Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
134 Ja, bekoni Zotin, ju, të gjithë shërbëtorët e Zotit, që e kaloni natën në shtëpinë e Zotit.
2 Ngrini duart në drejtim të shenjtores dhe bekoni Zotin.
3 Të bekoftë Zoti nga Sioni, ai që ka krijuar qiejtë dhe tokën.
24 Pastaj Perëndia i tha Moisiut: "Ngjitu te Zoti, ti dhe Aaroni, Nadabi dhe Abihu si dhe shtatëdhjetë nga pleqtë e Izraelit, dhe adhuroni nga larg;
2 pastaj Moisiu do t’i afrohet Zotit; por të tjerët nuk do t’i afrohen, as populli nuk ka për t’u ngjitur bashkë me atë".
3 Atëherë Moisiu erdhi dhe i tregoi popullit tërë fjalët e Zotit dhe tërë ligjet. Dhe gjithë populli u përgjigj me një zë dhe tha: "Ne do të bëjmë tërë gjërat që Zoti ka thënë".
4 Dhe Moisiu i shkroi tërë fjalët e Zotit; pastaj u ngrit herët në mëngjes dhe ngriti në këmbët e malit një altar dhe dymbëdhjetë shtylla për të dymbëdhjetë fiset e Izraelit.
5 Pastaj dërgoi bij të rinj të Izraelit për të ofruar olokauste dhe për të flijuar dema të rinj si theror falënderimi ndaj Zotit.
6 Dhe Moisiu mori gjysmën e gjakut dhe e vuri në legenë; dhe gjysmën tjetër të gjakut e shpërndau mbi altar.
7 Pastaj mori librin e besëlidhjes dhe ia lexoi popullit, i cili tha: "Ne do të bëjmë tërë ato që ka thënë Zoti, dhe do t’i bindemi".
8 Pastaj Moisiu mori gjakun, spërkati popullin me të dhe tha: "Ja gjaku i besëlidhjes që Zoti ka lidhur me ju sipas tërë këtyre fjalëve".
9 Pastaj Moisiu dhe Aaroni, Nadabi dhe Abihu dhe shtatëdhjetë nga pleqtë e Izraelit u ngjitën,
10 dhe panë Perëndinë e Izraelit. Nën këmbët e tij ishte si një dysheme e punuar me safir, e qartë si qielli vetë.
11 Por ai nuk e shtriu dorën kundër krerëve të bijve të Izraelit; dhe ata e panë Perëndinë, dhe hëngrën dhe pinë.
21 Pas këtyre gjërave, Jezusi iu shfaq përsëri dishepujve pranë Detit të Tiberiadës; dhe u shfaq në këtë mënyrë:
2 Simon Pjetri, Thomai i quajtur Binjaku, Natanaeli nga Kana e Galilesë, të bijtë e Zebedeut dhe dy të tjerë nga dishepujt e tij ishin bashkë.
3 Simon Pjetri u tha atyre: “Po shkoj të peshkoj.” Ata i thanë: “Po vijmë edhe ne me ty.” Dolën dhe hipën menjëherë në barkë; por atë natë nuk zunë asgjë.
4 Në mëngjes herët, Jezusi ndenji te bregu; megjithatë dishepujt nuk e kuptuan se ishte Jezusi.
5 Dhe Jezusi u tha atyre: “O djema, a keni ndonjë gjë për të ngrënë?.” Ata iu përgjigjën: “Jo!.”
6 Dhe ai u tha atyre: “Hidhni rrjetën në anën e djathtë të barkës dhe do të gjeni.” E hodhën, pra, dhe s’mundën më ta tërhiqnin nga shumica e peshqve.
7 Atëherë dishepulli, të cilin Jezusi e donte, i tha Pjetrit: “Éshtë Zoti.” Simon Pjetri, kur dëgjoi se ishte Zoti, u mbështoll me rrobë (sepse ishte i zhveshur) dhe u hodh në det.
8 Dishepujt e tjerë përkundrazi shkuan me barkë (sepse nuk ishin shumë larg nga toka, vetëm dyqind kubitë), duke tërhequr rrjetën plot me peshq.
9 Mbasi dolën në tokë, panë një zjarr me prush dhe mbi të peshk dhe bukë.
10 Jezusi u tha atyre: “Sillni këtu disa nga peshqit që zutë tani!.”
11 Simon Pjetri hipi përsëri në barkë dhe nxori në tokë rrjetën, plot me peshq të mëdhenj, njëqind e pesëdhjetë e tre; dhe, megjithse ishin aq shumë, rrjeta nuk u shqye.
12 Jezusi u tha atyre: “Ejani të hani mëngjes.” Por asnjë nga dishepujt nuk guxonte ta pyeste: “Kush je?,” duke ditur se ishte Zoti.
13 Atëherë Jezusi erdhi, mori bukë dhe ua dha atyre; po kështu edhe peshkun.
14 Kjo ishte e treta herë që Jezusi iu shfaq dishepujve të vet, mbasi ishte ringjallur së vdekuri.