Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
100 Dërgojini klithma gëzimi Zotit, o banorë të të gjithë tokës!
2 I shërbeni Zotit me gaz, ejani para tij me këngë gëzimi.
3 Pranoni që Zoti është Perëndia; na ka bërë ai dhe jo ne vetë; ne jemi populli i tij dhe kopeja e kullotës së tij.
4 Hyni në portat e tij me falenderim dhe në oborret e tij me lavde; kremtojeni, bekoni emrin e tij.
5 Sepse Zoti është i mirë; mirësia e tij është e përjetshme dhe besnikëria e tij vlen për të gjitha brezat.
23 "Mjerë barinjtë që prishin dhe shpërndajnë kopenë e kullotës sime," thotë Zoti.
2 Prandaj kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit, kundër barinjve që kullosin popullin tim: "Ju keni shpërndarë delet e mia, i keni përzënë dhe nuk keni pasur kujdes për to; ja, unë do t’ju dënoj për ligësinë e veprimeve tuaja," thotë Zoti.
3 "Por do të mbledh kusurin e deleve të mia nga të gjitha vendet ku i kam shpërndarë dhe do t’i çoj përsëri në kullotat e tyre, ku do të jenë pjellore dhe do të shumohen.
4 Do të caktoj mbi to barinj që do t’i kullosin dhe nuk do të kenë më ndrojtje as frikë; nuk do të mungojë asnjë prej tyre," thotë Zoti.
5 "Ja, ditët po vijnë," thotë Zoti, "në të cilat do të shkaktoj që të dalë nga Davidi një filiz i drejtë, që do të mbretërojë si mbret, do të ketë mbarësi dhe do të ushtrojë gjykimin dhe drejtësinë në vend.
6 Në ditët e tij Juda do të shpëtohet dhe Izraeli do të qëndrojë në siguri. Ky do të jetë emri me të cilin do të thirret: "Zoti drejtësia jonë".
7 Pra, ditët po vijnë," thotë Zoti, "gjatë të cilave nuk do të thuhet më: Për Zotin e gjallë që i nxori bijtë e Izraelit nga vendi i Egjiptit,,"
8 por: "Për Zotin e gjallë që nxori dhe çoi përsëri pasardhësit e shtëpisë së Izraelit nga vendi i veriut dhe nga të tëra vendet ku i kisha shpërndarë"; dhe ata do të qëndrojnë në vendin e tyre".
17 Pastaj, kur Jezusi po ngjitej në Jeruzalem, i mori mënjanë të dymbëdhjetë dishepujt gjatë rrugës dhe u tha atyre:
18 “Ja, ne ngjitemi në Jeruzalem dhe Biri i njeriut do t’u dorëzohet krerëve të priftërinjve dhe skribëve, dhe ata do ta dënojnë me vdekje.
19 Do t’ua dorëzojnë pastaj në duart e paganëve që ta tallin, ta fshikullojnë dhe ta kryqëzojnë; por ai ditën e tretë do të ringjallet.”
20 Atëherë nëna e bijve të Zebedeut iu afrua bashkë me bijtë e vet, ra përmbys para tij dhe i kërkoi diçka.
21 Dhe ai i tha: “Çfarë do?.” Ajo u përgjigj: “Urdhëro që këta dy bijtë e mi të ulen njeri në të djathtën dhe tjetri në të majtën në mbretërinë tënde.”
22 Dhe Jezusi, duke u përgjigjur tha: “Ju nuk dini çfarë kërkoni; a mund ta pini ju kupën që unë do të pi dhe të pagëzoheni me pagëzimin me të cilin unë do të pagëzohem? Ata i thanë: “Po, mundemi.”
23 Atëherë ai u tha atyre: “Ju me të vërtetë do ta pini kupën time dhe do të pagëzoheni me pagëzimin me të cilin unë do të pagëzohem; por nuk është në dorën time që të uleni në të djathtën time ose në të majtën time, por u është rezervuar atyre, të cilëve u është përgatitur nga Ati im.”
24 Kur i dëgjuan këto fjalë, të dhjetët të tjerët u indinjuan kundër të dy vëllezërve.
25 Dhe Jezusi i thirri ata pranë vetes dhe u tha: “Ju e dini se të parët e kombeve i sundojnë ato dhe të mëdhenjtë përdorin pushtet mbi ato,
26 por midis jush kështu nuk do të ndodhë; madje secili prej jush që do të dojë të bëhet i madh, qoftë shërbëtori juaj;
27 dhe kushdo prej jush që do të dojë të jetë i pari, qoftë skllavi juaj.
28 Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetëve.