Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
35 O Zot, përleshu me ata që përleshen me mua; lufto me ata që luftojnë kundër meje.
2 Merr mburojën dhe parzmoren dhe çohu të më ndihmosh.
3 Nxirre shtizën dhe zëru rrugën atyre që më përndjekin; thuaji shpirtit tim: "Unë jam shpëtimi yt".
4 Mbetshin të shushatur dhe të turpëruar ata që kërkojnë jetën time; kthefshin kurrizin dhe mbetshin të shushatur ata që kurdisin të keqen kundër meje.
5 U shpërndafshin si byku nga era dhe engjëlli i Zotit i dëboftë.
6 Qoftë rruga e tyre e errët dhe me shkarje, dhe Engjëlli i Zotit i përndjektë.
7 Sepse pa pasur arsye më kanë ngritur fshehurazi rrjetën e tyre; pa pasur arsye ma kanë hapur gropën.
8 Një shkatërrim i papritur u rëntë mbi krye, i zëntë rrjeta që kanë fshehur dhe rënçin në gropën që kanë përgatitur për shkatërimin tim.
9 Atëherë shpirti im do të ngazëllejë tek Zoti dhe do të gëzohet për shpëtimin e tij.
10 Të gjitha kockat e mia do të thonë: "O Zot, kush është si ti, që e çliron të mjerin nga ai që është më i fortë se ai, të mjerin dhe nevojtarin nga ai që plaçkit?".
22 Pastaj bijtë e Izraelit u nisën dhe ngritën kampin e tyre në fushat e Moabit, matanë Jordanit, në bregun e kundërt të Jerikos.
2 Por Balaku, bir i Tsiporit, pa të gjitha ato që Izraeli u kishte bërë Amorejve;
3 dhe Moabi pati një frikë të madhe nga ky popull, që ishte kaq i madh; Moabin e zuri një frikë e madhe për shkak të bijve të Izraelit.
4 Kështu Moabi u tha pleqve të Madianit: "Tani kjo turmë do të gllabërojë gjithçka që kemi rreth nesh, ashtu si kau përlan barin e fushave". Balaku, bir i Tsiporit, ishte në atë kohë mbreti i Moabit.
5 Ai i dërgoi lajmëtarë Balaamit, birit të Beorit, në Pethori që është pranë Lumit, në vendin e bijve të popullit të tij, për ta thirrur dhe për t’i thënë: "Ja, një popull ka dalë nga Egjipti; ai mbulon faqen e dheut dhe është vendosur përballë meje.
6 Eja, pra, të lutem, dhe mallkoje për mua këtë popull, sepse është tepër i fuqishëm për mua; ndofta do t’ia dal ta mund dhe ta dëboj nga vendi im; sepse unë e di mirë që ai që ti bekon është i bekuar dhe ai që ti mallkon është i mallkuar".
7 Atëherë pleqtë e Moabit dhe pleqtë e Madianit u nisën duke mbajtur në dorë shpërblimin e shortarit dhe, kur arritën te Balaami, i treguan fjalët e Balakut.
8 Por Balaami u tha atyre: "Kalojeni natën këtu dhe do t’ju njoftoj përgjigjen që Zoti do të më japë". Kështu princët e Moabit mbetën me Balaamin.
9 Atëherë Perëndia i shkoi Balaamit dhe i tha: "Ç’janë këta njerëz që janë me ty?".
10 Dhe Balaami iu përgjegj Perëndisë: "Balaku, bir i Tsiporit, mbret i Moabit, më ka çuar fjalë:
11 "Ja, populli që ka dalë nga Egjipti mbulon faqen e dheut; prandaj eja dhe mallkoje për mua; ndofta do t’ia dal ta mund dhe ta dëboj"".
12 Dhe Perëndia i tha Balaamit: "Ti nuk do të shkosh me ta, nuk do ta mallkosh atë popull, se është një popull i bekuar".
13 Kështu Balaami u ngrit në mëngjes dhe u tha princërve të Balakut: Kthehuni në vendin tuaj, sepse Zoti nuk më dha leje të vij me juu".
14 Pas kësaj princët e Moabit u ngritën, u kthyen te Balaku dhe thanë: Balaami nuk pranoi të vijë me nee".
15 Atëherë Balaku dërgoi përsëri disa princa, në një numër më të madh dhe më të rëndësishëm në krahasim me të parët.
16 Ata erdhën te Balaami dhe i thanë: "Kështu thotë Balaku, bir i Tsiporit: "Asgjë nuk duhet të të ndalë të vish tek unë,
17 sepse unë do të të mbush me nderime dhe do të bëj të gjitha ato që do të më thuash ti; eja, pra, të lutem, dhe mallkoje këtë popull për mua"".
18 Por Balaami u përgjegj dhe u tha shërbëtorëve të Balakut: "Edhe sikur Balaku të më jepte shtëpinë e tij të mbushur me argjend dhe me ar, nuk mund të shkel urdhrin e Zotit, Perëndisë tim, për të kryer veprime të vogla apo të mëdha.
19 Prandaj, ju lutem, rrini këtu këtë natë, në mënyrë që të mësoj çfarë do të më thotë tjetër Zoti".
20 Dhe Perëndia i shkoi atë natë Balaamit dhe i tha: "Në rast se këta njerëz kanë ardhur të të thërresin, çohu dhe shko me ta; por do të bësh vetëm ato gjëra që unë do të të them".
21 Kështu Balaami u çua në mëngjes, shaloi gomaricën e tij dhe shkoi bashkë me princat e Moabit.
17 Kur arritëm në Jeruzalem, vëllezërit na pritën me gëzim.
18 Të nesërmen Pali u tërhoq me ne te Jakobi, dhe erdhën të gjithë pleqtë.
19 Mbasi i përshëndeti, Pali u tregoi atyre, një për një, të gjitha sa kishte bërë Zoti ndër johebrenjtë me anë të shërbesës së tij.
20 Dhe ata, kur dëgjuan këtë, përlëvduan Perëndinë dhe i thanë Palit: “Vëlla, ti po sheh sa mijëra Judenj ka që kanë besuar; dhe të gjithë i përbahen me zell ligjit.
21 Tani ata morën vesh për ty se ti i mëson të gjithë Judenjtës që jetojnë midis johebrenjve të shkëputen nga Moisiu, duke thënë që të mos i rrethpresin djemtë dhe të mos ndjekin më zakonet.
22 Po atëherë, ç’duhet të bëhet? Duhet patjetër që të mblidhet populli, sepse do ta marrin vesh se ke ardhur.
23 Bëje, pra, atë që të themi: ne kemi katër burra, që kanë bërë një premtim solemn;
24 merri dhe pastrohu me ta, dhe paguaj për ta që të rruajnë kokën; kështu të gjithë do ta mësojnë se s’janë gjë ato që kanë dëgjuar për ty, por se edhe ti ecën duke respektuar ligjin.
25 Dhe sa për johebrenjtë që kanë besuar, ne u kemi shkruar atyre, mbasi vendosëm që ata nuk kanë ç’të respektojnë lidhur me këtë, por se të ruhen nga gjërat që u flijohen idhujve, nga gjaku, nga gjërat e mbytura dhe nga kurvëria.”
26 Atëherë Pali i mori me vete ata burra dhe, të nesërmen, pasi u pastrua bashkë me ta, hyri në tempull dhe deklaroi plotësimin e ditëve të pastrimit, dhe kur do të paraqitej oferta për secilin nga ata.