Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 28

28 Ty të këlthas, o Zot, o kështjella ime; mos rri në heshtje, sepse po të mos flasësh ti, unë bëhem njëlloj si ata që zbresin në gropë.

Dëgjo zërin e lutjeve të mia kur të këlthas ty për ndihmë, kur ngre duart në drejtim të vendit tënd shumë të shenjtë.

Mos më tërhiq bashkë me të pabesët dhe ata që kryejnë paudhësi, të cilët flasin për paqe me të afërmit e tyre, por kanë shpirtligësi në zemër.

Jepu atyre sipas veprave që kanë kryer dhe sipas ligësisë së veprimeve të tyre; jepu atyre sipas veprës së duarve të tyre; jepu atyre hakun që meritojnë.

Duke qenë se ata nuk i çmojnë veprat e Zotit dhe atë që duart e tij kanë bërë, ai do t’i mposhtë dhe nuk do t’i lërë të begatohen.

I bekuar qoftë Zoti, sepse ka dëgjuar zërin e lutjeve të mia.

Zoti është forca ime dhe mburoja ime; zemra ime ka pasur besim tek ai dhe unë u ndihmova; prandaj zemra ime ngazëllen dhe unë do ta kremtoj këtë me këngën time.

Zoti është forca e popullit të tij, dhe streha e shpëtimit për të vajosurin e tij.

Shpëto popullin tënd dhe beko trashëgiminë tënde; ushqeji dhe përkrahi përjetë.

Ezekieli 14:12-23

12 Fjala e Zotit mu drejtua akoma, duke thënë:

13 "Bir njeriu, në qoftë se një vend mëkaton kundër meje duke qenë vazhdimisht i pabesë, unë do të shtrij dorën time kundër tij, do t’i ndërpres përkrahjen e bukës, do t’i dërgoj kundra urinë dhe do të shfaros njerëzit dhe kafshët.

14 Edhe sikur në mes tyre të ishin këta tre burra, Noeu, Danieli dhe Jobi, për shkak të drejtësisë së tyre do të shpëtonin vetëm veten e tyre," thotë Zoti, Zoti.

15 "Por në rast se do të bëja që nëpër këtë vend të kalonin kafshë të egra që ta shpopullonin dhe ai të bëhej një shkreti ku askush nuk do të kalonte për shkak të këtyre kafshëve,

16 edhe sikur në mes tyre të ishin ata tre burra, ashtu siç është e vërtetë që unë rroj," thotë Zoti, Zoti, "ata nuk do të shpëtonin as bijtë as bijat; do të shpëtonin vetëm veten e tyre, por vendi do të ishte një shkreti.

17 Ose sikur të sillja shpatën kundër këtij vendi dhe të thoja: "Le të kalojë shpata nëpër vend," dhe të shfaroste njerëz dhe kafshë,

18 edhe sikur në mes tyre të ishin ata tre burra, ashtu siç është e vërtetë që unë rroj," thotë Zoti, Zoti, "ata nuk do të shpëtonin as bijtë, as bijat e tyre, por vetëm veten e tyre.

19 Ose sikur të dërgoja kundër atij vendi murtajën dhe të derdhja mbi të zemërimin tim duke bërë kërdinë dhe duke shfarosur njerëz dhe kafshë,

20 edhe sikur në mes tyre të ishin Noeu, Danieli dhe Jobi, ashtu siç është e vërtetë që unë rroj," thotë Zoti, Zoti "ata nuk do të shpëtonin as bijtë as bijat, për drejtësinë e tyre do të shpëtonin vetëm veten e tyre".

21 Sepse kështu thotë Zoti, Zoti: "E njëjta gjë do të ndodhë kur të dërgoj kundër Jeruzalemit katër gjykatësit e mi të tmerrshëm, shpatën, urinë, kafshët e egra dhe murtajën për të shfarosur njerëz dhe kafshë.

22 Por ja, do të lihet një mbeturinë që do të çohet jashtë, bij dhe bija; ata do të vijnë tek ju dhe ju do të shikoni sjelljen e tyre dhe veprimet e tyre. Atëherë do të ngushëlloheni nga e keqja që solla mbi Jeruzalemin, për të gjitha ato që solla mbi të.

23 Ata do t’ju ngushëllojnë kur do të shikoni sjelljen e tyre dhe veprimet e tyre. Kështu do të pranoni që jo pa të drejtë bëra atë që bëra në mes të tij," thotë Zoti, Zoti.

Mateu 20:29-34

29 Kur po dilnin nga Jeriko, një turmë e madhe e ndoqi.

30 Dhe ja, dy të verbër që uleshin gjatë rrugës, kur dëgjuan se po kalonte Jezusi, filluan të bërtasin duke thënë: “Ki mëshirë për ne, Zot, Biri i Davidit.”

31 Por turma i qortoi që të heshtnin; por ata bërtisnin edhe më fort duke thënë: “Ki mëshirë për ne, Zot, Biri i Davidit!.”

32 Atëherë Jezusi ndaloi, i thirri dhe tha: “Çfarë doni të bëj për ju?.”

33 Ata i thanë: “Zot, të na hapen sytë!.”

34 Dhe Jezusi pati mëshirë për ta dhe ua preku sytë e tyre; dhe në atë çast u erdhi drita e syve dhe ata e ndiqnin.