Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
5 O Zot, mirësia jote arrin deri në qiell dhe besnikëria jote deri te retë.
6 Drejtësia jote është si malet e Perëndisë, dhe gjykimet e tua janë si një humnerë e madhe. O Zot, ti ruan njerëz dhe kafshë.
7 O Perëndi, sa e çmuar është mirësia jote! Prandaj bijtë e njerëzve gjejnë strehë nën hijen e krahëve të tu;
8 ata ngopen me bollëkun e shtëpisë sate, dhe ti u heq etjen në përroin e kënaqësive të tua.
9 Sepse pranë teje është burimi i jetës, dhe me anë të dritës sate ne shohim dritën.
10 Zgjate mirësinë tënde ndaj atyre që të njohin dhe drejtësinë tënde ndaj atyre që janë të drejtë nga zemra.
4 "O Izrael, në rast se kthehesh," thotë Zoti, "duhet të kthehesh tek unë". Në rast se ti heq nga prania ime gjërat e tua të neveritshme dhe nuk sillesh më duke u endur
2 dhe betohesh: "Zoti rron," me vërtetësi, me ndershmëri dhe me drejtësi, atëherë kombet do të jenë të bekuara.
3 Sepse kështu u thotë Zoti atyre të Judës dhe të Jeruzalemit: "Lëroni arën tuaj të djerrë dhe mos mbillni midis ferrave.
4 Rrethprituni për Zotin dhe hiqni lafshën e zemrave tuaja, o njerëz të Judës dhe banorë të Jeruzalemit, me qëllim që zemërimi im të mos shpërthejë si zjarr dhe të mos djegë në mënyrë që askush të mos mund ta shuajë për shkak të ligësisë së veprimeve tuaja!".
14 Dhe Jezusi po dëbonte një demon që ishte memec; dhe ndodhi që, kur demoni doli, memeci foli dhe turmat u mrekulluan.
15 Por disa nga ata thanë: “Ai i dëbon demonët nëpërmjet Beelzebubit, princit të demonëve.”
16 Kurse disa nga ata, për ta vënë në provë, kërkonin prej tij një shenjë nga qielli.
17 Por ai, duke i njohur mendimet e tyre, u tha atyre: “Çdo mbretëri, e përçarë në vetvete shkatërrohet, dhe çdo shtëpi e përçarë në vetvete rrëzohet.
18 Po të jetë, pra, edhe Satanai i përçarë në vetvete, si do të mund të qëndrojë mbretëria e tij? Sepse ju thoni se unë i dëboj demonët nëpërmjet Beelzebubit.
19 Por, nëse unë i dëbokam demonët nëpërmjet Beelzebubit, nëpërmjet kujt i dëbojnë ata bijtë tuaj? Prandaj ata do të jenë gjykatësit tuaj.
20 Por në se unë i dëboj demonët me gishtin e Perëndisë, mbretëria e Perëndisë, pra ka arritur deri te ju.
21 Kur burri i fortë, i armatosur mirë, e ruan shtëpinë e vet, pasuria e tij është në paqe.
22 Por në qoftë se vjen një më i fortë se ai dhe e mund atë, ia merr armët në të cilat kishte shpresë dhe i ndan plaçkat e tij.
23 Kush nuk është me mua, është kundër meje dhe kush nuk mbledh me mua, shpërndan.