Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
148 Aleluja. Lëvdoni Zotin nga qiejtë, lëvdojeni në vendet shumë të larta.
2 Lëvdojeni, ju të gjithë engjëjt e tij, lëvdojeni ju mbarë ushtritë e tij.
3 Lëvdojeni, o diell dhe hënë, lëvdojeni, ju mbarë yje të ndritshme.
4 Lëvdojeni, ju qiej të qiejve, dhe ju ujëra përmbi qiejtë.
5 Tërë këto gjëra le të lëvdojnë emrin e Zotit, sepse ai dha urdhër dhe ato u krijuan.
6 Ai i ka vendosur përjetë, në përjetësi; por ka bërë një statut që nuk do të kalojë kurrë.
7 Lëvdojeni Zotin nga toka, ju përbindësh të detit dhe mbarë oqeane,
8 zjarr dhe breshër, borë dhe re, ajër i shtrëngatës që zbaton urdhërat e tij,
9 mbarë male dhe kodra, mbarë dru frutorë dhe kedra;
10 ju mbarë kafshë të egra dhe shtëpiake, rrëshqanorë dhe zogj me krahë;
11 ju mbretër të dheut dhe mbarë popuj, princa dhe gjyqtarë të tokës;
12 të rinj dhe vajza, pleq dhe fëmijë.
13 Le të lëvdojnë emrin e Zotit, sepse vetëm emri i tij përlëvdohet. Lavdia e tij qëndron përmbi tokën dhe qiejtë.
14 Ai e ka rritur forcën e popullit të tij, një arsye kjo lëvdimi për të gjithë shenjtorët e tij, për bijtë e Izraelit, një popull i afërt për të. Aleluja.
26 Në fillim të mbretërimit të Jehojakimit, birit të Josias, mbret i Judës, nga Zoti iu drejtua kjo fjalë duke thënë:
2 "Kështu thotë Zoti: Paraqitu në oborrin e shtëpisë të Zotit dhe u thuaj tërë qyteteve të Judës që vijnë për të adhuruar në shtëpinë e Zotit, të gjitha fjalët që të kam porositur t’u thuash atyre; mos lër as edhe një fjalë.
3 Ndofta do të dëgjojnë dhe secili do të largohet nga rruga e tij e keqe, dhe unë do të pendohem për të keqen që mendoj t’u shkaktoj atyre për ligësinë e veprimeve të tyre.
4 Ti do t’u thuash atyre: Kështu thotë Zoti: Në rast se nuk dëgjoni duke ecur sipas ligjit tim që kam vënë para jush
5 dhe duke u kushtuar kujdes fjalëve të shërbëtorëve të mi, të profetëve, që ju kam dërguar me urgjencë dhe këmbëngulje (por që ju nuk i keni dëgjuar),
6 unë do ta bëj këtë tempull si Shilohun dhe do ta kthej këtë qytet në një mallkim për të gjitha kombet e tokës".
7 Kështu priftërinjtë, profetët dhe tërë populli dëgjuan Jeremian që shqiptonte këto fjalë në shtëpinë e Zotit.
8 Dhe ndodhi që, sapo Jeremia mbaroi së shqiptuari tërë ato që Zoti i kishte urdhëruar t’i thoshte gjithë popullit, priftërinjtë, profetët dhe tërë populli e kapën dhe i thanë: "Ti duhet të vdesësh!
9 Pse ke profetizuar në emër të Zotit, duke thënë: "Ky tempull do të jetë si Shilohu dhe ky qytet do të shkatërrohet dhe do të jetë pa banorë"?". Tërë populli u mblodh kundër Jeremias në shtëpinë e Zotit.
12 Atëherë Jeremia u foli tërë princave dhe të gjithë popullit, duke thënë: "Zoti më ka dërguar të profetizoj kundër kësaj shtëpie dhe kundër këtij qyteti tërë gjërat që keni dëgjuar.
13 Prandaj korrigjoni tani rrugët dhe veprimet tuaja dhe dëgjoni zërin e Zotit, Perëndisë tuaj, dhe Zoti do të pendohet për të keqen që ka shqiptuar kundër jush.
14 Sa për mua, unë jam në duart tuaja; veproni me mua ashtu siç ju duket e mirë dhe e drejtë.
15 Por dijeni me siguri që, në qoftë se më bëni të vdes, do të tërhiqni gjak të pafajmë mbi vete, mbi këtë qytet dhe mbi banorët e tij, sepse Zoti më ka dërguar me të vërtetë pranë jush, që t’u deklaroj veshëve tuaj tërë këto fjalë".
8 Dhe Stefani, plot besim dhe fuqi, bënte mrekulli dhe shenja të mëdha nëpër popull.
9 Dhe disa nga sinagoga, që quhej e Libertinëve, të Kirenarëve, të Aleksandrinëve dhe të atyre të Kilikisë dhe të Azisë u ngritën që të grindeshin me Stefanin;
10 por nuk mund t’i bënin ballë urtësisë dhe frymës me anë të së cilës ai fliste.
11 Atëherë nxitën disa njerëz të thoshnin: “Ne e kemi dëgjuar duke folur fjalë blasfemie kundër Moisiut dhe kundër Perëndisë.”
12 Edhe e ngacmuan popullin, pleqtë dhe skribët; dhe, iu sulën, e kapën dhe e çuan te sinedri.
13 Pastaj paraqitën dëshmitarë të rremë që thoshnin: “Ky njeri nuk pushon së foluri fjalë blasfemie kundër këtij vendi të shenjtë dhe kundër ligjit.
14 E kemi dëgjuar, në fakt, duke thënë se ky Jezusi, Nazareasi, do ta rrënojë këtë vend dhe do të ndryshojë ritet që na ka dhënë Moisiu.”
15 Dhe të gjithë ata që rrinin në sinedër i ngulën sytë në të, dhe panë fytyrën e tij posi fytyra e një engjëlli.
51 O njerëz qafëfortë dhe me zemër e veshë të parrethprerë, ju gjithnjë e kundërshtoni Frymën e Shenjtë; ashtu siç bënin etërit tuaj, ashtu bëni edhe ju.
52 Cilin nga profetët nuk e përndoqën etërit tuaj? Ata vranë edhe ata që paralajmeronin ardhjen e të Drejtit, për të cilin tani ju jeni bërë tradhtarë dhe vrasës;
53 ju, që e morët ligjin të shpallur nga engjëjt dhe nuk e keni respektuar!.”
54 Kur i dëgjuan këto fjalë, ata thereshin në zemër të tyre dhe kërcëllonin dhëmbët kundër tij.
55 Por ai, mbushur me Frymë të Shenjtë, i nguli sytë nga qielli, pa lavdinë e Perëndisë dhe Jezusin që rrinte në këmbë në të djathtën e Perëndisë,
56 dhe tha: “Ja, unë po shoh qiejt e hapur dhe Birin e njeriut që rri në këmbë në të djathtën e Perëndisë.”
57 Por ata, duke lëshuar britma të forta, i zunë veshët dhe të gjithë tok u sulën mbi të;
58 dhe, si e nxorën jashtë qytetit, e vranë me gurë. Dëshmitarët i vunë rrobat e tyre te këmbët e një djaloshi, të quajtur Saul.
59 Kështu e vranë me gurë Stefanin, që i thërriste Jezusit dhe thoshte: “O Zoti Jezus, pranoje frymën time!.”
60 Atëherë ra në gjunjë dhe bërtiti me zë të lartë: “O Zot, mos ua ngarko atyre këtë mëkat!.” Dhe, si tha këtë, fjeti.