Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
99 Zoti mbretëron, popujt le të dridhen. Ai është ulur mbi Kerubinët, toka le të dridhet.
2 Zoti është i madh në Sion dhe i shkëlqyeshëm mbi të gjithë popujt.
3 Ata do të kremtojnë emrin tënd të madh dhe të tmerrshëm. Ai është i shenjtë.
4 Mbreti është i fuqishëm dhe e do drejtësinë. Ti e ke vendosur të drejtën dhe e ushtrove Jakobin në gjykim dhe drejtësi.
5 Përlëvdoni Zotin, Perëndinë tonë, dhe bini përmbys përpara stolit të këmbëve të tij. Ai është i shenjtë.
6 Moisiu dhe Aaroni qenë ndër priftërinjtë e tij, dhe Samueli ndër ata që përmendën emrin e tij; ata iu drejtuan Zotit dhe ai iu përgjigj atyre.
7 Ai u foli atyre nga kolona e resë, dhe ata respektuan dëshmitë e tij dhe statutet që u dhe atyre.
8 Ti plotësove dëshirën e tyre, o Zot, Perëndia ynë. Ti ishe për ata një Perëndi që fal, dhe kur dënon prapësitë e tyre.
9 Përlëvdoni Zotin, Perëndinë tonë, dhe adhurojeni në malin e tij të shenjtë, sepse Zoti, Perëndia ynë, është i shenjtë.
9 Ndodhi në ditën e tetë që Moisiu thirri Aaronin, bijtë e tij dhe pleqtë e Izraelit,
2 dhe i tha Aaronit: "Merr një viç për flijimin për mëkatin dhe një dash për një olokaust, që të dy pa të meta, dhe ofroji para Zotit.
3 Pastaj do t’u flasësh bijve të Izraelit, duke u thënë: Merrni një cjap për flijimin për mëkatin, një viç dhe një qengj, që të dy motakë, pa të meta, për një olokaust,
4 një dem të vogël dhe një dash për flijimin e falënderimit, për t’i flijuar përpara Zotit, dhe një ofertë ushqimesh, të përziera me vaj, sepse sot Zoti do t’ju shfaqet".
5 Dhe kështu ata sollën përpara çadrës së mbledhjes atë që Moisiu kishte urdhëruar; dhe tërë asamblea u afrua dhe qëndroi në këmbë përpara Zotit.
6 Atëherë Moisiu tha: "Kjo është ajo që Zoti ju ka urdhëruar; bëjeni dhe lavdia e Zotit do t’ju shfaqet".
7 Pastaj Moisiu i tha Aaronit: "Afroju altarit; paraqit flijimin tënd për mëkatin dhe olokaustin tënd, dhe bëj shlyerjen për vete dhe për popullin; paraqit gjithashtu ofertën e popullit dhe bëj shlyerjen për ata, siç ka urdhëruar Zoti".
8 Kështu Aaroni iu afrua altarit dhe theri viçin e flijimit për mëkatin, që e kishte për vete.
9 Pastaj bijtë e tij i paraqitën gjakun dhe ai ngjeu gishtin e tij në gjak dhe e vuri atë mbi brirët e altarit, dhe derdhi mbetjen e gjakut në bazën e altarit;
10 por dhjamin, veshkat dhe bulën e majme të mëlçisë të flijimit për mëkatin, i tymosi mbi altar ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
11 Mishin dhe lëkurën përkundrazi i dogji jashtë kampit.
22 Pastaj Aaroni ngriti duart e tij drejt popullit dhe e bekoi; mbasi bëri flijimin për mëkatin, olokaustin dhe flijimin e falënderimit, zbriti nga altari.
23 Pastaj Moisiu dhe Aaroni hynë në çadrën e mbledhjes; pastaj dolën dhe bekuan popullin. Atëherë lavdia e Zotit iu shfaq tërë popullit.
24 Pastaj një zjarr doli nga prania e Zotit dhe konsumoi mbi altar olokaustin dhe dhjamin; tërë populli e pa, shpërtheu në britma gëzimi dhe u përul me fytyrë për tokë.
4 Sepse duke qenë se Krishti ka vuajtur për ne në mish, armatosuni edhe ju me të njëjtin mendim, sepse ai që ka vuajtur në mish pushoi së mëkatuari,
2 për të jetuar kohën që mbetet në mish jo më në pasionet e njerëzve, por sipas vullnetit të Perëndisë.
3 Sepse për ne është e mjaftueshme koha e jetës që shkuam për të kënaqur gjërat e dëshiruara nga johebrenjtë, kur ecnim në shthurje, në pasione, në dehje, në teprime, në të ngrëna e në të pira dhe në idhujtari të neveritshme.
4 Prandaj u duket çudi që ju nuk rendni me ta në po ato teprime shthurjeje dhe flasin keq për ju.
5 Ata do të japin llogari para atij që është gati të gjykojë të gjallë e të vdekur.
6 Për këtë në fakt, ungjilli u është predikuar edhe të vdekurve, që ata të gjykohen në mish sipas njerëzve, por të jetojnë në frymë sipas Perëndisë.