Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Jobi 1:1

Në vendin e Uzit ishte një njeri i quajtur Job. Ky njeri ishte i ndershëm dhe i drejtë, kishte frikë nga Perëndia dhe i largohej së keqes.

Jobi 2:1-10

Një ditë ndodhi që bijtë e Perëndisë shkuan të paraqiten përpara Zotit, dhe midis tyre shkoi edhe Satanai për t’u paraqitur përpara Zotit.

Zoti i tha Satanait: "Nga vjen?". Satanai iu përgjigj Zotit: "Nga ecejaket mbi dheun duke e përshkuar lart e poshtë". Zoti i tha Satanait:

"A e vure re shërbëtorin tim Job? Sepse mbi dhe nuk ka asnjë tjetër si ai që të jetë i ndershëm, i drejtë, të ketë frikë nga Perëndia dhe t’i largohet së keqes. Ai qëndron i patundur në ndershmërinë e tij, megjithëse ti më ke nxitur kundër tij për ta shkatërruar pa asnjë shkak".

Atëherë Satanai iu përgjigj Zotit dhe tha: "Lëkurë për lëkurë! Gjithçka që zotëron, njeriu është gati ta japë për jetën e tij.

Por shtrije dorën tënde dhe preki kockat e tij dhe mishin e tij dhe ke për të parë po nuk të mallkoi haptazi".

Zoti i tha Satanait: "Ja ai, është në pushtetin tënd, por mos ia merr jetën".

Kështu Satanai u largua nga prania e Zotit dhe e goditi Jobin me një ulcerë të keqe nga majat e këmbëve deri në pjesën e sipërme të kokës.

Jobi mori një copë balte për t’u kruar dhe rrinte ulur në mes të hirit.

Atëherë gruaja e tij i tha: "Qëndron ende në ndershmërinë tënde? Mallko Perëndinë dhe vdis!".

10 Por ai i tha asaj: "Ti flet si një grua pa mend. Në rast se pranojmë të mirën nga Perëndia, pse nuk duhet të pranojmë edhe të keqen?". Në të gjitha këto Jobi nuk mëkatoi me buzët e tij.

Psalmet 26

26 Siguromë drejtësi, o Zot, sepse kam ecur në ndershmërinë time dhe kam pasur besim te Zoti pa u lëkundur.

Më heto, o Zot, dhe më vër në provë; pastro me zjarr trurin dhe zemrën time.

Sepse mirësia jote më rri përpara syve dhe unë po eci në vërtetësinë tënde.

Nuk ulem me njerëz gënjeshtarë dhe nuk shoqërohem me njerëz hipokritë.

Unë urrej tubimin e njerëzve të këqij dhe nuk bashkohem me të pabesët.

Unë i laj duart e mia në çiltërsi dhe i shkoi rrotull altarit tënd, o Zot,

për të shpallur me zë të lartë lavdinë tënde dhe për të treguar tërë mrekullitë e tua.

O Zot, unë e dua selinë e shtëpisë sate dhe vendin ku qëndron lavdia jote.

Mos e vër shpirtin tim bashkë me atë të mëkatarëve dhe mos më bashko me njerëzit gjakatarë,

10 sepse ata kanë në duart e tyre plane të këqija dhe dora e tyre e djathtë është plot dhurata.

11 Por unë do të eci në ndershmërinë time; më shpengo dhe ki mëshirë për mua.

12 Këmba ime është e qëndrueshme në vënd të sheshtë. Në kuvende unë do të bekoj Zotin.

Hebrenjve 1:1-4

Perëndia, mbasi u foli së lashti shumë herë dhe në shumë mënyra etërve me anë të profetëve,

së fundi, këto ditë na ka folur me anë të Birit, të cilin e bëri trashëgimtar të të gjitha gjërave, me anë të të cilit e krijoi dhe gjithësinë.

Ai, duke qenë shkëlqimi i lavdisë së tij dhe vula e qenies së tij dhe duke i mbajtur të gjitha me fjalën e fuqisë së tij, mbasi e bëri vetë pastrimin nga mëkatet tona, u ul në të djathtën e Madhërisë në vendet e larta,

edhe u bë aq më i lartë nga engjëjt, sa më të madhërueshëm se ata është emri që ai e trashëgoi.

Hebrenjve 2:5-12

Sepse Perëndia nuk e vuri nën pushtet të engjëjve botën që ka për të ardhur, për të cilin po flasim,

por dikush dëshmoi diku duke thënë: “Ç’është njeriu, që të bie ndërmend për të? Ose i biri i njeriut që të kujdesesh për të?

Ti e bëre për pak kohë më të vogël nga engjëjt, ti e kurorëzove me lavdi dhe me nder dhe e vure përmbi veprat e duarve të tua;

Ti i vure të gjitha nën këmbët e tij.” Sepse, mbasi i vuri të gjitha nën pushtetin e tij, nuk la asgjë pa iu nënshtruar. Por tani nuk shohim ende që të gjitha janë nën pushtetin e tij,

por shohim Jezusin të kurorëzuar me lavdi dhe me nder për vdekjen që pësoi; ai u bë për pak kohë më i vogël se engjëjt, që me hirin e Perëndisë të provonte vdekjen për të gjithë njerëzit.

10 Sepse i duhej atij, për të cilin dhe nëpërmjet të cilit janë të gjitha, duke çuar shumë bij në lavdi, ta bënte të përsosur me anë të vuajtjeve realizuesin e shpëtimit të tyre.

11 Sepse ai që shenjtëron dhe ata që shenjtërohen janë të gjithë prej një; prandaj as nuk turpërohet t’i quajë vëllezër,

12 duke thënë: “Vëllezërve të mi do t’ua shpall emrin tënd, do të të lavdëroj në mes të kishës.”

Marku 10:2-16

Dhe farisenjtë, për ta vënë në provë, e pyetën: “A është e ligjshme që burri ta lë gruan?.”

Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: “Çfarë ju ka urdhëruar Moisiu?.”

Ata thanë: “Moisiu ka lejuar të shkruhet letra e shkurorëzimit dhe ta lësh gruan.”

Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, u tha atyre: “Për shkak të ngurtësisë së zemrës suaj ai e shkroi atë rregull;

por në fillim të krijimit, Perëndia i bëri mashkull e femër.

Për këtë arsye njeriu do ta braktisë babanë e tij dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij;

dhe të dy do të jenë një mish i vetëm; kështu nuk janë më dy, por një mish i vetëm.

Prandaj njeriu të mos ndajë atë që Perëndia e ka bashkuar!.”

10 Dhe në shtëpi dishepujt e vet e pyetën përsëri për këtë çështje.

11 Atëherë ai u tha atyre: “Ai që lë gruan e vet dhe martohet me një tjetër, shkel kurorën me të.

12 Po ashtu, nëse gruaja lë burrin e vet dhe martohet me një tjetër, shkel kurorën.

13 Atëherë i prunë disa fëmijë të vegjël që ai t’i prekte ata; por dishepujt i qortonin ata që i prunë.

14 Kur Jezusi e pa këtë, i indinjuar, u tha atyre: “I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë dhe mos i pengoni, sepse e tyre është mbretëria e Perëndisë.

15 Në të vërtetë po ju them se kushdo që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë i vogël, nuk do të hyjë në të.”

16 Dhe, si i mori në krahë, i bekoi duke vënë duart mbi ta.