Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
79 O Perëndi, kombet kanë hyrë në trashëgiminë tënde, kanë përdhosur tempullin tënd të shenjtë, e kanë katandisur Jeruzalemin në një grumbull gërmadhash.
2 Trupat e vdekur të shërbëtorëve të tu ua dhanë për të ngrënë shpendëve të qiellit dhe mishin e shenjtorëve të tu bishave të fushave.
3 Kanë derdhur gjakun e tyre si ujë rreth Jeruzalemit, në mënyrë që asnjeri të mos i varroste.
4 Jemi bërë një turp për fqinjët tanë, tallja dhe gazi i atyre që na rrinë rreth e qark.
5 Deri kur, o Zot? A do të jesh i zemëruar përjetë? A do të flakërojë smira jote si një zjarr?
6 Lësho zemërimin tënd mbi kombet që nuk të njohin dhe mbi mbretëritë që nuk përmendin emrin tënd,
7 sepse kanë gllabëruar Jakobin dhe kanë shkretuar banesën e tij.
8 Mos kujto kundër nesh fajet e të pabesëve tanë; nxito të na dalësh para me dhembshuritë e tua, sepse jemi shumë të vuajtur.
9 Na ndihmo, o Perëndi i shpëtimit, për lavdinë e emrit tënd, dhe na çliro dhe na fal mëkatet tona për hir të emrit tënd.
10 Sepse kombet do të thonin: "Ku është Perëndia i tyre?". Para syve tona bëju të njohur kombeve hakmarrjen e gjakut të derdhur të shërbëtorëve të tu.
11 Le të arrijë deri tek ti rrënkimi i robërve; sipas fuqisë së krahut tënd, shpëto ata që janë të dënuar me vdekje.
12 Dhe ktheju fqinjëve tonë shtatëfish të zezën që të kanë bërë o Zot.
13 Dhe ne populli yt dhe kopeja e kullotës sate, do të të kremtojmë përjetë dhe do të shpallim lavdinë tënde brez pas brezi.
4 Por në kohët e fundit do të ndodhë që mali i shtëpisë së Zotit do të vendoset në majën e maleve dhe do ngrihet përmbi kodrat, dhe aty do të vijnë popujt.
2 Do të vijnë shumë kombe dhe do të thonë: "Ejani, të ngjitemi në malin e Zotit dhe në shtëpinë e Perëndisë të Jakobit; ai do të na mësojë rrugët e tij dhe ne do të ecim në shtigjet e tij". Sepse nga Sioni do të dalë ligji dhe nga Jeruzalemi fjala e Zotit.
3 Ai do të jetë gjyqtari midis shumë popujve dhe do të jetë arbitri midis shumë kombeve të fuqishme dhe të largëta. Me shpatat e tyre do të farkëtojnë plore dhe me ushtat e tyre drapërinj; një komb nuk do ta ngrerë më shpatën kundër tjetrit dhe nuk do të stërviten për luftë.
4 Do të ulet secili nën hardhinë e vet dhe nën fikun e vet, dhe askush nuk do t’i trembë më, sepse goja e Zotit të ushtrive foli.
5 Ndërsa tërë popujt ecin secili në emër të zotit të vet, ne do të ecim në emër të Zotit, Perëndisë tonë, përjetë.
15 Pastaj pashë në qiell një shenjë tjetër të madhe dhe të mrekullishme: shtatë engjëj që kishin shtatë plagët e fundit, sepse me to u krye zemërimi i Perëndisë.
2 Dhe pashë një si det të qelqtë, të përzier me zjarr dhe në këmbë mbi detin e qelqtë, ata që kishin mundur bishën, figurën e saj, dhe damkën e saj edhe numrin e emrit të saj. Ata kishin qestet e Perëndisë,
3 dhe këndonin këngën e Moisiut, shërbëtorit të Perëndisë, dhe këngënn e Qengjit, duke thënë: “Të mëdha dhe të mrekullueshme janë veprat e tua, o Zot, Perëndi i plotfuqishëm; të drejta dhe të vërteta janë udhët e tua, o Mbret i kombeve.
4 Kush nuk do të të druajë, o Zot, dhe nuk do të lëvdojë emrin tënd? Sepse vetëm ti je i Shenjtë; sepse të gjitha kombet do të vijnë dhe do të adhurojnë përpara teje, sepse gjykimet e tua u shfaqën.”
5 Dhe pas këtyre gjërave unë pashë dhe ja, u hap në qiell tempulli i tabernakullit të dëshmisë.
6 Dhe të shtatë engjëjt, që kishin të shtatë plagët, dolën nga tempulli, të veshur me lin të pastër dhe të shndritshëm, dhe të ngjeshur përreth gjoksit me breza ari.
7 Një nga të katër qeniet e gjalla u dha të shtatë engjëjve shtatë kupa ari, plot me zemërimi i Perëndisë, që rron në shekuj të shekujve.
8 Dhe tempulli u mbush me tym nga lavdia e Perëndisë dhe nga fuqia e tij; dhe askush nuk mund të hynte në tempull, derisa të mbaroheshin të shtatë plagët e të shtatë engjëjve.