Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Jobi 42:1-6

42 Atëherë Jobi iu përgjigj Zotit dhe tha:

"E pranoj që mund të bësh gjithçka, dhe që asnjë nga planet e tua nuk mund të pengohet.

Kush është ai që, pa pasur gjykim, errëson mendjen tënde? Prandaj thashë gjëra që nuk i kuptoja, gjëra shumë të larta për mua që nuk i njihja.

Dëgjomë, pra, dhe unë do të flas; unë do të të bëj pyetje dhe ti do të më përgjigjesh.

Veshi im kishte dëgjuar të flitej për ty por tani syri im të sheh.

Prandaj ndjej neveri ndaj vetes dhe pendohem mbi pluhurin dhe hirin".

Jobi 42:10-17

10 Mbasi Jobi u lut për miqtë e tij, Zoti e ktheu në gjendjen e mëparshme; kështu Zoti i dha Jobit dyfishin e tërë atyre që kishte zotëruar.

11 Tërë vëllezërit e tij, tërë motrat e tij dhe tërë të njohurit e tij të mëparshëm erdhën ta takonin; hëngrën bashkë me të në shtëpinë e tij; i dhanë zemër dhe e ngushëlluan për të gjitha fatkeqësitë që Zoti kishte dërguar mbi të; pastaj secili prej tyre i dha një monedhë argjendi dhe një unazë ari.

12 Zoti i bekoi vitet e fundit të Jobit më tepër se vitet e para, sepse ai pati katërmbëdhjetë mijë dele, gjashtë mijë deve, një mijë pendë qe dhe një mijë gomarë.

13 Pati gjithashtu shtatë bij dhe tri bija;

14 e quajti të parën Jemimah, të dytën Ketsiah dhe të tretën Keren-Hapuk.

15 Në tërë vendin nuk kishte gra aq të bukura sa bijat e Jobit; dhe i ati u la atyre një trashëgimi midis vëllezërve të tyre.

16 Mbas kësaj Jobi jetoi njëqind e dyzet vjet dhe i pa bijtë e tij dhe bijtë e bijve të tij për katër breza.

17 Pastaj Jobi vdiq plak dhe i ngopur me ditë.

Psalmet 34:1-8

34 Unë do ta bekoj Zotin në çdo kohë; lëvdimi i tij do të jetë gjithnjë në gojën time.

Shpirti im do të krenohet me Zotin; njerëzit e përulur do ta dëgjojnë dhe do të gëzohen.

Lartojeni Zotin bashkë me mua, dhe të lëvdojnë të gjithë emrin e tij.

Unë e kërkova Zotin, dhe ai m’u përgjigj dhe më çliroi nga të gjitha tmerret e mia.

Ata e shikuan atë dhe u ndriçuan, dhe fytyrat e tyre nuk u turpëruan.

Ky i pikëlluar klithi dhe Zoti e plotësoi, e shpëtoi nga të gjitha fatkeqësitë e tij.

Engjëlli i Zotit zë vend rreth atyre që kanë frikë prej tij dhe i çliron.

Provojeni dhe shihni sa i mirë është Zoti; lum ai njeri që gjen strehë tek ai.

Psalmet 34:19-22

19 Të shumta janë vuajtjet e njeriut të drejtë, por Zoti e çliron nga të gjitha.

20 Ai i ruan tërë kockat e tij, dhe asnjë prej tyre nuk copëtohet.

21 Ligësia do të vrasë të keqin, dhe ata që urrejnë të drejtin do të shkatërrohen.

22 Zoti shpengon jetën e shërbëtorëve të tij, dhe asnjë nga ata që gjejnë strehë te ai nuk do të shkatërrohet.

Hebrenjve 7:23-28

23 Për më tepër ata qenë bërë priftërinj në numër të madh, sepse vdekja nuk i linte të qëndronin për gjithnjë,

24 kurse ai, mbasi qëndron për jetë të jetës, ka priftëri të patjetërsueshme,

25 prandaj edhe mund të shpëtojë plotësisht ata që me anë të tij i afrohen Perëndisë, sepse gjithmonë rron që të ndërmjetësojë për ta.

26 Sepse ne një kryeprift i tillë na duhej, i shenjtë, i pafaj, i papërlyer, i ndarë nga mëkatarët dhe i ngritur përmbi qiej,

27 i cili nuk ka nevojë çdo ditë, si ata kryepriftërinjtë, të ofrojë flijime më parë për mëkatet e veta e pastaj për ato të popullit; sepse këtë e bëri një herë e mirë, kur e kushtoi vetveten.

28 Sepse ligji vë kryepriftërinj njerëz që kanë dobësi, por fjala e betimit, që vjen pas ligjit, vë Birin që është i përkryer në jetë të jetës.

Marku 10:46-52

46 Kështu arritën në Jeriko. Kur ai po dilte nga Jeriko me dishepujt e tij dhe me një turmë të madhe, biri i Timoteut, Bartimeu i verbër, ishte ulur gjatë rrugës dhe lypte.

47 Kur dëgjoi se ai që po kalonte ishte Jezusi Nazareas, filloi të bërtasë dhe të thotë: “Jezus, Bir i Davidit, ki mëshirë për mua!.”

48 Shumë e qortonin që të heshte, por ai bërtiste edhe më fort: “Bir i Davidit, ki mëshirë për mua!.”

49 Dhe Jezusi qëndroi dhe urdhëroi që ta thërrasin. Ata e thirrën, pra, të verbërin duke i thënë: “Merr zemër, çohu, ai po të thërret!.”

50 Atëherë ai hodhi tej rrobën e tij, u ngrit dhe erdhi te Jezusi.

51 Dhe Jezusi mori fjalën dhe i tha: “Çfarë do që unë të të bëj?.” I verbëri i tha: “Rabboni, që të më kthehet të parit!.”

52 Dhe Jezusi i tha: “Shko, besimi yt të shëroi.” Dhe në çast atij iu kthye të parit dhe nisi të ndjekë Jezusin në udhë.