Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
28 Ty të këlthas, o Zot, o kështjella ime; mos rri në heshtje, sepse po të mos flasësh ti, unë bëhem njëlloj si ata që zbresin në gropë.
2 Dëgjo zërin e lutjeve të mia kur të këlthas ty për ndihmë, kur ngre duart në drejtim të vendit tënd shumë të shenjtë.
3 Mos më tërhiq bashkë me të pabesët dhe ata që kryejnë paudhësi, të cilët flasin për paqe me të afërmit e tyre, por kanë shpirtligësi në zemër.
4 Jepu atyre sipas veprave që kanë kryer dhe sipas ligësisë së veprimeve të tyre; jepu atyre sipas veprës së duarve të tyre; jepu atyre hakun që meritojnë.
5 Duke qenë se ata nuk i çmojnë veprat e Zotit dhe atë që duart e tij kanë bërë, ai do t’i mposhtë dhe nuk do t’i lërë të begatohen.
6 I bekuar qoftë Zoti, sepse ka dëgjuar zërin e lutjeve të mia.
7 Zoti është forca ime dhe mburoja ime; zemra ime ka pasur besim tek ai dhe unë u ndihmova; prandaj zemra ime ngazëllen dhe unë do ta kremtoj këtë me këngën time.
8 Zoti është forca e popullit të tij, dhe streha e shpëtimit për të vajosurin e tij.
9 Shpëto popullin tënd dhe beko trashëgiminë tënde; ushqeji dhe përkrahi përjetë.
9 Prandaj ndershmëria është larg nesh dhe drejtësia nuk arrin deri te ne; prisnim dritën, por ja që erdhi errësira, prisnim shkëlqimin, por ja që ecim në errësirë.
10 Prekim murin si të verbërit, ecim verbazi sikur të ishim pa sy; pengohemi në mesditë sikur të ishte mugëtirë; në vende të shkretuara jemi si të vdekur.
11 Ne të gjithë ulërijmë si arinj dhe vazhdojmë të rënkojmë si pëllumbesha, presim të vijë ndershmëria, por ajo nuk vjen; shpëtimin, por ai është larg nesh.
12 Sepse shkeljet tona janë shumuar para teje dhe mëkatet tona dëshmojnë kundër nesh, sepse shkeljet tona na rrinë përpara dhe fajet tona i njohim:
13 duke u rebeluar dhe duke mohuar Zotin, duke mos e ndjekur më Perëndinë tonë, duke folur për shtypje dhe kryengritje, duke i dhënë dhe duke murmuritur në zemër fjalë të rreme.
14 Ndershmëria është larguar dhe drejtësia ka mbetur larg, sepse e vërteta nuk ndodhet më në shesh dhe paanësia nuk mund të hyjë në të.
15 Kështu e vërteta është zhdukur, dhe ai që tërhiqet nga e keqja bëhet një pre e lehtë. Zoti e pa këtë dhe i erdhi keq që nuk ka më ndershmëri.
16 Ai e pa që nuk kishte më asnjë dhe u habit që askush nuk ndërhynte; atëherë i erdhi në ndihmë krahu i tij dhe drejtësia e tij e ka mbajtur,
17 ai u veshi me drejtësinë si me një parzmore dhe vuri mbi kryet e tij përkrenaren e shpëtimit, veshi rrobat e hakmarrjes dhe u mbulua me xhelozi si me një mantel.
18 Ai do t’i japë secilit sipas veprave të tij; tërbimin kundërshtarëve të tij, shpagimin armiqve të tij; ishujve do t’u japë shpërblim të plotë.
19 Kështu do të kenë frikë nga emri i Zotit ata nga perëndimi prej lavdisë së tij ata nga lindja; kur kundërshtari do të vijë si një lum i furishëm, Fryma e Zotit do të lartojë kundër tij një flamur.
2 Hiqni tej, pra, çdo ligësi dhe çdo mashtrim, hipokrizitë, smirat dhe çdo shpifje,
2 posi foshnja të sapolindura, të dëshironi fort qumështin e pastër të fjalës, që të rriteni me anë të tij,
3 nëse e keni shijuar se Zoti është i mirë.
4 Duke iu afruar atij, si te guri i gjallë, i flakur tej nga njerëzit, por i zgjedhur dhe i çmuar përpara Perëndisë,
5 edhe ju, si gurë të gjallë, ndërtoheni për të qenë një shtëpi frymërore, një priftëri e shenjtë, për të ofruar flijime frymërore, që i pëlqejnë Perëndisë me anë të Jezu Krishtit.
6 Sepse në Shkrimet lexohet: “Ja, unë po vë në Sion një gur çipi, të zgjedhur, dhe ai që beson në të nuk do të turpërohet aspak.”
7 Sepse për ju që besoni ai është i çmuar, po për ata të pabindurit: “Guri, që u hoq mënjanë nga ndërtuesit, u bë guri i qoshes, gur pengese dhe shkëmb skandali që i bën të rrëzohen.”
8 Duke qenë të pabindur, ata pengohen në fjalë, dhe për këtë ata ishin të caktuar.
9 Por ju jeni fis i zgjedhur, priftëri mbretërore, një komb i shenjtë, një popull i fituar, që të shpallni mrekullitë e atij që ju thirri nga terri në dritën e tij të mrekullueshme;
10 ju, që dikur nuk ishit një popull, kurse tani jeni populli i Perëndisë; ju, dikur të pamëshiruar, por tani të mëshiruar.