti rri ulur si mbret në përjetësi.
11 Zoti do t’i japë forcë popullit të tij; Zoti do të bekojë popullin e tij me paqe.
3 Çdo gjë ka stinën e vet, çdo situatë ka një kohë nën qiell;
2 një kohë për të lindur dhe një kohë për të vdekur, një kohë për të mbjellë dhe një kohë për të shkulur atë që është mbjellë,
3 një kohë për të vrarë dhe një kohë për të shëruar, një kohë për të shembur dhe një kohë për të ndërtuar,
4 një kohë për të qarë dhe një kohë për të qeshur, një kohë për të mbajtur zi dhe një kohë për të hedhur valle,
5 një kohë për të flakur gurët dhe një kohë për të mbledhur gurët, një kohë për të përqafuar dhe një kohë për të mos përqafuar,
6 një kohë për të kërkuar dhe një kohë për të humbur, një kohë për të ruajtur dhe një kohë për të hedhur tutje,
7 një kohë për të grisur dhe një kohë për të qepur, një kohë për të heshtur dhe një kohë për të folur,
8 një kohë për të dashuruar dhe një kohë për të urryer, një kohë për luftën dhe një kohë për paqen.
9 Çfarë përfitimi ka ai që punon nga të gjitha gjërat për të cilat mundohet?
10 Pashë punën që Perëndia u jep bijve të njerëzve, me qëllim që të mundohen.
11 Ai e ka bërë të bukur çdo gjë në kohën vet; ka vënë madje përjetësinë në zemrat e tyre, pa i dhënë mundësinë asnjë njeriu të zbulojë veprën që Perëndia ka bërë nga fillimi deri në fund.
12 Kështu kuptova që nuk ka gjë më të mirë se sa të gëzohesh dhe të bësh të mirë sa je gjallë;
13 dhe që çdo njeri që ha, pi dhe gëzon mirëqënie në gjithë mundin e tij, kjo është një dhuratë e Perëndisë.
14 E kuptova që tërë ato që bën Perëndia janë përjetë; nuk mund t’u shtosh dhe t’u heqësh asgjë; dhe Perëndia vepron kështu me qëllim që njerëzit të kenë frikë prej tij.
15 Ajo që është, ka qenë më parë; dhe ajo që do të vijë ka qenë më parë, dhe Perëndia heton atë që ka kaluar.
11 Sepse cili nga njerëzit, pra, njeh gjërat e njeriut, përveç se fryma e njeriut që është në të? Po kështu asnjëri s’i njeh gjërat e Perëndisë, përveç Fryma e Perëndisë.
12 Dhe ne nuk kemi marrë frymën e botës, por Frymën që vjen nga Perëndia, që të njohim gjërat që na janë dhuruar falas nga Perëndia.
13 Për këto edhe flasim, por jo me fjalë të mësuara nga dituria njerëzore, por të mësuara nga Fryma e Shenjtë, duke i krahasuar gjëra frymërore me fjalë frymërore.
14 Dhe njeriu natyror nuk i rrok gjërat që janë të Frymës së Shenjtë; sepse për të janë marrëzi dhe nuk mund t’i njohë; sepse ato gjykohen frymërisht.
15 Por njeriu që është frymëror gjykon çdo gjë dhe vetë nuk është i gjykuar nga asnjeri.
16 Sepse kush e ka njohur mendjen e Zotit që mund të mësojë atë? Por ne kemi mendjen e Krishtit.