Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
61 Fryma e Zotit, Zoti është mbi mua, sepse Zoti më ka vajosur për t’u dhënë një lajm të mirë të përulurve; më ka dërguar të lidh plagën e atyre që e kanë zemrën të thyer, të shpall çlirimin e atyre që janë në robëri, hapjen e burgut të burgosurve,
2 të shpall vitin e hirit të Zotit dhe ditën e hakmarrjes të Perëndisë tonë, për të ngushëlluar tërë ata që pikëllohen,
3 për t’u dhënë gëzim atyre që pikëllohen në Sion, për t’u dhënë atyre një diademë në vend të hirit, vajin e gëzimit në vend të zisë, mantelin e lavdërimit në vend të një fryme të ligështuar, me qëllim që të quhen lisa të drejtësisë mbjellja e Zotit, për të paraqitur lavdinë e tij.
4 Ata do të rindërtojnë rrënojat e vjetra, do të rimëkëmbin vendet që janë shkretuar në të kaluarën, do të restaurojnë qytetet e shkretuara dhe të shkatërruara prej shumë brezash.
8 Sepse unë, Zoti, e dua drejtësinë, urrej vjedhjennë olokaust: unë do t’u jap atyre me besnikmëri shpërblimin dhe do të bëj me ta një besëlidhje të përjetshme.
9 Pasardhësit e tyre do të jenë të njohur ndër kombet dhe brezi i tyre ndër popuj; tërë ata që do t’i shohin do t’i njohin, sepse ata janë një fis i bekuar nga Zoti.
10 Unë do të gëzohem shumë tek Zoti, shpirti im do të kremtojë Perëndinë tim, sepse më ka veshur me rrobat e shpëtimit, më ka mbuluar me mantelin e drejtësisë, ashtu si një dhëndër që vë një diademë, si një nuse që zbukurohet me xhevahiret e saj.
11 Prandaj, ashtu si toka bën që të rritet bimësia e saj dhe kopshti bën që të mbijë atë që është mbjellë, po kështu Zoti, Zoti, do të bëjë që të mbijë drejtësia dhe lëvdimi përpara tërë kombeve.
126 Kur Zoti i bëri robërit e Sionit të kthehen, na u duk si ëndërr.
2 Atëherë goja jonë u mbush me qeshje dhe gjuha jonë me këngë gëzimi, atëherë thuhej midis kombeve: "Zoti ka bërë gjëra të mëdha për ta".
3 Zoti ka bërë gjëra të mëdha për ne, dhe jemi tërë gëzim.
4 Bëj të rikthehen robërit tanë, o Zot, ashtu si përrenjtë në jug.
5 Ata që mbjellin me lotë, do të korrin me këngë gëzimi.
6 Vërtetë ecën duke qarë ai që mban farën që do të mbillet, por ai do të kthehet më këngë gëzimi duke sjellë duajt e tij.
46 Dhe Maria tha: “Shpirti im e madhëron Zotin,
47 dhe fryma im ngazëllon në Perëndinë, Shpëtimtarin tim,
48 sepse ai e shikoi me pëlqim ultësinë e shërbëtores së tij; sepse ja, tani e tutje të gjitha brezat do të më shpallin të lume,
49 sepse i Pushtetshmi më bëri gjëra të mëdha, dhe i Shenjtë është emri i tij!
50 Dhe mëshira e tij shtrihet nga brezi në brez për ata që e druajnë.
51 Ai veproi pushtetshëm me krahun e vet; i shpërndau krenarët me mendimet e zemrave të tyre;
52 i përmbysi pushtetarët nga fronat e tyre dhe i ngriti të përulurit;
53 i mbushi me të mira të uriturit dhe i ktheu duarbosh të pasurit.
54 Ai e ndihmoi Izraelin, shërbëtorin e vet, duke i kujtuar për mëshirën e tij,
55 ashtu si ua pati deklaruar etërve tanë, Abrahamit dhe pasardhësve të tij, për gjithmonë.”
16 Jini gjithmonë të gëzuar.
17 Lutuni pa pushim.
18 Për çdo gjë falënderoni sepse i tillë është vullneti i Perëndisë në Krishtin Jezus për ju.
19 Mos e shuani Frymën.
20 Mos i përbuzni profecitë.
21 Provoni të gjitha, mbani të mirën.
22 Hiqni dorë nga çdo dukje e ligë.
23 Dhe Perëndia i paqes ju shenjtëroftë ai vetë tërësisht; dhe gjithë fryma juaj, shpirt e trup, të ruhet pa të metë për ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht.
24 Besnik është ai që ju thërret, i cili edhe do ta bëjë.
6 Qe një njeri i dërguar nga Perendia; emri i tij ishte Gjon.
7 Ai erdhi si dëshmitar, për të dëshmuar për dritën, që të gjithë të besonin nëpërmjet tij;
8 ai nuk ishte drita, por u dërgua për të dëshmuar për dritën.
19 Dhe kjo është dëshmia e Gjonit, kur Judenjtë i dërguan nga Jeruzalemi priftërinj dhe levitë për ta pyetur: “Kush je ti?.”
20 Ai edhe e rrëfeu, edhe nuk e mohoi, dhe rrëfeu: “Unë nuk jam Krishti.”
21 Atëherë ata e pyetën: “Kush je, pra? A je Elia?.” Ai tha: “Nuk jam!.” “Je ti profeti?.” Dhe ai përgjigjej: “Jo!.”
22 Atëherë ata i thanë: “Kush je ti, që t’u japim përgjigje atyre që na dërguan? Ç’thua për veten tënde?.”
23 Ai u përgjigj: “Unë jam zëri i atij që bërtet në shkretëtirë: drejtoni udhën e Zotit, sikurse tha profeti Isaia.”
24 Dhe ata që qenë dërguar, ishin nga farisenjtë;
25 ata e pyetën dhe i thanë: “Atëherë pse ti pagëzon, kur nuk je as Krishti, as Elia, as profeti?.”
26 Gjoni iu përgjigj atyre, duke thënë: “Unë pagëzoj me ujë, por midis jush është një që ju nuk e njihni.
27 Ai është ai që vjen pas meje e më paraprin, të cilit unë nuk jam i denjë t’ia zgjidh lidhësen e sandaleve.”
28 Këto gjëra ndodhën në Betabara, përtej Jordanit, ku Gjoni po pagëzonte.