Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
79 O Perëndi, kombet kanë hyrë në trashëgiminë tënde, kanë përdhosur tempullin tënd të shenjtë, e kanë katandisur Jeruzalemin në një grumbull gërmadhash.
2 Trupat e vdekur të shërbëtorëve të tu ua dhanë për të ngrënë shpendëve të qiellit dhe mishin e shenjtorëve të tu bishave të fushave.
3 Kanë derdhur gjakun e tyre si ujë rreth Jeruzalemit, në mënyrë që asnjeri të mos i varroste.
4 Jemi bërë një turp për fqinjët tanë, tallja dhe gazi i atyre që na rrinë rreth e qark.
5 Deri kur, o Zot? A do të jesh i zemëruar përjetë? A do të flakërojë smira jote si një zjarr?
6 Lësho zemërimin tënd mbi kombet që nuk të njohin dhe mbi mbretëritë që nuk përmendin emrin tënd,
7 sepse kanë gllabëruar Jakobin dhe kanë shkretuar banesën e tij.
8 Mos kujto kundër nesh fajet e të pabesëve tanë; nxito të na dalësh para me dhembshuritë e tua, sepse jemi shumë të vuajtur.
9 Na ndihmo, o Perëndi i shpëtimit, për lavdinë e emrit tënd, dhe na çliro dhe na fal mëkatet tona për hir të emrit tënd.
10 Sepse kombet do të thonin: "Ku është Perëndia i tyre?". Para syve tona bëju të njohur kombeve hakmarrjen e gjakut të derdhur të shërbëtorëve të tu.
11 Le të arrijë deri tek ti rrënkimi i robërve; sipas fuqisë së krahut tënd, shpëto ata që janë të dënuar me vdekje.
12 Dhe ktheju fqinjëve tonë shtatëfish të zezën që të kanë bërë o Zot.
13 Dhe ne populli yt dhe kopeja e kullotës sate, do të të kremtojmë përjetë dhe do të shpallim lavdinë tënde brez pas brezi.
6 "Atë ditë," thotë Zoti, "unë do të mbledh çalamanët, do të mbledh të dëbuarit dhe ata që kisha dëshpëruar.
7 Nga çalamanët do të bëj një mbetje dhe nga të dëbuarit një komb të fuqishëm. Kështu Zoti do të mbretërojë mbi ta në malin e Sionit, qysh atëherë e përgjithnjë.
8 Dhe ti, kullë e kopesë, kala e bijës së Sionit, ty do të vijë, pikërisht ty do të të vijë sundimi i lashtë, mbretëria e bijës së Jeruzalemit".
9 Tani, pse bërtet kaq fort? A nuk ka asnjë mbret brenda teje? Vallë ka vdekur këshilltari yt, që të kanë zënë dhembjet si një grua që po lind.
10 Perpëlitu dhe nxirre në dritë, o bijë e Sionit, si një grua që po lind, sepse tani do të dalësh nga qyteti, do të banosh në fushë dhe do të shkosh deri në Babiloni. Atje do të çlirohesh, atje Zoti do të të shpengojë nga dora e armiqve të tu.
11 Tani janë mbledhur shumë kombe kundër teje që thonë: "Le të përdhoset dhe sytë tona le të kënaqen duke shikuar Sionin".
12 Por ata nuk i dinë mendimet e Zotit, nuk e kuptojnë qëllimin e tij, sepse ai do t’i mbledhë si duaj në lëmë.
13 Çohu dhe shij, o bijë e Sionit, sepse do ta bëj bririn tënd prej hekuri dhe thonjtë e tu prej bronzi; ti do të dërmosh shumë popuj dhe unë do t’ia caktoj fitimet e tyre Zotit dhe pasuritë e tyre Zotit të të gjithë dheut.
18 Edhe pas këtyre pashë një engjëll tjetër që zbriste nga qielli, që kishte pushtet të madh; dhe dheu u ndriçua nga lavdia e tij.
2 Ai bërtiti me forcë dhe me zë të madh, duke thënë: “Ra, ra Babilona e madhja, dhe u bë vendbanimi i demonëve, dhe streha e çdo fryme të ndyrë, dhe streha e çdo shpendi të ndyrë dhe neveritshëm.
3 Sepse nga vera e mërisë së kurvërimit të saj kanë pirë të gjitha kombet, dhe mbretërit e dheut me të u kurvëruan, dhe tregtarët e dheut u pasuruan për shkak të luksit të saj të shfrenuar.”
4 Pastaj dëgjova një zë tjetër nga qielli, duke thënë: “Dilni prej saj, o populli im, që të mos bëheni pjestarë të mëkateve të saj, dhe të mos merrni nga plagët e saj,
5 sepse mëkatet e saj janë grumbulluar dhe kanë arritur deri në qiell, dhe Perëndia kujtoi paudhësitë e saj.
6 Shpërblejani atë që ajo ju ka bërë juve, përkundrazi, shpërblejani dyfish sipas veprave të saj; në kupën që ajo derdhi derdhini dyfishin.
7 Në masën që u vetlavdërua ajo dhe shfreu në epshe, në atë masë i jepni asaj mundim dhe brenga, sepse ajo në zemër të vet thotë: "Unë rri posi mbretëreshë, e ve nuk jam dhe brengë nuk do të shoh".
8 Prandaj në një ditë të vetme do të vijnë plagët e saj: vdekja, vaji dhe zia e bukës; edhe do të digjet krejt në zjarr, sepse i fuqishëm është Zoti Perëndia, ai që e gjykon atë.”
9 Dhe do ta qajnë atë dhe do të vajtojnë për të mbretërit e dheut, ata që u kurvëruan me të dhe u dhanë pas epsheve me të, kur të shohin tymin e zjarrit të saj;
10 ata do të qëndrojnë larg nga frika e mundimit të saj, duke thënë: “Mjerë, mjerë Babilona, qyteti i madh, qyteti i fuqishëm, sepse në një moment erdhi gjyqi yt!.”