Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
29 I jepni Zotit, o bij të të fuqishmëve, i jepni Zotit lavdi dhe forcë.
2 I jepni Zotit lavdinë që i përket emrit të tij; adhuroni Zotin në shkëlqimin e shenjtërisë së tij.
3 Zëri i Zotit është mbi ujërat; Perëndia i lavdisë gjëmon; Zoti është mbi ujërat e mëdha.
4 Zëri i Zotit është i fuqishëm, zëri i Zotit është i madhërishëm.
5 Zëri i Zotit thyen kedrat; po, Zoti thyen kedrat e Libanit;
6 i bën të hidhen si një viç, Libanin dhe Sirionin, si një buall i ri.
7 Zëri i Zotit çan flakët e zjarrit.
8 Zëri i Zotit e bën shkretëtirën të dridhet; Zoti bën që të dridhet shkretëtira e Kadeshit.
9 Zëri i Zotit bën që të lindin sutat dhe i lë pyjet pa gjethe; dhe në tempullin e tij çdo gjë thotë: "Lavdi!".
10 Zoti rrinte ulur në fron përmbi përmbytjen; po, Zoti rri ulur si mbret në përjetësi.
11 Zoti do t’i japë forcë popullit të tij; Zoti do të bekojë popullin e tij me paqe.
1 Fjalët e Predikuesit, e birit të Davidit, mbretit të Jeruzalemit.
2 "Kotësi e kotësive," thotë Predikuesi;
3 "Kotësi e kotësive; gjithçka është kotësi". Çfarë përfitimi ka njeriu nga gjithë mundi i tij, kur mundohet nën rrezet e diellit?
4 Një brez shkon, një brez vjen, por toka mbetet përjetë.
5 Edhe dielli lind e pastaj perëndon, dhe shpejtohet në drejtim të vendit nga del përsëri.
6 Era fryn në drejtim të jugut, pastaj kthehet nga veriu; kthehet dhe rikthehet vazhdimisht dhe bën po ato rrotullime.
7 Gjithë lumenjtë derdhen në det, por deti nuk mbushet kurrë; nga vendi prej të cilit lumenjtë vijnë, aty kthehen, përsëri.
8 Tërë gjërat kërkojnë mund, më tepër nga sa mund të thotë njeriu; syri nuk ngopet kurrë duke parë, po kështu veshi nuk ngopet kurrë duke dëgjuar.
9 Ajo që ka qenë është ajo që do të jetë; ajo që është bërë është ajo që do të bëhet; nuk ka asgjë të re nën diell.
10 A ka diçka për të cilën mund të thuhet: "Shiko, kjo është e re!". Kjo gjë ekzistonte që në shekujt që na kanë pararendur.
11 Nuk mbetet asnjë kujtim nga gjërat e kaluara, dhe kështu nuk do të mbetet asnjë kujtim nga gjërat që do të ndodhin midis atyre që do të vijnë më pas.
18 Sepse mesazhi i kryqit është marrëzi për ata që humbin, por për ne që shpëtohemi është fuqia e Perëndisë.
19 Sepse është shkruar: “Do të bëj të humbasë dituria e të diturve, dhe do ta asgjësoj zgjuarësinë e të zgjuarve.”
20 Ku është i dituri? Ku është skribi? Ku është debatuesi i kësaj epoke? A nuk e bëri të marrë Perëndia diturinë e kësaj bote?
21 Sepse, duke qenë se nëpërmjet diturisë së Perëndisë bota nuk e njohu Perëndinë me urtinë e vet, Perëndisë i pëlqeu të shpëtojë ata që besojnë nëpërmjet marrëzisë së predikimit,
22 sepse Judenjtë kërkojnë një shenjë dhe Grekët kërkojnë dituri,
23 por ne predikojmë Krishtin të kryqëzuar, skandal për Judenjtë dhe marrëzi për Grekët,
24 kurse për ata që janë të thirrur, qofshin Judenj ose Grekë, predikojmë Krishtin, fuqia e Perëndisë dhe diturinë e Perëndisë;
25 sepse marrëzia e Perëndisë është më e ditur se njerëzit dhe dobësia e Perëndisë më e fortë se njerëzit.
26 Shikoni në fakt thirrjen tuaj, vëllezër, sepse ndër ju ka jo shumë të ditur sipas mishit, jo shumë të fuqishëm, jo shumë fisnikë,
27 por Perëndia ka zgjedhur gjërat e marra të botës për të turpëruar të urtët; dhe Perëndia ka zgjedhur gjërat e dobëta të botës për të turpëruar të fortët;
28 dhe Perëndia ka zgjedhur gjërat jo fisnike të botës dhe gjërat e përçmuara, edhe gjërat që nuk janë, për të asgjësuar ato që janë,
29 që asnjë mish të mos mburret përpara tij.
30 Por prej tij ju jeni në Krishtin Jezus, i cili nga Perëndia u bë për ne dituri, drejtësi, shenjtërim dhe shpengim,
31 që, sikurse është shkruar: “Ai që mburret, le të mburret në Zotin.”