Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Isaia 64:1-9

64 Oh, sikur t’i shqyeje qiejtë dhe të zbrisje! Para teje do të tundeshin malet.

Ashtu si zjarri djeg degët e thata, ashtu si zjarri e bën ujin të valojë, zbrit për t’ua bërë të njohur emrin tënd kundërshtarëve të tu dhe t’i bësh kombet të dridhen para teje.

Kur bëre gjëra të tmerrshme që nuk i prisnim, ti zbrite dhe malet u tundën në praninë tënde.

Nga kohët e lashta askush nuk kishte dëgjuar kurrë, asnjë vesh nuk kishte dëgjuar dhe asnjë sy nuk kishte parë ndonjë Perëndi tjetër veç teje, që vepron për atë që ka shpresë tek ai.

Ti i del para atij që kënaqet në zbatimin e drejtësisë dhe kujtohet për ty në rrugët e tua. Ja, ti je zemëruar sepse ne kemi mëkatuar; në këtë kemi vazhduar gjatë dhe kemi nevojë të shpëtohemi.

Jemi të gjithë si një gjë e papastër, dhe të gjitha veprat tona të drejtësisë janë si një rrobe e ndotur; po fishkemi të gjithë si një gjethe dhe paudhësitë tona na çojnë larg si era.

Nuk ka më njeri që të thërrasë emrin tënd, që lëviz për t’u kapur pas teje, sepse ti na e ke fshehur fytyrën tënde dhe na lë të tretemi në pushtetin e paudhësive tona.

Megjithatë, o Zot, ti je ati ynë; ne jemi argjila dhe ti je ai që na formon; ne të gjithë jemi vepra e duarve të tua.

Mos u zemëro tepër, o Zot, dhe mos e kujto paudhësinë përjetë. Ja, shiko, të lutemi; ne të gjithë jemi populli yt.

Psalmet 80:1-7

80 Dëgjo, o bari i Izraelit, që udhëheq Jozefin si një kope; ti që rrin mbi Kerubinët, shkëlqe në lavdinë tënde.

Rizgjoje fuqinë tënde përpara Efraimit, Beniaminit dhe Manasit, dhe eja të na çlirosh.

O Perëndi, na përtëri fuqitë, bëje fytyrën tënde të shkëlqejë dhe ne do të shpëtojmë.

O Zot, Perëndi i ushtrive, deri kur do të jesh i zemëruar kundër lutjes së popullit tënd?

Ti u ke dhënë për të ngrënë bukë të njomur me lot, dhe u ke dhënë për të pirë lot me shumicë.

Ti na ke bërë objekt mosmarëveshjeje për fqinjët tanë, dhe armiqtë tanë qeshin njeri me tjetrin.

O Perëndi i ushtrive, na përtëri forcat tona; bëje fytyrën tënde të shkëlqejë përsëri dhe do të shpëtojmë.

Psalmet 80:17-19

17 Dora jote qoftë mbi njeriun e të djathtë tënde, mbi njeriun që ti e ke bërë të fortë për ty.

18 Kështu ne nuk do të largohemi më prej teje. Na ngjall dhe ne do të kërkojmë emrin tënd.

19 O Zot, Perëndia i ushtrive, na përtëri; bëje fytyrën tënde të shkëlqejë dhe do të shpëtojmë.

1 e Korintasve 1:3-9

hir dhe paqe për ju nga Perëndia, Ati ynë, dhe nga Zoti Jezu Krisht.

Përherë i falem nderit Perëndisë tim për ju, për hirin e Perëndisë, i cili ju është dhënë me anë të Jezu Krishtit,

sepse në atë ju u bëtë të pasur në të gjitha, në çdo fjalë dhe në çdo njohuri,

sikurse dëshmimi i Krishtit që u vërtetua ndër ju,

kaq sa nuk ju mungon asnjë dhunti, ndërsa prisni zbulesën e Zotit tonë Jezu Krishtit,

i cili edhe do t’ju vërtetojë deri në fund, që të jeni të paqortueshëm në ditën e Zotit tonë Jezu Krishtit.

Besnik është Perëndia, nga i cili jeni thirrur në bashkësinë e Birit të tij Jezu Krishtit, Zotit tonë.

Marku 13:24-37

24 “Por në ato ditë, pas atij mundimi, dielli do të erret dhe hëna nuk do të japë shkëlqimin e vet;

25 yjet e qiellit do të bien dhe fuqitë që janë në qiej do të lëkunden.

26 Atëherë do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur në re, me pushtet të madh e me lavdi.

27 Atëherë ai do të dërgojë engjëjt e vet dhe do t’i mbledhë të zgjedhurit e vet nga të katër erërat, nga skaji i tokës deri në skaj të qiellit.

28 Tani mësoni nga shëmbëlltyra e fikut: kur degët e tij njomësohen dhe nxjerrin gjethe, ju e dini se vera është afër.

29 Kështu edhe ju, kur do të shihni se po ndodhin këto gjëra, ta dini se ai është afër, madje te dera.

30 Në të vërtetë po ju them se ky brez nuk do të kalojë, derisa e gjithë kjo të ketë ndodhur.

31 Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë.”

32 “Sa për atë ditë dhe atë orë, askush nuk e di, as engjëjt në qiell, as Biri, por vetëm Ati.

33 Tregoni kujdes, rrini zgjuar dhe lutuni, sepse nuk e dini kur do të jetë ai moment.

34 Éshtë sikurse një njeriu i cili, duke u nisur për rrugë, lë shtëpinë e vet duke u dhënë autoritet shërbëtorëve të tij, secilit në detyrën e tij, dhe portjerin e urdhëron të rrije zgjuar.

35 Rrini zgjuar, pra, sepse nuk e dini kur do të vijë i zoti i shtëpisë: në mbrëmje a në mesnatë, kur këndon gjeli a në mëngjes;

36 që ai, duke u kthyer papritmas, të mos ju gjejë në gjumë.

37 Tani, këtë që po ju them juve, ua them të gjithëve: Rrini zgjuar!.”