Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 102:1-17

102 O Zot, dëgjo lutjen time dhe britma ime arriftë tek ty.

Mos ma fshih fytyrën tënde ditën e fatkeqësisë sime. Zgjate ndaj meje veshin tënd; kur unë të kërkoj, nxito të më përgjigjesh.

Sepse ditët e mia davariten si tymi dhe kockat e mia digjen si urë zjarri.

Zemra ime është goditur dhe thahet si bari, dhe unë harroj madje të ha ushqim.

Duke vajtuar vazhdimisht, lëkura ime po u ngjitet kockave të mia.

I ngjaj pelikanit të shketëtirës dhe jam bërë si bufi i vendeve të shkretuara.

Jam pa gjumë dhe si harabeli i vetmuar mbi çati.

Armiqtë e mi tallen me mua tërë ditën; ata që më përqeshin flasin kundër meje.

Sepse e ha hirin si buka dhe përzjej lotët me atë që pi.

10 Po, për shkak të indinjatës sate dhe të zemërimit tënd, më ngrite dhe më hodhe larg.

11 Ditët e mia janë si hija që zgjatet, dhe unë po thahem si bari.

12 Por ti, o Zot, mbetesh përjetë, dhe kujtimi yt zgjat brez pas brezi.

13 Ti do të ngrihesh dhe do të të vijë keq për Sionin, sepse erdhi koha të tregosh dhembshuri ndaj tij; dhe koha e caktuar erdhi.

14 Sepse shërbëtorët e tu i duan edhe gurët e tij dhe u vjen keq për pluhurin e tij.

15 Po, kombet do të kenë frikë nga emri i Zotit dhe gjithë mbretërit e dheut nga lavdia jote,

16 kur Zoti do të rindërtojë Sionin dhe do të duket në lavdinë e tij.

17 Ai do të dëgjojë lutjen e njerëzve të braktisur dhe nuk do ta përbuzë lutjen e tyre.

Eksodi 13:17-22

17 Kur Faraoni e la popullin të shkojë, Perëndia nuk e çoi nëpër rrugën e vendit të Filistejve, megjithëse kjo ishte më e shkurtëra, sepse Perëndia tha: "Që të mos pendohet populli, kur të shohë luftën, dhe të mos kthehet në Egjipt".

18 Por Perëndia bëri që populli të vinte një herë përqark, nëpër rrugën e shkretëtirës, drejt Detit të Kuq. Dhe bijtë e Izraelit dolën të armatosur nga vendi i Egjiptit.

19 Dhe Moisiu mori me vete eshtrat e Jozefit, sepse i kishte vënë bijtë e Izraelit të betoheshin shprehimisht, duke thënë: "Me siguri Perëndia do t’ju vizitojë; atëhere i bartni me vete eshtrat e mia".

20 Kështu ata u nisën nga Sukothi dhe fushuan në Etham, buzë shkretëtirës.

21 Dhe Zoti shkonte para tyre, ditën në një kolonë resh për t’i udhëhequr në rrugë, dhe natën në një kolonë zjarri për t’u bërë atyre dritë, që të mund të ecnin ditën dhe natën.

22 Kolona e reve nuk tërhiqej kurrë ditën përpara popullit, as kolona e zjarrit natën.

Veprat e Apostujve 7:17-40

17 Por, ndërsa po afrohej koha e premtimit që Perëndia i ishte betuar Abrahamit, populli u shtua dhe u shumua në Egjipt,

18 derisa doli në Egjipt një mbret tjetër që nuk e kishte njohur Jozefin.

19 Ky, duke vepruar me ligësi kundër skotës sonë, i keqtrajtoi etërit tanë deri sa t’i ekspozojnë foshnjat e tyre, që të mos mbeteshin gjallë.

20 Në atë kohë lindi Moisiu, dhe ishte i bukur në sytë e Perëndisë; ai u ushqye për tre muaj në shtëpinë e të atit.

21 Dhe kur u ekspozua, e mori e bija e faraonit dhe e rriti si birin e vet.

22 Kështu Moisiu u arsimua me gjithë diturinë e Egjiptasve dhe ishte i pushtetshëm në fjalë e në vepra.

23 Po kur arriti në moshën dyzet vjeçare, i erdhi në zemër të shkojë e të vizitojë vë-llezërit e tij: bijtë e Izraelit.

24 Kur pa se dikujt po i bëhej një padrejtësi, e mbrojti dhe ia mori hakun të shtypurit, duke vrarë Egjiptasin.

25 Dhe ai mendonte se vëllezërit e tij do ta kuptonin se Perëndia do t’u jepte çlirimin me anë të tij, por ata nuk e kuptuan.

26 Të nesërmen ai u duk në mes tyre, ndërsa po ziheshin dhe i këshilloi për paqe, duke thënë: "O burra, ju jeni vëllezër, pse ia bëni me të padrejtë njëri-tjetrit?".

27 Por ai që ia bënte me të padrejtë fqinjit të vete shtyu, duke thënë: Kush të ka vënë ty të parë dhe gjykatës mbi ne??

28 Don të më vrasësh mua, ashtu si vrare dje Egjiptasin?".

29 Për shkak të këtyre fjalëve Moisiu iku dhe banoi si i huaj në vendin e Madianit, ku i lindën dy bij.

30 Si kaluan dyzet vjet, engjëlli i Zotit iu shfaq në shkretëtirën e malit Sinai, në flakën e zjarrit të një ferrishteje.

31 Kur e pa, Moisiu mbeti i habitur nga sa shihte; dhe, kur po afrohej për të vërejtur, dëgjoi zërin e Zotit,

32 që thoshte: "Unë jam Perëndia e etërve të tu, Perëndia e Abrahamit, Perëndia e Isakut dhe Perëndia e Jakobit". Por Moisiu, që dridhej i tëri, nuk guxonte të shikonte.

33 Atëherë Perëndia i tha: "Hiqi sandalet nga këmbët e tua, sepse vendi ku ti po qëndron është tokë e shenjtë.

34 Unë e kam parë qartë pikëllimin e popullit tim në Egjipt dhe i dëgjova psherëtimat e tyre, dhe kam zbritur për t’i çliruar; tani, pra, eja, unë do të të dërgoj në Egjipt!".

35 Atë Moisiun që e kishin refuzuar, duke thënë: "Kush të vuri ty të parë dhe gjykatës?," po atë u dërgoi Perëndia si kryetar dhe çlirues me anë të engjëllit që i ishte shfaqur në ferrishte.

36 Ai i nxori jashtë, duke kryer shenja e mrekulli në vendin e Egjiptit, në Detin e Kuq dhe në shkretirë për dyzet vjet.

37 Ky është ai Moisi që u tha bijve të Izraelit: "Zoti, Perëndia juaj do të nxjerrë për ju, nga mesi i vëllezërve tuaj, një profet si mua. Dëgjojeni!".

38 Ky është ai që në kuvend, në shkretëtirë, ishte me engjëllin që i fliste mbi malin Sinai dhe me etërit tanë; dhe mori fjalët e jetës për të na e përçuar neve.

39 Etërit tanë nuk deshën t’i binden atij; madje e hodhën poshtë dhe me zemrat e tyre u kthyen nga Egjipti,

40 duke i thënë Aaronit: "Na bëj disa perëndi që të na prijnë, sepse nuk dimë ç’i ka ndodhur këtij Moisiu që na nxori nga vendi i Egjiptit".